Nga Viktor Malaj
Botuar në DITA
Para pak ditësh, institucionet shqiptare u shfaqën në bregdetin shqiptar, në Golem të Kavajës duke prishur disa pishina në zotërim të njërit prej pronarëve më të mëdhenj të turizmit, por edhe medias, z.Hysenbelliu.
Prej disa muajsh u botuan në shtyp shumë deklarata dhe kundërdeklarata qeveritare dhe të kompanisë private në fjalë, prej të cilave mësohej se pasaniku Hysenbelliu nuk paguante as taksat mbi të ardhurat nga biznesi, por, prej 6 vitesh, nuk paguante as qiranë e ambienteve të medias së tij, pronë shtetërore. Po ashtu, kompania private çdo ditë sulmonte me median e vet drejtorin e doganave duke e akuzuar për shkelje ligji.
Vetë biznesmeni Hysenbelliu, me mediat e shumta që zotëron, krejt opozita, ashtu edhe jo pak gazetarë nisën furtunën mediatike të paraqitjes së veprimit qeveritar në bregdet si hakmarrje kundrejt kompanisë “Hysenbelliu Group” pasi, sipas tyre, mediat e zotërisë pronar kishin mbajtur qëndrim opozitar kundrejt pushtetit të sotëm.
Kur qytetarët shqiptarë panë në TV vendosjen dhe shtrirjen e kompleksit turistik të z. Hysenbelliu në Golem, me siguri kanë mbetur të çuditur, por edhe të indinjuar. Çudinë e sjell fakti se kompleksi turistik jo vetëm kishte zënë hapësirën ranore, por kishte depërtuar deri brenda detit. Kjo pamje më kujtoi thënien e një analisti se “Këta (të pasurit) të zënë rërën, detin por edhe diellin dhe s’ke ç’iu bën…”.
Çudia tjetër që lind, dhe sjell edhe indinjatën, është: Kur ka ndodhur zënia e bregut të detit dhe shtrirja e ndërtimit deri brenda në det dhe pse është lejuar të ndodhë?! A ka qenë me leje shtetërore apo është shkelur projekti i miratuar nga shteti?!
Nëse ky ndërtim i paskrupullt dhe antiligjor ka ndodhur përpara vitit 2013, atëherë, pse qeveria aktuale nuk e ka prishur, siç ka prishur qindra ndërtime të tjera pa leje?! Nëse kjo paligjshmëri ka ndodhur gjatë kësaj qeverisjeje, pse është lejuar një gjë e tillë dhe si është e mundur që figurat kryesore qeverisëse kanë vajtur atje disa herë dhe “nuk iu ka rënë në sy” kjo batërdi?!
Nëse ndërtimi, ashtu siç paraqitet sot, është bërë me leje qeveritare dhe tani prishet, atëherë dëmshpërblimin që një gjykatë mund t’i njohë pronarit Hysenbelliu duhet ta paguajnë drejtuesit kryesorë të kësaj qeverisjeje dhe kurrsesi taksapaguesit shqiptarë nëpërmjet buxhetit shtetëror.
Sido që të jetë historia, një konkluzion mbetet i pandryshuar: Në Shqipëri qytetarët as kanë qenë dhe as janë të barabartë përpara ligjit dhe, sidomos, përpara institucioneve shtetërore ligjzbatuese. Të prishësh, me të drejtë, kioska, shtëpi banimi apo shtesa pallatesh të ndërtuara pa leje nga populli i thjeshtë, dhe të lejosh ndërtime të tilla gjigante në kundërshtim me ligjin, me etikën dhe interesin publik, kur këto ndërtime i bëjnë pasanikët, do të thotë se qeveris me dy standarde.
