Nga Marenglen Kasmi
Botuar në DITA
Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë gjenerali gjerman komandues i pushtimit, Paul Bader, Komandanti i Korparmatës XXI malore ngriti shtabin e tij në Tiranë. Në territorin shqiptar u stacionuan vetëm dy divizione, divizioni 297 i këmbësorisë në Veri dhe Shqipërinë e Mesme, si dhe divizioni 100 i këmbësorisë së lehtë në jug të Shqipërisë. Më 22 shkurt 1944, Divizioni 100 i këmbësorisë u zëvendësua nga Divizioni 181 i këmbësorisë.
Përkrah këtyre divizioneve, në Shqipëri operonin, prej 1 shkurtit 1944, edhe Regjimenti 1-rë “Brandenburg”, dy batalione turkmenësh dhe një repart artilerie. Gjithsej, këto forca arritën një forcë prej 36.500 ushtarësh, por jo për gjithë kohën e pushtimit. Me kalimin e kohës ato u pakësuan.
Një ditë pas pushtimit të Shqipërisë, në ditarin luftarak të div. 100 malor lexohet qartë se problemi më i madh që paraqitej për ta ishte ndonjë zbarkim i mundshëm i forcave angleze dhe amerikane në bregdetin shqiptar. Po ashtu, aktiviteti i ushtrisë partizane në Jug të Shqipërisë dhe rajonin e Tiranës po shtohej gjithmonë e më shumë.
Në këtë kuadër, në datën 12 shtator 1943 komanda e divizionit arriti në përfundimin se forcat që kishin në dispozicion nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar një detyrë të tillë strategjike dhe operative, siç ishte mbrojtja e bregdetit shqiptar. Prandaj, ishte e domosdoshme që gjithë trupat në dispozicion duhej të përqendroheshin në rajonet bregdetare.
Më tej, një problem jo të vogël përbënte për ta edhe çarmatosja e trupave italiane dhe marrja në ruajtje e teknikës së tyre luftarake si edhe depove të armatimit:
“[…] Mendimet e divizionit për përforcimin e forcave janë dy: e para, ardhja e trupave të reja gjermane, sidomos ardhja e një batalioni tjetër të div. 297 në Tiranë dhe më pas rekrutimi i nacionalistëve shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të luftojnë në krah të gjermanëve si edhe përfshirja e ushtarëve italianë si vullnetarë për të ndihmuar gjatë transportit dhe në frontet e punës.
Po merren masat e para për realizimin e këtyre synimeve. Situata vazhdon të përkeqësohet nga aktiviteti komunist, të cilët zotërojnë territorin në jug të grykës së Shkumbinit dhe në Tiranë, duke shkaktuar trazira të shpeshta. “[…] Do të jetë e nevojshme që, nëpërmjet aktivizimit dhe fuqizimit të shqiptarëve nacionalistë të mbajmë nën kontroll komunistët, sepse trupat e nevojshme gjermanë për të mbajtur të pushtuar vendin në mënyrë të kënaqshme nuk do të jenë asnjëherë në dispozicion”, shkruhet në raportimin ditor të këtij divizioni më 12 shtator 1943.
Përballë këtij rreziku, komandanti i div. 100 gjerman i dha detyrë majorit Frimmel, të merrte masa për krijimin e formacioneve ushtarake vullnetare me forca nacionaliste shqiptare dhe me ushtarë italianë, të cilët ishin ende të gatshëm të vazhdonin luftën përkrah tyre kundër formacioneve të ushtrisë partizane.
Në vlerësimin e situatës për datën 16 shtator 1943 në Shqipëri, komanda e divizionit arrin në përfundimin se si pasojë e sulmeve partizane, përvoja disa ditore e pushtimit të Shqipërisë kishte treguar se, përkrah përgatitjes së mbrojtjes bregdetare, divizioni duhej të merrej seriozisht edhe ushtrinë partizane në thellësi të vendit. Sa i përket zbarkimit të aleatëve, ajo vlerësonte se zbarkimi mund të ndodhte para fillimit të shirave të vjeshtës.
Më pas, ky proces do të ishte shumë i vështirë, si pasojë e mungesës së infrastrukturës dhe moçaleve të shumta e të pakalueshme që karakterizonin territorin shqiptar. Ndërsa forcat partizane mund të lëviznin lirshëm dhe në mënyrë të pakufizuar gjatë gjithë stinëve të vitit.
