Seanca e 10-të e gjyqit vazhdon me përballjen e Kadri Hazbiut me akuzën e terrorizmit, gjatë kohës që ai drejtonte repartet partizane për çlirimin e Dibrës. “Me urdhrin tuaj, ju i pandehuri Kadri Hazbiu keni djegur gjatë luftës dy fshatra në Dibër, përkatësisht fshatrat Sinë dhe Fushë-Aliaj. Kjo është një vepër e rëndë terroriste. Po në këtë kuadër, ju keni qenë hartuesi i planit të dhënë nga Mehmet Shehu e miratuar nga zbulimet e huaja, për asgjësimin fizik(vrasje me armë) të Enver Hoxhës. Jepni shpjegime për këto akuza!’- kërkon mes të tjerave në këtë seancë Aranit Çela…. Pjesa e meposhtme eshte marre nga arkiva e gazetes DITA dhe mban siglen Teper Sekret.
Kryetari(Aranit Çela):- I pandehur Kadri Hazbiu. Ti akuzohesh se ke bërë pjesë në një organizatë kundër revolucionare të kryesuar nga Mehmet Shehu e cila kishte si pikësynim rrëzimin e pushtetit popullor me anë të puçit ushtarak dhe kryerjen e akteve të terrorit. Kjo organizatë kishte në planin e sajë likuidimin fizik të Sekretarit të Parë, Enver Hoxhës. Jep shpjegime rreth kësaj….
Kadri Hazbiu:- Unë, i nderuar trup gjykues, kam hedhur poshtë akuzën që në fillim, ashtu siç më është bërë. E kam hedhur poshtë dhe kur është bërë rikualifikimi i saj, si të thuash një ri cilësim më 29 maj….
Kryetari:- E kemi në dosje…
Kadriu:- E di. Desha të theksoj që në fillim para trupit gjykues se për sa i përket likuidimit të Sekretarit të Parë, në hetim nuk jam pyetur dhe nuk kam dhënë shpjegime, sepse një pyetje e tillë nuk më është dhënë. Pas kualifikimit që bëri akuza, ku ishte dhe Prokurori i Përgjithshëm, nuk vinte ai këtu që të thoshte ç’mendon ti, akuzohesh për këtë. Edhe pyetje direkt, po për këtë, po për atë të më bënte që të njihesha me atribuimet dhe të jepja shpjegime midis tyre. Kjo nuk është bërë. Unë i kam hedhur poshtë këto, po i hedh poshtë me përbuzje edhe para gjykatës, para trupit gjykues si shpifje, si akuzë e ndërtuar plotësisht mbi shpifje, mbi dizinformacion ndaj mete….
Prokurori(Rrapi Mino):- Me lejë shoku kryetar. Thuaj të pandehurit Kadri Hazbiu se akuzën nuk e kanë ngritur armiqtë, akuzën e ka ngritur hetuesia që është organ i Partisë. Është tjetër punë nëse i pëlqen apo nuk i pëlqen , ai mund të flasë për provat. Por nuk mund të flasësh ti që kjo akuzë është një shpifje. Akuzën nuk ta bëjnë persona ët veçantë, akuzën ta ka ngritur partia, ta ka ngritur organi i Partisë, ta ka ngritur hetuesia. Prandaj mos fol me gjuhë armiqësore deri në fund. Unë këtë të bëj thirrje, nuk të bëj thirrje të pranosh. Mos i prano hiç, por vetëm të jesh korrekt ne shprehjet e tua edhe me akuzën, edhe me thirrjen….
Kadri Hazbiu:- Unë nuk thashë që akuzën ma kanë bërë armiqtë e bazuar në shpifje dhe në dizinformacion të armiqve. Dëgjojeni mirë i nderuar prokuror. Dhe thashë, me një interpretim tendecioz të bërë fakteve. Kjo i përket akuzës. Ju, kupton, mbrojeni këtë se tamam jeni mbrojtës i akuzës, por unë përpara gjyqit kështu e them, kështu e gjykoj, pra saktë. Evidencoj para trupit gjykues lidhur me këtë çështje, me këto akuza, me këto pretendime, që mundësisht, të drejtoj vëmendje të posaçme tek atribuimet e armiqve Fiqret Shehu, armiqve pra, si të thuash dekonspiratorëve të regjur Fiqret Shehu, Nesti Nase, Mihallaq Ziçishti. E pastaj, edhe në deponimet e Ali çenos për këtë çështje.
