Farmacistët e rinj që nuk kanë shlyer detyrimet e ndjekjes së praktikës së detyrueshme tre mujore në një nga farmacitë e rrjetit të hapur, në të cilën duhet të vlerësohen pozitivisht, nuk do të mund të konkurrojnë më tej për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit në këtë profil.
Për të gjithë kandidatët që sapo kanë përfunduar studimet universitare për farmaceutikë, si në strukturat publike të arsimit të lartë, ashtu edhe në ato private, gjatë muajve gusht-tetor do të zhvillohet një tjetër sezon i ndjekjes së praktikave profesionale. Për të qenë pjesë e praktikës së detyrueshme, çdo kandidat duhet që më parë të bëjë regjistrimin pranë Urdhrit Profesional të Farmacistit sipas afateve të përcaktuara, ku duhet të konfirmojë edhe lidhjen e kontratës me farmacinë e cila do të ndjekë për tre muaj aftësimin e praktikantit në këtë profil.
Sa i takon procedurave të pranimit, autoritetet e Urdhrit të Farmacistit bëjnë me dije se regjistrimet për kryerjen e praktikës profesionale për sezonin gusht-tetor 2022 do kryhen gjatë këtij muaji. Kështu për një javë me radhë, duke nisur nga dita e martë e datës 12 korrik, e deri më datën 19 korrik të gjithë të diplomuarit për farmaci, duhet që të paraqiten për të bërë regjistrimin për praktikën. Edhe për këtë sezon, regjistrimi do të zhvillohet me anë të dosjes së dokumenteve, ku çdo kandidat duhet të paraqitet personalisht pranë strukturave përgjegjëse të urdhrit për të dorëzuar dokumentet dhe për të përmbyllur procedurat e regjistrimit për ndjekjen e praktikës së detyrueshme profesionale-3mujore.
Në dosjen e regjistrimit duhet të përfshini këto dokumente: “Kërkesë për vijimin e praktikës sipas formatit të përcaktuar, vetëdeklarim, kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale, fotokopje e certifikatës anëtarësimit në Urdhrin e Farmacistëve të drejtuesit të praktikës, fotokopje të noterizuar të diplomës dhe listës së notave, raport mjeko-ligjor, tre fotografi, si dhe mandat pagesën në shumën 10,000 lekë të dredhur në numrin e llogarisë së përcaktuar, si dhe fotokopjen e kartës së identitetit.
Sipas kushteve të përcaktuara, praktika profesionale mund të kryhet në farmacitë e rrjetit të hapur ose ato spitalore, nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se 3 vjet përvojë pune. Autoritetet e Urdhrit të Farmacistit sqarojnë se një farmacist drejton vetëm një praktikant. Oraret e zhvillimit të praktikës do të jenë gjashtë orë në ditë, nga ora 08:00-14:00 për pesë ditë në javë. Në përfundim të periudhës tre mujore, drejtuesi i praktikës bën edhe vlerësimin e njohurive praktike të fituara nga praktikantit, duke i evidentuar ato në “Formularin e Vlerësimit”. Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën profesionale
Janë një kategori farmacistësh që nuk e kanë të detyrueshme ndjekjen e praktikës. Kështu, sipas rregullores, do të përjashtohen plotësisht, apo pjesërisht nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, të gjithë kandidatët që provojnë se për një periudhë të caktuar kohore, kanë ushtruar profesionin përkatës, apo kanë kryer praktikën profesionale jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë dije profesionale të mjaftueshme në fushën e farmaceutikës. Për t’u bindur nëse përvoja e kandidatit është e mjaftueshme aq sa për ta përjashtuar nga ndjekja e praktikës, autoritetet drejtuese të këtij urdhri, do të kërkojnë edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga institucioni ku kandidati ka ndjekur këtë formim.
