Sefer Pasha ish-ushtarak dhe zyrtar i lartë i Gardës në vitet ’80 ka botuar në gazetën DITA një rrëfim dhe një foto të veçantë të ministres së jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Pasha, i cili sot merret me botime dhe publicistikë ka shërbyer në postën kufitare të Kakavijës, në marsin e 1982:
Nga Sefer Pasha
Botuar në DITA
Një radiogram i shifruar dramatik na tronditi në Kakavijë atë fund dimri. Teksti i radiogramit me pak fjalë ishte ky. Tek porta e Kakavijës do të vijë nga Janina një personalitet. Të pritet me masa të jashtëzakonshme sigurie. Porosi e shokut Enver Hoxha”
U befasova. Radiogram me këtë përmbajtje nuk na kishte ardhur ndonjëherë.
Në një takim në këmbë i informova kolegët për “bombën” e radiogramit. Më shikonin në sy. Në xhepin e xhaketës ushtarake kisha fotografinë e njeriut më të kërkuar në Shqipëri dhe Evropë nga organet e Sigurimit të Shtetit. Bëhej fjalë për Xhevdet Mustafën. I gjithë kufiri tokësor dhe detar ishte në gatishmëri për hyrjen e tij në Shqipëri.
Ndërsa lëvizja i menduar mbërriti nga Tirana komandanti i pikës së kontroll kalimit Agim Zhulegu. I kishin dhënë urdhër që ta ndërpriste lejën. E vura në dijeni për radiogramin. “Kush i ha këto dokrra” – tha ai – “Ku ka kohë shoku Enver të merret me radiogramet”.
Unë nuk fola. Agimin e kisha vartës, por ai ishte rebel. Kishte pamjen e një aktori, dy metra i gjatë. I pashëm e i ditur. Kishte qenë komandant në Qafën e Prushit në Tropojë. Kadri Hazbiu e solli në Kakavijë. Nuk kishte shumë kohë që ishte fejuar me një vajzë me origjinë nga Shishtaveci që studionte në Paris. Qëlloi që ajo të kishte lidhje miqësore me Hysni Kapon. Agimi nuk pritej. S’e besoi përmbajtjen e radiogramit. Tema e preferuar e tij ishte talenti i kuadrit. Idhulli i tij ishte oficeri i Zbulimit të Jashtëm Ilia Zhulati. Ai kishte marrë titullin Doktor i Shkencave. Kishte mbrojtur shkëlqyeshëm anglishten. Dhe kishte botuar një fjalor anglisht – shqip. Agimi tregonte se Ilia Zhulati që të mos e zinte gjumi dhe të studionte gjatë natës pinte çaj me dëllinjë të kuqe. Çaja e dëllinjës ia përzinte gjumin. Ai i kishte zili oficerët e zbulimit. Ata i tregonin Agimit se katër vjet me radhë ishte trajnuar Çufe Mullai në Kakavijë. Pasi zbuluesit e kishin trajnuar Çufe Mullain e kishin kaluar në klonin në anë të lumit të Drinos. Oficerin e zbulimit që e “dorëzoi” Çufe Mullain tek policia greke edhe unë e pata takuar. Me lidhën nja dy shërbime delikate që i bëra mirë. Zbuluesi me emër më rrëfeu skenën kur kishte marrë pjesë në takimin midis Çufe Mullait dhe Enver Hoxhës. Në çastin kur Enver Hoxha i kishte dhënë dorën e “lamtumirës” Çufe Mullait i kishte thënë këto fjalë:
– “Çufe! Udhë të mbarë! Ta nderosh Fushëbardhën që të lindi!”.
Por zbuluesit dhe mjeshtrat e Sigurimit të Shtetit e ndiqnin Çufe Mullain edhe kur ai u bë një nga njerëzit besnikë të Ahmet Zogut. Edhe pse e kishin bashkëpunëtorin e tyre e përndiqnin këmba – këmbës tek “foleja”. Dyshonin se mos agjentura e mbretit Zog e rekrutoi dhe ai luante rol të dyfishtë. Aq djallëzor qe Sigurimi i Shtetit sa vite më vonë, kur Çufja e mbaroi misionin dhe u kthye në Shqipëri, në Gjirokastër u propozua që atij t’i jepej titulli “Hero i Popullit”. Por udhëheqja lart e refuzoi. Sigurimi i Shtetit nuk qe i sigurt nëse agjentura e mbretit Zog e bëri për vete Çufe Mullain? Shumica e zbuluesve ishin të rinj. Porosia që i jepej çdo oficeri të ri kur merrte detyrën ishte: -“Kujdes nga shalët e bardha dhe paret e verdha”! Thuhej se këtë shprehje e kishte thënë fare rastësisht në një mbledhje Enver Hoxha. Kjo thënie u kthye në hymn.
