Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Beniamin Kruta, një jetë në shërbim të polifonisë shqiptare
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Beniamin Kruta, një jetë në shërbim të polifonisë shqiptare
Kulture

Beniamin Kruta, një jetë në shërbim të polifonisë shqiptare

Published: July 4, 2023
Shpërndaje

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

 

Kur bëhet fjalë për studiues të kulturës popullore shqiptare menjëherë kujtesa dhe ndërgjegjja intelektuale prej njohësi të vlerave të shkon te historia e kulturës shqiptare, gjerësia e saj, fondamentet e saja themelore mbi të cilat është ndërtuar një institucion shkencor studimesh, interpretimesh, vlerash, kontribuuesish dhe lëvrues të saj. Popujt evidentohen më së shumti mbi këto vlera, të cilat nuk krijohen në një ditë, nuk evidentohen dhe nuk studiohen në një ditë, por duhen kohë dhe njerëz të kësaj dijeje. Dija mbi kulturën popullore në pamje të parë duket e thjeshtë, por është një nga fushat më të vështira dhe më të komplikuara, pasi në pjesën më të madhe studiuesit dhe hulumtuesit i duhet ta rindërtojë kohën e këngës dhe të krijimit, ta mbushë atë me çfarë atij i mungon dhe i ka humbur gjatë rrugës, t’i krijojë shtresat shoqërore të kohës, marrëdhëniet, një bazë të madhe ritesh, dokesh dhe zakonesh, subjektin, dekorin, burimin e lindjes, pastaj rrugëtimin, pra i duhet të bëjë një rrugë nëpër thellësitë nga vjen një pjesë e këtyre krijimeve.

- Publicitet -

Duke e konsideruar këtë krijimtari një visar të çmuar, madje një kështjellë përherë për të mbijetuar, kultura popullore është lufta e heshtur që vetë populli ka bërë gjatë gjithë kohëve për t’i rezistuar gjithçkaje të rrezikuar dhe sulmuar, me kulturë, me forma nga më të çuditshmet për t’i asimiluar. Kultura popullore shqiptare ka qenë një nga ato kultura, e cila ka përballuar tri nga pushtimet më të mëdha të historisë euro- ballkanike, atë të perandorisë romake, bizantine dhe atë otomane, për të na sjellë në ditët tona një thesar të çmuar edhe pse një pjesë e madhe e kësaj trashëgimie ka mbetur rrugëve apo është shkatërruar.

Duke pasur këtë njohje historike përmes të cilës kultura jona ka ardhur deri në mes-shekullin XX, kur kujdesi për këtë trashëgimi u bë shtetëror (pas vitit 1945), këtu mendojmë se qëndron edhe rëndësia e saj, nderimi për kontribuesit e saj, të cilët kanë arritur të rindërtojnë kohët, epokat dhe burimet artistike e estetike, veçmas kënga popullore shqiptare, e cila e ka gjetur veten të ekspozuar dhe në protagonizmin për t’i bërë shërbimin e vet etnokulturës shqiptare.

Pa u marrë me rrethanat ballkanike, të cilat nga çdo këndvështrim që mund t’i bëjmë këngës popullore shqiptare dhe kulturës sonë, ka vlera dhe rëndësi, për shkak të të gjendurit të saj në rrethanat dhe kompleksin nacional- shovinist ballkanik, vitet ’50 e në vazhdim krijuan një klimë dhe mundësi kontribuesish të rëndësishëm të kësaj kulture, të cilës kanë arritur t’i japin identitetin e duhur, natyrën që e përshkon, burimet, referimet, autenticitetin dhe gjithë vazhdimësinë e zhvillimit në formë dhe në përmbajtje. Kultura popullore është pasaporta e identitetit të një kulture dhe të një populli, kështu që vlerat dhe personalitetet e këtyre dijeve dhe studimeve nuk mund të shkëputen nga kjo marrëdhënie dhe vlerë komplekse.

