Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Doktor i tokave Sherif Lushaj
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Doktor i tokave Sherif Lushaj
Kulture

Doktor i tokave Sherif Lushaj

Published: June 12, 2023
Shpërndaje

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Autor i rreth 200 temave studimore dhe drejtues i dhjetëra projekteve shkencore për tokat dhe mjedisin urban

Më 7 qershor 2023 në një nga sallat e Universitetit Polis u organizua një ceremoni e një karakteri të veçantë: dekanit të këtij Universiteti, Prof. dr. Sherif Lushajt iu dorëzua titulli akademik Profesor Emeritus.
– Është i dyti titull i këtij niveli që dorëzojmë, – u shpreh rektori i këtij Universiteti, Prof. dr. Besnik Aliaj. – Siç e dini, të parin ia dorëzuam me një ceremoni mbresëlënëse Prof. Dr. Luljeta Bozos…
Prof. dr. Sherif Lushaj punon si Dekan dhe profesor që nga viti 2012 në Universitetin POLIS, duke dhënë leksione e duke kryer studime në sferën e mbrojtjes së mjedisi, të planifikimit e të menaxhimit të mjedisit urban. Ai është shkencëtar i vërtetë në fushën e agrokimisë e të agropedologjisë, por studime me shumë interes ka kryer edhe në fushën e toksikologjisë dhe të ndotjes së mjedisit, të zhvillimit rural, të cilësisë së ujërave etj.
Ka kryer mbi 200 studime dhe ka përgatitur projekte të shumta shkencore në fushën e trajtimit të tokës etj.

- Publicitet -

* * *

Sherif Lushaj është bir i një familjeje me tradita të hershme atdhetare nga Tragjasi i Vlorës.
– E gjithë familja ime ka qenë e lidhur ngushtë me luftën kundër pushtuesve të huaj, – nis të na thotë Sherifi.
Por dëshira ia ka të flasë jo për njerëzit e familjes a të fisit të vet, por për fshatin.
– E kam jo thjesht me të lexuar, por me të treguar nga ish partizanë të hershëm të vendlindjes sime, se fashistët italianë e sulmuan Tragjasin me më shumë se 5 mijë trupa, duke përdorur mortaja e deri edhe tanke.
Dhe, si të ketë qenë pjesëmarrës në atë luftë, vazhdon të tregojë: – Rreth 280 shtëpi u shkatërruan plotësisht nga bombardimet. Ky fshat i dha Atdheut 42 dëshmorë dhe 4 Heronj të Popullit. Ndërkohë, ranë dëshmorë 12 gra e vajza.
Nga Tragjasi, vazhdon të tregojë Sherifi, dolën mbi 200 partizanë. Ndodhi kështu edhe për faktin, se në këtë fshat kishte njerëz të shkolluar. Mjafton të themi, se deri në vitin 1944 nga ky fshat qenë diplomuar në Shkollën Tregtare 89 nxënës.
– Si dhe gjithë të tjerët në krahinën tonë e shumë më gjerë, edhe tragjasiotët kanë kontribuar në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, siç kanë kontribuar edhe në Luftën e Vlorës dhe, sidomos, gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Ja, në këtë mjedis atdhetar do të rritej edhe shkencëtari i ardhshëm, Sherif Lushaj.