“Një ndërhyrje aktive nga ana jonë kundër tyre [partizanëve] rezulton gjithsesi shumë më e suksesshme, nëse kryhet në dimër, pasi të kenë rënë gjethet dhe të ketë shtruar dëbora në male”, vlerësonte kjo komandë. Ajo besonte se forcat partizane nuk do të ishin në gjendje të përballonin sulmet e këmbësorisë malore gjermane, të mësuar me dimrin e ashpër dhe të stërvitur për të luftuar në kushte e terrene malore të vështira.
Si pasojë, divizioni gjerman duhej të përshtatej me këto kushte dhe deri në fillimin shirave të vjeshtës urdhëroi që forcat e shumta të organizoheshin në mënyrë të tillë që t’i bënin ballë si ndonjë zbarkimi nga deti, ashtu edhe ajri të forcave aleate dhe të angazhoheshin në maksimumin e mundshëm në luftë kundër ushtrisë partizane.
Prej datës 10 shtator 1943 rreziku që paraqisnin sulmet partizane ndaj ushtrisë gjermane filloi të ishte më evident. Trupat gjermane ishin sulmuar në shumë vende të Shqipërisë. Më tepër aktivë ishin partizanët në Jugun e Shqipërisë. Përveç pritave me armë, Partia Komuniste intensifikoi edhe propagandën, duke e bërë atë me efikase dhe duke e shtrirë në të gjithë vendin. Kjo gjë favorizohej edhe nga mungesa e një qeverie shqiptare. Komanda gjermane mendonte se kjo veprimtari drejtohej sipas një plani të britanikëve, me qëllim ajo të tërhiqte trupat e vendosur për mbrojtjen e bregdetit dhe t’i hidhte ato në luftë kundër ushtrisë partizane.
“Komandanti i divizionit e ka të qartë rrezikun që përmban ky plan. Si kundërmasë do të shërbejë para së gjithash mobilizimi i forcave nacionaliste shqiptare dhe nuk bëhet fjalë vetëm për të tërhequr në qytetet e mëdha dhe në administratë nacionalistë shqiptarë të besuar, por në radhë të parë duhet që nëpërmjet përfshirjes së armatosur të popullsisë [nacionaliste – shën. im] dhe sidomos në male, të s’mbrapsim komunistët”, shkruan gjeneralmajori Utz për datën 13 shtator 1943.[1]
Për organizimin e bashkëpunimit të forcave nacionaliste në Jug të Shqipërisë gjermanët dërguan në datën 13 shtator me avion në Vlorë Ago Agajn, i cili duhej të përgatiste atje kushtet e bashkëpunimit të nacionalistëve me gjermanët.
Ky organizim pati efekt të menjëhershëm. Në një komunikatë informimi që mban datën 17 shtator 1943, që komanda gjermane shpërndau për trupat gjermane thuhet se “grupime të veçuara nacionalistësh tashmë janë bashkuar me Wehrmacht-in gjerman për të luftuar kundër bandave komuniste. Pritet që me konsolidimin e situatës së brendshme ky bashkëpunim të forcohet më tej”.
Me kalimin e kohës dhe evoluimit të shpejtë të situatës, e cila vinte jo vetëm si pasojë e masave gjermane të politikave të pushtimit, qëndresës kundër pushtuesve të rinj por edhe të qartësimit të pozicioneve të palëve politike shqiptare ndaj pushtuesve gjermane dhe mbi të gjitha mos zbarkimit të shumëpritur të forcave aleate në Jugun e Shqipërisë, numri i formacioneve nacionaliste që filluan të afrohen me gjermanët erdhi në rritje.
Sipas vlerësimit të komandës gjermane, përvoja e deriatëhershme në luftën kundër partizanëve, duke synuar asgjësimin e tyre me forca të shumta, kishte dështuar. Taktika e ndjekur nga ushtria partizane dhe zhdërvjelltësia e tyre, kërkonte hartimin e teknikave të reja të luftimit, që u konkretizuan në kryerjen e operacioneve me pjesëmarrjen e shumë forcave, deri në nivel kompanie e batalioni, që vepronin në drejtime të ndryshme.