Pas viteve ’45, në Shqipëri erdhën një plejadë studiuesish, një pjesë e të cilëve u shkolluan në metropolet kulturore të Europës, të cilët evidentuan dhe zbuluan domenin e kësaj kulture, mbi të cilën u zhvillua kultura bashkëkohore shqiptare, letërsia e kultivuar dhe kultura bashkëkohore në përgjithësi. Duke kuptuar një princip shkencor, se: “Për të studiuar kulturën popullore, gjithmonë është vonë”, në kushtet e vendit tonë kjo kishte vlerë të shumëfishtë. Në Veri Cikli i Kreshnikëve dhe në Jug Polifonia Shqiptare përbënin themelet më të rëndësishme të kësaj kulture, e cila për shekuj të tërë kishte mbijetuar mbi dhe me këto vlera të thella shpirtërore, që përveçse mbartnin brenda vetes vlerat shpirtërore, ishin shndërruar dhe në ndërgjegje kombëtare, pasi ngjarjet më të njohura kombëtare ishin shtresuar dhe mbijetonin në këto dy krijime të fuqishme dhe vitale.

Për fatin e mirë të kësaj kulture, sakrifica dhe pasioni studimor dhe hulumtues, gjurmues dhe folklor-mbledhës, përfshirja e kësaj lënde në punime shkencore të trashëgimisë, veçmas të këngës popullore kjo kulturë dhe pasuri fitoi vendin e saj në kulturën shqiptare, atë ballkanike dhe atë ndërkombëtare. Ndërsa sot adhuruesit, studiuesit, trashëgimtarët dhe të pasionuarit e polifonisë shqiptare mund ta kthejnë kokën pas për të parë rrugëtimin e kësaj pasurie të çmuar shqiptare, pa dyshimin si një rrëzëllim drite do të shfaqet Beniamin Kruta, profesori dhe shkencëtari i njohur, i cili më shumë se kushdo iu përkushtua kësaj pasurie të çmuar, e cila dhe pse ka qenë dhe është përherë mes nesh, në çdo familje të Jugut dhe të Labërisë, ajo kishte nevojë që të zbulohej, të interpretohej me themel, të mësohej mbi origjinën e saj, rrugëtimin dhe dimensionet e saj, si ajo njohu stadet e zhvillimit, pse ajo i ka rezistuar kohës, pse ajo është identiteti i vërtetë i popullsisë shqiptare në të gjithë shtrirjen e saj dhe shumë çështje të tjera për të cilat është gjithmonë e nevojshme dhe e rëndësishme të flitet dhe të shkruhet për të.

Beniamin Kruta: lind në qytetin e Vlorës, më 15 nëntor 1940. Kreu studimet e larta në Konservatorin “Ciprian Porumbesku” të Bukureshtit në vitet 1959-1961, si dhe Konservatorin e Tiranës 1962-1965. Mbrojti diplomën me temën: “Polifonia e Myzeqesë” 1965. Me mbarimin e studimeve u emërua punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore. Në vitet 1970-1989 kreu detyrën e shefit të sektorit të Muzikës. Më 1993-1994 u emërua drejtor i Institutit të Kulturës Popullore. Beniamin Kruta ishte një ndër studiuesit e pasionuar në gjurmimet dhe studimet e polifonisë shqiptare. Iu përkushtua kësaj fushe studimore, duke kryer ekspedita kërkimore e shkencore në vise të ndryshme të vendit. Regjistrimet nga krijimtaria folklorike ndodhen në Arkivin e Institutit të Kulturës Popullore. Kreu ekspedita kërkimore e shkencore edhe në Kosovë e te shqiptarët e Maqedonisë. Vlera të veçanta paraqesin edhe hulumtimet që kreu në Kalabri e Sicili tek arbëreshët e Italisë. Mori pjesë në disa simpoziume e kongrese shkencore për etnomuzikologjinë në: Austri, Gjermani, Rumani, Francë, Greqi, Turqi e Itali. Në vitet 1971-1982 ka dhënë lëndën e “Etnomuzikologjisë” në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1982, si autor i filmit dokumentar “Mbi polifoninë e trevës së Vlorës”, u nderua me çmim të parë në Festivalin “Europa për Folklorin” të Hamburgut (Gjermani). Qysh nga viti 1984 u zgjodh anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës Popullore me qendër në Bratislavë. Mbrojti gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” me monografinë: “Polifonia Dyzërëshe e Shqipërisë Jugore”, 1982, të cilin e botoi si libër në vitin 1989. Më 1985 iu dha titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, ndërsa në vitin 1995 titulli “Profesor”. Ka botuar mjaft artikuj shkencorë në revistën “Kultura Popullore”, “Studime Filologjike”, “Nëntori”, “Etnografia” dhe revista shkencore e kulturore të Rumanisë, Francës e Italisë. Vdiq më 24 maj të vitit 1994. Një rrugë në qytetin e Vlorës mban emrin e tij.

