Nga Çapajev Gjokutaj
Një skeç i “Portokallisë”, ku disa emigrantë afganë shfaqen si punonjës të hipotekës, u bë shkas për një shkrim kritik të Bjorn Runës mbi dukurinë që e quan “racizmi ynë i lehtë, banal dhe televiziv”. Me një vështrim esëll dhe të mbështetur mirë edhe teorikisht, autori vëren se humori ynë, jo rrallë, zgjedh të tallet me ata që ndodhen në shkallët më të ulëta të hierarkisë shoqërore. Këtë herë, objekt i talljes janë të huajt që kanë ardhur të punojnë në Shqipëri.
Në vazhdën e këtij problemi, Autoriteti i Medias Audiovizive bëri të ditur se gjatë tri viteve të fundit kishte vendosur 13 gjoba dhe 39 masa tërheqjeje vëmendjeje për racizëm dhe gjuhë urrejtjeje. Pra, fenomeni nuk është i panjohur dhe as i kufizuar në një skeç të vetëm. Sigurisht, kufiri mes lirisë së humorit dhe stigmatizimit është i diskutueshëm dhe nuk mund të përcaktohet thjesht me gjoba. Por çështja shkon përtej përgjegjësisë redaksionale të televizioneve dhe hyn dukshëm në jetën e përditshme.
Shqipëria është një vend emigrantësh. Prej më shumë se tri dekadash, qindra mijëra shqiptarë janë larguar kryesisht në Perëndim për të kërkuar punë dhe një jetë më të mirë. Për ne emigracioni nuk ështënjë kujtim i largët historik, por një përvojë ende e gjallë, që prek pothuajse çdo familje. E njohim në lëkurë përçmimin ndaj të huajit, stereotipet për origjinën, gjuhën e varfërinë, vështirësinë për t’u pranuar si i barabartë në një shoqëri tjetër.
Tani që Shqipëria po bëhet edhe vend pritës për punëtorë nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, do të pritej që kjo përvojë të na bënte sadokudo mirëkuptues ndaj të ardhurve. Aq më tepër që emigracioni hyrës është relativisht i ri dhe nuk kemi dëshmi për konflikte e shqetësime të mëdha sociale.
E megjithatë, në ligjërimin publik nuk mungojnë stereotipet, talljet dhe shprehjet përçmuese ndaj të ardhurve.
Si shpjegohet ky paradoks? Përse një shoqëri që e njeh aq mirë përvojën e të qenit i huaj nuk arrin gjithmonë ta njohë veten tek i huaji që i troket në derë?
2.
Në pamje të parë, përvoja e emigracionit duhet të ishte një shkollë empatie. Një popull që ka provuar përçmimin për shkak të origjinës, që është ndier i huaj mes të tjerëve, që ka vuajtur nga paragjykimet, do të duhej të ishte më i ndjeshëm ndaj të ardhurve që gjenden sot në të njëjtën pozitë. Por përjetimi i një padrejtësie nuk të bëka domosdoshmërisht kundërshtarë të padrejtësisë.
Opinioni ynë publik dhe ai mediatik kanë reaguar shpesh me indinjatë ndaj stereotipeve dhe diskriminimit të bashkatdhetarëve në Greqi, Itali apo vende të tjera europiane. Por solidariteti me shqiptarin e diskriminuar nuk është domosdoshmërisht shprehje e një parimi universal mbi dinjitetin njerëzor. Ai mund të burojë edhe nga ndjenja e përkatësisë kombëtare, nga identifikimi me dikë që është “njëri prej nesh”. Të kërkosh që shqiptarët të mos përçmohen për shkak të origjinës së tyre dhe të besosh se askush nuk duhet përçmuar për shkak origjine, janë dy qëndrime që ngjajnë, por nuk përputhen në çdo rast.
Kjo mund të zgjojë solidaritet, por mund të ushqejë edhe një ndjenjë epërsie. Njeriu që ka qenë në fund të një hierarkie nuk dëshiron domosdoshmërisht ta shembë atë, ndonjëherë kënaqet me faktin që nuk ndodhet më në shkallaren e fundit të shoqërisë. Madje, i ardhuri i varfër mund t’i kujtojë një të kaluar prej së cilës dëshiron të distancohet.