… E thashë dhe e nënvizoj se nuk është rastësi që të gjithë këta japin si burime njerëz që nuk jetojnë si Mehmet Shehun, Liri Gegën, Nako Spiron. .. Dua të evidentoj para gjykatës si një fakt, këtë, si një fenomen që i karakterizon këta konspiratorë si shpifës të regjur që çdo gjë e kanë thënë në mënyrë të tillë, që të vështirësojnë nxjerrjen e të vërtetës në shesh. Theksoj para gjykatës se në tërë këto akuza që më bëhen mua për këto çështje nuk ka një dokument sidoqoftë, që të hedhë dritë sado të zbehtë mbi qenien time në aktivitetet e kësaj organizate….
Kryetari:- Çfarë dokumentesh kërkon ti?
Kadriu:- Dokument shkresor.
Kryetari:- Po pse çfarë thotë ai dokumenti, që ti për shembull je agjent?
Kadriu:- Nuk dua të them për atë, sepse ajo mbase nuk është ashtu, por për aktivitetin tim në pjesëmarrjen në këtë organizatë , në zbatim të detyrave të kësaj organizate, në dijeni të një platforme të kësaj organizate, një dokument s’ka…..
Kryetari:- Ja do të vijnë të na japin orientime që ke dhënë me shkrim, që je me karakter armiqësor të thonë!!!
Kadriu:-… Gjithashtu është tipike në akuzat që bëjnë këta njerëz , këta armiq, sidomos disa prej tyre-thonë ma merr mendja, e mora me mend-…. Është tipike i nderuar trup gjykues që këta njerëz që ka zbuluar Partia dhe që janë përpara drejtësisë, deri tani kanë përdorur, me sa mendoj unë, metodën e kusarit që ditën trembej nga bualli, dhe natën vidhte. Nuk është e rastësishme, për shembull, që Llambi Ziçishti, siç e pohon edhe vetë, ka qenë agjent dhe kolaborator i vjetër i Mehmet Shehut… Nuk është e rastësishme që Nesti Nae, si ministër i jashtëm, për mjaft probleme që lidheshin edhe me zbulimin, pra me Ministrinë e Punëve të Brendshme kur vinte puna, unë i thosha, ngrija këtë kryeministrit ngrije në mbledhje të kryesisë, ngriji këto në qeveri…. Ai më thoshte: Ba, ba, ba, nuk mund ta bëj këtë, s’pranon, të nxjerrë me shkelma jashtë kryeministri!. … Mihallaq Ziçishti vjen tek unë duke kërkuar që po të ishte e mundur të ndërmjetësoja tek Sekretari i komitetit Qendror që të shkonte për vizitë jashtë. Pse nuk vajti tek Mehmet Shehu? Pra, ju lutem shumë, këta njerëz, këta konspiratorë, këto armiq të egër, në formatin e tyre janë mjaft të djallëzuar…. Për sa i përket aktit të terrorit kundër udhëheqjes, jo vetëm e hedh poshtë me neveri, por me ndjenja ose indinjatë ndjenjash, e dua me gjithë shpirt Udhëheqësin e Partisë (Enver Hoxhën)… Këta janë dokumente dhe mua nuk më ka shkuar kurrë ndër mend të ruaja jetën e Udhëheqësit(Enver Hoxhës) nga Mehmet Shehu. Se nuk e kam ditur që ka qenë tradhtar. Unë mbajë përgjegjësi për mos zbulimin e Mehmet Shehut, për mos zbulimin e këtij rrjeti që në gjithë këtë luftë që është bërë nën drejtimin e Partisë nga Sigurimi i Shtetit, nuk u arrit të zbulohej, por që edhe të akuzohem me kaq fakte ose prova për pjesëmarrje në një akt të tillë, pa marr në kompleks veprimtarinë time, mua më duket jo e drejtë….
