Një pistë e re ka dalë në pah për ekzekutimin e biznesmenit politikan Ardian Nikulaj, në lokalin e tij “Coral” në pedonalen e Shëngjinit. Atentatori mund të jetë nga Lezha, por për të humbur gjurmët ndoqi itinerarin drejt Bushatit të Shkodrës, me qëllim që të ngatërronte policinë dhe hetuesit. Megjithëse ende e paprovuar shkencërisht, po merret në konsideratë nga ekspertët. E qartë është se atentatori ka pasur ndihmë të jashtëzakonshme logjistike dhe lehtësira të krijuara. Spiuni ka qenë pikërisht shtetasi anglez që kishte ardhur si turist dhe qëndroi për një natë në hotelin e 50-vjeçarit, teksa mendohet se ka informuar atentatorin në momentin e ardhjes së Nikulajt dhe kur në lokal nuk ka pasur shumë rrezik apo klientë. Ka ardhur më 14 prill, ka qëndruar për pesë ditë dhe është larguar më 19 prill nga Rinasi, menjëherë pas atentatit mafioz. Ditët e tjera ka qëndruar në hotelet pranë lokalit të Nikulajt. Prokuroria po pret që policia angleze ta marrë në pyetje dhe të dërgojë letër-porosinë për alibinë e të dyshuarit. Besohet se ai është mik fëmijërie i një prej djemve të familjes Palaj, me të cilën kishte hasmëri të vjetër biznesmeni politikan. Ekspertët mendojnë se në këtë ngjarje mund të jenë bashkuar armiqtë e viktimës, duke bashkëpunuar. Dikush ka krijuar kushtet, një tjetër ka dhënë urdhrin dhe paratë dhe në tej të tjerë kanë siguruar armët, transportin dhe mjetet, strehimin dhe më pas fshehjen sa më mirë të autorit. Fillimisht u mendua për një kontingjent të rrezikshëm krimi në Shkodër, i skeduar për ngjarje të rënda, që mbetet ende i dyshuar si killeri, por më tej doli një tjetër emër nga Lezha, po kontingjent krimesh. Policia po verifikon edhe motivet, ku kryesori mbetet gjakmarrja me dy familje të tjera të lidhura me miqësi mes tyre dhe që ka shënuar 5 viktima ndër vite mes palëve. Pista tjetër mbetet politika dhe më tej biznesi.
Burime policore shpjeguan se referuar të dhënave të zbuluara deri tani, përfshi ato shkresore, ditën e parë të mbërritjes, më 14 Prill, shtetasi anglez ka qëndruar në hotel ‘Coral’, në pronësi të viktimës, ndërsa 4 netët e tjera në një hotel fare pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Pikërisht këto të dhëna të përftuara dhe largimi i tij nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit vetëm 5 orë pas ekzekutimit të Nikulajt, kanë shtyrë hetuesit të dyshojnë në përfshirjen e tij në ngjarje. Nga ana tjetër edhe nga kamerat e sigurisë, rezulton se ky shtetas ka qenë në lokal në momentin e vrasjes dhe është i pari që largohet me vrap sapo ndodh krimi. Grupi hetimor konsideron me tepër rëndësi deklarimet e këtij personi, ndaj i është drejtuar autoriteteve angleze për ta marrë në pyetje. Hetuesit kanë dyshime se ai mund të ketë servirur informacione tek atentatori. Gjithashtu me rëndësi për policinë dhe prokurorinë është dhe gjetja e motorit tip skuter që përdori vrasësi. Për të janë ushtruara kontrolle të shumta në qytetin e Lezhës dhe atë të Shkodrës por deri në këtë fazë pa rezultat.
a.q./ dita
