Nga Leart Kola
Nuk i ndjek debatet politike televizive, u bë kohë. Duken si replika ciklike të të gjitha debateve që kanë ndodhur që nga vitet ’90 e këtej. Këtë temën e “respektimit të statutit dhe forumeve” e kam dëgjuar me kuriozitet deri nga viti 2010, kur dilte Blushi dhe kërkonte dorëheqjen e Ramës (para 16/17 vjetësh).
Në politikën tonë, kush është në krye nuk respekton statutin dhe forumet, ndërsa kush aspiron t’ia marrë postin kërkon respektimin e statutit dhe forumeve. Këtu problemi nuk është dhe, për të qenë i sinqertë, nuk ka qenë as atëherë, nëse respektohen forumet apo statuti. Këtu çështja është që nuk ekziston një Parti, qoftë kjo socialiste apo e një natyre tjetër. Hera e fundit që në Shqipëri është bërë politikë parlamentare duhet të ketë qenë andej nga vitet 1920. Pra, ky është një debat kot që harxhon valët e antenave publike të TV private. Siç do ta perifrazonte Bela, është si karikuesi që harxhon energji kur është në prizë dhe ti nuk ke telefon në karikim.
Po fajin nuk e kanë ata, e kam unë që vendosa këtë javë të shoh debate politike në televizionet tona.
Ka një shprehje shumë të bukur që thotë: “Ballkanizimi i komunizmit ia kaloi komunizmit të Ballkanit”. Kur e lexova, mendova që është fiks siç e kemi pasur komunizmin ne: një regjim gangster, tipik ballkanas. Asgjë, në fakt, nuk ka ndryshuar dhe demokracinë e kemi një sistem gangosh, ku kush është në krye shtyp pa mëshirë ata që janë poshtë dhe mendon se do të jetë në krye gjithë kohën. Prandaj nuk kemi nostalgjikë, se koha e ballkanizimit që u quajt komunizëm në Shqipëri nuk iku kurrë.
Ndërkohë që hapësira publike gëlon nga debati për statutin, qeveria diskuton në komision një ligj kundër tubimeve, një ligj putinist. Kushedi çfarë është duke i thënë mendja Ramës?!?
Më duket si reforma zgjedhore e Saliut në 2008, që e çimentoi kundërshtarin e tij në pushtet dhe Salën në opozitë. Në atë kohë, jo vetëm Sala mendonte që nuk do të ikte kurrë nga pushteti, por edhe Damian Gjiknuri. Madje edhe ne, që ishim kundër Salës, menduam që fitoi Sala, se tani nuk e hedhin dot kurrë më me mocion mosbesimi. Por ja që thjesht prodhoi institucionin që mban prej 14 vjetësh kundërshtarin e tij në pushtet. Aime…
Rama, nga ana e tij, nuk e ka problem, se nuk ka më formë fizike për t’u rikthyer kur të bjerë. Dhe kështu-kështu, protestat i ka parë gjithmonë nga larg, si në tekstet e Ascanio Celestinit:
Dicevano “Avanti Popolo” perché mandavano sempre davanti il popolo… (Përkthimi: Thoshin: “Përpara, popull!”, sepse gjithmonë e nxirrnin popullin në ballë)
… e loro rimanevano indietro, magari d’un passo, magari d’un metro, perché loro ad andare avanti gli veniva da ridere. (Përkthimi: … ndërsa vetë rrinin prapa, ndoshta një hap, ndoshta një metër, sepse, kur u vinte radha të ecnin përpara, u vinte për të qeshur).
Intermexo
Kundërshtarët e atyre që duan të respektohet statuti kanë si argument që problemet e «statutit» i diskutojmë në familje. Shqiptari, kur përmend familjen, e ka si fundin e muhabetit. Problemi i vetëm është që Partia nuk është familje, sepse është një entitet publik i cili paguhet nga taksat e të gjithë qytetarëve. Për pasojë, si institucion publik, nuk mund të ketë “çështje private”. Të gjitha çështjet që diskutohen në asamble janë interes publik, qoftë edhe kur asambleja bëhet në Lalëz. Pikë.
