Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Prof. Aleks Luarasi ishte ndër meteorët e rrallë të shkencës dhe arsimit kombëtar, me një botë të pasur shpirtërore dhe kulturore, mbi të gjitha një njeri i urtë që la gjurmë të thella në botën shqiptare. I lindur dhe i rritur në vatrën kombëtare të Luarasëve në Kolonjë, nëpërmjet këtyre udhërrëfimeve shtegton jeta e tij në auditorët e universiteteve dhe sallat shkencore të akademive të Europës ku ende gjurmët e tij i flasin kohës sonë. Përkushtimi ndaj dijeve shkencore dhe përpjekjet e mëdha për zhvillimin e arsimit kombëtar shfaqën edhe më mirë tiparet e këtij dijetari, i cili vitet e fundit i shpalosi edhe në këto rrëfime të pambaruara si një mesazh për brezat e rinj.
Botimi i librit “Meditime” i Aleks Luarasit është një moment i rëndësishëm, qoftë për ata që e kanë njohur historinë shqiptare, qoftë dhe për ata që kanë lindur vonë, madje pas viteve ’90, pasi libri në fjalë lidh mjaft mirë kohën, njerëz, ngjarje, histori, marrëdhënie brezash, sakrifica njerëzore dhe kombëtare, raporton ngjarje interesante nga kultura dhe zhvillimet sociale, sjell prerje politike që nga Lufta e Dytë Botërore, vitet ’45-’90 dhe pas vitet ’90, përmes një mënyre të shkruari mjaft komunikuese, që autori i ka qerthulluar si meditime. Etnonimi “Luarasi” vjen si një lloj kumbimi nga kohët e mëhershme, pasi emra njerëzish nga Luarasët, kohë ngjarjesh dhe nyjëtime të caktuara të shfaqen që më herët Rilindjes shqiptare, gjatë Pavarësisë Kombëtare dhe më pas, dhe në ditët tona, pasi familja Luarasi mbart një trashëgimi dhe një traditë nderimi, kontributesh dhe vlerash të karakterit kombëtar, për të cilat vendi ka pasur nevojë.

Përveçse me ngjarjen madhore të Rilindjes Kombëtare shqiptare, e cila përveç lëvizjes kulturore dhe arsimore, ishte dhe lëvizja më e rëndësishme politike, e cila inspiroi dhe editoi lëvizjen politike shqiptare përmes të cilës u zgjua dhe u shndërrua në një zhvillim të domosdoshëm çështja e Pavarësisë së vendit, Luarasët e Kolonjës janë themeltarët dhe gurët e themelit të arsimit shqip, i cili e nisi rrugën e vet nëpër terrin dhe dhunën e pashembullt të pushtuesit dhe të reaksionit ballkanik (veçmas atë grek), ndërsa kontributet e vazhdueshme deri në ditët tona të kësaj familje të njohur shpjegojnë një trashëgimi të rëndësishme, që vërteton më së miri vetëdijen historike të Luarasëve lidhur me angazhimin dhe kontributin e çmuar të tyre për vendin.
Familja Luarasi ka nxjerrë nga gjiri i vet, njerëz të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, mendje të ndritura me shpirt të thellë intelektual e kombëtar siç ka qenë edhe Kristo Luarasi, një nga veprimtarët e shquar të shoqërisë “Drita” të Bukureshtit; i cili së bashku me K. Trebickën, themeluan në Sofje shtypshkronjën “Mbrothësia”, ku u shtypën një varg librash shqip. Po kështu, Petro Nini Luarasi, që çeli mësonjëtoret shqipe në Negovan e Kolonjë, mësues i mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, delegat i Kongresit të Manastirit 1908, vdiq i helmuar nga Patrikana e Stambollit. Skënder Luarasi ishte një tjetër intelektual i shquar i kësaj familjeje, luftëtar i lirisë kundër fashizmit në Spanjë, përkthyes i veprave të Shekspirit, Bajronit, Llongfellout e mjaft të tjerëve la gjurmë si pedagog e publicist.
