Redaksionale
Ajo që pritej prej kohe, nga disa me ankth dhe të tjerë me padurim, ndodhi. SPAK është zgjuar. Më tepër se kaq. Ai po heton. Edhe përtej kësaj, ai po vendos.
Pas vegjetimit të gjatë nën drejtimin e ish-shefit të këtij institucioni, Arben Kraja, si duket paska qenë e domosdoshme që, për të lëvizur gjërat nga vendi, të kishte një ndërrim të shumë pritur. Altin Dumani, kreu i kësaj strukture të posaçme, shpresë ngjallëse për njerëzit që presin drejtësi prej kohe, po ndryshon ritmin e veprimit, thellësinë e hetimit të shumëanshëm, heqjen e paragjykimit për kahe politike., dhe, mbi të gjitha, askush nuk mund ta ndikojë në punën e tij.
Në pak kohë, po ndodh e pamenduara. Askush nuk është më tabu, asnjëri nuk mund të fshihet pas petkut të shtetit apo fuqisë që i jep funksioni, gjithkush tani ka drojën se vepra e tij do të gjykohet dhe se, një ditë a një tjetër, ndëshkimi do të vijë.
Si duket koha për të luajtur me shtetin, si të ishin gjërat në xhepin e pushtetit, ka shkuar. Imuniteti i deputetit apo “të fortit”, i ministrit apo zëvendësit të tij, i drejtorit apo i të pasurit, i njeriut që të bën gjëmën apo të mbulon me para, më në fund ka filluar të bjerë.
Altin Dumani po sjell në SPAK frymën e ndëshkimit, mos përkuljen ndaj pushtetit, qoftë të qeverisë, qoftë të opozitës, koordinimin mes strukturave, duke filluar të rrënjosë bindjen se mbi ligjin nuk do të jetë asnjëri, qoftë edhe numri 2 i qeverisë, apo ministra që deri dje dukeshin se qëndronin mbi Olimp, apo mbi fatet njerëzore.
Altin Dumani, i njohur si prokurori i akullt, i ftohtë, për të cilin nuk dihet asgjë më shumë se sa vetë ai ka dëshmuar, i prerë në qëndrimin e rreptë ndaj ligjit dhe, si duket, me dëshirën për të vendosur standardin e dëshiruar të së drejtës, ka postulat të tij, “Lufta ndaj krimit është më primare se komoditeti i zyrës”, prej kohe ka dhënë sinjalet e dorës së fortë, të duhur dhe të palëkundur.
Prokurori që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha, ish kreu i komanduar i prokurorisë së apelit për krimet e rënda, udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona, mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha, gjyqtaren që lironte të fortët nga qelia.
Pse duhej më në fund në drejtimin e SPAK një figurë e vendosur, që tashmë po jep shembullin e tij në krijimin e një mjedisi ndryshe, edhe brenda vetë strukturës që drejton?
Ai është i barabartë me të tjerët, por dallon përmes shembullit. Prokurori që është 11 orë në ditë në punë, që e shtuna është ditë e zakonshme në zyrë, që e ka marrë seriozisht detyrën e tij si mision e jo vend pune, që ka krijuar një pamje të qartë në luftë ndaj krimit të organizuar, në të gjithë piramidën e shtetit dhe tërë shtrirjen gjeografike, si duket, po sjell figurën e njeriut të duhur të prokurorisë.
Megjithëse animi i hetimit, ndalimit apo kërkesës për burgosje deri më tani ka rrahur më shumë nga e majta, dhe, herë pas here strukturat qeverisëse kanë reaguar, duke kërkuar balancim të ndëshkimit, kjo, si duket nuk ka ndikuar në gjërat që ai dhe institucioni që drejton po bëjnë. Krimi nuk ka ngjyrë politike, as nuk mund të vësh ndaj tij barriera qeveritare. Secili mban mbi shpatullat e tij atë pjesë të fajit që duhet të gjykohet.
Nëse deri tani nuk janë gjykuar akte të mëdha të krimit, si vrasjet e 21 janarit, përpjekja për grusht shteti nga metingashët e Berishës, kundërvënia e qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë, masakra e Gërdecit, ku vetë Dumani ka qenë prokuror i çështjes, afera e Ilir Metës dhe familjes së tij me vilën në Lalëz, skandali i njërës nga prokuroret e SPAK që nuk pranoi të hetonte mbi pasurinë e dyshes Meta – Berisha, afera e privatizimit të kompleksit “Partizani”, e deri te rasti Kulla pas Teatrit të Operas dhe Baletit, kjo nuk do të thotë të mos hetohen, gjykohen dhe, nëse kanë ndodhur krime, të dënohen aferat në sterilizimin e aparaturave në fushën e mjekësisë, spekulimet në PPP e famshme, për të cilat gazeta DITA ka ngritur alarmin që në momentet e para.
Korrupsionin e pranishëm në hallkat qeverisëse. Njëra anë nuk e justifikon anën tjetrit. Korrupsioni i një ministri ngarkon me përgjegjësi edhe shefin e qeverisë, por ndëshkimin duhet ta marrë mbi vete ai që e bëri krimin vetë dijshëm, duke përfituar dhe bërë akte madhore korruptive.
Natyrisht, çdo goditje e duhur, e qartë dhe e provuar do të sillte ndjenjën e besimit te njerëzit e zakonshëm, ndaj cilitdo që duhet të veprojë, megjithëse njerëzit presin, me plot të drejtë, të hetohen, gjykohen dhe të dënohen edhe ata që janë shpallur publikisht si non grata, pikërisht për akte madhore të korrupsionit.
SPAK goditi përsëri ditën e djeshme. Ish zëvendës ministri i shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj janë njohur me masën arrest me burg, gjashtë funksionarë të tjerë janë njohur me masa të tjera, që nga arrest në shtëpi e deri detyrim paraqitje.
Çuditërisht ish zëvendës ministrin, pjesë e rëndësishme e LSI-së së dikurshme, nuk e njihte, ose e kishte harruar edhe vetë shefi i partisë, Ilir Metaj. Ndoshta është rasti që Dumani të bëjë “ rinjohjen e tyre”.
Do të ketë edhe shumë “ rinjohje” të tjera. Edhe nga ato të vjetrat, që i ngritin lshtë e kokës opozitës, edhe nga të rejat që tundin qeverinë. Kapaku është hapur.
Ilir Rrapaj, nënshtetas italian, miku i dikurshëm i ish ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqaj, që befas u zgjua një ditë biznesmen në Tiranë, duke kapur koncesionin e Sterilizimit në një shifër marramendësi prej 100 milion euro , apo koncesionet e tjera në këtë dikaster, ende nuk i janë shkuar deri në fund.
Por, mbi të gjitha e rëndësishme është fryma e re që po krijohet. Fryma e ndëshkimit të krimit, nga një institucion që, si duket ka gjetur si drejtues njeriun e duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
Altin Dumani po kthehet në njeriun që të jep shpresë. Njëkohësisht në makthin e politikës së keqe dhe të botës së errët të krimit.
Ajo që ka filluar është e mbarë. Ajo që do të vazhdojë do të ketë frytet e saj. Njerëz, mbështetni kryeprokurorin e SPAK, dibranin Altin Dumani.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.