Dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ministrat e Jashtëm të rajonit dhe vendeve partnere janë mbledhur në Athinë në takimin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me fokus procesin e zgjerimit të BE. Shqipëria përfaqësohet nga Ferit Hoxha, i cili zhvilloi edhe një takim dypalësh me homologun grek, Gerapetritis.
Çështja e kufirit detar me zgjerimin deri në 12 milje në Detin Jon shihet si “e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme” nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis.
Në një intervistë të dy ditëve më parë për Ta Nea, përpara takimit të kësaj të hëne me ministrin Ferit Hoxha, ai u shpreh se po përgatiten për “mbrojtjen e interesave kombëtare” dhe se “Greqia do vijojë të rritet”.
“Zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme e Greqisë që rrjedh nga e Drejta Ndërkombëtare e Detit, dhe ushtrimi i saj do të kryhet në mënyrën dhe në kohën e zgjedhur nga shteti grek. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ne kemi një plan dhe po përgatitemi metodikisht për të mbrojtur interesat kombëtare të atdheut në mënyrën më të mirë të mundshme. Strategjia jonë është reflektuar tashmë në nisma specifike, siç është zgjerimi i ujërave tona territoriale në Detin Jon dhe deri në Kepin Tainaro, zbatimi i argumenteve tona në Egje dhe Mesdheun Lindor, forcimi i prestigjit ndërkombëtar të vendit dhe përmirësimi i kapacitetit tonë parandalues. Greqia është rritur dhe do të vazhdojë të rritet”, tha Gerapetritis.
Në një intervistë më 20 nëntor, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se për çështjen e detit me Greqinë është krijuar tashmë ekipi negociator.
“Është ngritur ekipi negociator dhe presim të marrim dakordësinë e Presidentit të Republikës. Në ekipin negociator shqiptar bëjnë pjesë përfaqësues të një numri të madh institucionesh. Në ekip diskutohet me hollësi çdo aspekt i këtij procesi që, siç mund ta merrni me mend, është shumë kompleks. Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që në këtë rast t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shumë shpejt do të biem dakord për mënyrën se si do të procedojmë, për hapat që do të ndjekim dhe për qasjen e secilit vend”, u shpreh ai.
Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama nga Dublini më 11 nëntor, duke e komentuar si “çështje të pazgjidhur”.
itin e ardhshëm, përkatësisht në gjysmën e dytë të tij, Greqia do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Në intervistë, Gerapetritis shprehet se është punuar intenisivisht për këtë moment që “do të përkojë me vendime të rëndësishme”.
o.peci / dita
