Pas afro dy javësh nga zhvillimi i testit, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka shpallur ditën e djeshme rezultatet e provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore 2022, të zhvilluar nga maturantët në lëndën e gjuhës së huaj. Në provimin e datës 7 qershor rreth 33 mijë maturantë në të gjithë vendin janë testuar për njohuritë e fituara në një nga këto gjuhë të huaja: anglisht, italisht, gjermanisht, si dhe frëngjisht.
Testi i gjuhës së huaj është konsideruar i lehtë nga maturantët, çka është parë edhe në rezultatet e larta të arritura prej tyre. Sipas të dhënave të bëra publike me notat e marra në gjuhën e huaj, rezulton se mbi gjashtë mijë maturantë në të gjithë vendin kanë marrë vlerësimin maksimal që i takon notës dhjetë, ndërkohë që prej tyre janë me qindra që i kanë marrë pikët e plota maksimale me të cilat vlerësohej ky provimi i kësaj lënde. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila në një postim të bërë në rrjetet sociale pas shpalljes së rezultateve është shprehur se: “I prita me padurim rezultatet e para të maturantëve tanë në provimin e gjuhës së huaj të Maturës Shtetërore dhe gëzohem që një pjesë e mirë e tyre kanë shkëlqyer me nota maksimale. Jam optimiste edhe për provimet e tjera dhe ju uroj shumë suksese të gjithëve!”.
Si të kontrolloni notën e marrë?
Autoritetet e arsimit sqarojnë se për t’u njohur me notën që keni marrë në këtë provim, ju duhet të kërkoni në listën zyrtare të shpallur online nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit në adresën www.qsha.gov.al, duke vendosur ID-në tuaj (numrin tuaj të identifikimit në këtë proces). Përbri ID-së tuaj janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar, si dhe nota përfundimtare me të cilën jeni vlerësuar në provimin e dhënë për gjuhën e huaj.
Edhe pse në rregulloren e provimeve të këtij viti, është përcaktuar se nuk do të ketë rivlerësim testesh, autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit sqarojnë se maturantët e pakënaqur me rezultatin e shpallur, do të mund të njihen me një kopje të testit të tyre të korrigjuar. Procedura për marrjen e fotokopjes së testit të vlerësuar mund të bëhet online në portalin qeveritar “e-albania”. Por aplikimet për kopjen e testit do të jenë të vlefshme vetëm pasi të jenë zhvilluar të gjitha provimet e Maturës Shtetërore.
“Sipas procedurave të përcaktuara aplikimi dhe plotësimi i kërkesave për fotokopje të testit dhe të fletë-përgjigjes për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje, do të mund të kryhen online në portalin e-albania, duke përdorur shërbimin “Kërkesë për kopje të testit të Maturës”. Pas trajtimit të kërkesës, Qendra e Shërbimeve të Arsimit do të nisë kopjen e testit për secilin maturant/kandidat që e ka kërkuar atë, në “Hapësira ime”, seksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë përkatëse të çdo maturanti/kandidati, në “e-albania”. Maturantët do të njoftohen edhe me email, në kohën që shërbimi do t’u kthejë përgjigje”, sqarojnë ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit në lidhje me procedurat e tërheqjes së kopjes së korrigjuar të testeve të maturës. Sikundër ka ndodhur gjatë maturave të shkuara, marrja e testeve të korrigjuara online nuk do të shoqërohet me asnjë pagesë.
Aktualisht po vijojnë korrigjimet për provimin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, të cilat janë drejt fundit, ndërkohë që në proces vlerësimi janë edhe provimet e matematikës. Gjatë kësaj jave pritet të bëhen publike edhe notat e testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Ditën e premte do të zhvillohet edhe provimi i fundit i maturës në lëndën me zgjedhje të përcaktuar sipas preferencave të çdo maturanti.
Shpallja e rezultateve të të gjitha provimeve do t’i hapë më tej udhë konkurrimit për studimet e larta në universitetet publike dhe ato private të vendit për pranimet e vitit të ri akademik 2022-2023. Referuar kushteve të përcaktuara më herët, të drejtën për të konkurruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer. Nota mesatare për konkurrim në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2022-2023 do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve,: “Mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2022”. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.
Mesatarja që duhet për universitetin
Sa i takon mesatares së konkurrimit për universitetin bëhet e ditur, në garë për studimet universitare përgjatë vitit të ri akademik kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim. Për degët e gjuhëve të huaja do të mund të garojnë maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme që nis nga nota 7 dhe më lart. Në degët e mësuesisë, mesatarja e hyrjes në konkurrim do të jetë edhe më e lartë. Kështu në garë për studimet në degët e mësuesisë do të përfshihen kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7.5 e më lart. Për nxënësit që duan të konkurrojnë në fakultetet ku janë degët e mësuesisë, por që nuk do të zgjedhin të vijojnë studimet në profilin e mësuesisë mesatarja e konkurrimit do të jetë më e ulët se sa nota 7.5.
Për degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 7. Kjo mesatare ndryshon në varësi të degës së përzgjedhur. Konkretisht,për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet notë mbi 7.5, për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8, si dhe për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia në garë mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 dhe më lart
Detyrimit për kriterin e mesatares minimale që duhet në konkurrim do t’i shpëtojnë vetëm kandidatët që duan të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional, qofshin këto degë të ofruara nga strukturat publike të arsimit të lartë, ashtu edhe nga ato private.
Maturantet te jene te pakenaqur nga sistemi shkollor ne bote qe eshte anti-arsim.