Këtë frymë të gjallë rilindëse, e mbajti edhe Prof. Aleks Luarasi, në jetën e vet. Ai është autori i një varg veprash shkencore si: “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut”, “Studime për të drejtën zakonore shqiptare”, “Akte juridike për historinë e shtetit dhe të së drejtës në Shqipëri”, e mjaft artikuj e studimeve shkencore. Ishte anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës.
Libri “Meditime” përmes një ndjesie intelektuale, madje aristokratike është shndërruar në një “detyrim moral” nga autori për të treguar një rrugëtim interesant njerëzor dhe intelektual gjithashtu. Libri sjell në vëmendje kohë, njerëz, ngjarje, evenimente, mbresa, idile, arritje e zhgënjime, shpërfaqje dilemash që zakonisht e shoqërojnë njeriun në jetë, duke mbetur një rrëfim i sinqertë, por brenda të cilit ka një ndjesi qytetare dhe mjaft të kulturuar.
Aleks Luarasi ka jetuar epokën e Shqipërisë ku ka pasur ngjarje të rëndësishme, qofshin progresive, qofshin jo të tilla, kështu që zbulimi i tyre përmes një njeriu me mendje prej një njeriu të urtë për t’i interpretuar drejtë kohërat është një “lexim” i rëndësishëm i këtyre kohërave. Libri i Luarasit në vetvete, ashtu siç ai është organizuar, ngjan me një ‘lexim’ të të gjithë kohës që ai ka përfshirë brenda librit “Meditime”. Pamja e kohës përmes një vështrimi të një njeriu me dije të qëndrueshme, të një njeriu të lexuar dhe me një ndërgjegje intelektuale të spikatur, e bën librin të gjera dhe mjaft interesante për t’u lexuar dhe medituar bashkë me autorin.
Aleks Luarasi flet për veten dhe rrugëtimin e tij në jetë në këtë libër, dhe shkruan shumë pak për të tjerët (Luarasët), duke zgjedhur profilin e tij në këtë rrugëtim, të gjatë plotë sfida me mundim të madh e gjithsesi me arritje, pasi pjesën më të madhe të jetës ai e ka kaluar në komunikim, marrëdhënie e shqetësimet e auditorët e Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë, një marrëdhënie e shumëfishtë krahasuar me një njeri normal dhe në një profesion normal.
Libri “Meditime” është organizuar mjaft mirë, lehtësisht i lexueshëm dhe përcjellës informacioni. Dy pjesët e mëdha të librit, ajo që lidhet me rrugëtimin jetësor dhe intelektual, që gjithsesi zë periudhën para viteve 1990 dhe pjesa tjetër, ajo e pasditeve ’90 të cilat autori nuk i ndan nga njëra-tjetra me një fjalor (definicion) politik kohor, siç ndodh në shumë libra të tjerë, por me anë të ngjarjeve jetësore, brenda të cilave janë dhe këto ndarje të njohura në Shqipëri, ku kriteri politik është i pranishëm.
Aleks Luarasi ka një kontribut të njohur dhe të çmuar në shkencën dhe publicistikën shqiptare, duke qenë autor librash dhe një njohës i literaturës shkencore të drejtësisë, por ndryshe të gjithë librave të tjerë të botuar të këtij lloji në Shqipëri, libri “Meditime” ka një qasje plotësisht tjetër, sa njerëzore, po kaq intelektuale, sa letrare po kaq monografike, sa personale-familjare, po kaq sociale, sa kohore po kaq gjithë- kohore, pra, ngjan si një libër brenda të cilit janë disa libra të tjerë. Mjeshtërisht dhe si gjetje, libri “Meditime” është një model i gjetur, funksional, i cili lexohet me një lehtësi dhe një kërshëri të madhe, falë edhe të shkruarit thjesht, i cili kurrsesi nuk mund të shkruhet si i tillë nëse nuk ke talent, njohje për të përcjellë komunikimin tek të tjerët, aftësinë për të zgjedhur detajet, mesazhet dhe ndjesitë.