Vazhdojmë…
Nejse, ne të gjithë e dimë të vërtetën: statutin e partisë nuk e lexon njeri. Këto janë muhabete për të mirëmbajtur idenë që dikush në Shqipëri është në krye të detyrës, kur në fakt askush nuk është. As Rama, që ka atake të shpeshta naiviteti, nuk e beson më që është. Kush ka dy pare mend e kupton që kjo klasë politike është në rënie të lirë dhe asgjë nuk mund ta zhbëjë këtë proces. Kush ka tre, e kupton gjithashtu që nga kjo nuk shpëton askush: as ata që nuk kanë qenë të korruptuar, as ata që kanë kontribuar vetëm pak për partitë ekzistuese. Nga kjo valë nuk kapitalizon dot askush dhe është e drejtë që të jetë kështu.
E vjetra ka vdekur, e reja nuk mund të lindë. Kjo është koha e monstrave.
Këtu jemi për momentin.
Mazower na tregon që qarkullonte një shprehje te grekët gjatë luftës revolucionare për liri: “Po kur të mundim turqit, kujt do t’i dorëzohemi?”. Këtë pyetje kemi ne, siç do të na quante Ervin Hatibi, “populli i Kainit”, që me mëkatet tona duam të kuptojmë se cilës kafshe po i dorëzohemi?
Protesta është shumë entuziazmuese, sidomos protesta e dhunshme, sepse protesta e dhunshme është e sinqertë. Është një kundërpërgjigje instinktuale e dhunës sistematike që pësojnë të rinjtë dhe jo vetëm të rinjtë në këtë vend. Asgjë nuk është tulla në kokë të policit përpara arrogancës së pushtetit që ka prodhuar një sistem të padrejtë, ku talenti dhe puna nuk do të thonë asgjë, ku diferencat sociale të prodhuara aktivisht dhe publikisht nga kjo qeveri dhe nga të gjitha qeveritë e mëparshme janë angazhuar për një grusht njerëzish, që ia heq zërin dhe mundësinë çdo ditë e më shumë të pamundurve. Një lloj robinhoodizmi mbrapsht, që ua merr të varfërve për t’ua dhënë gjysmën të pasurve dhe gjysmën vetes.
Jo, Edi Rama, po babai im të ishte kryeministër, nuk do ta kisha mbështetur kurrë dhunën dhe terrorin që ka bërë këtë kohë policia ndaj protestuesve. Problemi i këtij sistemi është që edhe babai im, kam frikë, do të bënte të njëjtën gjë si Edi Rama po t’i kërcënohej pushteti. Dhe për këtë problem duhet të flasim, jo për statutin dhe forumet fantazma të disa të lënduarve që shefi nuk i do më me pasionin e mëparshëm.
Këtu tani protesta ka nevojë të bëjë e të thotë më shumë. Pika e parë është kërkesa absolute e pastërtisë: kush ka marrë pjesë një minutë në një parti politike apo te Sorosi, JASHTË. Më pëlqen dhe, edhe pse më përjashton, e mbështes. E ardhmja duhet të jetë e atyre që nuk janë të helmuar.
Po pika e dytë cila është?
Nuk janë fitoret ato që të japin pavarësinë, por refuzimi për të pranuar humbjen. Tirania e butë e mazhorancës së njerëzve që duan rregullin dhe disiplinën në kurriz të drejtësisë dhe barazisë është armiku kryesor i progresit. Kjo nuk duhet harruar kurrë dhe kundër kësaj duhet luftuar në këtë moment ku ndodhemi.
Historia, thotë Žižek, është e ndërtuar nga NGJARJET, jo nga kujtimet. Dhe sot Shqipëria është duke përjetuar një NGJARJE të rëndësishme politike, por po e përjeton jashtë sferës së debatit publik dhe, sigurisht, jashtë institucioneve formale ku diskutohet politika. Kjo sepse Qeveria dhe Parlamenti prej kohësh janë hapësira jopolitike. Rruga mbetet tani i vetmi forum legjitim politik.
Edhe pse situata mund të duket e zymtë, sot është një shans i dytë për Shqipërinë. Është një Dhjetor ’90 i dytë, një mundësi e papritur që erdhi nga angazhimi shoqëror dhe e zgjoi vendin nga një gjumë i thellë, nga një kllapi imagjinative që dukej se do të zgjaste përgjithmonë.
Sido që të shkojë puna, një gjë është e qartë: me kthim mbrapa nuk ka!
DITA
