Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” bashkë me delegacionin që e ka shoqëruar gjatë vizitës 6-ditore në SHBA për Asamblenë e OKB.
“Sapo jam kthyer nga New York ku siç e dini përfaqësova Shqipërinë në OKB. Vendosa të drejtohem menjëherë nga aeroporti ‘Nënë Tereza’.
Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë.
Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj.
Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm”, tha Rama.
Rama ka theksuar se masat që kufizojnë lirinë mund të kundërshtohen vetëm në gjykatë.
Rama nënvizon se respektimi i pavarësisë së drejtësisë nuk përjashton ngritjen e shqetësimeve parimore për mënyrën se si funksionojnë organet e saj, duke veçuar në mënyrë të posaçme ekspozimin e një institucioni me ndjeshmëri të lartë dhe publikimin e të dhënave të dosjes hetimore në rrjetet sociale.
“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinion e krye as në foltoren e Kryeministrit.
Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj.
Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.
Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre.”
