Amnesty International po kërkon që Bashkimi Evropian të ndalojë transferimin e përgjegjësisë për azilin jashtë territorit të tij, në një raport kritik ndaj marrëveshjes së diskutueshme të Italisë me Shqipërinë për përshpejtimin e dëbimit të personave që konsiderohen se vijnë nga vende të cilësuara si “të sigurta” shkruan EuObserver
Por apeli i organizatës, së bashku me rekomandimet e BE-së që pritet të publikohen më vonë të enjten (20 gusht), ka gjasa të bjerë në vesh të shurdhër, pasi Komisioni Evropian po ushtron presion ndaj shteteve anëtare që të institucionalizojnë më tej ato që i kanë cilësuar vetë si “zgjidhje novatore”, të cilat synojnë të parandalojnë kërkesat e shumta për azil në Evropë.
Në fillim të këtij muaji, Magnus Brunner, komisioneri i BE-së për migracionin, u tha eurodeputetëve se qeveritë kombëtare duhet të shfrytëzojnë rregullat e zgjeruara, të njohura si “koncepte të vendeve të sigurta”, me qëllim “që procedurat e azilit të zhvillohen tashmë jashtë Bashkimit Evropian”.
Ai sugjeroi gjithashtu se planet për ngritjen e qendrave të dëbimit jashtë BE-së po e shpërqendron vëmendjen, duke vënë në dukje se koncepti i vendit të sigurt i ka lejuar në thelb Spanjës të dëbojë pothuajse të gjithë personat që mbërritën në enklavën e Ceutës dhe t’i kthejë në Marok, pas mbërritjes së papritur të rreth 80 mijë personave.
E lidhur me këtë është edhe mundësia për dërgimin e shtetasve që kërkojnë azil në një vend tjetër jashtë BE-së, edhe nëse ata nuk kanë shkelur kurrë më parë në atë vend.
Amnesty: Koncepti i “vendit të sigurt” rrezikon të drejtat e njeriut
Për Amnesty International dhe raportin e saj, koncepti i BE-së për vendet e sigurta “rrezikon në mënyrë të qenësishme të drejtat e njeriut”, pasi u mohon njerëzve aksesin në azil territorial.
Organizata ka akuzuar gjithashtu Italinë se mbështetet te “praktika autoritare për t’iu shmangur llogaridhënies”, duke nxjerrë një numër të madh dekretesh për të anashkaluar gjykatat, ndërsa ka vënë në dukje edhe abuzimet e pretenduara në qendrat italiane të emigracionit në Shqipëri.
Vetëm gjatë periudhës prill-maj të vitit të kaluar, pati të paktën dy tentativa për vetëvarje dhe incidente të ndryshme të vetëdëmtimit.
Por vitin e kaluar Komisioni Evropian prezantoi një listë të “vendeve të sigurta të origjinës”, ku përfshiheshin Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia, si edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE: Shqipëria, Bosnja, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.
Kjo u lejon autoriteteve të përshpejtojnë shqyrtimin e kërkesave për azil të personave që vijnë nga këto vende.
Negociatori kryesor i Parlamentit Evropian për konceptin e vendeve të sigurta të origjinës ishte Alessandro Ciriani, eurodeputet italian i lidhur me partinë Vëllezërit e Italisë, forcën politike që drejtohet nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Marrëveshja Itali-Shqipëri prej 680 milionë eurosh
Rregullat e zgjeruara u miratuan në një moment kritik për marrëveshjen pesëvjeçare të Italisë me Shqipërinë, me vlerë 680 milionë euro. Sipas marrëveshjes, deri atëherë vetëm 74 persona ishin transferuar drejtpërdrejt nga ujërat ndërkombëtare drejt Shqipërisë, në periudhën nga tetori 2024 deri në janar 2025.
Këto transferime u ndalën pasi ndërhynë vendimet e gjykatave italiane.
Gjykata e Shkallës së Parë në Romë gjithashtu i vuri një pengesë transferimeve, pas një vendimi të bazuar në një çështje të veçantë të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila kishte përcaktuar se shtetet anëtare nuk mund të cilësojnë vetëm pjesë të caktuara të një vendi të origjinës si të sigurta.
Me transferimet drejt Shqipërisë të pezulluara, Italia vendosi që në vend të kësaj të përdorte objektet e saj në Gjadër për të mbajtur të ndaluar azilkërkuesit të cilëve u ishte refuzuar kërkesa për azil, ndërsa prisnin dëbimin.
Komisioni Evropian më pas ndryshoi rregullat, duke u lejuar shteteve të BE-së të përcaktojnë zona të caktuara territoriale si të sigurta, sipas rregullave të reja të azilit në BE, të cilat hynë në fuqi në qershor.
Duket se tani Italia do të lejohej t’i kthente njerëzit në vendet e tyre gjithsesi.
Ndryshimet u miratuan ndërsa Danimarka drejtonte presidencën gjashtëmujore të radhës të BE-së, mes pretendimeve të pabazuara se masa të tilla do të eliminonin stimujt për njerëzit që të ndërmerrnin udhëtime të rrezikshme drejt BE-së.
Megjithatë, Amnesty thotë se këto përjashtime territoriale nuk u japin autoriteteve kombëtare kompetenca të pakufizuara për t’i detyruar njerëzit të kthehen në vendet e tyre, duke iu referuar mbrojtjes gjyqësore të garantuar nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian. (EuObserver)