***
Papritur matanë telave me gjëmba ushtari grek ngriti flamurin e bardhë. Tek porta u afrua makina e ambasadës tonë në Athinë. Ishte ambasadori Ksenofon Nushi. Ai zbriti nga makina dhe bashkë bëmë disa metra në këmbë. I keni marrë masat tha ai. Nesër në orën tetë do të vij “ylli” që nga Janina. Të keni kujdes pikat e larta që nga territori grek shtoi ai. UDB – ja mundet të vendos snajpera dhe nesër të na bëj gjëmën. Ksenofon Nushi u nis për në Gjirokastër. Pikë e zezë thashë me vete. “Ylli” nuk mund të jetë Xhevdet Mustafa. Terroristi pritet nga deti dhe nga malet. Veçse nëse e kanë futur në valixhe si Anastas Marin, që e varën tek Rrapi i Dropullit të Sipërm. Agim Zhulegut një detyrë ia dhashë se e kisha vartës. Të merrte masa për tualetin që ishte i kohës së Baba Qemos. Për shkak të terrenit të pjerrët kur qe ndërtuar ajo godinë sa për “dy vetë” për të shkarkuar ujërat e zeza qe hapur një tunel i thellë dhe i gjerë. 15 metra më poshtë ishte vija e kufirit ku ndanim me Greqinë. Dhe ujërat e zeza nuk duhet të dilnin në pyllin e tokës greke. Ato nëpërmjet tunelit të thellë duhet të kullonin në gjirizet e tokës së shtuftë dhe të binin në degën e lumit të Drinos, që vinte nga Janina. Po të delte një pikë ujë i zi grekrit bënin namin. Në pranverën që shkoi kishte mbirë një kungull në tokën tonë. Njëra degë e kungullit qe ngjitur mbi një lis dhe kishte kaluar në territorin grek. Ushtarakët grek e quajtën incident. Unë në takim u thashë se kungulli që e ka kaluar vijën e kufirit nuk është njeri. Është bimë. Ju e keni mbjell kungullin këmbëngulnin kolonelët grek.
Nuk më kishte qëlluar që të zija pritë tek porta me tela. “Qytetarët” e parë që filluan të lëvizin ishin çakenjtë. Një çakall qe futur në kuzhinën e kufitarëve grekë. E thoshin vet ushtarakët grekë kur bënin llogje e luanin basketboll tek fusha nga ana e lumit të Drinos. Rreth 50 metra nga vendi ku isha pozicionuar dhe dridhesha nga era e shiu, që vinte me dallgë nga Janina, ishte livadhi kur në 27 gusht vitin 1923 shovinistët grek vranë gjeneralin Italian Telinin. Ai qe me komisionin që ndante kufijtë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në kujtim të gjeneralit të vrarë shqiptarët kishin ngritur një lapidar të lart sa një lis. Por grekrit e kishin minuar. Unë e kisha pikë të dobët gjeneralin. Po shkruaja një libër për të. Gjeneralin italian Telinin e kishin vrarë dhjetë kilometra në thellësi të teritorit të Greqisë. Jo në Kakavijë ku ishte ngritur lapidari. Vendi quhej Zharovinë.
I gjithë ai copë vend i rrethur me tela ishte i mbushur me tregime. Aty ishin rrënojat e hanit ku pinte verë Ali Pashë Tepelena. Po aty ishte udha ku kishte kaluar Bajroni. Gjithashtu dihej ku ishte kasollja ku qe strehuar Vasiliqia e shoqëruar nga Thanas Vaja pas vrasjes së Pashait. Në ato mote të ashpra të marrëdhënieve me grekrit në Kakavijë kishim të miratuar nga Ministria si përkthyes minoritarin P. Konomi. Në dy – tre raste ai më pati thënë me mburrje se kishte dëgjuar prej kolonelëve grek se Naim Frashëri kur ishte student në Gjimnazin “Zosimea” në Janinë ai shpesh kishte kaluar nga udha e vjetër Janinë – Kakavijë. E pinte kafen tek hani i vjetër që ishte si të thuash një lloj dogane. Unë atëherë isha djal i ri dhe kurrë nuk e pyeta përkthyesin për ndonjë hollësi nga pushimet që bënte Naim Frashëri në Hanin e Kakavijës. Shumë vite më vonë jam kujtuar. Por ishte vonë.
I kujtoja ngjarjet dhe nuk më hiqej nga mendja ajo që më tha ambasadori. Kujdes nga “snajperat” e UDB –së në taracën greke. E vrisja mendjen. Me kufitarët grek ballë për ballë nuk kisha ndonjë shqetësim. Kishte ndodhur një “incident” i heshtur, të cilin e dija unë dhe kufitari shqiptar në vendroje. Një javë më parë një stuhi që erdhi nga Janina gati e rrafshoi luginën. Më sqaroi kufitari në vendroje, i cili në minutat e stuhisë ishte roje pranë shtyllës së flamurit. Stuhia vetëtimthi e sharroi fillin e litarit sa një gisht në shtyllën e hekurt dhe e shpuri në një nga transhetë e braktisura të shtetit grek. Kufitari shqiptar që ishte roje pranë flamurit megjithëse ishte fare i pafajshëm qe tronditur. Skenën me flamurin shqiptar që përfundoi në territorin grek e pa dhe kufitari grek. Ai ishte disa metra më tutje gjithashtu i strukur pas një muri betoni. Në një fraksion të minutës të dy kufitarët u ndodhën ballë për ballë. Heshtën. Atë që ndodhi kufitari shqiptar ma shpjegoi në mënyrë të habitshme. “Paqja” midis dy kufitarëve “armiq” qe vendosur vetvetiu. Ngjarjen me flamurin nuk e raportova. S’isha i sigurt se mund të ishte ashtu siç ma tha kufitari.