Beniamin Kruta është produkti i një njeriu i cili mbartte në vetvete vlerat dhe emocionet që përcjell polifonia labe nga njëra anë, ishte ndërgjegjja e pastër e një labi, i cili besonte në fuqinë dhe unitetin moral, shpirtëror, social, të jetës në kuptimin e gjerë të fjalës polifonia labe në mjedisin lab, po ashtu ai ishte një produkt intelektual, kulturor, si shprehje e trashëgimisë dhe të njeriut të dijes kulturore, historike, shkencore, i cili e shihte etnomuzikologjinë shqiptare si një pasuri të çmuar, si një thesar brenda së cilës gjendet jeta dhe sakrifica, bukuria dhe mjeshtëria e traditës popullore. I gjendur përpara kësaj prove të madhe prof. Kruta bëri investimin e tij të jetës lidhur me muzikën popullore në kushtet e një tradite dhe pasurie të madhe në një hapësirë të gjerë gjeografike, por dhe të një mungese të studimeve serioze dhe shkencore të polifonisë, për të cilën duheshin zbuluar themelet e saja të hershme.

Veprimtaria studimore dhe shkencore, hulumtuese dhe interpretuese teorike mbi polifoninë shqiptare e Beniamin Krutës nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të rëndësishëm të kohës, jo vetëm të nivelit dhe gjendjes në të cilat ishte kënga popullore shqiptare (posaçërisht polifonia), por të një plejade të rëndësishme të studiuesve dhe të hulumtuesve të kësaj kulture, e cila mori një rëndësi të veçantë nga institucionet e kohës, një grup i cili krijoi një institucion shkencor kërkimi, të cilët në misionin e tyre plotësonin dhe mbështesnin njëri-tjetrin. Instituti i Kulturës Popullore mbetet një vatër e rëndësishme e kësaj veprimtarie, e cila i afroi trashëgimisë shqiptare një fond të madh lënde gjithë – llojesh, një pjesë e madhe e të cilës ende nuk është standardizuar apo klasifikuar, ku mijëra krijime të kulturës popullore presin të marrin funksionin e vet arkivorë.

Beniamin Kruta punoi dhe ishte bashkëkohës i veprimtarisë studimore, posaçërisht të polifonisë shqiptare me studiues të njohur si: Ramadan Sokoli, Alfred Uçi, Qemal Haxhihasani, Rrok Zojzi, Spiro Shituni, Eqrem Çabej, Mark Tirtja, Dhimitër Shuteriqi, Ramazan Bogdani, Zihni Sako, Piro Miso, dhe të tjerë, të cilët arritën që të vendosin themelet e studimeve të kulturës popullore, folklorit, etnologjisë dhe etnografisë shqiptare, si një vlerë e rëndësishme, e cila lidhej fort dhe drejtpërdrejt me historinë kulturologjike shqiptare dhe atë ballkanike.

Kur Beniamin Kruta dhe studiues të tjerë të polifonisë (Spiro Shituni në veçanti) filluan hulumtimet dhe studimet e thella mbi polifoninë, ajo përveç një interesimi të veçantë nga studiuesit e huaj në kuadrin ballkanik dhe atë të shqiptarëve, nuk kishte studime të plota, përveçse një pasurie të madhe, e cila deri në këtë kohë më së shumti kishte mbijetuar në mjediset popullore, por që ishin mjaft aktive. Këngët polifonike qoftë për nga origjina, po ashtu dhe mjedisi social dhe familjar ku ato janë krijuar dhe kanë mbijetuar, nuk kanë një rregull të caktuar kur mund të ekzekutohen. Ata këndohen në mjediset familjare, në raste gëzimi familjarë, në pushimin e drekës, në mal me tufën e bagëtive, në shoqëri të ngushta, duke mbetur një ushqim shpirtërorë i domosdoshëm për njerëzit e trevave ku ajo këndohet.