Kur krejt “elitës” politike shqiptare, duke përfshirë edhe Edi Ramën e shokët e tij, iu thua se Shqipëria është shtet oligarkik dhe jo demokraci, ata buzëqeshin me përçmim dhe të kundërshtojnë pa ngurrim. Ndërkohë, jeta dhe historia na ka mësuar se shteti është i atyre që përfitojnë më shumë prej tij, që ndikojnë më shumë qeverisjen dhe që tremben më pak nga pasojat e ligjit. Kuptimi dhe vlerat e lirisë dhe të drejtës së zgjedhjes e humbin rëndësinë e tyre kur të zgjedhurit i trajtojnë zgjedhësit e djeshëm me standarde të ndryshme dhe i diskriminojnë përpara ligjit.
Pavarësisht hamendjeve dhe hipotezave se qeveria veproi kundrejt biznesit në fjalë si hakmarrje ndaj qëndrimit antiqeveritar të medias së “Hysenbelliu Group”, e vërteta është se në Shqipëri ekzistojnë edhe dhjetëra gazeta e TV, si dhe qindra platforma onlajn (media sociale) me profil dhe qëndrime editoriale bazë kundër-qeveri dhe s’i ka gjetur asgjë.
Thelbi i çështjes është, nëse ndërtimi në fjalë ishte me apo pa leje shtetërore (pasi, që ishte i paligjshëm dhe i dëmshëm nuk ha diskutim fare) dhe pse është lejuar si i tillë deri tani. Vetëm e vërteta e këtij fakti do të na shpjerë drejt përfundimeve të drejta. Pse qeveria shqiptare nuk zbaton ligjet e vendit kundrejt milionerëve që s’paguajnë taksat duke i paditur penalisht, ndërsa njerëzve të thjeshtë që s’paguajnë energjinë elektrike, me të drejtë, ua ndërpret atë?!
*****
Pasi ka ndenjur në të gjithë poltronët më të lartë shtetëror gjatë këtyre 32 viteve “demokraci”, zoti Ilir Meta ka dalë sërish në skenën politike shqiptare duke marrë pozat e shpëtimtarit të vendit e të popullit dhe “rikthimin e demokracisë”.
Ditë për ditë dhe pa pushim e pa modesti përsërit se “Përpara jush është një njeri që është rritur dhe është specializuar për përmbysjen e diktaturave… Asgjë nuk e ndal revolucionin antikorrupsion… Do e njohin mirë Ilir Metën. Populli është gjykatës dhe prokuror suprem në këtë vend. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do të ndalet më. Ambicia ime është të rivendosim demokracinë, rendin kushtetues, llogaridhënien dhe t’i japim fuqinë popullit…”.
Kjo mori shprehjesh populiste është një paçavure mashtruese që do t’i shkaktonte indinjatë çdo shqiptari të ndershëm sepse: shqiptohet nga një politikan me karrierë 32-vjeçare që ka kalëruar të gjithë poltronët e pushtetit, edhe sikur autori i tyre të mos ishte një njeri i kapur me zë e figurë duke planifikuar grabitjen e buxhetit të shtetit; edhe sikur të mos ishte një ish-shtetar solidar në qeverisjen që ka vrarë katër protestues të pafajshëm në mes të kryeqytetit; edhe sikur të mos ishte një hierark politik që ka pranuar manipulimet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe ato lokale të 2011; edhe sikur të mos ishte një individ shqiptar që me politikë dhe nëpërmjet saj është vetëshndërruar nga një fshatar i varfër, i lindur një mijë metër mbi nivelin e detit (siç e pohon vetë me krenari, ngaqë e pandeh vlerë), në njërin nga njerëzit më të pasur të vendit; edhe sikur, për turpin dhe dëmin tonë, të mos ishte një politikan i cili ka krijuar dhe e përdor një parti politike si biznes familjar duke e drejtuar me radhë herë gruaja dhe më shumë burri, gjithmonë në shërbim të interesave vetjake, të maskuara herë si “luftë për integrim në Evropë” dhe herë të tjera si “luftë për lirinë dhe demokracinë”.
