Xhevdet Shehu
Mendoj se në Shqipëri është krijuar një fenomen i rëndësishëm përmes librave të natyrës monografike të shkruara pas viteve ’90, kryesisht për njerëz që historiografia nuk ka arritur t’i përfshijë në evidentimet që ajo ka bërë para viteve ’90, por dhe për arsye të njohura që buronin nga koha. Shumë figura njerëzore, në gjerësinë e të cilëve sjellin një informacion të madh dhe një zbulesë për shumë ngjarje, figura dhe kohën, duket se vijnë dhe përmes një burimi të tillë që po na e sjellin monografitë për personazhe të njohur dhe të panjohur.
Kam pasur rastin të lexoj shkrime dhe recenca, libra të vegjël por dhe të mirëshkruar, kryesisht të natyrës monografike, që i dedikohen një individi apo dhe një familjeje, histori fshatrash dhe krahinash, të cilat krijojnë këndvështrime interesante historike dhe për ngjarje të caktuara. Një larmi librash të shkruara nga persona të ndryshëm nga krahina e Labërisë, mendoj se i kanë bërë një shërbim jashtëzakonisht të madh ngjarjeve të fillim- shekullit të kaluar, ku Vlora dhe krahinat përreth kanë qenë epiqendra e zgjimit të lëvizjes kombëtare, por dhe të ngjarjeve madhore politike si: shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës, ngjarje të jetës me regjimet dhe Luftën Nacional-Çlirimtare. Përmes këtyre burimeve të ndryshme, një pjesë e të cilave dhe përmes arkivave familjare, tregimeve të ngushta familjare dhe të moshuarve, ndihmojnë në dëshminë historike të luftës. Kështu shpallja e Pavarësisë ka pa diskutim një lidhje të madhe me shumë veprimtarë dhe veprimtari patriotike deri dhe angazhim luftarak me Vlorën edhe rrethinat, pasi ngritja flamurit në Vlorë, që shenjtëronte dhe shtetin e parë shqiptar, nuk ishte një veprimtari e lirë dhe e lehtë kur vendi ishte i mbushur me organizata dhe zgjatime të shteteve nacional-shoviniste për ta ndaluar këtë akt të shenjtë dhe madhor. Në kujtimet e njerëzve ka kaq shumë gjëra për të mësuar për këtë rast.
Po ashtu, Lufta e Vlorës, një luftë e cila përbënte një koncept të veçantë politik në të gjithë politikën evropiane ka pasur aktorë të shumtë dhe një pjesëmarrje popullore të gjithë krahinave të Vlorës dhe Jugut, po ashtu dhe një gatishmëri dhe të vullnetarëve të tjerë nga vendi për të larguar pushtuesin italian, i cili qëndronte në pikën më strategjike të Ballkanit, në Vlorë që nga Lufta e Parë Botërore. Në këtë larmi librash, ku natyrisht ka dhe gjëra të shtuara, mëson burime dhe kontribuues të rëndësishëm nga të gjithë fshatrat dhe familjet e Vlorës dhe të Labërisë, lidhjet e shumta që të çojnë tek aktorët dhe strategët e një lufte fituese jo vetëm prej trimërisë dhe vetëmohimit të luftëtarëve, por dhe të strategjisë ushtarake me të cilën ajo u zhvillua. Njoftime të tjera nga këto lloje librash janë të shumta, pra përmes tyre historisë së mëhershme dhe asaj të më vonë i shtohen burimet dhe referimit.
Ky mendim natyrisht më bëri dhe më të qëndrueshëm, kur më ra në dorë monografia e Ali Bajramajt për një personazh sa historik e luftarak po kaq dhe njerëzor dhe bashkëkohor, për Arshi Imer Beqirajn, pasi në fillim mendova se kam të bëj me një libër rutinë apo familjar. Të them të drejtën, historia e heroit të këtij libri më tërhoqi, jo vetëm se ishte lab, jo vetëm se ishte nga Tërbaçi i famshëm, por për karakterin e skalitur të një labi tipik, për të cilën autori është kujdesur të sjellë me vërtetësi, dhe me referime të mundshme dëshmish gojore dhe njohje të njerëzve të Arshi Beqirajt.
Në këtë rast fatlum, dua të falënderoj mikun tim nga Vlora, një mik i hershëm i imi, prof. Bardhosh Gaçen, i cili më propozoi të shkruaja madje parathënien e librit monografik “Arshi Imer Beqiraj”, duke më përforcuar shkëlqimin e kësaj figure përmes njohjes së hollë që ai ka për personazhin (heroin) dhe çdo tërbaçiot. Dhe nuk u zhgënjeva, përkundrazi jeta dhe veprimtaria, fisnikëria dhe burrëria, ndërgjegjja që shpaloset në libër për Arshi Beqirajn e bëjnë lexuesin të vëmendshëm, pasi jeta e tij është dhe një fragment i rëndësishëm i kohës gjatë shekullit të XX.
Siç dhe parashtrova që në fillim, pse këto libra marrin vlerë sot, lidhet me kontekstet e shumta që autorët i zbulojnë këto karaktere njerëzore të zakonshme në jetën e tyre, por interesante në kohën kur ata kanë vepruar. Arshi Imeri është strumbullari i këtij libri, por bashkë me të dhe historinë e tij bashkudhëtojnë Tërbaçi e Labëria, dhjetëra personazhe shumë të njohur dhe më pak të njohur, dëshmorë dhe bij e bija të asaj krahine që ka dhënë aq shumë vlera dhe njerëz historisë së Shqipërisë. Autori e zbulon mjaft besueshëm figurën e tij, pasi ai krah për krah njerëzve të tij dhe përballë ngjarjeve u bë një burrë me emër, tregoi karakterin e tërbaçiotit dhe i dha kuptim jetës së tij, duke lënë pas një emër të nderuar.