Natyrisht, këto janë mekanizma të mundshëm, jo tipare që mund të na atribuohen ne, shqiptarëve, në përgjithësi.Gjithsesi në analizë të fundit dallimi mbetet mes të kuptuarit të vuajtjes sate dhe të njohurit të së njëjtës vuajtje tek tjetri. Përvoja na jep mundësinë e empatisë, por nuk na çliron vetvetiu nga paragjykimi.
3.
Paradoksi bëhet edhe më interesant kur kujtojmë vendin që zë mikpritja në përfytyrimin e shqiptarëve për veten. “Shtëpia e shqiptarit, e Zotit dhe e shtegtarit”, thotë proverbi. Në Kanun, mikpritja nuk është thjesht një gjest mirësjelljeje, por një detyrim moral, që i ngarkon zotit të shtëpisë përgjegjësinë për nderimin dhe sigurinë e mikut. I huaji që troket në derë gëzon një mbrojtje të veçantë, edhe kur vjen nga një botë tjetër dhe nuk ka lidhje gjaku apo përkatësie me mikpritësin.
Kjo traditë nuk ka mbetur vetëm në rrëfime. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familje shqiptare strehuan dhe mbrojtën hebrenj që rrezikoheshin nga përndjekja naziste. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në shtator 1943, shqiptarë të shumtë u dhanë strehë dhe ndihmë ushtarëve italianë të mbetur në Shqipëri, ndonëse deri pak më parë ata kishin qenë pjesë e ushtrisë pushtuese. Në të dyja rastet, natyrisht, sjelljet nuk qenë të njëtrajtshme dhe rrethanat historike ishin të ndërlikuara. Megjithatë, këto episode dëshmojnë se mikpritja dhe mbrojtja e të huajit kanë pasur shprehje konkrete, mbase ë edhe me rrezik për vetë mikpritësit.
Përse, atëherë, kjo trashëgimi nuk përkthehet vetvetiu në mirëkuptim ndaj emigrantëve të sotëm? Ndoshta sepse mikpritja tradicionale dhe pranimi i emigracionit janë dy marrëdhënie të ndryshme me të huajin. Miku është dikush që të vjen në shtëpi, rri një apo dy ditë dhe largohet. Emigranti vjen për të punuar, për të jetuar, për të ndarë hapsirën dhe vlerat. Nuk kërkon vetëm bukë, strehë dhe mbrojtje, por edhe një vend afatgjatë mes nesh.
Mikpritja tradicionale, sado bujare, mbështetet mbi një marrëdhënie ku rolet janë të përcaktuara: njëri është mikpritësi, tjetri miku. Pranimi i emigrantit si pjesëtar i shoqërisë kërkon diçka më shumë: gatishmërinë për ta parë të huajin jo vetëm si dikë që duhet ndihmuar, por si dikë me të cilin do të ndajmë hapësirën publike, punën, institucionet dhe të drejtat.
4.
Në qëndrimet ndaj emigrantëve të ardhur mund të ndikojë edhe një ndarje e vjetër, e rrënjosur thellë në përfytyrimin tonë kombëtar: kundërvënia mes Perëndimit dhe Lindjes. Në ligjërimin shqiptar, këto dy hapësira nuk kanë qenë thjesht përcaktime gjeografike, shpesh kanë përfaqësuar dy botë vlerash, dy shkallë zhvillimi, madje dy pozita në një hierarki të imagjinuar qytetërimesh.
Që nga Rilindja Kombëtare, afirmimi i përkatësisë europiane ka qenë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të identitetit shqiptar. Shkëputja nga Perandoria Osmane u shoqërua me të drejtë edhe me përpjekjen për të afirmuar Shqipërinë si një vend europian, të cilin historia e kishte mbajtur për shekuj larg rrugës së ti të natyrshme. Në debatet intelektuale të viteve 1920–1930, kundërvënia mes mendësisë orientale dhe qytetërimit oksidental u bë një nga mënyrat për të diskutuar modernizimin e vendit. Pas rënies së komunizmit, aspirata për “rikthimin në Europë” i dha një jetë të re kësaj dikotomie. Spikat këtu debati mes Kadaresë dhe Qoses që ngjalli shumë interes dhe shërbeu si shkak fokusimi në një nga gurët e themelit të identitetit shqiptar.
