Nga Xhilda Luzi
Krishti dhe Ponc Pilati
Në mëngjesin e asaj dite, Ponc Pilati u përball me një çështje që nuk e kishte kërkuar, por që do të mbetej përjetësisht e lidhur me emrin e tij. Priftërinjtë e lartë dhe turma i sollën përpara një të akuzuar ndryshe nga të tjerët: Jezusin e Nazaretit. Ky nuk ishte një gjykim i thjeshtë, por një provë e drejtësisë, frikës dhe së vërtetës.
Pilati e mori Jezusin mënjanë dhe e pyeti: “A je ti mbreti i Judenjve?” Jezusi iu përgjigj: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote.”
Megjithëse Pilati nuk gjeti asnjë faj tek Jezusi, ai ndjeu presionin e turmës. Në përpjekje për të shmangur vendimin, e dërgoi te Herodi Antipa, i cili, pasi e përçmoi dhe e talli, e ktheu përsëri te Pilati.
Duke kërkuar një mënyrë për të liruar Jezusin, Pilati u tha turmës: “Cilin doni t’ju liroj: Barabën apo Jezusin që quhet Krisht?” Ai e dinte se prijësit fetarë e kishin dorëzuar vetëm nga smira. Por turma nuk pranoi, ata donin lirimin e Barabës, një krimineli të njohur, dhe dënimin me kryqëzim për Jezusin.
“Të kryqëzohet!” – thërriste turma.
Pilati i pyeti përsëri: “Përse? Çfarë të keqe ka bërë?”
Por ata vazhduan të bërtisnin: “Kryqëzoje!”
Kur pa se nuk mund ta ndalte turmën dhe se trazirat po shtoheshin, Pilati lau duart para popullit dhe tha: “Unë jam i pafajshëm për gjakun e këtij njeriu”Pastaj e dorëzoi Jezusin për t’u kryqëzuar.
Por, edhe pse lau duart, historia nuk e lau nga përgjegjësia. Ai kishte pushtetin për të bërë drejtësi, por zgjodhi të dorëzohej para frikës dhe politikës.
Kjo ngjarje nuk është thjesht një episod i së kaluarës, por një reflektim i një dileme të përjetshme: A zgjedhim të mbrojmë të vërtetën, apo të lajmë duart prej saj?
Jezusi u kryqëzua, por u ringjall. Dhe sot, historia e tij vazhdon të sfidojë ndërgjegjen e botës.
NGA PILTATI TE SPAK, A KEMI NEVOJË PËR DREJTËSI, APO PËR NJË FAJTOR?!
Shekuj më parë, Pilati e gjeti veten përballë një turme që kërkonte me çdo kusht një fajtor. Sot, një skenë e ngjashme po zhvillohet, jo në Jerusalem, por në Tiranë. Jo përpara një Prefekti Romak, por para SPAK-ut. Dhe në qendër të kësaj historie nuk është Mesia, por një kryebashkiak – Erion Veliaj, një nga figurat më të forta të mazhorancës pas kryeministrit.
Arrestimi i Erion Veliajt më shumë se një akt drejtësie, duket si një spektakël mediatik, i cili ka shkaktuar më shumë debat sesa qartësi ligjore.
Procesi është shoqëruar me një ekspozim të jashtëzakonshëm mediatik, ku shpesh opinioni publik mëson vendimet përpara se i akuzuari të marrë dijeni për to. Këto veprime ngren pyetje mbi mënyrën se si drejtësia dhe perceptimi publik ndërveprojnë në raste me ndjeshmëri të lartë politike.
Në këtë skenar, nuk është më çështje e një individi të vetëm, por e një klime ku përdorimi i ligjit perceptohet ndryshe në varësi të kush është shënjestra. A kemi të bëjmë me një hetim të bazuar mbi prova të qarta, apo me një proces ku opinioni publik duhet orientuar përpara se të flasë drejtësia?
Historia na ka mësuar se kur një shoqëri kërkon me çdo kusht një fajtor, ajo rrezikon të dështojë në kërkimin e së vërtetës. Sot, sfida kryesore nuk është vetëm të ndëshkohen ata që kanë shkelur ligjin, por dhe të garantohet se çdo proces është i drejtë dhe pa ndikime të jashtme. Kur vendimet ligjore paralajmërohen nga analistë televizivë, ndërsa provat ende nuk janë bërë publike, krijohet një perceptim që më shumë e dëmton, sesa e krijon besimin tek drejtësia e re. Turma ka nevojë për një fajtor, por shteti ka nevojë për drejtësi. Ky është dallimi mes shtetit të së drejtës dhe populizmit. Nuk mund të ketë ndëshkim të drejtë kur procesi zhvillohet më parë në opinionin publik sesa në sallën e gjykatës. Në një demokraci funksionale, drejtësia duhet të jetë e pavarur jo vetëm në vendimmarrje, por edhe në mënyrën se si perceptohet nga qytetarët. Kur çështjet e ndjeshme politike kthehen në spektakël publik, rreziku nuk është vetëm për të akuzuarin e radhës, por për të gjithë sistemin, i cili më shumë se një sistem drejtësie duket si një strategji e pushteteve që kanë nevojë për kundershtar të dënuar për tu legjitimuar.
Nesti Angoni: Baraba i kohëve moderne apo një fantazmë ligjore?
Një emër i panjohur për publikun deri dje është kthyer në një element kyç të një procesi që po trondit politikën shqiptare. Nesti Angoni, njeriu që dorëzoi kallëzimin kundër Erion Veliajt, doli se nuk ekziston në regjistrin e gjendjes civile. Po si mund të firmosë dikush që nuk ekziston? Si mund të ketë një adresë një njeri që nuk gjendet në regjistra? Jemi përball faktit, që një fantazëm ka vënë në lëvizje drejtësinë, apo emri është thjesht mjeti ku skenaret të shkruhen sipas nevojës?!
Ky personazh nuk është vetëm një detaj teknik, por një pikëpyetje serioze mbi transparencën e gjithë procesit. Një detaj që rrezikon të kthehet në fenomenin metafizik të drejtësisë së re shqiptare.
Kryqëzimi politik: Kush po lan duart dhe kush po përfiton?”
Nëse Veliaj është ai që duhet kryqëzuar gjatë këtij procesi, atëherë kush janë “priftërinjtë” që e duan të dorëzuar? A janë ata që, në emër të drejtësisë, kërkojnë ndëshkimin e tij, ndërsa në të vërtetë e shohin si një kërcënim, fuqinë e tij elektorale sidomos tani, në prag zgjedhjesh?
Kush është “Pilati” që po lan duart? A është ai që, në emër të drejtësisë për popullin, ka nevojë për këtë kryqëzim për të përmbushur drejtësinë për popullin apo shpëtuar veten?
Dhe mbi të gjitha, nëse ky është kryqëzimi i një figure të fortë politike, kush është “Baraba” që po përfiton? A është ai qëndonëse duhet të ishte subjekt i drejtësisë, po e shkruan këtë histori duke shpëtuar veten?
Nga e gjitha kjo, një gjë mbetet e sigurt: kur drejtësia bëhet shfaqje, të gjithë jemi spektatorë, por askush nuk e di se kur do t’i vijë radha për të qenë në skenë.