Xhevdet Shehu
Në datën 15 qershor 2020, ditën e ndarjes nga jeta të Moikomit, kam hedhur në faqen time të fejsbukut një foto që kisha bërë dy javë më parë me Moikomin dhe shkrimtarin Nasi lera. Ky ishte dhe takimi im i fundit me Moikomin, një shok e mik prej më shumë se 40 vjetësh. Atë ditë shkruajta për miqtë e mi: “Iku Moikomi. Kjo është fotoja e fundit me të, ku ishim bashkë me shkrimtarin Nasi Lera. Ishte 1 qershor 2020.” Po e botoj këtë foto bashkë me këto pak kujtime të thjeshta nga fundi i jetës së Moikomit.
Sot vendosa të tregoj kujtimet e mia të dy javëve të fundit të Moikomit.
Ja si ndodhi tre vite parë.
Ishte ora 18. Më mori në telefon Moikomi e më tha: “Xhoda, po vij. Për 10 minuta jam aty”. Mirë, i thashë. Nuk lamë vend takimi pasi e dinim të dy ku ishim takuar me dhjetëra herë. Ne i kishim zyrat pranë ambasadës së Kosovës. E llogarita kohën sa të vinte ai nga shtëpia pranë ish-ekspozitës Shqipëria e Re dhe isha 2 minuta më përpara te Thakajt ku pinim kafen çdo mbrëmje. Moikomi erdhi fiks siç e lamë. I dhamë dorën njëri tjetrit dhe u ulëm. Porositi një shishe ujë dhe asgjë tjetër. Sa u ul, më tha:
– Jam keq! Shpretka më ka dalë komplet jashtë funksionimit. Temperatura nuk më ulet… Kjo do të thotë se nuk e kam të gjatë. Erdha të ta thosha si mik që të kam… Mbase ky është takimi i fundit që po bëjmë bashkë…
Mu mblodh një lëmsh në fyt. Jo! Nuk është e vërtetë! Ti do bëhesh më mirë… I thashë me zë apo së brendshmi këto fjalë, nuk më kujtohet. Ke një kujdes maksimal nga mjekët, shtova dhe do ta hedhësh edhe kësaj here. Mjekët të kanë thënë se do të rrosh edhe nja 10-15 vjet të tjerë..
– Jo, jo.. – më tha me zërin e tij të pezmatuar. Erdhi fundi… Do të marr në telefon….
Ç’t’i thosha? Ngriva. Kur për fat, aty pranë nesh kalon shkrimtari Nasi Lera, një mik i përbashkët i yni, i cili bënte ritualin e një shëtitjeje të buzëmbrëmjes nga kodrat e liqenit.
– Nasi, i them, hajde ulu! Jam me Moikomin…
U takuam dhe u ulëm të tre. Nasi e pyet: “Çfarë po shkruan, Moikom?”. “Kam mbaruar librin “Fata Morgana. Për një vit kam botuar tre libra…” , tha Moikomi. “Ta kam zili Moikom vullnetin, vrullin dhe kurajon që ke. Unë kam tre vjet dhe mezi po e mbaroj një libër…” , tha Nasi.
Nuk u hap puna e sëmundjes së Moikomit. Djaloshi kamerier na ka fiksuar në këtë foto, që është e fundmja për mua dhe Nasin me Moikomin. Nuk e di kush e ka fiksuar më pas Moikomin.
Nasi vazhdoi shëtitjen e tij, ndërsa unë vazhdova bisedën me Moikomin. Tema të letërsisë dhe të zhvillimeve të aktualitetit shqiptar, si zakonisht. Më pyeti nëse kisha folur me Profesor Rexhep Qosen. I thashë se mund ta telefonoja të nesërmen. Bëji të fala nga unë, më tha.
Kur u ngritëm, e përcolla deri tek ura e Lanës. Tek cepi i ambasadës ruse qëndrova, i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe qëndrova derisa ai kaloi rrugën. Matanë rrugës, u kthye, më përshëndeti me dorë dhe… kaq. Kjo ishte lamtumira e fundit e tij.
…Pas një jave në mëngjes, ndërsa po pija një kafe turke me time shoqe, duke dëgjuar “Casta Divën” interpretuar mrekullisht nga Maria Callas, tringëlliu zilja e telefonit. E hapa. “U shtrova në spital. Kujto atë bisedën që bëmë së bashku herën e fundit”- më tha Moikomi.
E mora me mend gjithçka.
Gjithsesi i telefonoja përditë në spital dhe interesohesha për gjendjen e tij shëndetësore që kishte marrë përfundimisht tatëpjetën. Përpiqesha aq sa mundja t’i jepja kurajo. I telefonova edhe më 14 qershor paradite. Ato ditë po bëhej një debat i ashpër në shtyp dhe në media lidhur me origjinën e Bylisit. Një italian me emrin Vittorio Sgarbi kishte deklaruar se “Bylisi është një qytet antik grek”. Kaq u desh të ndizej një debat shumë i ashpër. Moikomi ishte i sëmurë dhe nuk u përfshi në këtë debat publikisht. Por unë guxova dhe e pyeta Moikomin në paraditen e 14 qershorit 2020 për këtë çështje. Dhe Moikomi me atë zërin e shuar, më tha: “Bylisi është ilir. E ka gabim Sgarbi”.
Këto 4-5 fjalë për mua, por edhe për shumë të tjerë, mbeten testamentare.
Të nesërmen në mëngjes, bashkëshortja e tij, Lida, më mori në telefon dhe më tha se Moikomi iku përgjithmonë. Të tjerat dihen. Më mirë dhe më plotërisht për Moikomin ka shkruar Enver Kushi, një nga shokët më të ngushtë të Moikomit.