Në një pjesë të këtyre ligjërimeve që përbëjnë gurë themeli për identitetin shqiptar, Perëndimi identifikohet me lirinë, përparimin, racionalitetin dhe qytetërimin, ndërsa Lindja me prapambetjen, despotizmin dhe ngecjen historike. Historia ka dëshmuar se, në plan politik kjo qasje ka qenë konstruktive dhe e dobishme, por në plan etik hera herës bëhet problemore.
Kundërvenia perëndim – lindje natyrisht që e thjeshton një histori shumë më të ndërlikuar. Vetë kultura shqiptare është formuar në ndërthurjen e ndikimeve europiane, mesdhetare dhe osmane. Por përfytyrimet kolektive nuk kanë nevojë të jenë historikisht të sakta për të ndikuar në mënyrën se si i gjykojmë të tjerët.
Edward Said e ka analizuar orientalizmin si një traditë të mendimit perëndimor që e përfytyron Lindjen përmes tipareve të përgjithësuara, shpesh si të kundërtën inferiore të Perëndimit. Studiuesja Milica Bakić-Hayden ka treguar se në Ballkan kjo hierarki mund të riprodhohet në mënyrë të shkallëzuar: popuj që shihen si lindorë nga fqinjët e tyre perëndimorë, mund të priren të identifikojnë te popuj të tjerë një Lindje edhe më të largët, më pak europiane e më të prapambetur.
Rezulton se nuk jemi të huaj për këtë mekanizëm. Për një kohë të gjatë kemi kërkuar të na njihet përkatësia europiane, duke u përballur herë pas here me stereotipe që na vendosnin në skajet e qytetërimit perëndimor. Por dëshira për t’u njohur si europianë mund të shoqërohet edhe me përvetësimin e paragjykimeve ndaj atyre që perceptohen si më lindorë se ne.
Kjo mund të marrë një kuptim të ri sot, kur në Shqipëri vijnë punëtorë nga India, Bangladeshi, Filipinet, Siria, Egjipti, Maroku dhe vende të tjera. Këto shoqëri kanë histori, kultura, fe dhe tradita shumë të ndryshme. Madje, jo të gjitha i përkasin Lindjes në kuptimin gjeografik. Por në një përfytyrim të thjeshtuar, ato mund të bashkohen në kategorinë e paqartë të një bote të varfër, të largët dhe më pak të zhvilluar. Dallimet e pamjes, gjuhës apo zakoneve kthehen kështu në shenja të një inferioriteti të supozuar.
Sigurisht, jo çdo qëndrim përçmues ndaj këtyre emigrantëve buron nga orientalizmi. Statusi ekonomik dhe natyra e punëve që kryejnë mund të ndikojnë po aq, ndoshta edhe më shumë. Por është domethënëse të pyesim përse pensionistët italianë që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri nuk priten me të njëjtat stereotipe si bangladeshasasit apo apo egjiptianët që po hyjnë në tregun tonë të punës.
Ka të ngjarë që nuk kemi të bëjmë vetëm me marrëdhënien mes vendasit dhe të huajit, por edhe me një hierarki të origjinave, ku prestigji i steriotipizuar i vendit nga vjen i ardhuri ndikon në vlerësimin e personit.
Kështu shfaqet një tjetër paradoks i identitetit tonë: ndërsa kërkojmë që Perëndimi të mos na gjykojë përmes stereotipeve të vjetra mbi Ballkanin, rastis të përdorim vetë stereotipe të ngjashme për të gjykuar të ardhurit nga Lindja. Në vend që ta kundërshtojmë hierarkinë qytetërimore që dikur na vendoste në pozita inferiore, rrezikojmë ta riprodhojmë atë, duke kërkuar dikë tjetër për ta vendosur më poshtë.
5.