***
Rreth orës tetë ndodhi e pabesueshmja. Ushtari grek tek porta me tela ngriti sërish flamurin e bardhë. Aty ndaloi një makinë e ambasadës tonë në Athinë. Tok me Agim Zhulegun e hapëm portën menjëherë. Me siguri në bagazhin e makinës është “valixhja” me trupin e Xhevdet Mustafës thashë unë. Por shtanga në vend. Makinën e ambasadës e ngiste një nga diplomatët në Athinë, Asaf Hadëraj. Me ta kaluar portën zbritën nga makina një grua me tre fëmijë. Unë ecja praptazi. Bëja detyrën. I mbuloja fëmijët me trupin tim. Sytë nuk i ndaja nga tarraca e grekut. Prej andej do të hapej zjarr nga “snajperistët” serb dha porosi ambasadori Ksenofon Nushi. Nga sekonda në sekondë prisja që plumbat të binin mbi mua, që po i mbroja fëmijët me trupin tim. Me sytë nga “snajperistët” e UDB – së fiksova një moment. Djali u shkëput nga e ëma dhe këputi dy lule marsi tek Pusi i Vezirit. Që nga shkallët e doganës nëna i tha: – Premton! Çfarë ere mbajnë lulet? Dhe djali u përgjigj: – Lulet mbajnë era atdhe! Pastaj gruaja me të tre fëmijët u fut në zyrën sa një qymez pulash. E prisnin oficerët e zbulimit dhe punonjësit e Ministrisë së Jashtme. Çfarë emri t’i vëmë kësaj i thashë Agim Zhulegut? Ai filloj të më ironizoj. Ju luta që të futej në zyrë dhe mbase mësonte ndonjë hollësi. Agimi më dëgjoi. U fut brenda dhe doli shpejt që andej. Nuk mësova ndonjë gjë të hajrit tha ai i nervozuar. Ajo gruaja që nxin e sterron e ka emrin Zana. Të njëjtin emër ka dhe e fejuara ime që studion në Francë. Pas pesë minutash Asaf Hadëraj u nis drejt Tiranës me gruan dhe tre fëmjët. Kur më informuan në radio se “personaliteti” e kaloi portën e klonit mua më shkriu gjaku.
Te gjithë kolegët i dërgova që të pushonin. Nga lumi i Drinos dolën tre mushkat e kufitarëve grekë. Mushkat ngarkoheshin me koshat plot me zeje. I shkarkonin tek cepi i oborrit të doganës dhe herë pas here qëllonin ndonjë vizitor të rrallë nga Shqipëria. Sot për fat nuk qëlluan mbi gruan me emrin Zana dhe mbi fëmijët e saj. Kufitarët grek qenë duke i ngarkuar mushkat në zallin e lumit të Drinos. Dikur kompozitorin Roland Çenen, i cili si nxënës kishte ardhur me shkollën nga Gjirokastra për të vizituar postën kufitare të Kakavijës një zall lumi e goditi në ballë. I mbeti shenja.
Agim Zhulegun e kërkuan urgjentisht në telefon nga Ministria. I hodha dhe njëherë sytë nëpër territor. Të dy “qytetet” si yni dhe i grekut ngriheshin mbi një hektar vend. “Qytetet” ishin në luftë. Ish komandanti i postës kufitare përpara meje kishte vendosur një altoparlant në dritaren e dhomës së kulturës, ku argëtoheshin kufitarët. Dëgjohej Radio Tirana. Kufitarët grekë nga një pikë e fshehtë hapën zjarr me mitraloz dhe duke e marrë në shenjë altoparlantin e bën atë shoshë me plumba. Desh plasi lufta. Ministri e shkarkoi nga detyra komandantin dhe e dërgoi për ndjekje penale. Kjo ishte arsyeja që kur takoheshim me miqtë në Gjirokastër ata na pyesnin: – “Hë mo! Ç’bëhet atje në Kakavijë? Luftë?”. Po pse bëheshin këto pyetje? Dropullitët vallëzonin. I mbante mirë regjimi i Enver Hoxhës. Edhe Gjirokastra ishte e qetë. Lajme të frikshme vinin vetëm nga “Troja” e Kakavijës. Ushtarët grekë vranë në mes të ditës kufitarin nga Mirdita Llesh Pal Çupin. Kryheshin dhe akte të tjera terroriste. Prandaj organet e Sigurimit të Shtetit rrëmbyen në Athinë Anastas Marin nga fshati i Kakavijës dhe e varën në çatallin e rrapit në mes të ditës në Vrisera të Dropullit.