Në këto kushte, Beniamin Krutës së bashku me Prof. Ramadan Sokolin e prof. Spiro Shitunin, u është dashur të vendosin gurë- themelin e studimit gjenetik të polifonisë, jo vetëm duke e parë atë në historizmin e saj, jo vetëm në burim e parë, apo shtegtimin që ajo ka bërë, që mund të kuptohet lehtë në shenjat që ka humbur dhe ato që ka fituar, por duke e parë atë si një sistem, një sistem që ka mbetur i tillë pavarësisht prurjeve të vazhdueshme, si një sistem i brendshëm e mjaft i qëndrueshëm për ta mbrojtur atë nga shkërmoqja prej faktorëve të huaj dhe jo origjinalë. Në të vërtetë polifonia e ka pasur brenda vetes këtë strukturë, këtë sistem, këtë ngrehinë, e cila nuk u prish kurrë, por këtë zbulesë nuk ka qenë e thjeshtë për ta evidentuar, për ta bërë atë të referueshëm dhe komunikues me të gjithë hallkat e formës dhe të përmbajtjes që ka në vetvete ajo.

Për të arritur deri në këto vlera të pranueshme, profesor Krutës i është dashur ta njohë me themel, deri në indin më të vogël vetë polifoninë në një masë të konsiderueshme të nënsistemeve, të krahinave, të ndarjeve akoma më të imëta, të cilat aq sa mbartin në vetvete elementët më të rëndësishëm të burimit të parë, po ashtu mbartin edhe elementët që diferencojnë nënsistemet nga njëri tjetri, aq më tepër këngën polifonike të krahinave dhe të njësive ende më të vogla.

Polifonia shqiptare ka një shtrirje të gjerë në të gjithë Jugun e Shqipërisë dhe afrohet me kufijtë ndarës të dy dialekteve të mëdha të gjuhës shqipe. Një shtrirje e tillë s’është aspak e lehtë për të emrusuar elementët e mëhershëm të përbashkët për shkakun e zhvillimeve që ajo ka marrë që nga vokali, te përdorimi i instrumenteve muzikore dhe të bërit bashkë të tyre nga njëri nënsistem te tjetri. Po ashtu, polifonia shqiptare ka një prani të madhe të natyrës, jetës baritore, të jetës së familjes, akte dhe substrate të hershme të paganizmit dhe kalimit në politeizëm, pastaj në monoteizëm, ka një trashëgimi të madhe ritualesh, zakonesh, festave tradicionale, shfaqjet e para të kolektivizmit, zhvillimet historike dhe raportet e tjera që u shfaqën në mesjetë apo dhe më vonë, ku u shfaq dhe koncepti troje dhe vatani, një fenomen tepër i hershëm në këngën popullore shqiptare.

Në pjesën më të madhe këto elementë, që natyrisht janë fosilitete të hershme të origjinës dhe të identitetit shqiptar të polifonisë, kanë mbetur të fosilizuara dhe në thelbin e polifonisë për të cilat studiuesit i është dashur të kishte një njohje të plotë dhe hulumtim të thellë se ç’shkruanin të huajt kohë pas kohe për polifoninë, ç’shkruhej në vendet fqinje ku polifonia kishte valoritetin e saj, ç’studime ishin bërë nga muzikologët, kryesisht për modelin e parë siç është vokali, si interpretohej dhe ç’mendohej për origjinën e saj dhe mjaft çështje të tjera.

Prof. Kruta ndodhej përpara një pleksjeje të ndërlikuar me elementë mitologjikë dhe realistë, të cilët gjenden gjithmonë brenda natyrës dhe anatomisë komunikuese të polifonisë, ku natyra sinkretike e hershme dhe ndjesia e kolektivitetit që krijon polifonia, nuk e kanë përjashtuar kurrë njëra-tjetrën. Polifonia kurrë nuk e ka shmangur natyrën baritore, madje sjellja në vëmendje e praktikës së këmborëve të tufës së bagëtive, të dashit dhe deles apo të ndonjë kafshe tjetër, për të krijuar fuqi dhe harmoni është një “njoftim” delikat për cilindo që përpiqet të flasë për polifoninë, pasi ajo ka qenë një mënyrë jetese, një lloj krenarie dhe identiteti për ata që e kanë mbajtur gjallë deri në ditët tona.

