Nga Letizia Tortello “La Stampa”
“Populli serb është gjithmonë i kërcënuar. Rusia nuk ndërhyn, ndërsa Evropa e bën këtë në vendimet tona të brendshme, me përfaqësues të paligjshëm që duan të na bëjnë të mendojmë si të duan, të na destabilizojnë dhe të kufizojnë autonominë tonë”.
Milorad Dodik, është presidenti i njërës prej dy entiteteve federative të Bosnje Hercegovinës, Republika Srpska.
Një rajon i vogël dhe strategjik, shtëpia e serbëve të Bosnjës, të cilët ndihen si ‘fëmijët’ e Beogradit. Dhe në fakt të dielën shkuan në masë në Serbi me autobusë për të votuar në zgjedhjet parlamentare.
Por siç e sugjeron edhe vetë lideri i Banja Lukës, miku i presidentit serb Vucic dhe një mik personal i Vladimir Putinit “për të votuar masivisht për Vucic, i ftova të zgjedhin partinë e duhur”. Kjo dukuri, pra e autobusëve me serbë të Bosnjës që shkojnë të votojnë në Serbi, është një nga parregullsitë e denoncuara nga opozita serbe në Beograd gjatë procesit të së dielës. Dhe një nga arsyet pse koalicioni “Serbia kundër dhunës” kërkon anulimin e zgjedhjeve në kryeqytet: partitë kundërshtare të qeverisë së Vucic, thonë se të paktën 40 mijë persona pa të drejtë vote janë sjellë për të votuar në Beograd.
Dodik, pse ishin kaq të rëndësishme këto zgjedhje në Serbi?
Përgjatë historisë së saj, si dhe në historinë e Ballkanit, Serbia është përballur me sfida dhe presione të ndryshme. Është e pamundur të gjesh një periudhë historike që të mos jetë e karakterizuar nga lufta për të mbrojtur identitetin dhe ekzistencën e popullit serb, i cili në fund të shekullit të kaluar përjetoi sërish tragjedi dhe masakra. Sot Serbia po ndërton të ardhmen e saj. Për ne në Republikën Srpska, një Serbi e fortë dhe e pasur është një parakusht për paqen e përgjithshme për të gjithë Ballkanin. Vucic është lideri që e bën Serbinë më të fortë dhe më të fuqishme.
Ju organizuat autobusë me mbështetës për ta mbështetur atë, a është e vërtetë?
Unë ftova të gjithë ata që kanë të drejtë vote në Republikën Srpska që të mbështesin listën e kandidatëve të presidentit Vucic dhe Partisë Progresiste Serbe, sepse për ne është e rëndësishme vazhdimësia e proceseve të nisura.
A po distancohet gradualisht Beogradi nga Moska, siç do të dëshironte Evropa? Sa peshon sot ndikimi i Rusisë në politikën dhe shoqërinë serbe?
Serbia po i përmbush detyrat e saj në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe është pjesë e proceseve rajonale. Edhe Republika Srpska po përmbush pjesën e detyrimeve që janë në kompetencën e saj. Këto janë çështje teknike dhe nuk paraqesin kërcënim dhe as janë të drejtuara kundër politikave të ndonjë vendi, veçanërisht Rusisë.
Siç e dini, Rusia është një vend i madh dhe i fuqishëm, dhe më vjen keq që rrethanat e përgjithshme kanë bërë që njerëzit të vuajnë në atë pjesë të botës. Unë besoj se njerëzit në Rusi dhe Ukrainë nuk duan që këto vuajtje të vazhdojnë.