Agim Zhulegu u kthye me lot në sy. Unë u bëra akull. O zot çfarë ka ngjarë i thashë vetes? Për habinë time Agimi filloj të recitoj:- /Lule, lule. Ç’fat paski pasur/ /Gjithmonë të njoma të ndërroni jetë/ /Sa më të bukura që të jeni rritur/ /Vdekja ju vjen shpejt/. Të kujt janë këto vargje më pyeti ai. Të Isuf Gërvallës i thashë pa ndonjë habi. Mbete fshatar mu kthye Agimi. Isuf i thonë në Mallakastër. Kurse në Kosovë shkruhet Jusuf. Gruaja që përcollëm së bashku me fëmijët ishte gruaja e Jusuf Gërvallës u shkoqit me zë të ulët. Rëndësia e radiogramit qenka e justifikuar. Fola me Pëllumb Kapon. Ai është emëruar Drejtor i Sigurimit të Shtetit. Ajo që tha Agim Zhulegu qe një tërmet për mua. Mu duk sikur lumi i Drinos u kthye nga udha dhe po ngjitej për tek Qafa e Kakavijës. Jusuf Gërvalla ishte vrarë 60 ditë më parë, më 17 janar 1982 në lokalitetin e Untergruppebach të Shtutgardit të Gjermanisë. Jusufi qe së bashku me të vëllanë Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Për tragjedinë e Jusuf Gërvallës i gjithë shteti shqiptar qe ngritur në këmbë. Çdo ditë në Radio Tirana, në Televizionin shqiptar e në shtyp flitej për këtë tragjedi. Shkruheshin shkrime propogandistike, tregime, reportazhe, poezi, drama e pjesë koerografike. Përherë përmendej fakti që Jusuf Gërvalla i plagosur rëndë i pëshpëriti policisë gjermane: – “E ka bërë UDB -ja”. Fjalët e fundit të Jusuf Gërvallës i vërtisja si rrath cikloni pa i ndarë sytë nga tarraca e doganës greke. Më ngacmonte thënia e ambasadorit Ksenofon Nushi, që t’i mbanin sytë nga snajperat e UDB -së. Unë për figurën e Jusuf Gërvallës jepja leksione. Jusufi qe udhëheqës ushtarak, politikan, filozof, shkrimtar, poet, muzikolog, eseist e një kitarist i talentuar. Motivi i veprës së Gërvallës përshkohej nga vargu profetik: – “Pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Gjithçka po më kristalizohej. Ministria e Jashtme me porosi të Enver Hoxhës nëpërmjet Zbulimit të Jashtëm paska sjell nga Gjermania familjen e Jusuf Gërvallës mërmërita. Agim Zhulegu, i cili e donte shumë Jusuf Gërvallën filloi të bëjë shëtitje si gjithnjë pa kapele në kokë deri tek milimetrat e fundit të portës me tela. Ai nuk donte t’ia dinte. Në Kakavijë e fotografonin femrat greke, të cilat i bënin shenja që nga oborri i doganës greke. Në gazetën greke “Elefterotipia” qe botuar dhe një shkrim me titull: – “Vajzat e Janinës lënë kokën për një oficer shqiptar në Kakavijë”. Në një kanal televiziv grek qe shfaqur Agim Zhulegu duke folur tek porta me një prift grek. Prifti i kishte thënë Agimit se ashtu siç ka nevojë lulja për ujë, njeriu e ka të domosdoshme dorën e zotit. Agimi megjithëse në takim zyrtar e kishte çuditur priftin grek. I kishte thënë se mbi tokë nuk ka as Krisht dhe as Muhamet. Prifti duhet të lexonte Enver Hoxhën.
***
Pritja dhe përcjellja për në Tiranë e familjes së Jusuf Gërvallës qe për mua një shërbim i zakonshëm. I vura kapak kësaj çështjeje dhe doja të pushoja. Por 30 metra më lart në shkallët e lapidarit të dëshmorit Llesh Pal Çupi më priste një ekonomist i kufirit. Quhej Thoma Mushka. Thomai më kishte thënë se gjyshi i tij kishte punuar si karvanar me mushka. Prandaj mbanin këtë mbiemër. Ai merrte porosi nga dropullitët dhe gjurmonte e zhvarroste udhëve të Greqisë ata dropullitë që kishin vdekur në udhët e fatit. Gjyshi kishte fituar famë me një gjest fisnik. Në një rast ai kishte çvarrosur në Kallpaq të Janinës një dropullitë nga Derviçani. Të vdekurit i kishte gjetur një qese me flori në xhepin e palltos. Nuk e kishte fshehur. Qesen me flori ua kishte dorëzuar derviçanasve bashkë me eshtrat e të vdekurit. Mua më interesonte takimi. Thoma Mushka më pati thënë disa herë se gjyshi i tij kishte pasur një fotografi të Hanit të Kakavijës. Sa shumë më duhej ajo fotografi.
Radiogramin e quajta një mision të thjeshtë që përfundoi mirë. Asgjë nuk duhej nënvleftësuar. Nëse në ambjentet tona të jashtme do të shkruanim një gërmë apo parullë në gjuhën shqipe kufitari grek kot më kot do të qëllonte me breshëri. Kurse në faqet e mureve të godinës greke vareshin portrete të Venizellosit, të Zervës e të Grivës. Qysh në pikë të mëngjesit oficeri grek në kullën e vrojtimit e hapte kasetofonin në kupë të qiellit. Këngët e regjistruara bënin thirrje për luftë: – Flamurin grek do ta ngremë//Shumë shpejt në Tepelenë/ Ik shqiptar mos rri tek porta/ Se të bëjmë paçe për korba/Ku rrjedh Shkumbini pika – pika/Kufirin do ta ketë Janina/.