Kronologjia kohore jetësore në libër është një kriter i dukshëm dhe i zgjedhur nga autori, i cili e ka ndërtuar librin me qëllimin për të folur për veten më së pari, por kapitujt e librit janë nyjëtuar në mënyrën më të mirë, pasi brenda tyre ka një numër të konsiderueshëm thyerjesh, që në të shumtën e rasteve përcjellin rrugëtimin jetësor të Aleks Luarasit e në ndonjë rast tjetër, natyrisht më pak, këto thyerje përbëjnë mbresa dhe kujtesën e autorit për ngjarje të veçanta, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në libër. Duke e parë si të tillë, mendoj se libri “Meditime” i Aleks Luarasit, i cili njihet për intelektualizmin e tij në breza të shumtë studentësh, por dhe të shtresës intelektuale dhe akademike të pas viteve ’60 në Shqipëri, po ashtu dhe si një njohës i imët dhe i hollë i çështjeve të drejtësisë në vend, libri ngjan me një roman jetësor, i cili është shkruar gjatë gjithë jetës, që kur ishte fëmijë, pastaj në rrugëtimet dhe qëndrimet sa në Kolonjë, në Korçë, gjatë shkollimit, të qenët student dhe gjatë gjithë odisesë tjetër në punë dhe në jetë.
Libri “Meditime” siç dhe është thënë që në fillimin e këtyre shënimeve, ashtu siç ai është organizuar, por edhe lëndën jetësore që autori ka sjellë përmes tyre, ku jetëshkrimi i tij dhe i familjes nuk shkëputet dhe nga informacione të tjera kohore, veçmas ato që rrjedhin nga lidhja e tij me kohën, shtetin dhe aksesorë të tjerë që njeriu ka në jetë, sjell një informacion shumë të rëndësishëm për zhvillimet sociale, njerëz dhe ngjarje, dhe pse Aleks Luarasi ka një tendencë për të mos përfshirë në librin e tij burokraci emrash, njohjesh apo njerëzish të njohur politikë të kohës, siç ndodh rëndomë në libra të kësaj natyre, kur qasjet monografike janë të dukshme.
Në kapitullin e parë, i cili titullohet “Midis Korçës dhe Kolonjës”, kur autori ka qenë në një moshë të njomë, nyjëtimet e tilla, si: “Shtëpia në kodrinë”, “Midis Korçës dhe Kolonjës”, “Stina e verës në fshat”, “Luarasët sofra e parë në Kolonjë”, “Ndarja me Jugosllavinë (1948)”, “Provokacionet e gushtit” apo “Refugjatë grekë të EAM-it”, përveçse një natyre romantike dhe një dashurie të begatë ku shpërfaqet fëmijëria, kapitulli flet dhe për ngjarje të njohura në historinë e vendit, ato që lidhen me shkëputjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, por dhe provokacionet e gushtit, që grekët i bënë Shqipërisë në këtë kohë. Aleks Luarasi e ka quajtur rininë e tij të vështirë, por fëmijëria e tij është e ngjizur në një dashuri të përjetshme kur flet për vendlindjen, ku nuk kursehet ta përshkruajë atë me një dendësi emocionale të çuditshme, kur thotë: “Mbi lumë, përballë shtëpisë, fillonte një e përpjetë mjaft e lartë me ara të punuara dhe tek-tuk ndonjë pemë spontane si gorrica ose kumbulla të egra. Midis tyre dallohej një lis shekullor që e quanim Lisi i Madh, simboli dhe krenaria e fshatit. Më tej, në sfond dukej një mal i lartë me pyje të dendura pishe, dëllinje, ahu etj., i mbuluar gjithmonë në verë nga një blerim me tone të errëta, prandaj quhej Mali i Zi…”, e ndërsa për Luarasët ai shkruan: “Si çdo fshat në Shqipëri, edhe ne na pëlqente të mburreshim pak me vlerat tona. Për këtë qëllim ne përdornim prej kohësh shprehjen: ’Luarasi- sofra parë në Kolonjë’, me demek ne jemi më të mirët ose ‘kryesorët’ në Kolonjë…”, pasi në Luaras kishin lindur dhe ishin rritur patriotë të mëdhenj si P.N. Luarasi një nga martirët e shkollës shqipe.