Kryetari:- Një herë kishim këtë, lidhur me atë çështjen që të është ngritur ty dhe në hetuesi lidhur me takimin me Mehmet shehun, atë takimin e parë, lidhur me atë të famshmin program të Mehmet Shehut Kadri Hazbiu, ti nuk e pranon këtë, apo jo. Unë thëniet e tuaja i kam lexuar, por këtu jemi në gjyq….
Kadriu:- në asnjë mënyrë jo. Jo vetëm të më ketë thënë si program, por as si mendim. Takimi im me Mehmet Shehun ka qenë takim gjysmë ore… Unë ika në punën time, ai në punën e tij. Asgjë më tepër.
Kryetari:- Vetëm për këtë ne kemi dy deponime, . Kemi deponimin e Skënder Shehut që ti e di, edhe të Fiqret Shehut që e kanë nga Mehmet Shehu, edhe e thënë që Kadri Hazbiu është njohur me ‘të.
Kadriu:- Të dy thonë, por Skënderi thotë që atij ja ka thënë mamaja, Fiqreti. Kjo, Fiqreti thotë ma tha Mehmeti.. Pra burimi është një dhe jo dy…
Kryetari:- Ti thua që kjo nuk është e vërtetë?
Kadriu:- Nuk është e vërtetë dhe për një gjë tjetër… Ju lutem shumë, unë nuk i kam parasysh datat e procesverbaleve kur është pyetur Skënder Shehu për këtë, kur ka dhënë shpjegime për këto programe….
Kryetari:- me çfarë e lidh këtë ti?
Kadriu:- Unë e lidh me një gjë shumë interesante, e vogël por interesante…
Kryetari:- Ta ka thënë në ballafaqim ai, më 19 maj 1983, do të ta lexoj?
Kadriu:- Më fal, nuk ka nevojë. Kam dhënë shpjegimet se ku u takuam me Mehmet shehun, e kam thënë ekzakt, ju e dini dhe vendin… Hetuesi, Çoma Tutulani që mbante procesverbalin e shkroi… Është bërë në një qafë në Çorrush, midis shtëpive të Teqes dhe shtëpive të Begtash Haxhiut… Unë këtë program e kam mësuar nga Lalmbi Gegprifti, para se të bëhej Mbledhja e Byrosë Politike, pra, që kam parë një program të tillë në bibliotekën e Mehmet Shehut… Asgjë më tepës s’kam…
Kryetari:- Lidhur me këtë çështjen e këtij puçit ushtarak, për të cilin the që nuk e pranon. Nesti Nase thotë tekstualisht kështu:’ Mehmet Shehu më ka thirrur vetë në zyrë me pretekstin për të biseduar për problemin e reparacioneve. Pas kësaj shkëmbyem dhe disa fjalë lidhur me problemin e atasheut francez. Pastaj ai më tha se me hir nuk u bë gjë, ngjarjet nuk u zhvilluan siç i kishim parashikuar në. Duhet vepruar me pahir . Unë kam biseduar dhe u kam ngarkuar detyra konkrete Kadri Hazbiut e Feçor Shehut për masat që duhet të marrin dhe për realizimin me forcë të qëllimit tonë’. Tani, këtë nuk e pranon ti?
Kadriu:- Kategorikisht. Kam edhe shpjegime për të thënë. Ka një gjë të tillë ndaj Nesti Nases. … Në qoftë se Nesti Nase këto deponime i ka dhënë pas deponimeve të mia e ballafaqimit, këto janë një shpifje. Po është nga Mehmet Shehu, apo është nga Nesti Nase këtë unë nuk e di… Për këto çështje ai shpif, e si spiun i vjetër dhe armik që është, edhe për hakmarrje drejt për së drejti… Veç kësaj desha të them një gjë për deponimet që bën Fiqret Shehu kundër meje. Sipas deponimeve të saj, Mehmet Shehu kishte ngarkuar Nazar Berberin dhe Veli Llakën, dhe u kishte thënë që forcat e tankeve të mos lëvizin pa urdhrin tim. Tani Fiqret Shehu këtë e hedh poshtë dhe nxjerrë një gjë të tillë, në qoftë se konkluzioni është ky. Në qoftë se isha unë komplotist në këtë çështje, atëehrë, pse për tanket do të urdhëronte zëvendësministrat kur mund të urdhërohesha unë? Mehmet Shehun mund ta lexojmë nëpërmjet veprimtarisë së tij, dhe testamenti i tij kundër meje…………..