***
Dramat në Kakavijë mateshin me lugën e kafesë. Radiogrami për Zana Gërvallën më mobilizoi. Tre ditë më parë ndodhi një ngjarje e pazakontë. Në faqen e kodrës ra zjarr në mes të ditës. Kufitari në vendroje raportoi se një civil grek qëlloi me flakë hedhës. U çudita. Cili qe shkaku? Një kufitar që përgatitej për të vazhduar Akademinë e Arteve më foli sinqerisht. Ai do t’i vazhdonte studimet për skulpturë. Në faqen e kodrës me pyll të zi kufitari që ëndërronte të bëhej skulptor kishte thurur me drurët e pyllit bustin e Ismail Qemalit. Për mjekrën e bardhë kishte përdorur lulet e murrizit. Vetullat e bustit i kishte qepur me fleta ilqesh. Sheshin e ballit me majat e koçimares. Kurse jakën e këmishës me trëndafila të bardhë. E arnonte “bustin” për qejf të tij. Por asfalisë greke asgjë nuk i shpëtonte. Dhe e qëlluan me fakëhedhës kur portreti i Venizellosit zinte gjysmën e faqes së murit të doganës greke.
Kur diplomati Asaf Hadëraj e mbaroi misionin në ambasadën tonë në Athinë ai ju kthye në Tiranë detyrës si zbulues. Në bisedat tona të zakonshme Asafi e gërmonte temën kur qe marë me famijen e Jusuf Gërvallës. E kujtonte me dhimbje Zana Gërvallën me tjetër emër në pasaportë. Po kështu dhe fëmijët. Familjen Gërvalla i priti në shtëpi në Athinë bashkëshortja e Asafit, Rexhina Kallabaku. Meqënse Rexhina ishte me origjinë nga Kukësi ajo i gatoi mikeshës së re dhe fëmijëve të saj ushqime tradicionale si në Kosovë. Edhe vet Rexhina ishte zbuluese. Nga që i ruhej përndjekjes së UDB -së Rexhina gjatë drekës në shtëpinë e saj dhe në takimet e tjera ajo mikeshës nuk i thirri kurrë Zana Gërvalla. As fëmijëve. Dyshonte se mos zbulimet e huaja kishin vënë përgjues edhe në ambjenet e shtëpisë. U fliste me emrat që i kishin në pasaportat diplomatike të përgatitura nga Zbulimi i Jashtëm. Asafi i kishte të fiksuara pseudonimet si të Zana Gërvallës dhe të fëmijëve të saj. Vetëm tek Pusi i Vezirit në territorin shqiptar ajo i foli të birit në emër: – Premton!
Rregulli dhe pastërtia ishin për faqe të zezë në të gjithë territorin e godinës greke. Vetëm në një rast ata e bën “lule” mjedisin që nga porta me tela. Punuan shumë ditë. E thoshin dhe vet kur deheshin me raki dhe uiski. Pas vizitës në Dropull Qirjes Enver Hoxha do të vijë të shoh Kakavijën e kufirit. Prandaj i dhanë vendit pamjen e një feste. Erdhën qindra grek që nga Janina. Sollën dhe këngëtar. E ofenduan Enver Hoxhën kur morën vesh se ai pas vizitës që bëri në fshatin Grapsh të Dropullit nuk e kthye në Kakavijë. E kaloi Qafën e Muzinës për në Sarandë.
Me ta përcjellë familjen e Jusuf Gërvallës do më duhej të shkoja tek trupat që na kishin ardhur si përforcime për kapjen e Xhevdet Mustafës. Thuhej se Xhevdet Mustafën e priste në Tiranë një udhëheqës i rëndësishëm emri i të cilit nuk dihej. Ai do ta fuste në Bllok dhe aty Xhevdet Mustafa do depërtonte në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe do t’i bënte atentat. Gjithçka mund të ndodh më thoshte Agim Zhulegu. Jemi duke bërë krime të mëdha. Janë pushkatuar kot së koti Beqir Balluku, Hito Çako dhe Petrit Dumja. Agimi e tregonte shpesh atë që ja kishte thënë një oficer i Sigurimit të Shtetit, që kishte shoqëruar tre gjeneralët, të cilët i nxorën natën nga qelia me hekura në duar për t’i çuar në malin e Dajtit, ku do të pushkatoheshin. Përpara Beqir Ballukut ecte Hito Çako. Beqiri që ecte nga pas i thotë: “Hito! Ku po na shpjenë këta”? – “Në dasëm!” i përgjigjet progonatasi. Pastaj Agimi fare pa pritur nxori nga çanta një libër të vogël të fotokopjuar. Ma lëshoi në duar. U meka kur e pashë. Ishte ditari i vajzës së Liri Belishovës, Drita Çomos. Unë u tremba dhe e flaka sikur në duar të kisha një gjarpër. Na fute në burg i thashë me zë të lart. Ja ky është socializmi yt tha ai. Ti shkruan letërsi dhe ke frikë të lexosh një ditar tragjik të një vajze të pafajshme. U revoltova. E mora ditarin e fotokopjuar dhe e bëra copë – copë.