***
Shkollën e mesme bujqësore Sherif Lushaj e kreu me rezultate të shkëlqyera. Dhe menjëherë qe dërguar në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës (sot Universiteti Bujqësor).
– Me mbarimin e shkollës së lartë, – tregon Sherifi, – më dërgojnë në Lushnje punonjës shkencor në Institutin e Kërkimeve Bujqësore.
Do të merrej këtu me studimin e tokave. Të tokave të Myzeqesë, por edhe të të gjithë Shqipërisë. Atëherë, por edhe tani ndokujt i vjen një lloj habie kur dëgjon se duhet studiuar shkencërisht edhe toka që punohet. Por s’ka asgjë për t’u habitur. Edhe pse tokë, ajo “jetën” e ka të gjallë. Mbin farën dhe rrit bimën. Të mbush thasët me grurë apo misër. Kur është e vdekur, ti, me përkujdesje shkencore, e bën të gjallë. Kur është e gjallë, duke u treguar injorant ndaj saj, ti e bën të vdekur. Dhe kur “vdes” toka, hajde dhe merri prodhim po munde!
– Tërë ditën qëndroja nëpër ngastrat e tokave duke vëzhguar eksperimentet, – tregon Sherifi, – ndërsa pasdite deri vonë punoja në laborator. Bëja analiza agrokimike të tokave dhe, ballafaquar me rezultatet e prodhimit, nxirja përfundime studimore, të cilat i shoqëroja me rekomandime shkencore.
Brenda një kohe të shkurtër, i ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, shkencëtari i ri përgatiti hartën e plotë agropedologjike të ish rrethit të Lushnjes. Tashmë Komiteti Ekzekutiv i KP të këtij rrethi do të kishte në dorë një material shumë të rëndësishëm e tepër të domosdoshëm, të cilin do ta mbante parasysh për strukturën e mbjelljeve.

* * *

Erdhi një kohë, kur u dha orientimi, se studimi dhe kërkimi shkencor mund e duhej të realizohej edhe në kushtet e një veprimtarie të gjerë në ekonomitë bujqësore. Dhe Sherifin e emërojnë kryeagronom i Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori” të ish rrethit të Lushnjes dhe, ndërkohë, edhe nëndrejtor i parë i saj. Kjo ekonomi e madhe bujqësore kishte dhjetë sektorë: Perimore, Pluk, Dushk, Çermë – Sektor, Tri Urat, Gradishtë, Grabjan, Savër, Gjazë dhe Rrapez.
– Sa shumë punë më duhej të bëja! – tregon Sherifi. – Më duhej të vija në lëvizje të përditshme mbi 350 specialistë, ndërkohë që një zë i brendshëm më bënte thirrje të mos shkëputesha nga puna shkencore. Të mos harrojmë, se në këtë ekonomi kishin qenë kryeagronom me mendim shkencor figura shumë të shquara të shkencës bujqësore, siç ishte i madhi Prof. Mentor Përmeti e tw tjerw.
Atyre viteve, kur drejtimin shkencor të ndërmarrjes e kishte Sherif Lushaj, rezultatet e prodhimit erdhën në rritje. Në po këtë kohë u realizua rajonizimi i plotë i kulturave bujqësore. Në po këtë kohë, u krijua sinkronizim i veprimtarisë studimore e shkencore i Institutit të Kërkimeve Bujqësore me atë të specialistëve më të shquar të ndërmarrjes bujqësore. Në një farë mënyre, kërkimet shkencore të ndërmarrjes ishin një zgjatim i natyrshëm i tërë asaj pune që bëhej në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjes.
– Në rreth 12 mijë e 800 hektarë tokë të ish Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori” , – tregon Prof. dr. Sherifi, – u mor një rendiment që shkonte mbi mesataren e rendimentit të arritur në kooperativat bujqësore.

* * *

Në zbatim të një rregulli që lidhej me qarkullimin e kuadrove, Sherif Lushaj, tani Kandidat i Shkencave, dërgohet kryetar i kooperativës bujqësore të Bubullimës në ish rrethin e Lushnjes.
I ri në moshë, por i regjur me punë shkencore e drejtuese, në ditët e para të detyrës e braktisi zyrën. Shkoi fshat më fshat e, madje, ngastër më ngastër. Në një farë mënyre, ai i njihte tokat e kësaj ekonomie, sepse i pat përfshirë në hartën agropedologjike të rrethit.
– Ç’bën ky kryetari ynë kështu?! – dëgjohej të flitej nëpër fshatra. – Ka zyrë ky, apo nuk ka zyrë! Ky sikur ka ardhur për shëtitje!…
Mirëpo kryetarit të ri i duhej të njihte drejtpërdrejt jo vetëm tokat, por edhe brigadierët në Bitaj a në Gjonas, në Halilaj, apo në Kolonjë, Ardenicë… Brenda një kohe të shkurtër vuri në lëvizje krejt rrjetin e specialistëve dhe kuadrot e administratës së Kryesisë së kooperativës.
Herë mbas here ftonte specialistë të Institutit të Kërkimeve Bujqësore, Koço Dhimën, Skënder Gozhitën apo Alfred Xhomon e grurit, Arjan Babon apo Jorgji Muzakën e pambukut, Naun Priftin e Elham Manajn e lulediellit, apo Milto Hysin e mbrojtjes së bimëve, Skënder Çarçanin e Vladimir Banon e laboratorit etj. I merrte me vete atje ku rriteshin bimët. I takonte drejtpërdrejt me kooperativistët.
E nuk vonoi dhe kooperativa bujqësore e Bubullimës u vu në pararojë të të gjitha ekonomive bujqësore të rrethit.
Njëri me ndërgjegje të lartë, specialist me cilësi të spikatura shkencëtari, kuadër me aftësi të veçanta organizuese, i komunikueshëm me të gjithë dhe… Sherif Lushaj merret punonjës në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë.