Qëllimi i këtyre operacioneve ishte rrethimi i forcave partizane dhe asgjësimi i tyre. Një rol të rëndësishëm në kryerjen e këtyre operacioneve kishin edhe forcat e Ballit Kombëtar. Një operacion i tillë i drejtuar kundër forcave partizane të Myslim Pezës ishte edhe “Operacioni 505”, i cili u organizua në fillim të Nëntorit 1943. Ishte detyrë e forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar që pasi të pastroheshin zonat e territoret nga elementët komunistë dhe forcat partizane, ato të mbaheshin në ruajtje dhe në administrim nga Balli Kombëtar, me qëllim që të orientonin popullsinë drejt tyre dhe ushtria partizane të mos kishte mundësi të hynte më në këto zona:
“Për të arritur një paqëtim afatgjatë në zonën e pastruar pas përfundimit të 505-sës, është e një rëndësie të veçantë që popullsia e atjeshme të organizohet nga forcat nacionaliste dhe të armatosen për vetëmbrojtje ndaj ndonjë tentative të re të komunistëve për të hyrë në këto zona”, shkruan komanda gjermane. Në urdhrin e divizionit gjerman për kryerjen e këtij operacioni thuhet ndër të tjera se
“Të një rëndësie tejet të veçantë janë batalionet relativisht të mirë organizuar dhe mirë armatosur të Kadri Cakranit, me të cilin divizioni është i lidhur ngushtë prej shumë kohësh. Më 26.10 Cakrani njoftoi divizionin se, ai kishte marrë urdhër nga drejtuesi më i lartë i organizatës së tij, Midhat Frashëri, një kushëri i regjentit Frashëri, që të luftonte hapur kundër komunistëve në krah të gjermanëve, e sidomos kundër brigadës së Mehmet Shehut dhe kundër Myslim Pezës. Aktualisht kjo luftë e përbashkët është duke u zhvilluar me intensitet në rajonin verior të Lushnjës”.
Sikurse lexohet më sipër, tashmë çetat e Ballit Kombëtar bashkëpunojnë në bazë të një urdhri qendror të dhënë nga kryetari i Ballit, Mit’hat Frashëri. Sigurisht që kryetari i Ballit nuk mund ta lëshonte me shkrim këtë urdhër shumë komprometues. Gjithashtu duhet theksuar që, sa i përket bashkëpunimit të forcave nacionaliste me gjermanët, bashkëpunimi ishte organizuar në mënyrë vendore.
Pra, komandanti gjerman i forcave vendore bashkëpunonte me komandantin e çetës apo çetave vendore nacionaliste, pa pasur nevojë që të informonte komandën e tij eprore. Ky organizim u bë i tillë sepse shpejt gjermanët konstatuan se vetëm kështu mund të shmangeshin burokracitë, ndërkohë që shpesh situata ndryshonte aq shpejt dhe ndërhyrjet kundër partizanëve duhej të bëheshin shumë aktive, siç ishin rastet e “pastrimeve”, siç gjermanët quanin reprezaljet ndaj partizanëve dhe popullsisë. E vetmja gjë që komanda eprore gjermane nuk “liberalizoi” ishte shpërndarja e armatimeve dhe municionit te trupat nacionaliste. Për këtë duhej të jepte urdhër për çdo rast gjenerali gjerman komandues në Shqipëri.
Sa më sipër, kjo natyrë bashkëpunimi e decentralizuar ndërmjet çetave të Ballit dhe ushtrisë gjermane i vinte për shtat edhe drejtuesve të Ballit Kombëtar sepse ata kësisoj nuk dilnin hapur. Gjithsesi, kjo gjë nuk i shpëton ata nga përgjegjësia politike sepse me të gjithë këto formacione, komanda e Ballit Kombëtar mbante lidhje dhe u drejtohej me qarkore e urdhra ushtarakë.
