Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme, si çdo të dielë prej shtatë muajsh. Ata protestojnë për projektin e rrugës Thumanë-Kashar, pasi pretendojnë se pronat e tyre që preken nga autostrada nuk po kompensohen siç duhet dhe se shteti i ka lënë në harresë ankesat e tyre.
Janë rreth 200 banorë të Fushë-Prezës dhe Bërxullës, të cilët preken nga projekti tek pronat dhe tokat bujqësore. Një pjesë e këtyre banesave ende janë në proces legalizimi, ndërsa tokat bujqësore kanë çertifikatë pronësie.
Ditën e sotme në protestë është shfaqur dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Vorës, Indrit Hoxha, por ai nuk është pranuar nga banorët.
“Nuk duam mbështetje nga kandidatët. Nuk kemi nevojë fare për kryetar bashkie. Nuk e duam fare. Mos e filmoni fare edhe ju gazetarët. Na lini në hallet tona.”– tha një banor i dëshpëruar.
Një tjetër banore u shpreh se politika ka vetëm interesin e votës dhe jo të qytetarëve të Bërxullës.
“S’kanë ardhur ndonjëherë këtu që të na vijnë sot. Jeni hajdutë. Nuk na përfaqëson asnjë. Nuk duam as parti as kryebashkiak. Kush vjen për punë partie të ikë nga ka ardhur. Kjo është protestë paqësore. Ai ka hallin e votës, nuk i intereson për ne.”– tha banori.
Ndërsa një banor është shprehur se duhet sqaruar e vërteta se banorët e Bërxullës nuk përfaqësohen nga asnjë forcë politike.
“Kandidati i bashkisë Vorë, ka dalë dje me lajme nëpër portale që demek e organizon ai protestën. Dhe kishin paralajmëruar protestë, protestën kemi 7 muaj që e mbajmë vetë dhe e kemi jo politike! Të mbushen portalet që organizohet protesta nga kandidatët e Berishës, këtë s’e pranoj”, tha ai.
Banorët kanë shprehur pakënaqësi për qeverinë dhe thonë se kryeministri Edi Rama duhet të ballafaqohet me ta në lidhje me pronën që t’u vlerësohet me çmimin e tregut dhe të pajisen me certifikatën e rregullt të shpronësimit. Banorët pretendojnë dhe se një pjesë e tyre janë “shitur” tek qeveria.
“Nuk ka asnjë zhvillim, nuk do t’ja dijë askush. As ata që kanë qenë dhe as ata që do të vijnë. Edhe një muaj do të vijnë zgjedhjet dhe më pas do të harrohet. Një pjesë e banorëve janë shitur. Shteti të vijë tek ne. Kryeministri të mos bëjë sehir atje ku është, nuk ia falim tokën. Nuk ka dallime këtu”, tha një nga banoret.
Një nga banorët është shprehur se pushtetarët “kanë marrë miliardat për atë rrugë, secili ka marrë llokmat e majme, kurse ne vuajmë këtu”
I përlotur, ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë reagim dhe ata duhet të dalin në protestë në muaj Ramazani. Ndërsa i drejtohet qeveritarëve “turp, turp, turp, jeni pa gjak e pa shpirt, qeshni e bëni sehir me ne.”
“Nuk ka asnjë lloj reagimi, asnjë përgjigje. Nuk duan t’ia dinë fare plr ne. Kanë marrë miliarda lekë për atë rrugë. Secili ka marrë llokmat e majme, hanë pushtetarët dhe vuajmë ne këtu., Më vjen të qaj se një pjesë janë me Ramazan, turp, turp që rrinë e qeshin e bëjnë sehir, nuk bashkohen me hallet e popullit.
Janë pa gjak, pa shpirt, turp të kenë, jam i irrituar. Janë mosmirënjohës ndaj banorëve, me votat e popullit erdhën në pushtet. Duan të na shohin shtrirë në tokë, të kalojnë në trupat tonë”, tha ai.
j.l./ dita

Shumica e popullsise eshte e irrituar me qeverine dhe shtetin per interesat personale materiale dhe jo per interesa te pergjithshme te vendit! Nejse, keshtu ka qene edhe me pare! Pjesmarrja ne zgjedhjet lokale kete vit besoj se nuk do e kaloj 20%-in!
Zgjedhjet lokale ne baze kane interesin e familjes,fisit,lagje,qytetit,ose katundit.Demagogjite politike jane perralla me mbret.Me i miri i komunitet duhet te fitoj zgjedhjet pa ndihmen e politikajqenve ne Tirane.Ne Tirane asnjeri nuk i gezon kete sinqeritet.6 kandndidatet llapin si kryetaret e partive respektive.