Mënyra se si i shikojnë dhe i sjellin në kujtesë ngjarjet e vendit dhe të kombit, njerëzit e dimensionit të Aleks Luarasit, gjithmonë kanë diçka që ka vlerë dhe një lloj interesimi të përhershëm, kështu që mënyrën se si ai e ka përcjellë prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, ka diçka triumfuese, por dhe një ngarkesë emocionale, e cila duket se mbart brenda vetes dhe njëfarë edukimi familjar dhe historik, kur ai shkruan: “Mbaj mend, se në qershor të vitit 1948, kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, edukatoret hoqën nga muri fotografinë e Titos dhe na thanë, se: “Tito ka tradhtuar”. Ne e grisëm fotografinë e tij dhe duke brohoritur e hodhëm me kënaqësi në lumë…”, ashtu siç është interesante dhe mënyra se si ai i kujton provokacionet e gushtit, ku përmes një kujtese fëmijërore nga Kolonja e tij, ai ende kujton, se “Nga Mali i Gramozit dëgjoheshin nga larg të shtëna artilerie. Dukej qartë se atje po zhvilloheshin luftime. Ishte koha që ka hyrë në histori si provokacionet e gushtit të vitit 1949 dhe atmosfera e luftës ndjehej në gjithë kufirin jugor, nga Kolonja, Korça e deri në Devoll…”. Viti 1949 shënon dhe largimin përfundimtar të Aleks Luarasit dhe familjes së tij nga Kolonja, ku çuditërisht ai nuk harron të kujtojë kaun “Kazil” me të cilin kanë punuar tokën e paktë bujqësore që ata kishin në Luaras.
Faktet jetësore zënë të gjithë komunikimin e librit, duke qenë një libër i shkruar në vetën e parë. Aleks Luarasi shfrytëzon mjaft mirë detajet jetësore, të cilat rezonojnë dhe një atmosferë dhe komunikim social. Në fund të fundit rrugëtimi jetësor i çdo njeriu, qoftë dhe një personazhi historik, ashtu siç ka pjesën e vet shumë personale ka dhe pjesën sociale, kështu që personaliteti i tij është produkt i marrëdhënieve dhe kushteve të shoqërisë. Pjesa e parë e librit, në të cilën mësohet mbi jetën dhe vendin që ai ka marrë në shoqëri, është dhe pjesa më vitale e librit për shkakun dhe të rrethanave historike dhe sociale në të cilat është shfaqur dhe ai ka krijuar profilin e tij prej profesori, intelektuali, kontribuues vlerash, lektori dhe njeriut të dijes juridike.
Shkollimi në një qytet tradicional të kulturuar ku dija ka vlerë deri në mbarimin e shkollës së mesme, ka qenë padyshim një nga fatet e rëndësishme në jetën e Aleks Luarasit. Gjimnazi “Raqi Qirinxhi’ ishte pjesë e krenarisë së qytetit dhe e çdo nxënësi që mbaronte studimet e mesme në të, dhe këtë ndjesi, Aleks Luarasi e thotë pa ndrojtje kur shkruan: “Në të vërtetë ishte një shkollë e famshme, historike, vazhdim i ish-Liceut Francez të Korçës, ku kishin mësuar dhe dhënë mësim disa nga figurat historike në të shkuarën…”. Pastaj, jeta fëmijërore dhe ajo rinore në Korçë vjen përmes përjetimeve të tjera që sjellin tregimet e vogla jetësore “Pashkët ortodokse dhe karnavalet në Korçë”, “Vdekja e Stalinit”, “Mësuesit e gjimnazit” apo dhe “Mbrëmjet shqiptaro-sovjetike” dhe “Dëfrimet tona”. Korça natyrisht të afronte një dimension tjetër, një motiv më shumë për të qenë me dije dhe me kulturë, për të kuptuar më shumë se arsimimi dhe shkollimi ishin të nevojshme për të ardhmen.
Jeta në Korçë përçohet nga një lloj dashurie dhe “fluidi” të autorit, thellësisht brenda tij duket se ka mbetur gjithçka ai ka kaluar në atë qytet, fëmijëria, shkolla fillore, shtatëvjeçare, shtëpia, rrugët, sokakët, pamjet qytetase, pasionet, hijeshia e moshës, ndjesitë e thella prej krijuesi dhe një djali me pasion, por edhe kultura europiane e kohës në këtë qytet.