Putin sulmoi Ukrainën, vazhdon të luftojë dhe nuk po tërhiqet…
Janë fuqitë e tjera ato që duan vazhdimin e konfliktit. Edhe në vitet 1990, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, përfundimi i konfliktit nuk ishte prioritet për shumë njerëz në botë. Për më tepër, Rusia dhe vetë presidenti Putin po tregojnë mirëkuptim për situatën në Serbi, Republika Srpska dhe në mbarë Ballkanin. Çështja e rolit të Kremlinit, të Rusisë, ngrihet vazhdimisht. Por nuk ka një mbështetje të Rusisë për politikat negative, por vetëm për politika që pasqyrojnë vendimmarrje të pavarur nga vendet tona.
Distancimi nga Rusia dhe vendosja e sanksioneve (gjë që Serbia nuk e ka bërë), është një nga kushtet politike që Brukseli pret të favorizojë hyrjen në BE…
Disa politikanë perëndimorë shpesh flasin për “ndikim negativ” të Rusisë. Po çfarë ka bërë të keqe Rusia? Siç e dini, politika e Rusisë bazohet ekskluzivisht në parimin që vende si Serbia dhe Bosnje-Hercegovina të marrin vendime të pavarura, pa ndikimin e ambasadorëve individualë apo politikanëve të tjerë perëndimorë. Çfarë ka që nuk shkon? Për shembull Serbia, ndodhet në një situatë shumë komplekse në marrëdhëniet me Kosovën e vetëshpallur e pavarur. Ajo kërkon të mbrojë popullin serb, si dhe manastiret dhe faltoret serbe që po shkatërrohen (në fakt kjo nuk është diçka që po ndodh tani, por gjatë viteve 1999-2004) pa reagimin e duhur nga Perëndimi. Unë mendoj se shumica e italianëve e kuptojnë këtë: as ju nuk do t’i lejonit të tjerët të fshinin traditën tuaj. Nga ana tjetër, Rusia mbështet integritetin territorial të Serbisë dhe politika e saj bazohet në këtë.
A duhet që Bosnja, pjesë e së cilës është Republika Srpska, të anëtarësohet në BE?
Është fakt që Bashkimi Evropian ka ndryshuar shumë vitet e fundit. Disa politika të reja kanë marrë përparësi ndaj çështjeve thelbësore për qytetarët. Çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin, identitetin gjinor dhe ideologjitë, dominimin e politikave pro LGBT. Që të gjitha këto ndikojnë në reflektimin mbi vlerat e kësaj BE-je të re. Kjo qasje nuk është pjesë e traditës, identitetit, kulturës sonë, dhe ne i kundërshtojmë me vendosmëri narrativa dhe projekte të tilla dominuese. Ne jemi pjesë e Evropës tradicionale, dhe nuk kemi asnjë qasje moderne që mund ta ndryshojë fenë dhe filozofinë tonë të jetës.
Ne duam një BE të bazuar në marrëdhëniet ekonomike, marrëdhënie të reja sociale të bazuara tek tradita. Orban dhe Hungaria mbështesin politika të tilla dhe kjo na bashkon. Hungaria dëshiron që vendet e Ballkanit Perëndimor të zhvillohen ekonomikisht, të jenë të pavarura dhe të minimizojnë ndikimin e fuqive të tjera perëndimore. Ata po zhvillojnë një politikë të re sovraniste, dhe ky është kuadri brenda të cilit mund të lëvizë Republika Srpska. Kjo s’do të thotë se kjo rrugë kushtëzohet nga ndërprerja e bashkëpunimit me Rusinë. Mendoj se kjo lloj politike e re mund të garantojë paqen.
A duhet ta marrë Serbia Kosovën?
Serbët e Kosovës jetojnë në një situatë shumë më të vështirë se serbët e Bosnjes dhe Hercegovinës. Ata nuk kanë të drejta elementare, janë të persekutuar. Serbia po bën gjithçka për t’i mbrojtur ata, por meqenëse bashkësia ndërkombëtare nuk bën pothuajse asgjë, situata është shumë komplekse. Ne, populli, krijuam Republika Spska në vitin 1992 dhe ajo është garantuese e jetës së popullit serb në këtë anë të lumit Drina.