Jurist detar i formuar në Genova, me specializime dhe eksperienca ndërkombëtare në SHBA, Kinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, Dorian Mersini ka ndërtuar për më shumë se 20 vjet një karrierë të lidhur ngushtë me industrinë detare. Sot, krahas profesionit të juristit dhe sipërmarrësit në sektorin nautik, ai është Yachtmaster dhe instruktor nautik i lidhur me standardet e Royal Yachting Association (RYA). Nga lundrimet e gjata në Mesdhe te testimi i mjeteve dhe teknologjive të reja në Boat Show-t ndërkombëtarë, filozofia e tij mbetet e njëjtë: kultura nautike nuk fitohet vetëm në klasë, ajo ndërtohet në det.
Z. Mersini, ju jeni jurist i diplomuar në Genova, Itali, me specializime dhe eksperienca profesionale në SHBA, Kinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Pas rreth 20 vitesh në sektorin detar, pse vendosët të zhvilloni edhe profesionin e instruktorit nautik?
Dorian Mersini:
Në fakt, nuk e konsideroj një ndryshim profesioni. Për mua është vazhdimi natyral i një rruge që ka nisur më shumë se 20 vite më parë.
Kam studiuar Drejtësi në Genova, në një qytet ku deti, porti dhe anijet janë pjesë e identitetit të tij. Më pas, eksperiencat dhe specializimet në vende si SHBA, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar më dhanë mundësinë ta shoh industrinë detare nga këndvështrime të ndryshme: juridike, tregtare, operacionale dhe ndërkombëtare.
Por me kalimin e viteve kuptova gjithnjë e më shumë se detaria nuk mund të mësohet vetëm nga librat, ligjet apo konventat ndërkombëtare.
Deti kërkon dije, por mbi të gjitha kërkon eksperiencë, disiplinë, vendimmarrje dhe respekt.
Pra, kalimi drejt formimit si instruktor ishte një mënyrë për të bashkuar teorinë me praktikën?
Absolutisht. Si jurist detar kam punuar për vite me rregullat që përcaktojnë sigurinë, përgjegjësinë dhe aktivitetin në det. Por në një moment dëshirova të shkoja më tej: jo vetëm të interpretoja rregullat, por të isha vetë pjesë e zbatimit të tyre në det dhe më pas t’ua transmetoja këtë eksperiencë të tjerëve.
Kjo ishte një nga arsyet pse zgjodha të zhvilloj më tej formimin tim në sistemin britanik të Royal Yachting Association – RYA, duke ndjekur një rrugë profesionale deri në nivelin Yachtmaster.
Një etapë veçanërisht e rëndësishme ishte edhe formimi dhe certifikimi im si Yachtmaster në Antibes, Francë, në një prej qendrave më të njohura të industrisë së jahteve të mëdha në Mesdhe. Për mua, këto certifikime nuk janë thjesht tituj për t’u vendosur në një CV. Ato duhet të shoqërohen me eksperiencë reale, me milje detare dhe me aftësinë për të marrë përgjegjësi në det.
Dhe pikërisht këtu hyjnë edhe lundrimet tuaja të fundit në Mesdhe?
Po. Për mua, një instruktor nautik nuk mund të kufizohet vetëm në sallën e teorisë apo në manovrat pranë portit. Deti duhet përjetuar.
Në periudhën e fundit kam realizuar disa lundrime të rëndësishme me skafe dhe mjete motorike në Mesdhe, ndër të cilat: Palermo, Sicili – Vlorë; Catania, Sicili – Vlorë; Venezia – Vlorë. Janë lundrime që përfshijnë qindra milje detare dhe kushte të ndryshme navigimi.
Për mua ato nuk janë thjesht milje për t’u regjistruar në një logbook. Janë eksperienca reale që kërkojnë planifikimin e itinerarit, analizën e meteorologjisë, menaxhimin e karburantit dhe autonomisë, njohjen e porteve, navigimin në zona të ndryshme, organizimin e ekuipazhit dhe aftësinë për të ndryshuar një plan kur kushtet e detit e kërkojnë.
Pikërisht këto eksperienca i konsideroj një konfirmim praktik të profesionit tim si Yachtmaster dhe instruktor nautik.
Çfarë ju mësojnë lundrime të tilla që nuk mund të mësohet në klasë?
Deti të mëson të marrësh vendime. Në klasë mund të studiosh meteorologjinë, navigimin, COLREG-un, passage planning apo procedurat e emergjencës. Por kur je shumë milje larg bregut dhe kushtet ndryshojnë, teoria duhet të shndërrohet menjëherë në vendimmarrje.
Aty kupton ndryshimin ndërmjet të pasurit një patentë dhe të qenit realisht një lundërtar.
Një patentë të jep të drejtën për të drejtuar një mjet lundrues. Eksperienca të mëson kur, si dhe deri ku duhet ta drejtosh atë. Dhe kjo është pikërisht ajo që përpiqem t’u transmetoj edhe kursantëve të mi.
Çfarë lidhjeje ka formimi juaj juridik me drejtimin e një jahti?
Shumë më tepër nga sa mund të duket. Detaria funksionon mbi rregulla. COLREG, SOLAS, STCW, MARPOL, përgjegjësia e kapitenit, siguria e personave në bord, marrëdhëniet me autoritetet portuale dhe përgjegjësitë që lindin gjatë navigimit janë pjesë e së njëjtës botë.