Një tjetër shpjegim mund të kërkohet në karakterin relativisht homogjen të shoqërisë shqiptare. Për pjesën më të madhe të historisë sonë të afërt, kemi jetuar në një vend ku shumica dërrmuese e popullsisë ndan të njëjtën gjuhë dhe përkatësi kombëtare. Prania e njerëzve me origjina të largëta etnike, me ngjyrë tjetër të lëkurës apo me zakone dukshëm të ndryshme nga tonat, ka qenë e kufizuar. Për shumë shqiptarë, kontakti me këto dallime ka ndodhur më tepër përmes televizionit, filmave dhe, së fundmi, rrjeteve sociale, sesa përmes marrëdhënieve të përditshme.
Homogjeniteti nuk prodhon domosdoshmërisht intolerancë. Por ai mund të krijojë kushte që paragjykimet të mbeten të pashqyrtuara. Kur nuk jeton, nuk punon dhe nuk ndërvepron rregullisht me njerëz të një grupi tjetër, është më e lehtë t’i përfytyrosh përmes stereotipeve. I huaji mbetet një kategori abstrakte, jo një individ me emër, karakter, histori dhe personalitet. Një batutë për ngjyrën e lëkurës, theksin apo zakonet e tij mund të duket e pafajshme, pikërisht sepse mungon përvoja që do ta bënte të dukshëm poshtërimin.
Ka edhe një veçori tjetër historike. Shqipëria nuk ka njohur sisteme të segregimit racial të krahasueshme me ato të Shteteve të Bashkuara apo Afrikës së Jugut, as marrëdhënie koloniale të ngjashme me ato të fuqive të mëdha europiane. Për rrjedhojë, nuk ka kaluar as nëpër proceset e gjera të përballjes publike me këto padrejtësi, që në shoqëri të tjera kanë prodhuar lëvizje për të drejtat civile, debate të vazhdueshme dhe norma më të qarta kundër diskriminimit racial.
Kjo nuk do të thotë se shoqëritë që kanë përjetuar racizëm të egër janë çliruar prej tij. Historia dëshmon shpesh të kundërtën. Por përballja me padrejtësinë ka krijuar edhe një gjuhë për ta emërtuar, një vetëdije për pasojat e saj dhe mekanizma shoqërorë për ta kundërshtuar. Në Shqipëri, një pjesë e këtyre antitrupave mund të mos jenë zhvilluar në të njëjtën masë. Prandaj, shprehje që gjetkë do të shkaktonin kundërshtim të menjëhershëm, këtu mund të kalojnë si humor i zakonshëm, pa u perceptuar nga autorët apo publiku si denigruese.
Megjithatë, do të ishte e pasaktë të thoshim se shoqëria shqiptare nuk ka pasur përvojë diskriminimi. Komunitetet rome dhe egjiptiane kanë qenë prej kohësh objekt stereotipesh, përjashtimi dhe trajtimi të pabarabartë. Edhe përçmimi krahinor, dallimet mes qytetit dhe fshatit apo paragjykimet ndaj të varfërve kanë krijuar hierarki të brendshme shoqërore. Pra, kemi pasur mundësi të shumta për t’u përballur me mekanizmat e stigmatizimitdhe të diskriminimit, edhe pa pasur një shoqëri plurale për nga përbërja racore.
Po kështu, tradita jonë e bashkëjetesës fetare, me të cilën krenohemi me të drejtë, nuk përkthehet automatikisht në tolerancë ndaj TJETRIT. Myslimanët, ortodoksët dhe katolikët shqiptarë kanë ndarë një gjuhë, një hapësirë historike dhe një identitet kombëtar, që shpesh i ka relativizuar dallimet fetare. Emigranti që vjen nga një vend i largët nuk e ka këtë përkatësi të përbashkët. Pranimi i tij kërkon një zgjerim të kufijve të bashkësisë me të cilën identifikohemi.
Në këtë kuptim, problemi mund të mos jetë thjesht se nuk kemi përjetuar racizëm të egër dhe, për pasojë, nuk kemi zhvilluar antitrupa ndaj tij. Ndoshta kemi njohur forma të ndryshme përçmimi e diskriminimi, por nuk i kemi lidhur mjaftueshëm me njëra-tjetrën për të nxjerrë prej tyre një parim më të përgjithshëm të barazisë njerëzore.
Ardhja e emigrantëve të huaj mund të bëhet kështu një provë e re për shoqërinë. Jo vetëm e aftësisë sonë për të bashkëjetuar me njerëz të ndryshëm, por edhe e gatishmërisë për të njohur te paragjykimet e sotme mekanizma që, në forma të tjera, i kemi pasur prej kohësh mes nesh.