Kryetari:- Mirë mo mirë, ai testamenti i tij kundër teje, atë e shpjegon Fiqret Shehu. “Midis tyre qe rivaliteti”- thotë ajo. Në dosjen nr 21 , faqe 61 lidhur me këtë çështjen e puçit, kjo Fiqreti thotë: ”Pasi dëgjova bisedën telefonike që bënte Mehmet Shehu me Feçor Shehun , unë e pyeta Mehmetin pse ti e ke biseduar planin e likuidimit fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë me Feçor Shehun, ai më tha që e kishte biseduar, por nuk më dha hollësira. Ndërsa në një rast tjetër Mehmet Shehu më ka thënë se këtë plan kriminal jo vetëm e kishte biseduar me hollësi me Feçor Shehun, por dhe me persona të tjerë të organizatës kundërrevolucionare. Mehmeti më tha se pasi të bëhej kjo, vrasja e Enver Hoxhës, unë do të marr pushtetin qoftë edhe me dhunë. Më tha se për të bëtë këtë ishin ngarkuar Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu. Dhe në rast nevoje, do të rrethohej dhe me tanke selia e Komitetit Qendror nga forcat e Gardës. E po të qe e nevojshme, do të përdoreshin edhe forca të reparteve ushtarake. Për këtë qëllim do të ishte në gatishmëri në momentin e caktuar dhe reparti i tankeve në Sauk!”. Pra ky është një deponim që bën Fiqret Shehu.
Kadriu:- Shpif, fund e krye shpif…
Kryetari:- …Lidhur me atë çështjen e Sinës në Peshkopi që ti ke folur e ku di unë… Ky fshat, u dogj Kadri Hazbiu apo s’u dogj?
Kadriu:- U dogj.
Kryetari:- Me urdhrin tuaj?
Kadriu:- Jo me urdhrin tim… Ajo është një çështje aksidentale. Ne, për të kaluar n ë prapavijat e armikut, si brigadë, u ndamë në dy grupe. … Do të dilnim në grykën e Sinës për të që të siguronim ardhjen e kolonës… Për shkak të drejtuesve vendas, ne zumë një bari dhe e mbajtëm gjithë natën. I thamë të na nxjerrësh në Sinë të nesërmen…. Ndërsa kolona tjetër e jona ra në pritë…Ne vajtëm atje, kishte të dëmtuar, të vrarë. U futëm në aksion e në fakt i thyem ata…Kur forcat partizane kishin hyrë në fshat, , në një shtëpi prapa, kishte mbetur një fshatar që kishte hipur në kullë. Ai qëllon dhe vret një partizan. I bie dhe nënkomandantit të batalionit dhe e godet… Më thonë mua, e unë u them vrajeni. Por ata thonë se nuk na le të afrohemi, na godet… Atë herë thash vini zjarrin se do të dalë ai se s’bën dhe vriteni… Dhe ika unë… Me urdhrin tim është djegur ajo shtëpi…
Kryetari:- Po shtëpitë e tjera kush i dogji?
Kadriu:- Shtëpitë e tjera u dogjën krejt në mënyrë spontane.. Duke u futur partizanët nëpër fshat, vër zjarr këtu e vër zjarr atje, dhe përgjegjësia për këtë në fakt, mbeti e imja… U përpoqëm pastaj ti fiknim, por në fakt, nuk di mbetën dy apo tre shtëpi… Të nesërmen e kësaj unë jam thirrur së bashku me Hetem Gjinushin që ishte zëvendës komisar, e na foli Hysni Kapo, që ishte i deleguar i Shtabit të Përgjithshëm. Në fakt, urdhrin për djegien e fshatit Sinë e kishte dhënë një komisar kompanie, konkretisht Shaqo Arapi. Gjatë drekës, një batalion i Brigadës së IV, i futet Fushë Alisë, e pa pushkë, pa gjë e djeg krejt. Ata e dogjën pa asnjë rezistencë. Në këto rrethana, pas dreke, ne na u tërhoq vërejtja, edhe Hetem Gjinushit, edhe mua. Po ky, u dënua si akt, por u konsiderua si një akt djegie aksidentale…
Vijon – Marrë nga arkiva e gazetës DITA