Nëpër mbledhje Agim Zhulegu më thumbonte me gjemba murrizi. Në përditshmëri ai luante me shprehjet e dobëta të kolegëve. Ndodhesha me shërbim aty ku merr kthesë udha nga Kakavija për në Bularat të Dropullit të Sipërm. Më informuan se po shkon për në Bularat e Bodrishtë shkrimtari Ismail Kadare. Nuk e vlerësova shumë. Kur Kadareja në vendin e parë të makinës na vuri re ktheu kokën dhe na nderoi me grusht. Edhe grupi i kufitarëve gjithashtu e nderoi me grusht. Faktin që Kadareja na nderoi me grusht unë e thashë në një mbledhje me krenari. Këtë moment e kapi Agim Zhulegu. Ai nuk e duronte dot hipokrizinë dhe shpërdorimin e një detaji. Kur i krijohej ndonjë boshllëk në bisedat me eprorët që vinin nga Ministria ai thoshte: – “Ja shefin tonë, Seferin, e nderoi Ismail Kadareja”. Qesëndiste.
E kam takuar Agim Zhulegun vetëm një herë kur kishte triumfuar demokracia. E kujtuam dhe ditën kur pritëm gruan e Jusuf Gërvallës me fëmijët në Kakavijë. I thashë Agimit se familjen e Jusuf Gërvallës e ka pritur shoku Enver. Pamjet i ka dhënë dhe Televizioni Shqiptar. Në një album të veçantë të ATSH -së janë dhe fotografitë e takimit me Enver Hoxhën. Por Agimi më kujtoi “klonin me kapele”. Ndodhi në natën kur ne nuk dinim se kush qe “personaliteti”që do të vinte nga Greqia. Atë mëngjes kuadrot në takim raportuan për të rejat nga shërbimi. Gjatë takimit Delo Hodaj tha një gjë që ne e quajtëm lajthitje. Ai qe me shërbim ngjitur tek porta me tela. Pas mesit të natës kishte parë tek kishëza e vogël, ku bënin kryqin e ndiznin qirinj kufitarët grekë, një burrë të gjatë me kapele. Delua këmbënguli se ishte Kadri Hazbiu. E njihte mirë se që të dy ishin nga Lumi i Vlorës. Sipas raportimit që bëri ai tha se Kadri Hazbiu me dy civilë të tjerë u dhanë dorën ushtarakëve grek dhe u fut në pyll në kufirin midis dy shteteve. Një orë më vonë u dha sinjali kalesë kufiri në pengesën e klonit po në sektorin e Kakavijës. U verifikuan gjurmët në klon dhe u dha informacioni se kishim të bënim me kalesë kufiri nga jashtë brenda. U gjet dhe një kapele e varur në telat me gjëmba të klonit. Mbërritën dhe ekspertët nga dega e brendshme e Gjirokastrës. Vajti dhe Delo Hodaj. Ai tha se këtë kapele e kishte Kadri Hazbiu në çastet kur u fut në pyll. Askush nuk e besoi. Ekspertët kapelen e përcollën për në Tiranë. Sipas Ilia Zhulatit historinë e kapeles ia thanë dhe Kadri Hazbiut. Ministri kishte thënë:- Po! Ajo kapele e varur në klon është e imja. I vura forcat e kufirit në provë. Pritej në Shqipëri familja e Jusuf Gërvallës.
Në takimin e fundit me Agim Zhulegun kujtuam dhe “tradhtinë” time ndaj tij si mik. Atë mbasdite që nisëm sakllam bashkëshorten e Jusuf Gërvallës me të tre fëmijët Agimi u sëmur. Dërgoi dy kufitar dhe mori në spitalin e Vriserasë mjekun e njohur Arqile Boti. Kur mbërriti Arqile Boti dhe po ngjiste ato dy palo shkallë kufitarët grek po luanin basketboll. Me ta parë doktorin ata e lanë lojën dhe filluan të thërrisnin në kor: “Ise kalla qirjes Arqile Boti!”(Je mirë zoti Arqile Boti!) Arqile Boti u përgjigj flakë për flakë: – “Poli kalla!(Shumë mirë)!” Kufitarët grek përplasën pëllëmbët. Ishte hera e parë që na ndodhte kështu. Pas vizitës Arqilea u kthye për në spital. E shoqëroi vet Agim Zhulegu. Gjithçka që ndodhi midis kufitarëve grek dhe mjekut minoritar ja raportova ministrisë. Nuk mund ta fshihja. Pas një ore doli në telefon zëvendësministri i brendshëm Raqi Iftica. Mos bëni zhurmë kot së koti tha ai. Doktor Arqile Boti ka vizë për tu futur në Greqi. Ishte në Athinë. Kur Agim Zhulegu e mori vesh natyrisht që nuk i erdhi mirë. E kisha prerë në besë.