6.
Emigracioni hyrës është ende një dukuri relativisht e re dhe komunitetet e të ardhurve nuk kanë përmasa të krahasueshme me ato të vendeve europiane me histori të gjatë emigracioni. Nuk kemi, të paktën deri tani, dëshmi të një kriminaliteti disproporcional të këtyre komuniteteve apo të konflikteve të gjera kulturore që të shpjegonin një armiqësi të konsoliduar ndaj tyre.
Megjithatë, në ligjërimin publik dhe në rrjetet sociale ndeshen stereotipe dhe shqetësime të njohura nga debatet europiane mbi emigracionin: të huajt si burim kriminaliteti, si kërcënim për kulturën vendase, si konkurrencë për punësimin apo edhe si rrezik për përbërjen demografike të vendit. Duket sikur, krahas punëtorëve të huaj, po importojmë edhe një pjesë të frikërave që shoqërojnë emigracionin në shoqëri të tjera, pa pasur domosdoshmërisht përvojat që i kanë ushqyer ato.
Këto përfytyrime gjejnë një terren të ndjeshëm në Shqipëri. Vendi po përjeton prej dekadash tkurrje të popullsisë, emigrim të vazhdueshëm dhe rënie të lindshmërisë. Në një shoqëri të shqetësuar për largimin e të rinjve dhe zbrazjen e vendit, ardhja e punëtorëve të huaj mund të marrë një kuptim simbolik që shkon përtej peshës së tyre reale. Shqiptarët largohen, të huajt vijnë: dy dukuri me shkaqe dhe përmasa të ndryshme mund të bashkohen lehtësisht në një rrëfim të thjeshtuar zëvendësimi.
Ndërkohë, vetë nevoja për punëtorë të huaj zbulon një kontradiktë të ekonomisë shqiptare. Bizneset ankohen se nuk gjejnë punonjës, ndërsa shumë shqiptarë largohen pikërisht për shkak të pagave dhe kushteve të punës. Punëtorët që vijnë nga vende më të varfra plotësojnë një pjesë të këtij boshllëku. Prania e tyre mund të ngrejë pyetje të ligjshme për ndikimin në paga, konkurrencën në tregun e punës dhe respektimin e të drejtave të punonjësve. Por këto janë çështje të modelit ekonomik, të politikave të punësimit dhe të përgjegjësisë së punëdhënësve, jo arsye për të stigmatizuar të ardhurit që kërkojnë të sigurojnë jetesën.
Kështu, emigranti ardhës rrezikon të perceptohet si shkaku më i dukshëm i disa problemeve që nuk i ka krijuar: largimit të shqiptarëve, pagave të ulëta, pasigurisë demografike dhe frikës nga ndryshimi. Është më e lehtë t’i japësh një fytyrë të huaj një shqetësimi të brendshëm sesa të përballesh me shkaqet e tij. Dhe kur frika lind përpara përvojës, stereotipi mund të zërë vendin e njohjes, duke na bërë të shohim tek i ardhuri jo njeriun që kemi përballë, por kërcënimin që kemi mësuar të përfytyrojmë.
7.
Në këtë terren paragjykimesh të vjetra dhe frikërash të reja, humori televiziv gjen material të gatshëm. Krijimtaria komike shqiptare ka një traditë të gjatë të karikaturizimit të të ardhurit, provincialit, fshatarit, njeriut që flet me një dialekt tjetër apo që nuk njeh zakonet e qytetit. Shpesh, këto personazhe kanë qenë burim humori të pafajshëm, madje edhe një mënyrë për të vënë në lojë mendjemadhësinë e vendasve. Por jo rrallë dhe për fat të keq, e qeshura është mbështetur te një hierarki e nënkuptuar: njëri është qytetari i kultivuar, tjetri i ardhuri i pagdhendur; njëri njeh rregullat, tjetri i shkel nga padija.