I gjendur përballë kësaj vështirësie, aftësia për të depërtuar brenda polifonisë, nëpër shtresimet e saja, në nyjat se si ajo është ndërtuar ka qenë një këmbëngulje e vazhdueshme e  profesor Krutës, i cili është shfaqur në literaturën shqiptare që herët, qysh në momentin e parë kur ai iu vu punës për ta bërë polifoninë një përvojë shqiptare, e cila ka ligjet e saja të krijimit, ligjet e saja të zhvillimit, atij zhvillimi, i cili ka kufijtë e tij. Në polifoni pleksen shumë elementë bazik dhe jetik, muzika, jeta njerëzore, psikologjia vetjake dhe kolektive, domosdoshmëria e harmonisë, përmbajtësia e cila mbart mesazhin që ajo ka në çdo rast, dhe si e tillë ajo ka qenë dhe mbetet komplekse, nëse harrohet njëra apo nënvleftësohet njëra, ajo bie si sistem në vetvete.

Në përmbushje të një detyre të vështirë, sa praktike, hulumtuese, studimore dhe shkencore, prof. Kruta kishte një njohje të madhe për të gjithë kulturën shqiptare dhe këngën popullore në përgjithësi. Ai ka kryer rreth 30 ekspedita folklorike dhe studimore në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Greqi, Kalabri, Sicili, Austri, Gjermani, Turqi dhe në ndonjë vend tjetër, veprimtari hulumtuese në të cilën arriti të grumbullonte, d.m.th. të kishte një arkiv me rreth 5000 krijime folklorike, të cilët përveçse ishin një përvojë e rëndësishme në punën e tij, ishin dhe një lëndë e konsiderueshme, me të cilën ai solli këndvështrime origjinale për këngën popullore dhe muzikën shqiptare në veçanti.

I lidhur fort me polifoninë, prof. Kruta, punën e tij shkencore ia kushtoi asaj, duke qenë dhe ndër njerëzit e rëndësishëm të kësaj kulture, i cili në vitin 1982 pas studimit “Polifonia e Myzeqesë” paraqet studimin e gjerë “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë së Jugut”, një punim dinjitoz, i cili u përfshi në lëndë muzikore në disiplinën e etnomuzikologjisë në Institutin e Arteve. Kjo ishte një arritje e rëndësishme për polifoninë shqiptare dhe studimin e saj në mënyrë shkencore. Duke qenë një punonjës shkencor me autoritet të padiskutueshëm, prof, Kruta nuk reshti kurrë për t’i pasuruar sa më shumë të ishte e mundur studimet dhe arkivën për polifoninë shqiptare, veçmas atë që lidhej me origjinën dhe vazhdimin e traditës së saj pavarësisht varianteve të shumta në të cilat ajo shfaqej dhe praktikohej në viset shqiptare dhe ato të Ballkanit.

Profesor Kruta përveç punimit shkencor të doktoraturës, pati një punë të vazhdueshme botuese me artikuj shkencorë në revistat e shtypin periodik të kohës për problemet e etnomuzikologjisë shqiptare. Një studim i rëndësishëm në këtë fushë me qasje thellësisht shkencore është dhe punimi mbi ndryshimet mes polifonisë dhe Ciklit të Kreshnikëve në aspektin e muzikës popullore. Po ashtu, të shumta janë referatet që ai ka mbajtur në Konferencat Ndërkombëtare mbi kulturën dhe muzikën popullore të popujve në botë, ku veçon ndër të tjera një film i tij përgatitur për polifoninë, i cili në Festivalin e Hamburgut u nderua me Medaljen e Artë, “Europa për Folklorin”.

