Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Besëlidhja dhe tri rrëfime për piktorin Fatmir Haxhiu
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Besëlidhja dhe tri rrëfime për piktorin Fatmir Haxhiu
Kulture

Besëlidhja dhe tri rrëfime për piktorin Fatmir Haxhiu

Published: March 2, 2023
Shpërndaje

Enver Kushi

 

Dy festime të veçanta të Besëlidhjes

- Publicitet -

Në ditët e fundit të shkurtit të këtij viti, ju riktheva shënimeve në formë rrëfimesh në kujtim të piktorit Fatmir Haxhiu, shkruar më 2 mars të motit 2005. Atëhere punoja në Muzeun Historik Kombëtar, ku drejtor ishte miku im i paharruar Moikom Zeqo. Isha me fat që punoja në atë institucion të kujtesës së Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe me një personalitet të kultures shqiptare, siç ishte Moikomi. Dhe meqë jemi në atmosferën e 2 marsit, që këtë vit përkon me 579 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, dua të sjell një veprimtari ideuar nga Moikom Zeqo dhe organizuar në Muzeun Historik Kombëtar në vitin 2004, pra në 560 vjetorin e Besëlidhjes. Mbaj mend që në zyrën e tij, ku mblodhi përgjegjësit e sektorëve, Moikomi shpalosi idenë që kishte dhe në fund tha se për realizimin e veprimtarisë do të merreshin Enver Kushi dhe Sotirulla Hoxha. Unë dhe Sotirulla shkuam në Akademinë e Arteve, ku në degën e aktrimit, zgjodhëm 10 çifte (vajzë e djalë), pastaj në Teatrin Kombëtar, Teatrin e Operas dhe Baletit, ndërsa Moikomi, pasi foli me Luljeta Danaj, siguroi 10 fidanë ullinj. Pas një pune të gjatë në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, u risoll riti i bekimit të çifteve të sapomartuar, që kalonin para  Gjergj Kastriotit me fidanët e ullinjve dhe më pas i mbillnin në gropat e çelura në të dy anët e hyrjes së Muzeut. Shkoni në Muzeun Historik Kombëtar. Atje do të gjeni ullinjtë e mbjellë 19 vite më parë dhe që kanë bekimin e Heroit tonë Kombëtar, ku me siguri kurorave të tyre është edhe shpirti i Moikom Zeqos.

Mbaj mend edhe një veprimtari tjetër, atë të 2 marsit të vitit 1999, organizuar në qytetin e lavdishumë të Lezhës, që përkonte me tri pesa mistike, 555 vjetorin e Besëlidhjes, për të cilën do shkruaj një shkrim më të plotë në të ardhmen. Ishte java e fundit e janarit. Nga dritarja e madhe e zyrës time, që ishte në fund të korridorit të gjatë, dukej godina e Kryeministrisë, bulevardi, ndërsa në të majtë një pjesë e Piramidës. Jashtë ishte një diell i bukur janari. Sapo hoqa vështrimin nga dritarja, ra zirja e telefonit. E ngrita menjëherë receptorin dhe zëri i butë i sekretares tha se ministri më kërkonte të shkoja në zyrën e tij. Edi Rama, ato vite Ministër i Kulturës, rrallë, shumë rrallë thërriste në zyrë specialistët. Ai komunikonte me drejtorët e drejtorive. Mora me nxitim bllokun e shënimeve dhe stilolapsin dhe nxitova për te zyra e ministrit . . . Lëre bllokun, tha ai kur u ula në karriken përballë tij. Pastaj, duke bërë ca viza në një letër A-4 (kështu m’u duk, ndonëse më vonë mësova se në ato letra ai bënte ca piktura abstrakte). Më duhen 15 ose 20 kuaj, tha ai. Si kuaj, pyeta unë. Mer një nga shoferët më të mirë të ministrisë dhe që tani nisu për në repartet ushtarake të Dajtit. Nesër në mëngjes më raporto për kuajt . . . Kaq tha ministri, ndërsa unë dola i habitur, duke e lënë atë në zyrë mbi ca letra A-4, që ndoshta me stilolaps vizatonte kuaj qiellorë, hije kuajsh ose kuaj ëndrrash. Ja vlen të shkruaj më gjatë për aventurën time në kërkim të kuajve në repartet ushtarake të Dajtit, që pas ngjarjeve të vitit 1997, ishin kthyer në godina të braktisura ose të djegura. . . Kuajt i  gjeta atë pasdite të ftohtë janari dhe të nesërmen i raportova ministrit Edi Rama, i cili pasi më dëgjoi duke hedhur në letrat A-4 vizat e çuditshme e abstrakte, tha që të shkoja në Teatrin e Operas dhe Baletit, se drejtoresha Zana Çela e kishte marrë porosinë për të kërkuar kostumet dhe armët e mbetura në garderobë nga vënia në skenë  shumë viteve më parë të operas “Skënderbeu”.  Dhe në përfundim, pra më 2 mars të vitit 1999, ditën e tri pesave mistike, në Lezhë hynë, sikur vinin nga viti i largët 1444, 20 kalorës të Skënderbeut, veshur me pelerina të purpurta. . .  Nuk do ta harroj kurrë atë ditë marsi. Isha me fat, që jo vetëm unë, realizuam një ide brilante të Ministrit të Kulturës Edi Rama.