Nëse sot në Shqipëri nuk ekziston drejtësia, demokracia, shteti ligjor, rendi kushtetues, liria etj.etj. ky është para së gjithash dështim me shkëlqim verbues i atyre që kanë pasur më shumë dhe më gjatë pushtet në Shqipëri. Dhe, këtu z. Ilir Meta qëndron mbi të gjithë me përgjegjësinë e tij. Përrallat e tij, dhe të shokëve të tij, për “përmbysje diktaturash” apo “dhënie të fuqisë popullit shqiptar” janë sa bajate, aq edhe të pavërteta, madje fyese për shqiptarin normal. Koha e premtimeve për Berishën, Metën, por edhe për Ramën e disa të tjerë, ka përfunduar.
Ikni në shtëpi zotërinj “veteranë” dhe mos i trazoni më shqiptarët! Qëndrimi i mëtejshëm në politikë dhe përdorimi i saj si mjet populist dhe të dhunshëm për të mbrojtur të ndenjurat tuaja nga tejndenja dhe keqsjellja për tridhjetë vite nuk mund dhe nuk duhen toleruar më nga shqiptarët. Nëse duan të ecin përpara duhet t’i hedhin poshtë me neveri këto “lojëra” të rrezikshme e, nëse duan të mbetemi pas gjithë botës së qytetëruar le të vazhdojmë të rrinë bashkuar me çetat haxhiqamiliste dhe të pranojnë kokulur keqpërdorimin për interesat e “Familjeve të Mëdha”.
T’iu thuash shqiptarëve se po udhëheq “revolucion” kundër diktaturës në një vend të NATO-s dhe BE-së, se po udhëheq “revolucion antikorrupsion” kur njihesh si një nga familjet më të korruptuara politike në vend, se do të rivendosësh demokracinë etj.etj. domethënë se, përveç se po i tall, po iu kërkon atyre kthimin e “kohës demokratike” të qeverisjeve të refuzuara masivisht nga shqiptarët dhe të damkosura vendosmërisht nga ndërkombëtarët.
*****
Këto ditët e fundit qeveria shqiptare nisi një “aksion” për bllokimin, konfiskimin e disa objekteve të ndërtuara duke tejkaluar kriteret e lejeve të dhëna. Kryeministri, z. Rama, u përpoq të shpjegonte arsyet pse kanë ndodhur gjëra të tilla, por shpjegimi nuk “pi shumë ujë”.
Është më se e vërtetë se ka mjaft vështirësi për të qeverisur si duhet një popull i cili e ka njohur vonë autoritetin e shtetit dhe, edhe kur e ka njohur, e ka njohur nga frika, qoftë gjatë monarkisë, qoftë gjatë periudhës 1945-1990.
Nëse do të kishim të bënim me ndonjë rast të rrallë ndërtimi pa leje apo shkeljeje të lejes së ndërtimit, qeveria do të mirëkuptohej dhe përkrahej në “aksionin” e saj për rivendosjen e rregullit dhe ligjit në këtë fushë. Mirëpo, e vërteta fshihet në fjalët e zv.Kryemisnistres, znj. Balluku e cila pohoi se “Ka një prirje për ndërtimin e kateve shtesë mbi lejet që ka dhënë Bashkia. Këto nuk do të tolerohen më. Ndërtuesit do t’i jepet mundësia t’i parablejë këto kate shtesë dhe do të marrë gjobë. Po s’pagoi, do t’ia falë shtetit. Nëse nuk e bën, do t’i konfiskohen katet dhe do të dërgohet për ndjekje penale”.
Pra, kemi të bëjmë me një prirje ose, e thënë popullorçe, është bërë modë që ndërtuesit të marrin leje për ndërtesa X kate dhe iu shtojnë atyre edhe 3-4 kate të tjerë. Gjithashtu, nga fjalët e znj. Balluku del se tani e mbrapa ky fenomen nuk do të tolerohet si deri tani. Po, pse është toleruar deri tani?! E mira e vendit dhe e popullit e do që gjërat t’i themi siç janë.