***
Më vonë për famijen e Jusuf Gërvallës nuk kam shfaqur ndonjë interes. U kujtova kur pashë në lajme se vajza e Jusuf Gërvallës, Donika, ishte bërë Ministre e Jashtme në qeverinë e Albin Kurtit. Motivi i pritjes së familjes së saj më datën 30 mars të vitit 1982, të cilin e kisha shënuar në ditarët e mi mu duk interesant. Forcat e kufirit nuk kanë asnjë kontribut në sigurimin e jetës së familjes së Jusuf Gërvallës. Si njeri i letrave në vitet e demokracisë nuk jam preokupuar kur në një gazetë të përditshme e shoqja e Jusuf Gërvallës, Zana, kishte dhënë intervistë duke vjell helm kundër regjimit të Enver Hoxhës. E lexova intervistën dhe rashë në mendime. Përse sakrifikova aq shumë në vitet e socializmit, i thashë vetes? Kur përcolla për në Greqi në një rast gruan e shpikësit të penicilinës, Flemingut, e cila ishte deputete në parlamentin grek, ajo tek porta me tela më tha që t’i zhduknim telat me gjemba. Nuk i ktheva përgjigje. Por unë isha i detyruar që t’i bëja gardh telat me gjëmba. Jepja “çmime” për ata që bënin shpikje për sofistifikimin e pengesës elektrosinjalizuese të klonit. Kështu bëra për një shpikje që bëri njeriu i klonit Hodo Liçua nga Hormova. Televizioni Shqiptar dhe revista “Në shërbim të Popullit” i bën reklamë. Për të gjitha këto ndjej dhimbje.
Por tek kujtoj Zana Gërvallën them se ne nuk kishim shumë faj. Parlamenti grek e mbante në fuqi ligjin e gjendjes së luftës me Shqipërinë. Ishim të detyruar të mbroheshim me tela me gjemba dhe me topa. Pranë pjatës me fasule mbanim të mbushur granatat e dorës dhe kallashnikovët. Nuk kishim rrugë tjetër. Lufta e pamëshirshme e kufitarëve grek ishte me ne “pushtuesit” nga Shqipëria. Posta kufitare Kakavijë strehohej në 700 metra tunel. Asnjë kufitar nuk fliste me zë të lart. Askush nuk e zgjaste kokën nga muri rrethues i kalasë. Edhe pse në dhomën e kulturës kishte fizarmonikë, klarinetë, çifteli, daulle e mandolinë atyre askush nuk u binte, edhe pse kishte kufitar që ishin muzikant. Tregohej kujdes se kufitarët grek ishin në gjumë. Tridhjetë metra më tutje ishte fjetorja e grekut. Mote të shkuara një kufitar nga Tropoja e transferuan nga Kakavija në Jergucat. Ushtarakët grek në një takim ngritën një incident të paimagjinueshëm. U ankuan se një kufitar shqiptar gërhinte në gjumë aq fort se zgjuante nga gjumi kufitarët grek.
***
Lajmi se vajza e Jusuf Gërvallës, Donika, u bë Ministre e Jashtme e Kosovës më ktheu pas tek motivi i ditës kur Zana Gërvalla u fut në territorin e Shqipërisë së bashku me tre fëmijët e saj. Në ditarin tim gjeta pakogjë. Shënimet në ditar i kam mbajtur më datën 31 mars të vitit 1982. Pra, një ditë më vonë. Familja e Jusuf Gërvallës ka ardhur në Kakavijë në orën 8 të datës 30 mars. Kur e shfletova ditarin e vitit 1982 më erdhi për të qeshur. Nga që oficeri i Sigurimit të Shtetit Ylli Mitra, që mbulonte kundërzbulimin na mbante nën vëzhgim, unë në ditarin e datës 31 mars nuk e përmend fare emrin e Zana Gërvallës. Për të qenë brenda shkruaj: – “Ajo kosovarja…..”. Asnjë sekret nuk duhet as të hynte dhe as të delte nga porta me tela me gjemba. Ishte jetë mbi bajoneta. Oficerin Dilaver Kalanin e arrestuan dhe e futën në burg se humbi një rregullore të sektorit të prapavijës. Po çfarë kishte në brendësinë e saj kjo rregullore, që i shkatërroj jetën një oficeri të kufirit? Në faqet e rregullores ishin normat e ushqimit. Bukë, fasule, oriz, vaj luledielli, djath kaçkavall e marmalatë. E ç’e donte këtë palo rregullore zbulimi grek? Kufitarët shqiptar të vetmen normë të lart kishin “erën e Janinës”. Pas oborrit të postës greke përditë therej nga një viç. Grekrit edhe në transhe kishin frogorifer. Kurse posta kufitare shqiptare nuk kishte asnjë frigorifer.