 

Tre rrëfime marsi në kujtim të piktorit FATMIR HAXHIU

 

  1. HESHTJA E KËMBANAVE

Dita e 2 marsit në kryeqytetin shqiptar erdhi me qiell gri, shumë pranë tokës e që dukej sikur do të binte nga çasti në çast mbi të. Nuk binte shi. As borë nuk binte. As erë frynte… Hapësira e ngushtë mes qiellit e tokës, të krijonte ankthe a diçka tjetër të papërcaktuar, që mund t’i përjetosh ndoshta në librat e shenjtë…

Ishte një memecllëk a shurdhëri fillimbote… Ndoshta kështu mund të ketë qenë fillimi i botës, me këtë qiell gri, që ankthshëm afrohet e afrohet pranë tokës… E pastaj mes këtij ankthi gri, do të jetë dëgjuar tingulli i parë njerëzor dhe qielli është ngritur më lart, për t’ia lënë vendin kohës së njeriut… Dhe koha e njëriut erdhi me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij, duke i dhënë fund shurdhërisë gri të botës…

Këto mendoja ditën e 2 marsit, ndërsa ngjitja shkallët e Muzeut Historik Kombëtar. Përse nuk dëgjohen këmbanat, thashë pastaj me zë të lartë. Këmbanat ku janë? Ç’është kjo qetësi qiellgri në kryeqytetin shqiptar? Sepse është 2 mars dhe në këtë ditë në të njëjtën orë, duhej të binin këmbanat jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Shqiptarët kishin nevojë për këto këmbana të historisë… Më 2 mars të motit 1444 në qytetin e Lezhës, ranë këmbanat e 5 kishave. Shtyva portën e madhe të Muzeut, duke përsëritur fjalët e kronikës mesjetare për Kuvendin e Lezhës… Më 2 mars të motit 1444… Dhe duke hyrë në pavijonin e Mesjetës, tashmë po dëgjoja ca këmbana të tjera, disa herë më të forta se ato të pesë kishave të Lezhës. Vinin nga bota e madhe e artit. Qëndroja përpara afreskut “Bashkimi i Principatave Shqiptare”, vepër monumentale e piktorit dhe mikut tim të paharruar Fatmir Haxhiu.

 

  1. KËMBANAT E ARTIT TË MADH

Dritat rrahin me një ndriçim të zbehtë faqen e murit, ku gjallon historia. Afrohem pranë afreskut monumental. Prek me mollëzat e gishtërinjve pjesë të tij. Pastaj tërhiqem prapa për ta vështruar pak më në largësi tërësinë e veprës…

 U ngrit fat’ i Shqipërisë

Si i vdekuri nga varri…

them  ngadalë vargjet e Naim Frashërit. Dhe pastaj dal në krahun e majtë të afreskut dhe një varg tjetër po nga “Historia e Skënderbeut”, më vjen ndërmend:

Këndo engjëll urtësinë…

Kështu nis poema e ëngjëllit tonë mbrojtës, Naimi të madh, që këtu e mbi njëqind e ca vite më parë, u solli të gjallë shqiptarëve, bëmat e kryeheroit të tyre…Fatmir Haxhiu e bëri këtë gati një shekull më pas, jo me penë , por me penelin e tij. Me talentin, disiplinën e hekurt në punën krijuese, pasionin që e karakterizonte, besnik deri në fund i realizmit dhe i vërtetësisë së artit, Fatmir Haxhiu la në pikturën shqiptare vepra që nuk mund t’i fshijë asnjë kohë. Me penelin e tij ai lëviz nëpër kulmet e historisë së Shqipërisë që nga Kruja, Torviolli, Albulena, Fushë Kosova e deri në Hekal, Skorskë, betejat e partizanëve trima shqiptarë në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare, për t’u qetësuar në portretet e shumta, peisazhin shqiptar, dhembjen e lypses së shtrirë në trotuar, finesën dhe bukurinë e kostumeve popullore etj etj. E pastaj prap kuajt e luftës me hingëllimat e tyre tronditëse… Ky është Fatmir Haxhiu, ëndërrimtar i përhershëm, i dashuruar pas historisë dhe figurave madhore të kombit të tij, i ndjeshëm si fëmijë, i rrëmbyer si përrenjtë malorë, i ndershëm si Horati dhe shpërthyes e i vrullshëm si Hamleti… Me hapin e gjatë, të ecurën e shpejtë dhe kokën lart, ai rrugëtontë çdo ditë nga shtëpia, për të shkuar në studion e tij, që ndodhej në Rrugën e Kavajës. Atje e prisnin ata, të zhurmshëm në dalldinë e luftës, hipur mbi kuaj apo të rënë përmbys, duke dhënë shpirt. Atje ishte bota e tij e madhe. Atje ai jetonte me ta, i ringjallte, i hipte mbi kuaj, i armatoste, u jepte shpirt, i bënte të flisnin, t’u binin brirëve apo burive të betejave. Fatmir Haxhiu digjej nga zjarri i brendshëm krijues. Ai ka shumë energji dhe pasion, ka thënë për të skulptori i shquar dhe miku i ngushtë i Fatmirit, Kristaq Rama. Ai është i vetmi batalist shqiptar, që ka pasqyruar luftërat dhe betejat e shqiptarëve, pohon Dritëro Agolli. Piktura e Haxhiut ka frymë dramatike e tragjike dhe si mbetet mjeshtër i luftëtarëve…

Ishin këto energji të pashtershme krijuese, si dhe disiplina e hekurt, që e karakterizonte, që Fatmir Haxhiu të realizojë rreth njëqind tablo kompozicionale dhe shumë vepra të tjera të gjinisë së portretit, peisazhit e punimeve grafike. Në tërësinë e vet, piktura e Haxhiut ka karakter monumental. Mendoj se monumentaliteti i pikturës së tij nuk qëndron thjeshtë në përmasat e mëdha. Karakteri monumental është në mjetet shprehëse, dramacitetin dhe tragjedicitetin e figurave që ai pikturon. Fatmir Haxhiu kap çastet kulmore të ngjarjes që hedh në telajo. Heronjtë e Haxhiut përjetojnë sublimen. Kjo frymë heroike dhe pasqyrimi i ngjarjeve kulmore të historisë së Shqipërisë, diktoi edhe përmasat e veprave të tij. E ndërsa qëndroj përpara afreskut madhështor në Muzeun Historik Kombëtar, më dalin si në film vepra të tilla si “Tenda e Qypit” ( 5 x 2 m), “Çajmë rrethime” ( 2 x 2,5m), “Kalimi i Divizionit të Parë në Veri” (3 x 2m), “Shpallja e Republikës” ( 5 x 3 m), “Me shpatë në dorë” (5,5 x 5 m), një nga veprat më të bukura të pikturës shqiptare dhe e nivelit evropian, por që fatkeqësisht është shumë e dëmtuar, “Skroskë 1944”, “Këshilltarët e Hekalit ( 2 x 3,6 m) etj.

Këndo ëngjëll urtësinë, them unë me zë të lartë vargun e parë të poemës madhore të Naim Frashërit, ndërsa vetja më duket sikur jam zhytur në thellësitë e viteve. Afresku “Bashkimi i principatave Shqiptare” (8,5 x 3 m), u realizua në vitin 1981 dhe është e para në llojin e saj realizuar në Shqipëri. Dihet që afresku realizohet me bojëra uji mbi suva të njomë. Teknika e afreskut është nga më të vështirat për t’u realizuar, sepse ndryshon nga pikturimi në telajo që mund ta prishësh e ta ribësh figurën. Afresku nuk e lejon këtë gjë. Në kujtimet e tij Fatmir Haxhiu rrëfen se i ka munguar përvoja e se kishte kërkuar para realizimit të punës, të shkonte për shumë pak kohë në Itali.