* * *

Mbas ndryshimeve rrënjësore politiko – ekonomike të vendit, Sherif Lushaj caktohet drejtor i Institutit të Studimit të Tokave. Ishte një detyrë që shkonte jo vetëm përshtat dëshirës së tij, por edhe aftësive të veta. Ai ishte marrë vite e vite me tokën. Toka i ishte bërë shumë e dashur. Mjaftonte të merrte një grusht dhè, t’i hidhte sytë dhe do të kuptonte ç’qe. Doktor i tokës.
Të shumta janë studimet e tij për tokën. Të panumërta janë temat e tij shkencore të botuara në organe të shumta shkencore shqiptare apo të huaja.
– Toka bujqësore e Shqipërisë ze rreth 24 për qind të sipërfaqes totale të territorit, që i takon 0,17 ha për banor. Shumë pak! – shprehet me dhimbje Prof. dr. Sherif Lushaj.- Shpërdorimi i tokës së bukës lipset të konsiderohet krim. Krim dhe të dënohet penalisht kushdo që e kryen këtë. Kush cënon tokën, shkel bukën.
Në ndihmë të ekzekutivit të lartë shtetëror, Prof. Lushaj ka kryer studimin “Përmirësimi i qeverisjes dhe i administrimit të tokës bujqësore në Shqipëri”. Në kuadrin e një programi të përbashkët ndërkombëtar i ka dhënë përgjigje pyetjes: a mundet arkitektura dhe planifikimi i qytetit të stimulojnë shpresën dhe rritjen për qytetet në tkurrje? Interesant është edhe studimi “Roli i vlerësimit strategjik mjedisor, si instrument për nxitjen e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri. Rastet e bashkive të qarkut të Shkodrës”.
I ndodhur para shumë dilemave, Prof. Lushaj nuk ka pushuar së menduari për mbrojtjen e tokës, për administrimin dhe shfrytëzimin e saj në shërbim të ekonomisë. I nxitur pikërisht nga kjo qasje shpirtërore, ai ka kryer edhe studime të tjera tepër të rëndësishme, si “Konsolidimi i tokës bujqësore, si instrument i qëndrueshëm i bujqësisë”, dhe “Përmbytjet në zonën bregdetare dhe menaxhimi i riskut”.
Sa shumë punime ka me bashkautorë!
Dhjetëra e dhjetëra punime shkencore ka me specialistë të huaj, evropianë apo amerikanë.