Libri “Meditime” i Aleks Luarasit, sa më shumë lexohet, d.m.th. futesh në kapitujt e tij, ai të ngjan me një deltë, një deltë “lumi”, e cila pasi shtegton nëpër shtratin e ngushtë vjen e del në fushë. Autori nga kapitulli në kapitull, vjen dhe e ngarkon me peshën e njohurive dhe zhvillimit intelektual të tij, natyrisht duke ndjekur dialektikën filozofike të njohjes dhe të zhvillimit. Cikli i studimeve universitare në Tiranë është një ngjarje e rëndësishme në jetën e Aleks Luarasit, ashtu siç është dhe një marrëdhënie tjetër që autori vendos me kohën dhe me lexuesin.
Aleks Luarasi i përket një brezi i cili ka kontribuar gjithçka për ndërtimin e shtetit shqiptar pas vitit 1944, krijimin e institucioneve dhe shkollës së lartë. Shkollat dhe veçmas hapja e Universitetit të Tiranës ishte një ngjarje madhore dhe e pazëvendësueshme nga asnjë arritje tjetër. Shqipëria ishte një vend i prapambetur në pikëpamjen arsimore për arsye që janë të ditura, kështu që politika e arsimit ishte një arritje madhore e vendit. Aleks Luarasi ka përçuar traditën familjare dhe të vendit nga vinte (Kolonjës), ku shkollimi ka qenë i shenjtë dhe një aspiratë e hershme, falë traditës së mrekullueshme që kjo trevë ka pasur shumë herët.
Në kujtimet e tij, kur ai ka studiuar në Universitetin e Tiranës, ka një qasje vërtetë domethënëse, pasi përshkruan gjendjen e vështirë në të cilat vazhdonin studimet e larta, ai ka një ndjenjë optimizmi, një lloj gëzimi dhe frymëzimi për atë që po bënte, kështu që krijimi për brezin e tij, jepet si një dëshmi e thellë e fatit të shqiptarëve: “Brezi ynë i shkollimit në fakultetin e Drejtësisë ka qenë me fat se ka pasur pedagogë shumë të mirë. Dikush mund të thotë, po si është e mundur, me fat në gjimnaz, me fat në shkollën e lartë? Po kështu ishte, ne ishim nxënës dhe studentë të hershëm, kur kryqëzoheshin brezat.”. Në të vërtetë ky opinion i Aleks Luarasit është akoma më i thellë dhe i nënkuptuar, pasi brenda tij kishte një pasion të madh shkollimi, dhe mundësinë për t’u shkolluar në çdo nivel qoftë, ai e ka konsideruar gjithmonë një fat të madh. Kështu është gjithmonë kur je i dashuruar pas dijes dhe shkollës. Në kujtesën e tij ka një ekzaktësi brilante në evidentimin e mësuesve dhe pedagogëve që e kanë mësuar atë.
Të kësaj periudhe është dhe pasioni i Luarasit për letërsinë artistike. Kujtimet e shkollimit të tij, ngjajnë me një kronikë të rëndësishme të vendit, për të cilat ai vlerëson pasionin dhe dëshirën e shkollimit të tij dhe të brezit të tij, në kushtet e mungesave të shumta, aq më tepër të profilit të studimeve të tija të larta, siç është literatura universitare.
