Fuat Gjitar
Banorët që jetojnë në fshatin Sinicë të rrethit të Devollit, dhe jo vetëm, por edhe ata që jetojnë në zona të tjera të Shqipërisë si dhe nëpër botë, kanë kërkuar prej vitesh që të shtrohej me asfalt edhe rruga e tyre, mbetur e harruar aty në Devollin e sipërm. Sa e sa herë e kishin kërkuar ata! Kur vinte ndonjë deputet, kryetar bashkie apo ndonjë pushtetar tjetër, e ngrinin me forcë këtë problem. Letra kanë çuar në rreth, në prefekturë, në ministri dhe në qeveri!
Kishte ndonjë premtim dhe… guri në trastë, siç thotë populli. Shkëndija e parë për rrugën e Devollit të sipërm ishte asfaltimi i rrugës Miras-Arrëzë, punë që nisi vitin e kalur dhe që përfundoi javët e fundit. Edhe Sinicës iu bë mirë nga kjo rrugë, por mbetën rreth 2 km pa u shtruar nga degëzimi i rrugës për në Arrëzë ose nga vendi i quajtur Shkallëzë, deri në Sinicë.

Me projektin e bashkisë së Devollit dhe këmbënguljen kryetarit të saj energjik, Eduard Duro, në pranverën e këtij viti filloi puna për shtrimin edhe të këtij segmenti. U zgjerua rruga dhe u hodh çakulli. U punua me ndërprerje për arsye financimi, por ditët e fundit është hedhur granili, është ujitur e ngjeshur dhe pritet asfaltimi. Këto ditë kisha ardhur në fshat nga emigracioni dhe duke u ngjitur nga Mirasi për në Sinicë, në segmentin në fjalë pashë disa makineri e punëtorë që punonin . Ndalova bisedova me punëtorët dhe bëra fotografi. Puna vazhdonte edhe brenda fshatit. M’u bë zemra mal.
E kisha ëndërruar këtë ditë jo vetëm unë por gjithë sinicarët . Dhe ja kjo ditë po afron. Në bisedë më kryetarin e bashkisë Eduard Duro, i cili kishte ardhur në Sinicë për të parë nga afër këtë punë, pasi e falenderova për interesimin e tij, e pyeta se kur do mbarojë kjo rrugë.- Segmenti Shkallëzë-Sinicë do mbarojë brenda një muaji. Ka patur disa ndërprerje për arsye financimi por kjo rrugë do mbarojë. Me përfundimin e këtij segmenti sinicarët si dhe vizitorët që vijnë në këtë fshat, të shpallur këtë vit fshat turistik, mund të udhëtojnë nga rruga Bilisht-Miras Sinicë.
Sinicarët do kishin dëshirë që kjo rrugë të asfaltohej deri më 28 gusht, ditë kur do festohet 100 vjetori i shkollës fillore dhe 75 vjetori i asaj 7 vjeçare. Atë ditë do vijnë nga Shqipëria dhe emigracioni ish nxënës e mësues të kësaj shkolle nga tre fshatra: Sinica-Dardha e Qyteza, pasi kjo shkollë ka qenë për këto tre fshatra. Ndoshta një urdhër nga qeveria që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financojë asfaltimin, do ishte një festë e dytë më 28 gusht, pasi shumica e punës tashmë është kryer.
…NJË REZE DRITE PËR SEGMENTI SINICË-DARDHË 4 KM I GJATË
Por, ndërsa segmenti mësipërm është drejt përfundimit, sinicarët dhe turistë shqiptarë por edhe nga bota që vijnë në këtë zonë, kanë problem segmentin Sinicë-Dardhë 4 km të gjatë. Është folur gjatë për këtë segment që mbyll unazën Miras-Sinicë-Dardhë-Korçë, por deri tani nuk është bërë gjë. Shumë kërkesa janë bërë për këtë segment në biseda me pushtetarë, me shkrime në shtyp, me kronika në televizion, por deri sot asgjë. Nga rruga e Dardhës vinin në fshat vetëm sinicarë që kishin makina të larta.( Kjo rrugë është dy-tre herë më e shkurtër se rruga Korçë- Bilisht-Miras –Sinicë.)-Me shtrimin e parë të segmentit Shkallzë –Sinicë, nuk vijmë më nga Dardha pasi i shkatërruam makinat, thonë sinicarët . Tani vijmë nga Mirasi.
