Përpara disa ditësh u nda nga jeta ambasadori, gazetari, publicisti dhe analisti brilant i Gazetës « DITA » Shaban Murati, Mjeshtër i Madh. Humbja e tij ka pikëlluar familjarët, të afërmit dhe shumë miq, kolegë dhe dashamirës të tij brenda dhe jashtë vendit.
Me këtë rast ata po evidentojnë në forma të ndryshme vlerat dhe kontributet e spikatura të të ndjerit Shaban Murati në fushën e analizës së marrëdhënieve ndërkombëtare, ku vështirë, për të thënë e pamundur të gjesh një aspekt të patrajtuar prej tij në mënyrë shteruese. Më poshtë po botojmë një fragment nga libri i njohur i Dr. Jorgji Kote, botuar në vitin 2014 «Diplomacia për të gjithë»
Nga Jorgji Kote
Analiza është jetike për një diplomaci të suksesshme; ajo përbën “shtratin”, “pararojën”, “konsulenten dhe oponenten” e çdo veprimi të saj dhe një garanci të madhe për sukses në terma afatgjatë. Megjithatë, nuk ka garanci se një diplomat, sado i aftë, mund të jetë dhe një analist i mirë në kuptimin e plotë të fjalës. Ka plot diplomatë të mirë, të zotë, por që nuk shkëlqejnë apo ca mëkeq, “nuk ia thonë” në fushën e analizës së mirëfilltë. Ata mund të japin ide e mendime, por që të bëjnë një analizë të drejtpërdrejtë me sugjerime e rekomandime, këtë e kanë të vështirë. Çalojnë ndoshta edhe për shkak të nënvleftësimit që i bëjnë analizës, duke u dhënë pas punëve dhe problemeve të çastit e rutinës. Përvoja tregon se të jesh analist i mirë në këtë fushë kërkon krahas aktivitetit diplomatik, edhe interes dhe kureshtje intelektuale për të ndjekur e skeduar sistematikisht ngjarjet e ndryshme, për të reflektuar, për t’i ballafaquar e për të nxjerrë konkluzione prej tyre, në përgjithësi e në veçanti për vendin tënd.
Ajo kërkon trajnim të vazhdueshëm, njohjen dhe ndjekjen e botimeve dhe studimeve të shumta, kontakte me diplomatë, por dhe me analistë politikë e diplomatikë, me filozofë dhe akademikë etj.
Gjithashtu analistët kanë aftësi të veçanta për të reflektuar, për të folur e sidomos për të shkruar e shprehur publikisht. Kjo e fundit kërkon dhunti, por dhe përgatitje të veçantë në shumë fusha dhe disiplina. Vetëm kështu mund të krijohet baza e duhur për analistë të mirëfilltë e jo thjesht nga ata që bëjnë konspektim apo përmbledhje të informacioneve dhe të dhënave; element tejet i rëndësishëm për një analist të mirëfilltë është edhe karakteri shumë disiplinor i dijeve, veçanërisht në fushën e diplomacisë. Sot nuk mjafton të kesh mbaruar një shkollë, qoftë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare për të qenë analist i aftë. Kërkohet përgatitje edhenë fusha të tjera, se vetëm kështu përfundimet do të jenë tërësore e do t’i rezistojnë kohës. Diplomacia jonë me kalimin e viteve ka përgatitur dhe nxjerrë, krahas të tjerash, edhe personalitete dhe analistë shumë të mirë e shumë dimensionalë.
Në diplomacinë tonë aktive profesioniste, nuk teprohet kur thuhet se ka një konsensus të plotë që në fushën e analizave të gjithanshme për marrëdhëniet ndërkombëtare shkëlqen diplomati, analisti dhe eksperti i shquar Shaban Murati; ish-ambasador rezident në Maqedoninë e Veriut dhe Suedi, ish-drejtor dhe Këshilltar Special i Ministrit të Jashtëm, analist dhe publicist i njohur për gati 6 dekada, jo vetëm për prodhimtarinë e tij të madhe, por për cilësinë e analizave, kurajën dhe kulturën e të shkruarit: vlerë e shtuar e këtyre analizave janë edhe vlerat dhe rekomandimet e shumta praktike për procesin vendimmarrës. Mirë e thotë publicisti i njohur Dritan Hila se “gjithë korpusi i tij është manual, ku Shaban Murati i tregon qeverisë të çarat, ku mund të depërtojë për interesin kombëtar…”.
