Seanca plenare në Kuvend u përfshi nga përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Kreu i grupit të PS-së Taulant Balla teksa fliste nga foltorja e Kuvendit për integrimin, ndërhyrjeve të opozitës nga vendi, iu përgjigj më ‘numra telefoni’.
“Realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’u merrnim në telefon dhe t’ju pyesnim si duhet bërë. Për ty Albana kemi numrin 0900”, u shpreh Balla.
Kjo deklaratë u pasua nga sharje e ofendime mes deputetëve brenda pak sekondash. Kreu i Grupit të PD-së Gazment Bardhi, teksa kërkonte me insistim ndërprerjen e seancës pas fjalëve të Ballës, nuk i kurseu koleget socialiste e as familjarët e tyre.
‘Ndyrësirë, i pafytyrë, burr legen, je mësuar me kurvat që ke në partinë tënde ti. Kujt i tregon 0900. 0900 e ka jot motër numrin”, dëgjohet t’i thotë Bardhi-Ballës.
Pas këtij fjalori në institucionin ligjvënës, seanca u ndërpre.
Aspak normal ishte edhe rifillimi i seancës. Kërkesa e fjalës nga Taulant Balla për ti kërkuar ndjesë Albana Vokshit, u parapri nga deputeti Klevis Balliu, duke degraduar në përplasje fizike.
Për Ballën numri ‘0900’ nuk ishte në kontekst fyes ndaj Vokshit dhe kërkoi të merren masa për fjalët e përdorura nga Bardhi.
“Është numri që përdor BE për të dhënë informacion, nëse është ndjerë e fyer i kërkoj ndjesë”, tha Balla.
Me kërkesë të Ballës seanca u ndërpre sërish. Pas rinisjes, Peleshi iu kërkoi deputeteve të opozitës e mazhorancës që ankesat ti adresojnë tek Komisioni i Etikës. Por kaq ishte e pamjaftueshme. Fjalën e morën deputetet gra.
Tabaku kërkon të merren masa urgjente, ndërsa Kushi fajësoi Bardhin, për të cilin tha se fyeu gratë socialiste në Kuvend duke i quajtur ‘k*rva’.
‘Përjashtim’ të Ballës kërkonte me insistim opozita, por në fakt u arrit vetëm kalim menjëherë në votim me kërkesë po të grupit të PS-së.
Pa votat e opozitës e cila braktisi seancën pas kalimit në votim, mazhoranca miratoi 4 projektligje dhe një projektvendim, dhe votoi kundër dy nismat e opozitës për taksat kombëtare dhe për pushtetin vendor.