Fenomeni i ndërtimeve duke shkelur lejet e dhëna është mbarëkombëtar dhe, siç e kam shprehur edhe disa herë të tjera, ndoshta vetëm në Shqipëri ndodh që ndërtesat e banimit apo biznesit zihen nga banorë apo zyra dentale, avokatie, noteriale etj.etj. pa përfunduar ndërtesa dhe pa u regjistruar ajo në Zyrat e Kadastrës Shtetërore, në kundërshtim me çdo ligj dhe normë të sigurisë për jetën e qytetarëve. Kjo tregon se institucione të tilla si Inspektoriati i Ndërtimit, Policitë Bashkiake etj. janë plotësisht “jashtë loje”.
Në fund të fundit, nuk i shmangesh dot pyetjes: ku e marrin guximin ndërtuesit shqiptarë që bëjnë të tilla shkelje ligjore që mund të konstatohen lehtësisht nga çdo qytetar, pa folur për shtetin?!
Tani, sipas logjikës shtetërore, ndërtuesit do na u shndërruakan nga ligjshkelës në bamirës (nga halli, me detyrim) sepse do ia dhuruakan shtetit katet shtesë për të pastrehët. Përveç përgjegjësisë për lejimin e këtyre ndërtimeve, qeveria ka përgjegjësinë tjetër, pse nuk i bllokon këto ndërtime, pse nuk iu heq licencat ndërtuesve që shkelin ligjin dhe pse nuk i kallëzon për ndjekje penale.
Nuk ka kuptim që z. Rama t’iu “qahet” evropianoperëndimorëve se “Deri tani nuk e kemi njohur shtetin e ligjit, shtetin e bërë enkas për qytetarin… Nuk kemi ende institucione që luftojnë korrupsionin…”. Shtetin e ligjit dhe institucionet që luftojnë korrupsionin e kanë për detyrë t’i ndërtojnë ata që kërkojnë dhe marrin votën për të qeverisur. Shteti ligjor ndërtohet dhe korrupsioni luftohet kur drejtuesit kryesorë të shtetit japin shembullin vetjak se njohin dhe respektojnë ligjin si “Zot” të vetëm dhe udhëhiqen vetëm nga interesi i përgjithshëm në vendimet që marrin dhe punët që kryejnë.
*****
Kur shoh Sali Berishën që përbetohet për luftë kundër korrupsionit, megjithëse vetëm në rrugën Milot-Morinë (me të cilën krenohet edhe sot e kësaj dite) pati shkaktuar një korrupsion ende të pandëshkuar prej 230 milion eurosh, kujtoj se është shqiptari i vetëm që anglo-amerikanët e kanë shpallur non-grata për korrupsion madhor; kur shoh Sali Berishën që i etiketon të gjithë ish- të përndjekurit e regjimit “të tij” të dikurshëm si “pasardhës të familjeve të fisme, elitës së kombit” etj.etj. dhe bën thirrje për “dëmshpërblimin” e tyre në çast kujtoj kohën kur i detyroi të futeshin në grevë urie pasi nuk i dëmshpërblente dhe pastaj i zhdëpi në dru në mesnatë; kur dëgjoj Sali Berishën që vajton ekzekutimin e Avzi Nelës, të dënuar me vendim gjyqësor për terror kujtoj në çast ekzekutimin që ai vetë iu bëri katër njerëzve të pafajshëm në bulevard, pa asnjë vendim gjyqësor; kur lexoj Sali Berishën që hiqet sikur e di se të kërkuarin nga organet e drejtësisë E. Martinaj e ka zhdukur qeveria aktuale më kujtohet pohimi i tij dhe i familjarëve të tij se nuk e njihte baxhanakun e vet që u vra në Gërdec nga “krimi shtetëror”; kur kujtoj se deklaronte se nuk e dinte që baxhanaku i tij i ndjerë punonte në punishten e Gërdecit dhe të tjera deklarata të ngjashme të tij dhe sivëllait të tij I. Metës më vijnë ndërmend pezmi i thellë i Fishtës:
Ktu, pra, tash, ju rrugaça të Shqypnis
Ju vagabonda, ju edhe aventuriera,
Ju rriqna t’ndyt të kombit e t’njerzis,
Për batakçi qi larg u ndihet era…
*****
Siç njofton shtypi, qeveria shqiptare iu ka dhënë disa biznesmenëve tokë shtetërore me “vlerë” një euro për të investuar kryesisht në ndërtim dhe turizëm. Populli thotë: të gjithë derrat një turi kanë. Praktika e nisur nga Sali Berisha sipas motos “Shqipëria 1 euro” me përfitues mikun e familjes së tij Faslliçin dhe të tjerë të ngjashëm me të, vazhdon me z. Rama i cili ka “shpikur” termin “investitorë strategjikë” dhe, duke shpërdoruar pasuritë kombëtare, po ua kalon pronat e gjithë popullit thuajse falas një grushti individësh. Pra, nga “Shqipëria e shqiptarëve” po shndërrohet në “Shqipëria e kusarëve”.
Ndërsa qeverisja aktuale, ashtu si paraardhëset e saj, iu është bërë pengesë pronarëve realë për marrjen e tokave të tyre, duke keqpërdorur institucionin e avokatit të shtetit nëpërmjet kundërshtimeve pa baza ligjore nëpër institucione dhe gjykata kundër atyre që kërkojnë kthimin e pronave të trashëguara, nga ana tjetër iu dhuron “pa gjë të keq” milionerëve copëra pronash të të gjithë popullit për ndërtime, a thua se pas ndërtimit ato prona do i “shpërndahen” popullit.
Kalimi i pronave (toka, ndërtesa, miniera etj.) të përbashkëta (publike) thuajse falas tek një grusht njerëzish ka qenë dhe mbetet një nga aktet më antipopullore të qeverive të këtyre tridhjetë viteve. Mos u çudit dhe mos u indinjo po deshe!
*****
Një akademik shqiptar, profesor sociologjie dhe filozofie, shkroi para pak ditësh se “Nuk kam asgjë me industrinë e basteve, madje me asnjë lloj industrie që fiton para nga veset njerëzore, edhe nga striptiza, vuajerizmi, masturbimi a çdo gjë tjetër”. Mos u indinjo nëse nuk ke nerva kur sheh e dëgjon se ku ka arritur puna jonë sot. “Edukatorët” e brezit të ri, elitarët e dijes dhe shkencës miratojnë kultivimin e veseve për hir të fitimeve materiale (monetare).
Sipas logjikës së këtij akademikut, kalbëzimi moral dhe vesi janë të pranueshëm dhe të mirëpritur për aq kohë sa na sigurojnë vlera materiale e mirëqenie fizike, pavarësisht pasojave që sjellin për individin, familjen dhe shoqërinë. Duket qartë që një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, duke përfshirë edhe disa prej atyre që pritet të jenë udhërrëfyesit e saj, kanë rënë në batakun që sjell me vete rryma gjithëpërfshirëse e kapitalizmit dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë shpirtin për hir të barkut. Zot shpëtoji nga rrëshqitja e vonuar!
