Nga Asim Bedalli
Sali Berishës i pëlqejnë shumë hiperbolat. Çdo gjë që ai bën është “madhore”, “madhështore”: mitingjet, protestat, aksionet, koalicionet. Edhe koalicioni i tij zgjedhor nuk mund të ishte ndryshe veçse “koalicioni i Shqipërisë madhështore”. Edhe përpjekja për t’i shitur “Primaret” si një risi “madhore” të demokracisë në Partinë Demokratike, nuk mund të ishte veçse një shfaqje butaforike e kësaj të ashtuquajture “demokraci”.
Se sa “madhështor” është koalicioni i Berishës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, mjafton një analizë sipërfaqësore e pjesëmarrësve të tij. Vërtet numri i partive politike pjesëmarrëse në koalicionin e Partisë Demokratike këtë herë është dyfishuar, por rëndësinë e një koalicioni zgjedhor nuk e përcakton numri i partive pjesëmarrëse, por kualiteti i tyre politik, pesha në elektoratin zgjedhor. Përveç Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë që kanë një elektorat, të tjerave nuk ju dihet pesha elektorale. Por edhe elektorati i Partisë Demokratike është shumë i fragmentuar dhe i rrudhur pas përçarjeve të viteve të fundit në gjirin e saj. Ndërsa Partia e Lirisë, e cila në zgjedhjet e vitit 2021 mori 6.8 përqind, sot sipas sondazheve që janë bërë, vërtitet pak më shumë se 1 përqind e votuesve.
Asnjë prej 24 partive të tjera nuk ju dihet pesha elektorale. 13 prej tyre ishin në koalicion me Partinë Demokratike edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, por askush nuk e di se sa vota politike kanë realisht. Aleatët kryesorë të Partisë Demokratike të disa zgjedhjeve të fundit, si Partia Republikane, Partia Agrare, PBDNJ, PDIU dhe Partia Demokristiane kanë ardhur duke u rrudhur shumë vitet e fundit. Aq peshë kanë këto parti në elektoratin shqiptar, sa kryetarët e tyre nuk guxojnë të dalin si kandidatë për deputetë nën siglën e partisë së tyre në zgjedhje, por janë futur nën sqetullën e Partisë Demokratike, në listat e saj të mbyllura të deputetëve.
Sipas sondazheve të bëra nga Report TV, një pjesë e tyre nuk kanë një komunikim publik, madje ndonjëra nuk ka as platformë sociale komunikimi me zgjedhësit. Të tjerët kanë një numër qesharak ndjekësish. Po sipas Report TV, kryetari i Partisë Ora ka vetëm 109 ndjekës në Facebook; ai i Partisë së Pensionistëve 379 ndjekës; ai i Partisë së Emigrantëve Shqiptarë ka vetëm 400 ndjekës në Facebook… E kështu me radhë për ta mbyllur me kryetarin e Partisë PBDNJ, që deklarohet si përfaqësues i minoritetit, i cili ka vetëm 2800 ndjekës në Facebook, që nuk përfaqësojnë as votat për një çerek mandati për deputet në Kuvendin e ardhshëm.
Një koalicion e bëjnë madhështor jo fjalët e titujt bombastikë, me të cilët konfeksionohet, por alternativa që i paraqet votuesve e sidomos kredibiliteti i historisë politike të partive pjesëmarrëse. Na mjafton për ta analizuar historia e forcës politike që udhëheq koalicionin dhe e kryetarit të saj, e cila është e mbushur me shumë bëma që i kanë bërë vetëm dëm Shqipërisë dhe popullit të saj, çështjes shqiptare, për të na bindur për forcën e saj. Ajo tashmë është e njohur për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Mjerë ata që e harrojnë, sepse do të ç’gënjehen shumë shpejt.
Të mos shkojmë shumë larg, por të ndalemi në narrativën e fushatës elektorale të këtyre zgjedhjeve. Për dy gjëra ka një konsensus të gjerë në vendin tonë: për Komunitetin Europian, një aspiratë e hershme e shqiptarëve dhe parulla kryesore e studentëve të dhjetorit të vitit ‘90, si edhe mbështetja e gjerë popullore për organet e reja të drejtësisë, kryesisht SPAK-un. Të dyjave këtyre çështjeve thelbësore për shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj, Partia Demokratike dhe Berisha nuk lënë rast pa iu kundërvënë gjatë kësaj fushate elektorale. Madje edhe në takimet që kanë zhvilluar me diasporën jashtë vendit, Berisha dhe eksponentë kryesorë të Partisë Demokratike, shpifin gjithë mllef, sikur Shqipëria është shumë larg realizimit të detyrave që i ka vënë Komuniteti Europian…. Ndërsa në shtypin grek Berisha me deklaratat e tij duket sikur i bën thirrje Greqisë t’i kundërvihet ecjes së Shqipërisë në rrugën drejt Komunitetit Europian, duke shpifur për realitetin tonë e hedhur poshtë arritjet e Shqipërisë në rrugën për hapjen e grupkapitujve kryesorë të pranimit në të. Vështirë të gjesh një personalitet e forcë politike në Europë që t’i kundërvihet kaq hapur interesave të vendit të vet. Aq flagrante janë shpifjet e Berishës për këtë çështje, sa detyroi komisjoneren europiane për zgjerim, Marta Kos t’i përgënjeshtrojë zyrtarisht deklaratat e tij, duke vlerësuar ecjen e shpejtë të Shqipërisë në çeljen e grup kapitujve kryesorë të pranimit në Bashkimin Europian.
Ndërsa për SPAK-un Berisha ka deklaruar vazhdimisht se gjëja e parë që do të bëjë sapo të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, është shkrirja e tij dhe e të gjitha organeve të drejtësisë së re. E kuptojmë dëshirën e tij të zjarrtë për shkrirjen e SPAK-ut. Berishës nuk i duhet një drejtësi e pavarur nga politika, e barabartë për të gjithë, sepse ka shumë gjynahe ndaj popullit të tij për të cilat akoma nuk ka dhënë llogari. I duhet drejtësia e vjetër në shërbim të tij e të njerëzve të tij. Partia Socialiste ka plot gjëra që duhet të korrigjojë, por duhet t’i njohim meritën për drejtësinë e re dhe forcën me të cilën po e mbron gjatë kësaj fushate elektorale ndaj sulmeve të egra të Berishës, forcës së tij politike dhe koalicionit që ai udhëheq.
