Nga fillimi i muajit shtator çmimet e produkteve të bulmetit janë rritur në nivele të frikshme.
Shtrenjtimin më të lartë po e shënojnë qumështi i lopës dhe produktet e tij, për shkak të rënies së prodhimit. Prodhuesit pohojnë se janë një serë faktorësh zinxhir që po ndikojnë në rritjen e lartë të çmimeve, që nga ulja e peshës së fermave të lopëve për shkak të shtrenjtimit të lëndës ushqyese, materialeve ambalazhuese, qelqit dhe plastikës dhe largimit të fermerëve në emigracion.
Qumështi i hapur i lopës që tregtohet individualisht nga fermerët në dyqanet ushqimore në Tiranë nga 1 shtatori u rrit 23% (nga 130 lekë/1.5 L arriti në 160 lekë).
Xhevair Alushi nga fshati Zall Herr i Tiranës tha për Monitor se arsyeja e rritjes së çmimit është shtrenjtimi 50% i lëndës ushqyese dhe çmimi i lartë i karburantit për transportin. “Kostoja e mbajtjes së lopëve është e papërballueshme. Nga 10 lopë që kisha në fermë në verë aktualisht kam 7 lopë. Me çmimet e lartë të lëndës ushqyese mbajtja e tyre është e paleverdishme. Gjithashtu në kosto jemi shumë të prekur edhe rritja e lartë e çmimit të naftës”, pohon Xhevairi furnizuesi i qumështit për 3 markete në Tiranë.
Kosi natyral i lopës së markës “Morava” është shtrenjtuar 27%. Nga 220 lekë/litër kosi me ambalazhim në vazo qelqi që kushtonte në muajin korrik çmimi i tij në fillim të shtatorit ka arritur në 280 lekë. Çmimi i kosit pësoi rritje edhe në fillim të muajit korrik rreth 16% (nga 220 lekë/L arriti në 255 lekë).
Shtrenjtim të lartë ka pasur edhe të gjalpit të hapur të lopës. Çmimi i tij nga shtatori u rrit 33% (nga 600 lekë/kg arriti në 800 lekë).
Fabiol Morava administratori i fabrikës së përpunimit të qumështit tha për Monitor se rritja e çmimit është ndikuar nga 3 faktorë, shtrenjtimi i qumështit, i kavanozave të qelqit dhe rritjes së marzhit të fitimit të supermarkteve. “Çmimi i qumështit nga 45 lekë me TVSh që ishte më parë nga fermerët, aktualisht po e blejmë 100 lekë për litër. Vazot e qelqit dhe tapat janë shtrenjtuar 65% nga 40 lekë që kushtonte më parë një vazo aktualisht po e blejmë 65 lekë. Përveç kësaj edhe supermarketet kanë rritur marzhet e fitimit”.
Blegtoria vazhdon në rënie dhe numri i krerëve pakësohet përditë. Sipas të dhënave të INSTAT për 2021 në vend numri i dhive ra 3% krahasuar me 2020, numri i deleve ra 5% dhe i gjetheve 7% më pak.
Përfaqësuesi i fabrikës Morava thekson se rënia e prodhimit të qumështit është ndikuar nga ulja e peshës së fermave, për shkak të emigrimit dhe rritjes së çmimit të lëndës ushqyese.
Kriza parashikohet të vazhdojë deri në mungesën e produkteve. “Në treg aktualisht ka mungesë të lartë të disa produkteve të qumështit të lopës, si: djathit dhe kaçkavallit, pasi nuk ka prodhim të lartë të qumështit. Përveç shtrenjtimit të çmimeve që nuk do të ndalen, rrezikohet të ketë edhe mungesë të tyre në treg, pasi nuk ka prodhim të qumështit të lopës, nuk ka produkte të magazinuara”, shton Fabiol Morava.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4% krahasuar me 2020, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%. Ndërsa importet e importet e qumështit për 2021 shfaqen me rritje rreth 43% më shumë se 2020. 56% të totalit të qumështit me jashtë e zëne importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnje-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia dhe shtete të tjera të Europës. Për 2021 rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia 71% më shumë se në 2020.
Sakaq shtrenjtimi i çmimeve po ndikon edhe te ulja e konsumit. Tendenca e konsumatorit në këtë periudhë është të heqë dorë nga produktet e shtrenjta, duke i zëvendësuar ato me artikuj më të lirë.
Sipas INSTAT, që nga muaji mars, Indeksi i Çmimeve të Konsumit për nëngrupin “Qumësht, djathë dhe vezë” ka filluar rritjen e shpejtë, që ishte 10.3% në mars dhe kulmoi në 22.3% në gusht, niveli më i lartë të paktën që nga viti 2007, kur INSTAT i raporton të dhënat e detajuara sipas grupeve.

Monitor
j.l./ dita

Persa i perket rritjes se cmimeve ,eshte e natyrshme qe do rriten per ecurine qe po ndodh ne Europe e Bote . NE Shqiperi ndodh rritje ne stratosfere pa arsye, pasi importi nuk ka ngritje te dukshme ,pasi e shikojme vete ne vendin ku jetojme Itali .Nuk kuptoj cfar ndergjegjje kane bizmesmenet ,kur te afermit e tyre jetojne me pensione as 200E qe su del te lajne ujin e dritat, pa llogaritur femijet neper shkolla qe duan librat , studentet qofte edhe nje kenaqesi te vogel per festat ne familje . ,Therrisni mendjen o njerz te pasur qe drejtoni ekonomine e vendit,mendoni edhe per popullin se leket nuk do tu duhen ne boten tjeter,nga natyra erdhem ,e ne natyre do kthehemi .
Djathin nuk e hamë me shtrejtimin ,por edhe gjiza si e lirë që ishte 180lek kg,është bëre 300,320 lek kg.Shtoni pensionin !….ndryshe nuk ka bulmet,qeveria thotë ,hani bar,por edhe bar nuk ka, se është privat ,kurse në munizëm e hanim kisht livadhe kolektive ,ngopeshim të paktën me bar ,kurse tani vdes.
Jane shtenjetuar cmimet è bulmetit se eshte rritur cmimi I qumshit pluhur dhe nuk eshte rritur kostoja e Tyre. Ne Shqiperi nuk ka ferma me bageti, nuk ka bar per bagetine dhe e fundit nuk ka coban qe te veje me bageti. Edhe Ata qe I Kane per ibret i kane, nuk kane kushte, mjete e baze materiale per te zgjeruar aktivitetin e Tyre.