Shpejt, pas mbarimit të studimeve të larta në drejtësi, Aleks Luarasi rikthehet si lektor dhe mësimdhënës në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë, por ajo që bie në sy është një thjeshtësi brilante e tij, me të cilën ai e përshkruan drejtimin e ri në jetë, i cili do të zërë një kohë të gjatë, si lektor. Paraprova e tij në këtë drejtim kishte qenë tema e diplomës në përfundimin e studimeve, ndërsa në vitin 1972 lënda “Filozofia e të Drejtës” do të ekspozonte dhe do ta kthente në emblemë Aleks Luarasin në Fakultetin e Drejtësisë dhe të Shkencave Politike, nën vëmendjen dhe përcjelljen e njohurive të tija të gjera dhe të përditësuara, do të dilnin breza të shumtë studentësh nga i gjithë vendi. Ja si e përshkruan momentin dhe lëndën “Filozofia e të Drejtës” profesori Aleks Luarasi: “Filozofia e të Drejtës”, ishte një nga lëndët më abstrakte dhe më të vështira të Degës së Drejtësisë. Ajo parashtronte pikëpamjet e filozofëve të ndryshëm mbi të drejtën që nga kohët e lashta (Greqia, Roma, etj.) deri në kohët moderne, kuptohet të vështruara gjithmonë në filtrin marksist. Mua më pëlqente si lëndë, sepse pajtohej me prirjen time për të medituar dhe filozofuar, për të bërë krahasime dhe për të parë evolucionin e pikëpamjeve filozofike mbi të drejtën nga njëra etapë në tjetrën.”. Aleks Luarasi nuk fsheh dhe nuk shtrembëron asgjë, ai gjithë jetën u shpërfaq një njeri i ditur, elitar, me një mendje të qetë, që e kishin zili edhe mjaft bashkëkohës në auditorët e universitetit dhe institucionet shkencore.
Ndërsa ka përballuar punën në gjykata të ndryshme, nëpër zyrat e Ministrisë së Drejtësisë, puna në fakultet ka qenë një burim jetësor dhe e mbushur me gjendje pune dhe vlerësimi për Aleks Luarasin. Ndoshta një nga momentet më mbresëlënëse të tij, si dhe të shumë profesorëve të tjerë të Universitetit të Tiranës është kontakti me auditorët universitarë të Prishtinës. Leksioni i Aleks Luarasit “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut” ka qenë një gjetje e çuditshme, e cila komunikonte në një kontekst të plotë ballkanik, ndërsa në Kosovë përcillte një simbolikë të fuqishme politike. Aleks Luarasi shkruan për këtë rast tema e ligjëratës sime ishte: “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut”. Duartrokitjet filluan porsa dola në foltore. Skënderbeu është një figurë e lavdishme dhe emblematike në historinë e popullit shqiptar, burim krenarie…” një ligjëratë që ndiqej dhe duartrokitej nga 700 pedagogë, studentë dhe dëgjues të tjerë. Një ligjëratë e cila në jo pak opinione të mëvonshme do të interpretohej si një nxitje për ngjarjet politike në Universitetin e Prishtinës dhe në Kosovë të vitit 1981.
Libri “Meditime” është gati një kronikë e hollë dhe me detaje interesante jo vetë e jetës së Aleks Luarasit, po e gjithë kohës që ai ka pasur kontakte me kohën, njerëzit, ngjarjet, zhvillimin dhe shoqërinë. I drejtpërdrejtë, i thukët, i qartë dhe kurajoz për të shkruar atë që ai ka bërë dhe ka ndjerë. Në libër një vend të rëndësishëm zënë gjykimet e hapura dhe elegante të tij për fenomene sociale dhe kulturore të kohës, po ashtu dhe për politikën, e cila ka zënë pjesën më të rëndësishme dhe më aktive të kohës tek shqiptarët.
Në librin “Meditime”, ashtu në masën e duhur, me shqisën inteligjente dhe një maturi të qartë, Aleks Luarasi shkruan për ngjarjet e viteve ’90 në Shqipëri, pluralizmi politik, kulturor, ekonomia e tregut, pronësia private, rënia e luftës së klasave, liberalizmi i jetës, të cilat në Shqipëri erdhën me problematikën e vet, por që autori i sheh ata si një ligj të zhvillimit shoqëror, një praktikë e vendeve të zhvilluara. Këto ngjarje intelektuali i njohur, Aleks Luarasi, i ka përcjellë me një mendim elitar dhe mjaft të njohur intelektual.