Etnologu skocez, prof. Aleksandër Feulon, duke dorëzuar çmimin “Europa për Folklorin” midis të tjerash nënvizoi se, “Filmi dokumentar i Beniamin Krutës, mbi polifoninë shqiptare ka tërhequr vëmendjen e tërë specialistëve të Europës dhe UNESC-os, për këtë pasuri të rrallë të kulturës muzikore të Mesdheut”.

Punimi shkencor i titulluar “Vështrim i përgjithshëm i polifonisë shqiptare dhe disa çështje të gjenezës së saj”, në thelb është platforma e punës së tij shkencore lidhur me polifoninë shqiptare, e botuar që në vitin 1980 në revistën “Kultura Popullore”, nr. 1, në të cilën shpërfaqet shkencërisht gjithçka ai ka thënë për polifoninë. Që nga ky punim dhe mjaft punime të tjera kompleks i mësojnë lexuesit dhe studiuesit të polifonisë mbi origjinën e saj, identitetin e polifonisë shqiptare, dialektet, veçori dhe elementë të përbashkët, duke përpunuar mjeshtërisht dhe shkencërisht kriteret e studimit të polifonisë, elementë e saj të rëndësishëm, tiparet dhe duke studiuar imtësisht pantonimat muzikore të një numri të madh të këngëve polifonike të interpretuara prej tij sipas ligjeve universale të muzikës.

Është një arritje e madhe studimi i kësaj polifonie përmes ligjeve të njohura të muzikës, duke e  referuar atë si një sistem i qëndrueshëm vlerash dhe veprimesh. Po ashtu, një vlerë jashtëzakonisht të madhe ka edhe studimi  i titulluar “Vendi i polifonisë shqiptare në polifoninë ballkanike”, i botuar në periodikun “Kultura Popullore” (1982), një punim i cili prek dhe reflekton debatin ballkanik mbi polifoninë, me ç’rast ai ka treguar procesin e zhvillimit të polifonisë shqiptare në rrethana të ndryshme, ku prek praninë  e burdonit (isos), nga stadi më primitiv në atë të zhvilluar. Fenomeni i pranisë së polifonisë shqiptare, në shqyrtimet dhe hulumtimet e prof. Krutës nxjerr krye që nga epoka e neolitit, në atë të bronzit, që përkon dhe me prerjen kohore të autoktonisë së iliro-epirotëve.

Në konceptet fondamentale për polifoninë shqiptare profesor Beniamin Kruta vërtetoi shkencërisht se polifonia këndohet në të gjithë Shqipërinë, dhe përmes një shqyrtimi të hollë të dyzërëshit ai gjen një substrat të përbashkët të lashtë të praktikës së këtij këndimi. Po ashtu, prof. Kruta është studiuesi, i cili klasifikoi nënsistemet e polifonisë shqiptare, atë të polifonisë toske dhe atë labe, të cilët nëndegëzohen në ndarje të tjera, por që asnjëri prej tyre nuk i është shkëputur burimit të hershëm të tyre, pavarësisht një valorizmi të madh deri ballkanik të polifonisë shqiptare. Prof. Kruta, ashtu si prof. Ramadan Sokoli, është studiuesi dhe hulumtuesi më i rëndësishëm i polifonisë lidhur me problemin e “isos”-s, i debatuar dhe i interpretuar ndryshe nga studiues, të cilët kërkojnë burime të tjera për polifoninë shqiptare, duke e tjetërsuar atë.

Vepra dhe studimi më i rëndësishëm i polifonisë shqiptare është i titulluar “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore” e prof Beniamin Krutës, e cila përveçse është një vepër hulumtuese dhe studimore është një vepër shkencore, e cila ka vendosur bazat e studimit lidhur me polifoninë shqiptare nga pikëpamja historike, rrafshin struktural, përhapjen dhe valorizimin, burimet, rrugën e zhvillimit, receptivit muzikal, çështjet e dyzërëshit dhe evoluimin e tij, lindja dhe funksionimi i trezërëshit dhe katërzërëshit dhe mjaft çështje të tjera që paraqet polifonia shqiptare.