Në det, kapiteni nuk merr vetëm vendime teknike. Vendimet e tij mund të kenë pasoja njerëzore, ekonomike dhe juridike. Prandaj eksperienca ime si jurist detar, Yachtmaster dhe instruktor nuk përfaqëson tre profesione të ndara. Për mua janë tre dimensione të së njëjtës kulturë detare: ligji, eksperienca dhe aftësia për t’ia transmetuar dijen të tjerëve.
Sot prezenca juaj në industrinë nautike shkon edhe përtej trajnimit. Ju shohim në disa prej Boat Show-ve më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Çfarë përfaqëson kjo pjesë e aktivitetit tuaj?
Është një tjetër vazhdimësi e së njëjtës rrugë. Sot kam mundësinë të jem i pranishëm dhe të ftohem në disa prej eventeve më të rëndësishme të industrisë nautike ndërkombëtare, nga Cannes dhe Monaco/Monte-Carlo, te Düsseldorf, Genova dhe Miami. Për mua këto evente nuk janë vetëm ekspozita apo vende ku prezantohen jahte të rinj. Janë vendet ku mund të kuptosh se në çfarë drejtimi po ecën industria botërore e yachting-ut.
Aty takon kantieret, projektuesit, prodhuesit e motorëve dhe kompanitë që po zhvillojnë teknologjitë e së ardhmes. Por pjesa që më intereson veçanërisht është mundësia për të testuar mjete të reja lundruese dhe teknologji nautike dhe më pas për t’ia prezantuar ato publikut shqiptar në gjuhën shqipe.
Nuk dua të prezantoj vetëm estetikën e një jahti apo shpejtësinë e një skafi. Më intereson të shpjegoj sjelljen e tij në det, karakteristikat teknike, manovrimin, sigurinë, performancën dhe teknologjinë që qëndron pas tij. Në këtë mënyrë, eksperienca ndërkombëtare nuk mbetet vetëm personale. Ajo transferohet në Shqipëri.
A mendoni se ky rol ka rëndësi edhe për zhvillimin e kulturës nautike shqiptare?
Sigurisht. Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit të nautizmit dhe yachting-ut. Po rritet numri i marinave, jahteve, gomoneve, jet ski-ve dhe mjeteve të tjera rekreative. Gjithnjë e më shumë njerëz po e shohin detin jo vetëm si destinacion turistik, por si mënyrë jetese. Por zhvillimi i industrisë nuk mund të matet vetëm me numrin e mjeteve lundruese apo me marinave që ndërtohen. Duhet të rritet paralelisht edhe kultura nautike.
Nëse nga Cannes, Monaco, Düsseldorf, Genova apo Miami arrijmë të sjellim në Shqipëri informacionin, standardet, teknologjinë dhe mënyrën moderne të të menduarit për nautizmin, atëherë kemi bërë diçka më shumë sesa thjesht të prezantojmë një produkt. Kemi kontribuar në zhvillimin e një industrie.
Dhe ky është edhe objektivi që kërkoni të realizoni përmes TSTS Group?
Po. Përmes TSTS Group – International Maritime Training & Crew Academy, filozofia ime është që kursanti të mos vijë vetëm për të marrë një dokument.
Objektivi nuk duhet të jetë vetëm që një kursant të marrë një patentë. Objektivi duhet të jetë që ai të dijë të lundrojë. Kjo do të thotë të kuptojë meteorologjinë, navigimin, rregullat e përplasjes në det, sigurinë, komunikimin, manovrimin dhe përgjegjësinë që merr përsipër në momentin që largohet nga pontili. Në fund, një instruktor nuk duhet të krijojë vetëm drejtues mjetesh lundruese. Duhet të ndihmojë në krijimin e lundërtarëve.
Pas më shumë se 20 vitesh në sektorin detar, çfarë ju motivon sot kur hyni në një klasë apo hipni në një mjet trajnimi me kursantët?
Pikërisht ato 20 vite. Sot kam mundësinë t’u transmetoj kursantëve jo vetëm atë që kam mësuar në universitet, në specializimet ndërkombëtare apo gjatë formimit profesional në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë. Mund t’u transmetoj edhe atë që më kanë mësuar mijëra milje në det.
Nga Genova, ku filloi formimi im juridik, te Antibes dhe Yachtmaster; me lundrime nga Palermo në Vlorë, nga Catania në Vlorë dhe nga Venezia në Vlorë; nga sallat e trajnimit te testimet e mjeteve të reja në panairet e Cannes, Monaco, Düsseldorf, Genova dhe Miami, çdo eksperiencë është bërë pjesë e së njëjtës rrugë profesionale.
Sot e shoh rolin e instruktorit nautik jo si një titull shtesë në CV, por si një përgjegjësi. Sepse të mësosh dikë të drejtojë një mjet lundrues nuk do të thotë vetëm t’i mësosh si të dalë nga porti.
Do të thotë t’i japësh dijen, kulturën dhe eksperiencën që një ditë, kur të jetë vetëm përballë detit dhe duhet të marrë një vendim, të dijë të marrë vendimin e duhur. Dhe mbi të gjitha, të dijë të kthehet gjithmonë i sigurt në port.
—
DORIAN MERSINI
Maritime Lawyer | Yachtmaster | RYA Nautical Instructor | Entrepreneur
