Nëpërmjet shërbimit elektronik në portalin qeveritar “e-albania” çdo person që plotëson kushtet e përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqrore, mund të kryejë aplikimin online për përfitimin e pensionit familjar. Sipas procedurës së përcaktuar, pasi të keni hyrë në portal në adresën www.e-albania.al dhe të keni bërë identifikimin përkatës nëpërmjet numrit tuaj personal të kartës së identitetit, për të vijuar me kërkesën për pension familjar duhet që të zgjidhni shërbimin “Aplikim për pension familjar” dhe pasi të klikoni në të, duhet që të plotësoni me kujdes formularin përkatës me të dhënat e kërkuara.
Duke vendosur numrin personal të kartës tuaj të identitetit (NID) që në hyrjen fillestare në portal, do të plotësohen automatikisht edhe të dhënat e tjera nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ju duhet të plotësoni formularin sipas fushave të përcaktuara, ndërsa numri dhe data e protokollit do plotësohen nga punonjësit e sigurimeve shoqërore.
Vetëm pesë janë dokumentet që kërkohen nga ju gjatë kryerjes së procedurave online të aplikimit për pensionin familjar. Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se dokumentet që duhet të ngarkohen nga aplikanti gjatë plotësimit të formularit online janë: “Libreza e punës, diploma e studimeve të shkollës së lartë, vërtetimi nga qendra e fundit e punës, vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, si dhe vërtetimi nga shkolla kur fëmija është mbi 18-25 vjet”.
Ndërsa të 16 dokumentet e tjera, siç janë: Certifikata e vdekjes (të jetë shënuar shkaku i vdekjes), certifikata familjare, certifikata e lindjes personale të fëmijëve përfitues, vërtetim për periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, certifikata e martesës (e detyrueshme vetëm për femrat), vërtetimi i pagesës së papunësisë (asistencë), vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë, vërtetimi për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, vërtetimi për pagesën kalimtare (si ushtarak), vërtetimi për ushtrim të aktivitetit privat (për i/e ve), vërtetimi për pagesën e energjisë elektrike, dëshmi penaliteti, vërtetim i gjendjes gjyqësore, vërtetim nga gjendja civile, në rastet e ndryshimit të gjeneraliteteve, vërtetim nga dega e tatim-taksave për pjestarët që janë në ngarkim, vërtetimi nga zyra e punës si punëkërkues, si dhe vërtetimi nga Bashkia/Komuna që i ndjeri ka bashkëjetuar me përfituesin, janë dokumentet që do të ngarkohen në sistem nga nëpunësit e administratës.
Pasi të keni plotësuar formularin me të gjitha të dhënat e kërkuara duhet që të bëni edhe dërgimin e tij. Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se duhet të mosneglizhoni edhe dërgimin postar të dokumenteve shoqëruese pas përfundimit të aplikimit online. Nëse kjo nuk ndodh kërkesa juaj për përfitimin e pensionit familjar nuk do të merret në shqyrtim nga punonjësit e sigurimeve shoqërore. “Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen me postë pranë drejtrisë rajonale të sigurimeve shoqërore ku ju keni bërë kërkesën për përfitimit të pensionit. Mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj”, bëjnë me dije autoritetet e ISSH-së.
Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit apo të ndjerës. Personi që mbetet i ve, merr 50 për qind të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i/e ndieri/a, kur është i vetëm dhe për çdo pjestar tjetër merr 25 për qind, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100 për qind masën e tij. Kur e veja nuk është pjestare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Kur e veja nuk është pjestare e pensionit familjar, dhe përfitues janë dy ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes. Jetimi merr pension familjar edhe nëqoftëse prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij. Jetimi që humbet të dy prindërit merr një pension jetimi për sejcilin prej tyre. Kërkesën për vazhdimin e pensionit familjar, kur mbaron afati i pagesës, përfituesi e paraqet në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile, duke i bashkangjitur dokumentacionin e kërkuar.
Kushtet e përfitimit të pensionit familjar:
E veja, kur është:
- Mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;
- E paaftë për punë;
- Ka mbushur moshën 55 vjeç.
Burri i ve, kur është:
- Mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;
- I paaftë për punë;
- Ka mbushur moshën 60 vjeç.
Jetimët:
- Jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë.
Prindërit
- Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë;
Nipërit dhe mbesat
- Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë.
Procedura e aplikimit online:
- Identifikohuni si qytetar në portalin “e-albania” në adresën e-albania.al.
- Zgjidhni shërbimin “Aplikim për pension familjar”.
- Klikoni butonin “Përdor” Plotësoni formularin përkatës për këtë kërkesë.
- NID (Numri personal në Kartën tuaj të identitetit) plotësohet paraprakisht në momentin që ju hyni në portal me kredencialet tuaja.
- Me informacionin e NID (Numri personal në Kartën tuaj të identitetit) plotësohen automatikisht edhe të dhënat e tjera nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
- Ju duhet të plotësoni formularin sipas fushave. Numri dhe data e protokollit do plotësohet nga punonjësit tanë.
- Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen me postë pranë DRSSH përkatëse.
- Ju lutem mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj.