Pra, i njihte si forcat e veta të armatosura. Është pikërisht ky detaj, që përdoret sot hera herës në mënyrë të qëllimshme, për të mos pranuar bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me gjermanët. Madje shkohet deri atje, sa kërkohet edhe marrëveshja me shkrim e bashkëpunimit, a thua se bëhet fjalë për dy ushtri të një aleance të fuqishme dhe jo të një ushtrie pushtuese dhe të një organizate politiko-ushtarake në një vend të pushtuar, të cilët kërkojnë të përfitojnë prej tyre. Raste të tilla hasen në të gjitha vendet e pushtuara nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Operacionet ushtarake kundër ushtrisë partizane bëheshin të kombinuara. Në shumicën e rasteve trupat gjermane shoqëroheshin hapur nga forcat balliste, të cilat merrnin pjesë drejtpërdrejt në to. Në një raport të regjimentit 227 gjerman shkruhet për datën 9 nëntor 1943 se:
“Më 9.11.43 u krye me dy toga të batalionit I të regj. 227 dhe një numër të madh nacionalistësh shqiptarë një aksion pastrimi në fshatrat Kadipashaj, Ngurzë e Vogël dhe Ngurzë e Madhe dhe Toshkëz (rreth 15 km në jug të Lushnjes). Në Kadipashaj u gjetën vetëm një automatik dhe dy granata dore, ndërkohë që komunistët (lexo partizanët) ishin larguar në fshatin tjetër. Komunistët hapën zjarr nga Ngurza e Madhe. Pesë persona, të cilët u identifikuan nga nacionalistët si drejtues komunistë u pushkatuan. Atyre ju gjet edhe municion. Gjatë rrugës Ngurzë e Madhe-Kasimlej u vranë tre komunistë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Edhe në fshatin Toshkëz komunistët hapën zjarr mbi togën gjermane me automatikë dhe mitralozë. Gjatë sulmit ndaj fshatit u vranë pesë komunistë dhe një komunist tjetër dhe dy italianë u kapën rob. Ata do të dërgohen sot në xhandarmërinë fushore në Fier. Trupat tona nuk patën humbje”.
Më tej, në datën 27 nëntor 1943 raportohet po ashtu se “nacionalistët pastruan me mbështetjen tonë [gjermane] rajonin në jug të Beratit deri në Vjosë. Lëvizjet e vogla të armikut u luftuan me artileri”. Po ashtu, gjatë këtyre operacioneve forcat nacionaliste mbështeteshin dhe nga artileria gjermane:
“Trupat tona që u vendosën në mbështetje të çetave nacionaliste u qëlluan në Rodokol me mitraloz (14 km në veriperëndim të Pogradecit) nga drejtimi i Selcës së Poshtme dhe lartësitë në Veri të saj. Nuk patëm humbje. Nacionalistët përparuan të mbështetur nga zjarri i artilerisë sonë kundër qëndresës së 200-300 komunistëve deri në Marikaj (12 km në veri të Tepelenës) dhe në Arrëz. Armiku u shmang drejt Jugut”, shkruhet në ditarin luftarak të divizionit të 100 të Wehrmacht-it për luftimet e kryera në datën 29 nëntor 1943.
Sikurse shkruhet më sipër, bashkëpunimi i çetave balliste më ushtrinë gjermane është i shtrirë në thuajse gjithë zonën operative të divizionit gjerman, që përfshinte Shqipërinë e Mesme si edhe atë Jugore dhe Juglindore. Pavarësisht se komanda gjermane nuk ishte shumë e kënaqur me cilësinë luftarake të çetave balliste, shërbimi i tyre ishte përsëri i mirëpritur, duke pasur parasysh se atyre u mungonin forcat e nevojshme për të kryer këto operacione. Përfshirja e çetave nacionaliste në operacionet e ushtrisë gjermane i komprometonte rëndë ata në sytë e popullsisë dhe sigurisht që legjitimonte goditjen e tyre nga ushtria partizane.
*****
Operacionet e Wehrmacht-it gjerman kundër ushtrisë partizane me ndihmën e çetave balliste që filluan prej fundshtatorit 1943, sikurse u tha më sipër, ishin „fushata spastruese“, me qëllim pastrimin e zonave operacionale nga partizanët dhe nxjerrjen e tyre jashtë luftimit. Bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë u “mahnitën” nga mënyrat këmbëngulëse dhe të perfeksionuara të luftës së gjermanëve kundër partizanëve, të cilat nuk kishin të krahasuar me ato të përdorura më parë prej forcave pushtuese italiane.
Kjo gjë ndikonte tek kolaboracionistët vendas dhe forconte bashkëpunimin e tyre me forcat gjermane, duke shpresuar se kështu partizanët do të asgjësoheshin plotësisht. Mesa duket, urdhri me titull “Udhëheqja e unifikuar e luftës kundër komunizmit në Juglindje “që Hitleri kishte lëshuar më 29 tetor 1943, ku thuhej se Neubacher-i urdhërohej të organizonte forcat antikomuniste dhe të drejtonte politikisht përdorimin e tyre në luftë kundër bandave komuniste në gjithë vendet e Europës Juglindore, në Shqipëri po funksiononte më së miri.
[1] BA/MA RH 26-100/31, Kriegstagebuch, datë 13.09.1943.
—–