E kam të freskët momentin kur djali i Jusuf Gërvallës, Premtoni, këputi lulet e marsit tek Pusi i Vezirit. Unë që isha përqëndruar tek “snajperistët” e UDB -së nxitova se mos djali varej tek pusi. Pusi i Vezirit ka një histori. Kur ka kaluar aty Ali Pashë Tepelena dhe ka parë hanxhinë që mbushte ujë me kovë u dha urdhër asllanëve të tij që pusi të farkohet me gur qemeri nga të Janinës. Dhe ulja e ngjitja në pus të bëhej me shkallë. U bë siç tha Veziri i Janinës. Pusi qe një monument. Ne e mbyllëm pusin se në fshatin Kakavijë erdhi uji i ftohtë që nga mali i Strugarës. Një degë të shpërndarjes Ndërmarja e Ujësjellësit të Gjirokastrës ja kaloi postës kufitare dhe doganës. Sa mirë do të qe që të ruhej Pusi i Vezirit. Kakaviotët thoshin se kur kishte ardhur nga Korfuzi Mbreti i Greqisë Jorgua, bashkë me mbretëreshën që e kishte ruse, tek Pusi i Vezirit kishte pirë ujë të ftohtë. Për mbretin e Greqisë, Jorgon, lebërit këndonin këngën: – /Jorgo dhëndërr i Rusisë/ S’ke parë djemtë e Shqipërisë/ Heqin pullat e jelekut/ Dhe ja vënë plumba dyfekut/.
***
Kur kam shkuar për herë të parë pas përmbysjes së socializmit në Kakavijë mbeta pa gojë. Kakavija e kohës time nuk ekzistonte. Aty ku është ngritur dogana e re ishin rrafshuar tri kodrat vezake. Ishin kodra të bukura sikur dikush t’i kishte pikturuar. Kurrë nuk qe korrur një fije bari. S’ ishte më as lapidari i gjeneralit italian Telinit. Nuk dukej as Pusi i Vezirit, as rrënojat e hanit dhe as fusha ku Faik Cani stërviste qenin e kufirit duke pasur si figurant foton e Xhevdet Mustafës. Të gjithë kolegët e hekurt kishin shkuar si emigrant në tokën helene. I vetmi që kishte mbetur në Gjirokastër ishte Heroi i Popullit Jorgo Sulioti. Nuk e gjeta të gjallë. Kishte vdekur. E kishin rrahur e burgosur personazhin misterioz që mbante “diplomën” e rinisë time. Më thanë se Jorgo Sulioti para se të vdiste, atje ku banonte, në lagjen “Zinxhira”, njerën dhomë të banesës e kishte salduar në të katër anët me hekur të trashë, që të mos i futeshin brenda vrasësit. Aty kishte vdekur.
Unë shkova deri tek ish porta me tela. Asnjë milimetër më tutje. Kakavija në të dyja anët gjëmonte nga lëvizjet. U çorientova. Isha banor i “qytetit” të rrafshuar nga liria. Ndihesha keq. Isha më mirë dikur me miqtë e mi ujqërit dhe çakejt. Para se të kthehesha në Tiranë bëra dhe disa foto. Në këtë shteg qëndrova nëntë vjet. Në Kakavijë nuk lejohej të bëje fotografi. As Zana Gërvallën nuk e lejuam që të bënte me fëmijët ndonjë fotografi. Aparatin e kishte në dorë. Grekërit ballë për ballë nesh na shikonin dhe vepronin me urrejtje. Unë nuk kam shkuar në asnjë vis të Greqisë. Përmbysja na zuri nën vete. Motrën e heroit të Kakavijës Llesh Pal Çupit, të cilën e prisnim çdo vit me rastin e festës së kufirit, e kishin parë në ullishtat e pronarëve grek. Shkonte në Greqi dhe nuk kthehej tek lapidari i të vëllait vepër e skulptorit Ksenofon Kostaqi. Askush nuk vendos lule tek lapidari i heroit, ku unë në tërë ato mote fola e shkruajta poema për trimin e madh. Lapidari qe mbushur me korba. Janë të trishtueshme këto që kanë ndodhur. Po kjo është Kakavija pas përmbysjes së madhe. Isha i tepërt në Kakvijë. Ja kishin mbathur dhe miqtë e mi ujqërit. Pyeta dhe për ta! I takoja kohës së mundur.
***
Vitet rrodhën. Jo shumë kohë pas pritjes dhe përcjelljes së familjes së Jusuf Gërvallës nga Kakavija për në Tiranë mua më transferojnë në verilindje të vendit. Buzë Drinit të Bardhë. Më vinte për të qeshur kur brigjeve të Drinit të Bardhë kujtoja lumin e Drinos poshtë Kakavijës. Lumenjtë nuk kishin të krahasuar. Drini i Bardhë me burimet në Istog gjëmonte si një det. Kurse Drinosi i Janinës qe sa një përrua. Më vonë në luftën e Koshares për çlirimin e Kosovës më shfaqej në imagjinatë ai filmi i rinisë time në Kakavijë. Kur mbrrita në Koshare sytë më mbetën tek shkëmbi mbi Rrasën e Zogut. Në faqen e shkëmbit shkruhej me të madhe: “JUSUF GËRVALLA”. Luftëtarët e UÇK -së tregonin se Komandanti i parë i Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës ka qenë Jusuf Gërvalla. Ai i ka bërë programet për UÇK -në e ardhshme. Kur u vra Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti vuante dënimin në burgun e Istogut. Mbrojti demonstratat e studentëve të vitit 1981. Adem Jashari stërviste kolonelët e rinj të UÇK -së. Ku do të ishte tani Jusuf Gërvalla po të ishte gjallë? Pa më të voglin dyshim se ai do të ishte Presidenti i shtetit të Kosovës.