Kjo kërkesë iu refuzua. Atëherë ai bëri atë që rrallë krijues e bëjnë: vendosi të marrë përsipër realizimin e veprës. Sepse Fatmir Haxhiu kishte tre vjet që kishte hulumtuar për historinë e Skënderbeut. Ai kishte shfletuar qindra faqe libra të historisë, kronika të kohës, vepra letrare, kishte biseduar me akademikë, historianë, kishte shkuar në Krujë, Shkodër, Petrelë, Lezhë, etj. Jo vetëm kaq. Për të dhënë atmosferën e kohës, kishte parë albume me kostume, ishte konsultuar me literaturë të shumtë nga Ballkani, kishte studiuar llojet e armëve, që ishin përdorur në shek XV. Në bocetin e përfunduar gjithçka ishte gati. Vepra e kishte rrëmbyer në vorbullat e saj tërësisht. Atje ai gjente vetëveten… Dhe filloi të eksperimentojë. I biri i Fatmirit, Artani, kujton këmbënguljen dhe vullnetin e fortë të piktorit. Fatmir Haxhiu ia nisi nga përgatitja e masës, që ishte përzierje e rërës së larë me ujin e gëlqeres 20 vjeçare,  (që e gjeti në një repart ushtarak) me pak çimento. Pasi përgatiste këtë masë, fuste në të lesh dhie ose qimet e bishtit të kalit. Pasi u bind që sipërfaqja e punuar nga kjo përzierje nuk plasaritej, nisi punën në Muzeun Historik Kombëtar. Ishte gushti i vitit 1981. Tirana digjej nga i nxehti i verës. Në orën shtatë të mëngjesit, të një ditë të nxehtë gushti, piktori Fatmir Haxhiu nisi një nga betejat krijuese më të mëdha: realizimin e afreskut “Bashkimi i Principatave Shqiptare”. Dhe për 40 ditë (si në librat e shenjtë), ai përjetësoi një nga epokat më të lavdishme të historisë shqiptare, Skënderbejadën. Tabloja u organizua në 40 pjesë nga piktori dhe çdo ditë duhej realizuar patjetër një pjesë. Ndryshe gjithçka do të zhbëhej.

Bashkëshortja e tij, Farzileti, tregon se për 40 ditë edhe ajo jetonte me ankthet e të shoqit. Dhe pas 40 ditësh e 40 netësh, ai zbriti nga skela e madhe prej druri e pasi hodhi në anën e djathtë firmën dhe vitin 1981, mori frymë i lehtësuar dhe nisi të shohë krijesën e tij… Pastaj mblodhi  mjetet e punës dhe doli jashtë… Thonë se pasi kaloi sheshin “Skënderbej”, u kthye prap dhe ngjiti shkallët e katit të dytë të Muzeut. Ishte ditë e 40-të dhe pas pak orësh do të vinte dita e 41-të… Pëlqeu ngrohtësinë e maleve të Krujës, kthjelltësinë e tyre. Edhe Skënderbeu i pëlqeu… Edhe princërit pranë tij… Edhe portretet e luftëtarëve… E megjithatë, si gjithmonë, ishte jo shumë i kënaqur me punën e tij. Ngjyrat, tha me vete. Pavarësisht se ngjyrat ishin blerë në Austri që në fillim cilësia e tyre iu duk jo e mirë.

Duhej pak më shumë zhurmë, tha pastaj me zë.

“Me shpatë në dorë”, ka më shumë zhurmë, mendoi… Dhe kështu, me dilemat dhe pakënaqësitë, ai iku përmes sheshit “Skënderbej” për të fjetur i qetë natën e 41-të, pas plot 40 ditë e netë betej krijuese.

Afresku “Bashkimi i Principatave Shqiptare” (8,5 x 3 m), siç kanë vënën në dukje shumë studiues dhe krijues të arteve figurative, është nga më të realizuarit në pikturën shqiptare. Ai shquhet për një vizatim të fuqishëm, tipa e karaktere të gjetur e të vërtetë.

Punë të madhe autori ka bërë me kostumet, veshjet e kohës dhe paisjet luftarake. Nga ana kompozicionale, vendosja  në qendër të afreskut e figurës së Skënderbeut, në një qendrim shumë ekspresiv si komandant dhe organizator i bashkimit, është shumë e gjetur. Kjo i ka dhënë mundësi autorit që të organizojë rreth kësaj figure qendrore, figurat e tjera.