Ndarja dhe gjetja shkencore e dy nënsistemeve polifonike të polifonisë shqiptare, ruajtja e raportit të vazhdueshëm të dyzërëshit polifonik si baza e gjithë zhvillimit të polifonisë shqiptare nëpër kohë, deri në ditët tona, zhvillimi nga vokali, tek instrumentet dhe pleksja bashkë e tyre, e cila dikton dhe hapësirat e polifonisë shqiptare në një shtrirje të madhe gjeografike, çështjet  e të kënduarit në grup në Toskëri dhe në Labëri nga burrat dhe gratë, metodologjia e studimit të pentatonit, njohja dhe diktimi i llojeve me kriteret bazë të identifikimit (duke bërë të mundur njohjen e nevojshme të zhvillimit të saj), klasifikimi i llojeve, përhapja gjeografike e llojeve, çështja e varianteve me kriteret e identifikimit, përhapja gjeografike e varianteve (variantet dyzërësh toskë të detajuar në të gjithë shtrirjen e vet, varianti i dyzërëshit lab në të gjithë shtrirjen dhe tiparet e tij) ka arritur të sjellë një konkluzion të rëndësishëm shkencor, se dyzërëshi i lashtë i polifonisë shqiptare është burimi i parë autokton i saj. Po ashtu, struktura e brendshme, pavarësisht zhvillimit, llojeve dhe varianteve në të, në nënsistemet e polifonisë ajo nuk ka ndryshuar. Po ashtu ai ka shpjeguar shkencërisht ison e polifonisë shqiptare, si një tipar origjinal dhe të natyrshëm të saj dhe si ajo funksionon në njërin dhe tjetrin nënsistem apo në të gjithë përhapjen e polifonisë.

Pjesa më konkrete e veprës, shkencore të profesor Beniamin Krutës është pjesa e katërt e titulluar “Shembujt muzikorë”, e cila zë dhe pjesën më të madhe të veprës, e cila përmbush dhe materializon pjesën e parë teorike shkencore të punimit me shembuj nga dyzërëshi tosk dhe dyzërëshi lab.

Profesor Beniamin Kruta mbetet personaliteti dhe kontribuesi më i rëndësishëm jo vetëm i polifonisë shqiptare, i cili krijoi lëndën bazë dhe arkivin e çmuar për polifoninë shqiptare me gjithë akribinë e saj shkencore, por edhe i kulturës shqiptare në fushën e muzikës dhe këngës popullore shqiptare. Ai mbetet profili i çmuar i studiuesit bazik, i cili më mirë se kushdo tjetër arriti dhe diti të pleksë bashkë hulumtuesin, studiuesin, mbledhësin e folklorit në terren, punën e ekspeditës dhe dijet teorike të rëndësishme, të cilat i pati përftuar jashtë vendit në studimet në Rumani në moshë të hershme për t’i venë në shërbim të një pasurie të hershme dhe të çmuar siç është polifonia shqiptare, si shprehje e shpirti artistik të popullit.

 

Tiranë, qershor 2023

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • FOTO nga vrasja në Shkodër, momenti kur 62-vjeçari qëllon gruan dhe pret policinë
  • “Rama mbron financimin 4 mln euro për Kanye West”, New York Times: Kryeministri s’dha detaje si do shpenzohen paratë
  • 40-vjeçari plagos me thikë gruan në Durrës, shpallet në kërkim
  • Mes tyre Shqipëria, kabllogram për 20 ambasada: Çfarë janë aktivistët “Antifa”, të cilat Trump kërkon t’i shpallë grupe terroriste
  • “Policin e joshën në hotel dhe…”, gazetari jep detaje nga ngjarja në Fier: Dhunueset e 17-vjeçares rrjet shantazhi

Komentet e Fundit

  1. Ueeeee on Çfarë do të ndodhë me protestën
  2. Një banor I Tiranës on Çfarë do të ndodhë me protestën
  3. pune komunistesh, gjelle qensh on Mes tyre Shqipëria, kabllogram për 20 ambasada: Çfarë janë aktivistët “Antifa”, të cilat Trump kërkon t’i shpallë grupe terroriste
  4. Ethem Lalaj on Fytyrat e protestës: 13 nga “agjentët më të rrezikshëm rusë, grekë dhe iranianë” me emra dhe foto
  5. Keta jemi ky eshte niveli on Një cirk i dështuar

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?