Viktor Malaj

Respekt Viktor Malaj për këtë “vajtim” të gjatë të halleve që i ka zënë shqiptarët 30 vjet me çerdhen e gjarpërijve politik ,herë na halmojnë ,herë na kafshojn !….,populli është strukur ,tani hesht nga goditjet nga të gjitha anët rritja e çmimeve ,rritja e korrupsionit trokit në çdo zyrë nuk ta zgjidhë kush hallin ,sëmuresh dhe vdes po nuk pagove doktorin ,mbetesh në burg po nuk pagove prokurorin e gjykatësin nuk gje punë po nuk pate mik ,të prisht shtëpia dhe nxirrresh rrugve po nuk pagove hipotekën ,pra jemi …..para Republikës shkatrrimtarve .!…..klasa politike së bashku me biznesmenët,organet e drejtësisë ,një pjesë e medjas zezë , spekulojnë poshtërsish,e jo njerzisht ,flasin paçavure ,tradhtisht 32 vjet ja kan fut thikën në shpinë popullit,popullin e varfëruan ,vuan për copën e bukës,kurse vetë jan pasuruar marrzisht ,Shikoni foltoren e fallgjores Saliut dhe Ilirit,gup mafioz i organizuar ,situata për faqe të zezë,kan rrejt kaq shumë sa nuk mund ti besoi më ndokush.Ndërgjagja e pezmatua e popullit ja ka heq këtyre përbinëshave të drejtën e besimit dhe fjalës ndershme ,këta i ka shpallë -non -grata,këtyre hajdutve e agjentve të huaj që shkatrruan shqiprinë ,njerzve që tallen me fenë me qeverisjen me të njerzit e thjeshtë patëriot të këti vendi !…
Bukur, por qe t’ju zere fjala vend duhet te shoqerohet me protesta si e vetmja mundesi e lirise dhe e demokracise ne nje vend qe s’ka drejtesi.
Ate mur,gardh me tela me gjemba dhe roje kufiri te Irfan Hysenbelliut ne Golem,e kam pare si mur burgu.
Shqiptaret e lire mund te ecnin deri tek muri Irfanit qe zhytej tej ne det,dhe o te thyenin koken ne mur,o te vriteshin me rrugacet roje te Irfanit.
Pse IKMT ka bere nje CLIRIM te reres dhe detit te Golemit,,cfare te them une,:U sulmua Media e Pavarur????????? Shko o Fane corrovoda,paguaj taxat,ujin,elektrikun e fabrikave te birres si gjithe bota,se Qeverrine edhe une nuk e dua,po keto i paguaj.
Fajin e ka Berisha!
Z. Malaj, e keni zhveshur realitetin, te verteten çipllak.
Pikersht per nje realitet te tille, Volteri e shihte politiken si mjet nepermjet te ciles persona pa moral komandojne njerzit pa memorje.
Po ç’thote memorja per njerzit me memorie?
Kur zbriti Esat Pasha ne Diber nga Serbia, lindi pyetja se “a do mblidhen njerez qe do na mbeshtesin dhe sa.
– Varet sa napolona do hedhesh, ishte pergjigjia.
– Po ti çfare e ke ate flamur turk mbi çati? pyet nje nga mbeshtetsit Esati.
– Me rrejtë mendjelehtet…
-Po te mençurit çfare do thonè?
– Te mençurit jane pak, s’na pristino pure.
Edhe sot, ashtu si 110 vite me pare, te mençurit (intelektuale) qe i prishin pune ketij imoraliteti politik jane shume pak.
Une personalisht gjej veten vetem te Dita dhe gazeta Sot. Pothuajse te gjithe mediat tjera jane invaduar nga llapaqene “stanesh”.
Ne shkrimin tuaj, i nderuar z. Malaj, citoni llogjiken interpretuese te nje filozofi, por pa emer; pra fjalen filozof e permendni thjeshte si “targe” (makinash). Dhe me kete sikur doni te thoni që targe kane edhe makinat e gropave septike…
Si e ke emrin e vertete ti VIktor Malaj?
E ka Salahemudin.
A te pelqen emri i tij ?
Fadilo, me shume me pelqen emri jot, po jo ky pseudonimi, ai i verteti qe eshte Bole Gomari.
Salahemudin ësht babi i Fadil Gomarit