Libri të zgjon po ashtu një natyrë të çuditshme meditative. Sapo e sheh portretin e Arshi Beqirajt, sepse të duket se e ke parë këtë fytyrë burrërore, një fytyrë e mprehtë si e rrahur nga thëllimet e dimrave dhe zhegu i verës, nga luftërat dhe përpjekjet, nga tallazet e kohës, por dhe grindjet tipike në Labëri, Mallakastër dhe Tepelenë. Kam njohur shumë burra me këto tipare të theksuara dhe me vështrim depërtues që të emocionojnë për të kaluarën e tyre fisnike, por dhe një jete të dinjitetshme, ku shihet krenaria, sinqeriteti, tipare fisnike, të cilat e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Burrë lind, thotë populli shkoqur.
Arshi Beqiraj u përfshi nga tallazet e ashpra të kohës, të cilat iu kthyen në tallazet e jetës së tij, e cila për shumë kohë kaloi nëpër një terren të pjerrët. Libri monografik i Ali Bajramajt e tregon deri në detaj këtë, duke e zbuluar deri në karakter heroin e tij. Arshi Beqiraj kishte mik të ngushtë Hysni Kapon, një nga njerëzit dhe burrat e dëgjuar dhe të fuqishëm të kohës në Tërbaç dhe në Shqipëri, por një njeri me dinjitet si ai, një njeri me një taban familjar të hershëm dhe të fuqishëm nuk përfitoi asgjë prej tij, dhe ai s’i kërkoi asgjë. Kishte ardhur në jetë për ta jetuar dhe përballuar vetë jetën, një tipar i burrit të paepur ky. E megjithatë njerëzit e respektuan, e deshën dhe e vlerësuan Arshi Beqirajn, aq sa në Labëri njerëzit kanë kënduar dhe këndojnë për të. Në një këngë këndohen këto vargje të mrekullueshëm: “Kush e mbajti unitetin,/ Këtu në fshat të Tërbaçit/ Hysni Kapo komisari,/ Arshiu gurë stërralli”, dhe akoma më tej: ”Arshi Imer trimëria,/ Burrë i madh dhe mençuria/ sa shumë flet dhe historia,/ Do të mbetesh krenaria…” Janë vargje kaq të bukura dhe kaq me peshë në këngën popullore të Tërbaçit dhe të Labërisë. Populli nuk gabon kurrë në këngën e tij.
Në atë që duhet dhe mund të thuhet në një parathënie libri, nuk është e mundur dhe as mund të zbërthehen karakteret e personazheve, aq më tepër të një njeriu si Arshi Beqiraj, as cilësitë e shumta që shquajnë në personin e tij, të cilët janë zbuluar në të gjithë përshkrimin e jetës dhe të veprimtarisë së tij, por unë veçoj një tipar të rëndësishëm tek ai, ashtu siç ai ishte një burrë me peshë, me tiparet e një luftëtari të sprovuar që e kupton luftën në të gjithë dimensionet e vlerat gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, po ashtu me tiparet e pandryshuara dhe ekuilibrin e palëkundur qëndroi i papërkulur gjatë gjithë jetës. Një tipar fisnikërie, që buronte nga tradita e të parëve të tij.
Mjafton të lexosh një mendim të tij gjatë zhvillimeve politike dhe sociale të viteve ’90 në Shqipëri, për të kuptuar atë që ai ishte në thelb kur thotë: ”Ruani figurën, karakterin dhe silluni mirë me njerëzit, punoni me drejtësi e ndershmëri…” Në këtë kohë, me qëllim dashamirës pati dhe zëra për një rivlerësim të figurës së tij, por Arshi Beqiraj shprehet qartë: ”Problemet e mia i kam zgjidhur vetë e nuk u kam lënë gjë nëpër këmbë që t’i zgjidhni ju. Unë e pata një ideal për të cilin luftova me armë, edhe pse nuk i realizova ëndrrat që pata, prapëseprapë me shpirt e mendje, ose siç thotë populli, me kashtë e koqe, mbetem ai që kam qenë e nuk mund të ndryshoj aq kollaj dhe kështu do ta mbyll jetën.”
Libri “Arshi Imer Beqiraj” i shkruar në llojin e monografisë është një libër interesant, jo vetëm pse ai merret me një figurë të rëndësishme të Tërbaçit, i cili i ka kontribuar aq shumë unitetit tërbaçiot, dhe shpirtit të lirë të tij, por dhe më gjerësishëm, një pjesëmarrës dhe komandant i zoti në formacionet e mëdha partizane për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesi, andaj libri shton njohje dhe një figurë emblematike në figurat kombëtare të luftës dhe të qëndresës njerëzore në kohë lufte dhe kohë paqeje.
Arshi Beqiraj është një model i shkëlqyer i një personi të unitetit dhe të urtësisë për të njohur kohën dhe vetveten. Si i tillë ai i bën nder penës së Ali Bajramajt, por dhe vlerave të njohura të Tërbaçit. Një libër i tillë të bën të kuptosh se figura të tilla duhet t’i ofrohen lexuesit dhe vlerësimit historiografik, që për shumë arsye kanë mbetur jashtë këtij vlerësimi. Si i tillë, unë e falënderoj autorin e monografisë, ashtu siç vlerësoj pasardhësit e Arshi Beqiraj, të këtij përfaqësuesi të mirë të Tërbaçit dhe Labërisë, dhe jam i qartë në mendimin, se kjo kujtesë historike nuk duhet lënë që të shuhet, pasi profile të tilla si ai i Arshi Beqirajt janë thelbi i ekzistencës sonë kombëtare.
Tiranë, 31 tetor 2022