***

Aspak i ndikuar nga politika, përherë me logjikën e ftohtë të shkencëtarit serioz, Prof. dr. Sherif Lushaj ka vazhduar të ecë gjakftohtë vetëm shtigjeve të ekonomisë.
– Sot edhe tek ne është një thirrje e ditës për të punuar së bashku: qeveria, bizneset, shoqëria civile, universitetet, shkollat, komunitetet, individi, pronarët dhe administruesit e territorit, të gjithë në mbrojtje të mjedisit dhe të burimeve natyrore. Sipas përgjegjësive ligjore, secili të bëjë punën e vet. Secili mund t’i bëjë një pyetje vetes: ç’ke bërë e ç’po bën për mbrojtjen e mjedisit?
Ndërsa ngre pyetje të kësaj natyre, Prof. Lushaj tregon me shumë dhimbje: u zhdukën pyjet e Lurës, krenaria e natyrës shqiptare; u degraduan liqenet piktoreskë, malet dhe kodrat janë zhveshur nga bimësia duke mbetur si një kafshë pa lëkurë nga shfrytëzimi barbar. Shkatërrimi vazhdon në pyjet e Kolonjës, Pukës dhe në çdo skaj të vendit!
Kushdo ka dëgjuar për shfrytëzimin barbar të lumit Erzen, filluar nga Ura e Peshkatarit e deri në grykëderdhje. Guroret po rrënojnë malet e kodrat, po cënohen zonat bregdetare turistike, po shëmtohet mali i Dajtit, po vihet dorë kudo në qarkun e Beratit, ndërsa kulmi po arrihet në afërsi të Krujës. Shkatërrimi i mjedisit është, ndërkohë, shkatërrim i shëndetit të banorëve nga grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2,5, që shkojnë drejt e në mushkri.
Bisedon me Prof. Lushajn dhe nuk e ke vështirë të diktosh te ai një zemërim të jashtëzakonshëm ndaj atyre që nuk e zbatojnë ligjin. Kudo shikon një mjedis të vrarë, të shprehet ai, një mjedis nën “stres” në sipërfaqen më të madhe të vendit. Kudo erozion i fuqishëm: mesatarisht 30 ton/ ha në vit, 2 – 3 herë më i lartë se sa në vendet e Mesdheut. Shikon gërryerje masive të brigjeve të lumenjve dhe humbje të tokës me 20 – 40 ha në vit. Shikon ndryshim të vijës bregdetare, futje të detit në tokë në shumë zona 150 – 300 m, humbje graduale të lagunave bregdetare, kripëzim masiv të tokave, rrëshqitje masive të tokës dhe të banesave në fshatra, dëmtim të infrastrukturës rrugore, dëmtim të rëndë të peizazhit dhe të biodiversitetit etj.
Për të gjitha këto Prof. Lushaj ka dhënë rekomandime të vyera shkencore.

***

Ata që folën në ceremoninë e dhënies së titullit akademik Profesor Emeritus nuk i kursyen epitetet, sigurisht të merituara, për shkencëtarin e mirënjohur të bujqësisë, Prof. dr. Sherif Lushajn.
Rektori i Universitetit Polis, Prof. Besnik Aliaj do të shprehej:

– Prof. dr. Sherif Lushaj është një shkencëtar me shumë emër në fushën e Studimeve Mjedisore, dhe në atë të planifikimit e të Menaxhimit të Mjedisit Urban.

Rektori Prof. Besnik Aliaj duke i dorëzuar titullin Prof. Sherif Lushajt

 

Në mes Prof. dr. Sherif Lushaj, majtas rektori Prof. Besnik Aliaj dhe djathtas Prof. Rexhep Uka

.

Nga e majta në të djathtë: Profesorët Ago Nezha, Rexhep Uka, Besnik Aliaj, Sherif Lushaj, nënkryetari i bashkisë Andi Seferi dhe gazetari Dhimitër Shtëmbari
Veç se si shkencëtar, Prof. Sherif Lushaj është një figurë e shquar edhe në komunitet. Mes shumë të dalluarve të kryeqytetit, në prani të zotit Erjon Veliaj, edhe Prof. Sherif Lushaj.
Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  • E rëndë në Gjirokastër, mbytet në pishinë një 15-vjeçar, shoqërohen disa persona
  • Si po e ndryshon protesta ekonominë e mbrëmjes në Tiranë, të rinjtë heqin dorë edhe nga koncertet
  • “Protestat masive në Tiranë, përtej çështjes së mjedisit”, Radio France: Mobilizimi i parë i madh dhe i pavarur kundër qeverisë
  • Dezinformimi si mjet politik: Si u fabrikua ‘zhvendosja e investimit në Mykonos’

Komentet e Fundit

  1. MH on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  2. demo on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  3. Ethem Lalaj on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  4. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  5. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?