Tabloja ka shumë atmosferë dhe një dinamizëm, që buron nga brenda psikologjisë së figurave dhe mjeteve të tjera shprehëse. Në tërësinë e saj me 46 figurat, 11 kuajt,  dhjetëra armë të kohës, veshjet, malet e bardhë të Krujës dhe kështjellën në të djathtë, kjo vepër sjell atmosferën epike të kohës, kur vendi kishte nevojë për luanë dhe lindi luanë…

Viti 2005 është shpallur viti i Skënderbeut. E ndërsa shoh afreskun e Fatmir  Haxhiut, mendoj se ka të drejtë miku im Moikom Zeqo, kur thotë se mund të bëhet një album i plotë vetëm me figurat e afreskut “Bashkimi i Principatave Shqiptare”. Dhe jo vetëm kaq. Në këtë vit të madh, a nuk duhet menduar edhe për restaurimin e veprës tjetër madhore të Fatmir Haxhiut “Me shpatë në dorë”?

 

  1. KËNDO ENGJËLL URTËSINË

Më 2 mars të motit  1444 në qytetin e Lezhës, ranë këmbanat e 5 kishave… Po sot ç’ditë është, pyes veten duke zbritur shkallët e Muzeut Historik Kombëtar. Është një ditë pa ditë ose ditë pa këmbana. Sepse këmbanat janë atje, në katin e dytë të godinës së Muzeut. Atje janë edhe hingëllimat e kuajve. Futuni atje o njerëz, gati sa nuk flas me zë të lartë. Futuni atje për të dëgjuar këmbanat e historisë dhe këmbanat e artit të madh. Por kryeqytetin shqiptar, në këtë kohë pa kohë e ka pllakosur qiellgrija, ndërsa, unë eci i përhumbur përmes sheshit “Skënderbej”, pastaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, urën e Lanës, kaloj në Rrugën e Elbasanit dhe ngjitem në të përpjetën e Parkut të Madh… Nuk bie shi. As erë frynë. Nuk është as dielprill i vitit të shkuar, kur në rrugën e qeparisave m’u shfaq Engjëll Tërshana… Janë të njëjtët qeparisa të gjatë e melankolikë dhe e njëjta erë e lehtë, që nuk dihet se nga vjen… Befas dëgjoj ca si këmbana, që duket sikur vinë nga kurorat delikate të qeparisave… Unë qëndroj i shtangur në mes të rrugës dhe me vështrim  përpara, atje ku duket si muzg.. Është ai, them me vete. Ai është. Miku im! Miku im! Kam kaq kohë pa të parë. Besomëni: Fatmir Haxhiu m’u shfaq atje, në rrugën e gjerë me qeparisa anash të Parkut të Madh të Tiranës. Ecte ngadalë, me vështrimin lart nga dëgjoheshin këmbanat apo ca zëra të tjera. Dhe kur unë u bëra gati ta takoj, ai më buzëqeshi lehtë dhe mori rrugën djathtas, andej nga vinin hingëllima kuajsh lufte. Fatmir Haxhiu shkonte në botën e përjetësisë, atje ku e kanë vendin ata, që pas kanë lënë jo heshtjen dhe harrimin, por këmbanat e artiti të madh.

Ishte 10 mars 2001, kur Fatmir Haxhiu shkoi papritur, nga një vdekje e vetëtimtë. Ç’ditë është sot, pyes unë. Ndoshta është edhe 2 marsi i vitit 1444… Ndoshta ishte ai cast, kur Naim Frashëri hodhi në letër vargun:”Këndo engjëll urtësinë”. Apo gushti i vitit 1981? Është ndoshta ora 10 e 2 marsit 2044, kur do të bijen këmbanat e gjithë  kishave të Shqipërisë. Ishte koha e shpirtit të piktorit të paharruar, Mjeshtrit të Madh të Punës, Fatmir Haxhiu.

 

Tiranë dhe Lezhë më 2 mars të motit 2005 dhe 1 mars të motit 2023

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha
  • Çfarë po paralajmëron? Rama: Protestuesit i pres deri më 12 qershor
  • SHBA sulmon Iranin, Teherani përgjigjet me raketa dhe dronë mbi bazat amerikane
  • Horoskopi 10 Qershor 2026, dita premton momente të bukura për dashurinë dhe punën
  • Kushte të qëndrueshme atmosferike, parashikimi i motit për këtë të mërkurë

Komentet e Fundit

  1. albi on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  2. L.H on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  3. Mersin Kurti on Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  4. Bureto on Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  5. Heu bre.. on Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?