Librat e shumtë të Shaban Muratit kushtuar politikës rajonale dhe çështjes së Kosovës bashkë me artikujt e shumtë në shtypin e përditshëm pasqyrojnë në mënyrë tërësore nevojat dhe problemet e shumta që dalin gjatë veprimtarisë së përditshme diplomatike.
Ajo që i dallon shkrimet dhe analizat e ambasador Shaban Muratitjanë vijimësia, konsekuenca dhe përgjegjësia e lartë me vlera institucionale; katalogu i larmishëm dhe gjeografia planetare e tematikës që ai trajton; shtjellimi i problemeve në tërësinë e tyre; referimi në të kaluarën, ballafaqimi me të sotmen dhe mbi këtë bazë parashikimi i saktë i të ardhmes; analiza e aktorëve dhe faktorëve politikë, me ato ekonomikë, kulturorë e publikë; moderacioni (maturia) dhe shqetësimi qytetar, por kur e kërkon puna edhe “jo”-ja e hapur dhe apeli për të riparuar apo ndryshuar taktikat dhe strategjitë përkatëse në politikat e jashtme; së fundi, gjuha e thjeshtë, por e pasur dhe stili plot larmi që i bën tërheqëse sidomos për publikun e gjerë.
Përpara 25 vitesh, kur Shabani ishte drejtor i Analizës dhe më vonë i Akademisë Diplomatike në Ministerinë tonë të Jashtme, na bënte përshtypje jo vetëm shqyrtimi me kujdesin dhe vëmendjen më të madhe të disa materialeve të tipit “analizë” që ne dërgonim si diplomatë, por dhe vlerësimet e tij pozitive dhe inkurajimin që na bënte me profesionalizëm dhe modestinë e tij karakteristike.
E vlerësoj këtë gjë, pasi deri tani, me gjithë shtimin e kërkesave në këtë fushë, nuk është bërë ende praktikë pune vlerësimi i rasteve pozitive, ashtu sikurse dhe të bëhen kritika për të kundërtën.
Gjatë punës si diplomat jashtë vendit më ka rënë rasti të njihem nga afër, të shoh dhe dëgjoj shumë analistë të shquar të marrëdhënieve ndërkombëtare nga vende të ndryshme. Me kënaqësi kam konstatuar se Shabani jo vetëm nuk u lë gjë mangët atyre, por në disa aspekte dhe momente është edhe më përpara, sidomos për sa i përket propozimeve konkrete që ai bën për procesin vendimmarrës.
Ndaj, këto analiza tërësore të mbështetura në fakte të shumta e të pakundërshtueshme i gjen edhe në tryezat e hapat diplomatikë të politikanëve dhe diplomatëve tanë më të lartë.
Madje, dhe në rastet kur mund të mos jesh 100 % dakord me një mendim, asnjëherë nuk i kundërshton dot idetë e tij, por thjesht thua: “Mbase ka të drejtë, ndoshta ndodh apo veprohet dhe kështu, se Shabani i di më mirë këto gjëra”.
Nisur nga sa më sipër, ish-presidenti Bamir Topi e dekoroi Shabanin në korrik 2012 me Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”, ndërsa Shoqata e Gazetarëve i dha çmimin “Gazetari analist më imirë i vitit”. Me shumë të drejtë, mbasi analistë të tillë janë aset i paçmuar dhe “think-tanke” të vërtetë, siç thotë shkrimtari dhe analisti Skënder Buçpapaj. Ja pse këtë pjesë e titullova “Analiza dhe fenomeni ‘Shaban Murati’”, i bindur se në këtë pohim real nuk ka kurrfarë tepërimi.