Për segmentin e shumëpritur, Sinicë-Dardhë 4 km të gjatë, na jep shpresa kryetari i bashkisë së Devollit, Eduard Duro.
– Kjo rrugë është në studim , thotë ai. Mendohet që vitin që vjen të fillojë puna për shtrimin e këtij segmenti. Me përfundimin e tij mbyllet unaza Bilisht-Miras- Dardhë- Korçë, gjë që do t’i japë një impuls të ri zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Më ngrohën fjalët e kryetarit, i cili përmënd edhe punë të tjera që janë bërë vitet e fundit në Devoll si në Bilisht e në fshatra të këtij rrethi si ndërtim ujësjellësish, shtrim rrugësh, përmend rikonstruksionin e shkollës së Mirasit që kur e pashë m’u duk një nga më të mirat në republikë, si dhe punë të tjera. Para disa vjetësh kam bërë një shkrim me titull “Rrugët e fshatrave-jetime të harruara”. Rruga e Sinicës dhe disa rrugë të tjera që janë shtruar apo janë në proçes, nuk do jenë më “jetime”, por ka plot të tjera në fshatrat e Shqipërisë që presin të shtrohen. Le t’i hedhë sytë shteti edhe nga këto rrugë, ndryshe krahas problemeve të tjera, mungesa e rrugëve do ta tkurrë edhe më shumë popullsinë e fshatrave tonë.


Lajm shume i mire per Sinicaret dhe me gjere !
Ky lajm deklarohet ketu ne gazete se eshte shkruar nga zoteria Gjitar . ( Mbasi ky mbiemer eshte shkruar jo nje here por dy here ne kete shkrim) . Shpresoj qe Gjitar te mos kete lidhje me fjalen Gjitare , pra ato qe mekojne te vegjelit me qumesht , pra me gji .
Por per cudi fotografia i perket veteranit gazetar te te dy sistemeve shoqerore , socialiste dhe kapitaliste qe i ka perjetuar brezi yne , pra kjo fotografi i perket zotit Memeli nga Sinica . (!!!)
Atehere ose gazeta “Dita” duhet te kerkoje falje si per “nje gabim lapsi” , apo si pa dashka na del hapur sikur ka dicka te ngjashme si ndryshimi i mbiemrit Metaj ne Meta , te cilen e paska bere nje i akuzuar si sherbetor i sigurimit komunist per spiunim te gjithekujt qe mbante afer si per shok ?!
Apo vete ky sinicar ka bere aty ne amerike ndryshimin e mbiemrit nga Memeli ne Gjitar ?!
Ju uroj Sinicareve , Dardhareve dhe Qytezareve per kontributin e tyre te perbashket ne pervjetorin e dy shkollave Shqipe te Sinices !
Gjithashtu le te falenderojme zotin Eduart Duro , qe eshte me origjine nga fshati Cete !
Por nese ky shkrim i perket vertet Fuat Memelit nga Sinica , atehere sigurisht edhe ketij duhet dhene nje falenderim per kete shkrim .
Une mendoj se fjala sinicare Skolocke , (per ambjentin ngjitur me Kishen e fshatit) , pra kjo fjale e vjeter qe eshte mbi 100 vjecare , vjen nga fjala greke Skolio , qe ne Shqipen e sotme ne e themi Shkolle . Pra Skolio tregon se ka patur shkollim te fshehte edhe para 100 vitesh ne Sinice , por fshehtazi per te rruajtur jeten e vet prej otomaneve e asaj periudhe .
Pra shkolla 100 vjet me pare nuk mbiu vet-vetiu nje dite vjeshte para 100 vjetesh , por sigurisht qe eshte kontribut i me te shkolluareve qe ishin , punuan , kontribuan dhe sakrifikuan para kesaj date simbolike qe neve e quajme sot 100-vjetor i shkolles fillore Shqipe te fshatit Sinice ne krahinen e Devollit .