Praktikanti duhet të qëndrojë në farmacinë ku kryen praktikën gjatë gjithë periudhës së praktikës, të respektojë orarin e caktuar dhe të pranojë në fund të praktikës vlerësimin e bërë nga drejtuesi i praktikës. Praktika është program i detyrueshëm mësimor. Në përfundim të praktikës, secili kandidat do t’i nënshtrohet testit të aftësimit praktik, ku do të dëshmojnë edhe njohuritë e fituara gjatë praktikës. Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e provimeve të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Kandidatët që nuk marrin rezultatet kaluese në testin e aftësimit praktik, duhet ta rijapin atë sërish gjatë sezoneve të vitit të ardhshëm.
Vlerësimi i praktikës cilësohet pozitiv në rastet kur kandidati siguron nga komisioni 50-100 pikë. Kur vlerësohet me më pak se sa 50 pikë duhet të ripërsërisë provimin, në sezonin e radhës që do të zhvillohet gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë që të gjithë farmacistët që do të marrin vlerësimin pozitiv do të mund të hyjnë në provimin e shtetit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit, e cila më pas i hap udhë edhe punësimit në këtë specialitet.
Regjistrimi deri më 19 korrik, dokumentet që duhen:
- Praktikantët për t’u regjistruar për kryerjen e praktikës profesionale duhet të paraqesin personalisht, në zyrën e Urdhrit të Farmacistit të Shqipërisë dokumentet në vijim.
- Kërkesë për ndjekjen e praktikës.
- Vetëdeklarim.
- Kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale.
- Fotokopje e certifikatës anëtarësimit në UFSH të drejtuesit të praktikës.
- Fotokopje te noterizuar të diplomës dhe listës së notave.
- Fotokopje e kartes së identitetit.
- Raport mjeko-ligjor.
- Tre fotografi të përmasave të përcaktuara(3×3.5 cm).
- Mandat pagesën në shumën 10,000 lekë, në numrin e llogarisë së bankës së përcaktuar.
Të drejtat dhe detyrimet e drejtuesit të praktikës
- Drejtuesi i praktikës duhet të jetë profesionist me përvojë jo më pak se 3 vjetësh.
- T’i sigurojë praktikantit kushtet e nevojshme për realizimin e një praktike efektive.
- T’i bëjë një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm njohurive të praktikantit dhe të pajisë praktikantin me Formularin e Vlerësimit të Praktikës.
- Të drejtojë praktikën profesionale në përputhje të plotë me standardet, parimet dhe normat e Kodit Deontologjik Farmaceutik, si dhe me legjislacionin farmaceutik në fuqi.
- T’i kërkojë praktikantit respektimin e orarit dhe ta dokumentojë atë në librezën e praktikës profesionale.
- T’i kërkojë Praktikantit kryerjen e praktikës profesionale në përputhje me rregulloren e UFSH për praktikën profesionale.
- Të anulojë kontratën në rast shkeljeje të detyrimeve të saj nga ana e praktikantit dhe të njoftojë strukturat më të afërta të Urdhrit të Farmacistit të Shqipërisë.
Të drejtat dhe detyrimet e praktikantit
- Të respektojë drejtuesin e praktikës në përputhje të plotë me normat e etikës dhe kodit deontologjik farmaceutik.
- Të qëndrojë në farmacinë ku kryen praktikën gjatë gjithë periudhës së praktikës, të respektojë orarin e caktuar dhe të pranojë në fund të praktikës vlerësimin e bërë nga drejtuesi i praktikës. Praktika është program i detyrueshëm mësimor.
- Të respektojë drejtuesin e praktikës dhe etikën e komunikimit me të dhe me pacientët.
- Ankohet tek drejtuesi i institucionit si dhe tek strukturat më të afërta të UFSH-së për veprime që bien ndesh me këto të drejta apo tjetër veprim që e pengon, krijon vështirësi apo pamundësi në zhvillimin efektiv të praktikës.
- Praktikanti që fiton të drejtën e anulimit të kontratës ekzistuese, për periudhën e mbetur nënshkruan kontratë me një drejtues tjetër praktike.