Qoftë edhe për inerci paragjykimi, emigranti i huaj mund të bëhet lehtë personazhi më i ri i këtij repertori. Në vend të shqiptarit që vjen nga një krahinë tjetër, tani kemi punëtorin nga Afganistani, Bangladeshi apo Egjipti. Ndryshojnë pamja, gjuha dhe origjina, por mekanizmi komik mbetet i ngjashëm: e qeshura lind nga paaftësia e supozuar e të ardhurit për t’u përshtatur me botën e vendasve.
Sigurisht, përdorimi i stereotipeve nuk e bën vetvetiu një skeç racist. Komedia jeton nga ekzagjerimi, përmbysja e roleve dhe shkelja e pritshmërive. Një humorist mund të përdorë edhe stereotipet më të njohura për të zbuluar absurditetin e tyre. Dallimi qëndron te objekti i vërtetë i talljes: a po qeshim me paragjykimin e vendasit, me një situatë njerëzore ku përfshihen të huajt, apo thjesht me faktin se ata flasin, duken dhe sillen ndryshe nga ne?
Spektakli televiziv nuk i shpik nga hiçi këto paragjykime, por i merr nga shoqëria, i përpunon dhe ia kthen asaj në forma të komikes a të argëtimit. Por, duke i përsëritur përpara një publiku të gjerë, mund t’u japë edhe një lloj legjitimiteti. Ajo që në një bisedë private mund të tingëllonte si përçmim, në ekran shfaqet si batutë, ajo që mund të shkaktonte siklet, shoqërohet me të qeshura. Kështu, kufiri mes humorit dhe normalizimit të paragjykimit bëhet më pak i dukshëm.
Kjo nuk do të thotë se zgjidhja është censura apo shtimi i gjobave. Liria e humorit përfshin edhe të drejtën për të provokuar, për të qenë i pakëndshëm dhe për të kritikuar. Por , siç është vënë re me të drejtë, liria për të bërë humor nuk e përjashton përgjegjësinë për përmbajtjen e tij, as të drejtën e publikut për të kritikuar. Madje, një komedi që mbështetet vetëm te stereotipet më të lehta mund të meritojë kritikë jo vetëm për paragjykimet që riprodhon, por edhe për nivelin artistik.
Në fund, skeçi i “Portokallisë” është më interesant si simptomë sesa si incident më vete. Ai na kthen te pyetja se përse një shoqëri që e njeh aq mirë përvojën e emigracionit, që krenohet me mikpritjen dhe që aspiron vlerat e qytetërimit europian, mund të gjejë argëtim te përçmimi i të ardhurit. Ndoshta problemi nuk është se ky lloj humori na mëson të jemi paragjykues, por se na lejon të qeshim me paragjykime që ende nuk kemi mësuar t’i vëmë në dyshim.
8.
Qëndrimet ndaj emigrantëve të huaj nxjerrin në pah disa kundërthënie të vetëpërfytyrimit shqiptar. Përvoja e emigracionit nuk prodhon domosdoshmërisht empati; tradita e mikpritjes nuk nënkupton medoemos pranimin e të huajit si pjesëtar të shoqërisë; ndërsa dëshira për t’u njohur si europianë mund të bashkëjetojë me paragjykime ndaj popujve që i perceptojmë si më lindorë.
Këto kundërthënie nxjerrin në pah një dallim që përvoja jonë si emigrantë mund ta ketë lënë në hije: të kundërshtosh paragjykimet ndaj vetes nuk do të thotë medoemos se je në gjendje të kundërshtosh vetë paragjykimin.
Ka të ngjarë që t këtu qëndron paradoksi më interesant. Për dekada kemi kërkuar të kuptojmë përse të tjerët na shihnin me përçmim. Tani kemi rastin të vëzhgojmë se sa lehtë mund të lindë i njëjti përçmim kur ndryshojnë rolet.
Por pas këtyre roleve janë njerëz me histori që shpesh i ngjajnë njëra-tjetrës: dikush që lë familjen pas, që merr në sy lloj lloj rreziqes, që bën një punë të vështirë dhe shpreson të ndërtojë një jetë më të mirë. Në këtë përvojë të zakonshme njerëzore, dallimi mes atij që largohet dhe atij që vjen, bëhet shumë më i vogël sesa na duket kur e shohim me lente stereotipesh. Jemi të gjithë njerëz, na përafrojnë shumë më tepër gjëra sesa ato që na dallojnë…