Ndryshe shumë intelektualëve të tjerë, ai ka qenë ndër të parët që është prononcuar në Radion “Zëri i Amerikës”, e cila ishte kthyer në një burim informacioni, frymëzimi dhe mendimi në ngjarjet e viteve ’90, po ashtu dhe në kontakte të tjera me shtypin perëndimor. Në vlerësimin e tij, në librin “Meditime”, mund të kuptosh mjaft mirë sa i qartë ishte Aleks Luarasi për formimin e Partisë Demokratike, si partia e parë opozitare pluralizmit politik në Shqipëri, ku shkruan: “Ishte një program i thjeshtë me parimet kryesore të ndërtimit dhe të funksionimit të një partie politike. Programet janë vetëm programe, të shkruara nga idealistët. Partitë janë tjetër gjë…”. Në kronikën e ngjarjeve që pasqyrohen në libër është dhe ajo e Kongresit të 10 të PPSH dhe themelimit të PPSH, një kongres i përfshirë nga një përplasje e fortë mes reformuesve dhe brezit që kërkonin të mbanin gjallë kriteret dhe rregullat e ngurta politike të 45 vjetëve të kësaj partie, e cila përcillte praktikën e ngurtë parti-shtet. Është një nga momentet që Aleks Luarasi vendos të largohet përfundimisht nga veprimtaria politike e tij për të mbartur në aktivitetin dhe kontributin e vet intelektual trashëgiminë e njohur familjare, atë të arsimit.
Aleks Luarasi arriti ta shfrytëzonte mjaft mirë lirinë që pluralizmi solli në Shqipëri, një liri që i dha atij mundësinë të vinte në provë fuqinë, aftësinë dhe orientimin në shoqërinë e tregut. Pasi ka ngritur një shtëpi botuese të vogël “Botimet Luarasi”, me të cilën ka botuar një numër të konsiderueshëm të literaturës së zgjedhur për drejtësinë dhe studentët e drejtësisë, ai vendos të themelojë Universitetin “Luarasi”, kryesisht një universitet vetëm me degën e Drejtësisë. Ai shkruan: “Vendimi për krijimin e universitetit privat ishte një rastësi; ishte një ëndërr e vjetër, shumëvjeçare, para lindjes së ekonomisë së tregut dhe pluralizmit në Shqipëri. Kuptohet, atëherë nuk mund t’ia thosha as vetes këtë synim…”. Kështu, duke mos e gjetur veten as te PD dhe as te PS (siç shkruan dhe vetë Luarasi), hapja e një universiteti privat, në fushën që ai e njihte më mirë se kushdo në Shqipëri ishte shërbimi më i mirë që ai i ka bërë vendit.
Marrëdhëniet që ai kishte me Universitetin “Luarasi” janë jashtëzakonisht të ngushta, një ndërmarrje e re, e guximshme dhe e rëndësishme, e cila kërkonte kaq shumë gjëra, që nga të ardhurat ekonomike, stafi akademik, mjediset, literatura dhe gjëra të tjera, por falë punës dhe korrektësisë, në kushtet e konkurrencës së madhe (më së shumti të pandershme në Shqipëri), Universiteti “Luarasi” ka mbetur dhe vazhdon të jetë një nga universitetet elitare me emrin më të mirë në Shqipëri. Sigurisht, për themelimin e këtij universiteti, ai u konsultua edhe me mjaft pedagogë të tjerë, por edhe me pedagogun e Gjenevës, Stiliano Ordolin, një intelektual i njohur europian.
Libri i Aleks Luarasit “Meditime” është një prekje shpirtërore për këdo që e merr në dorë dhe e lexon. Ai është një libër që lexohet lehtë për shkakun e larmisë që ai mbart brenda tij. Është një libër që e kapërcen në të gjithë shtrirjen e vet konceptin e një monografie personale dhe familjare, pasi në të valorizojnë ngjarje, njerëz, ide dhe mendime shoqërore, mësime dhe praktika të një shoqërie, e cila ka rrugëtuar gjatë gjithë kohës bashkë me aktivitetin, dashurinë dhe pasionin e Aleks Luarasit. Botimi pas vdekjes së tij i këtij libri është edhe një homazh nderimi për këtë personalitet të shquar të shkencës dhe arsimit kombëtar.
Tiranë-Vlorë, shkurt 2023
