Nga Johana Lubonja
Dolën në qarkullim dy libra të rinj të sociologut dhe intelektualit të njohur Faros Tarifa: Arsimi dhe shteti, (botim i Onufrit) dhe Time Over: Fundi i Berishës si një fillim i ri për shqiptarët (botim i gazetës Dita).
Arsimi dhe Shteti
Arsimi dhe shteti trajton, nga një perspektivë filozofike, historike e krahasuese problemet e arsimit dhe rolit të shtetit në zhvillimin e tij. Ai shtron një sërë çështjesh thelbësore, të vjetra qysh nga koha e Platonit: A është arsimimi i qytetarëve një çështje private e tyre, apo ai është, para së gjithash, një preokupim i shtetit. Nëse është një përgjegjësi e shtetit, cila është përgjegjësia e tij në këtë mes dhe ç’rol konkretisht duhet të luajë ai? Përse vendos ose duhet të vendosë një qeveri në lidhje me shkollat? Sa kontroll duhet të ushtrojë shteti në atë se Çfarë mësojnë fëmijët në kopshte dhe në klasë deri në përfundim të arsimit të mesëm? Kanë—apo duhte të kenë—institucionet e arsimit të lartë një liri më të madhe kur bëhet fjalë për kurrikulat akademike? Pyetje të tilla dhe një sërë përgjigjesh për to , të informuara nga përvoja e shumë vendeve dhe nga një literature e gjerë bashkëkohore, përbëjnë subjektin për të cilin bëhet fjalë në këtë libër të ri të Prof. Tarifës.

Autori argumenton se është një përgjegjësi historike e brezit të rritur dhe e ekspertëve më të mirë që ka vendi, jo e disa burokratëve në ministrinë e Arsimit dhe e një grupi ligjvënësish të paditur në parlament që t’i lënë brezit të ri një sistem arsimor , në të cilin të rinjtë e sotëm të marrin dijet e domosdoshme dhe aftësitë që do u nevojiten në dekadat e ardhshme të shekullit të 21-të. Prof. Tarifa thekson se nëse e nënvleftësojmë këtë detyrim, ose nuk e përmbushim atë, ne jo vetëm nuk do të kemi përmbushur misionin tone intelektual ndaj shoqërisë sonë, por edhe do të gjykohemi ashpër e do të mbahemi përgjegjës nga brezat e rinj të sitëm dhe nga brezat që do të vijnë. Pasi, sipas tij, ne jemi përgjegjës si për veprimet tona, ashtu edhe kur nuk veprojmë për të bërë atë që kërkohet.
Me një parathënie nga Prof. Ethem Ruka, ish-Ministër i Arsimit dhe aktualisht President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, ky libër i Prof. Tarifës vjen në një kohë kur po përgatiten ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë të vitit 2015 dhe kur e tërë piramida e sistemit tonë arsimor gjendet para një nevoje urgjente për modernizim. Libri do u jetë shumë i dobishëm politikë bërësve në fushën e arsimit, drejtuesve të sistemit arsimor dhe të institucioneve arsimore dhe, sidomos, arsimtarëve në të gjitha nivelet e arsimit para universitar.
Time Over
Ky libër është një përmbledhje e 30 artikujve kritikë që vënë në fokus rrugën e vështirë të tranzicioni shqiptar dhe në shënjestër z. Sali Berisha në rolet e tij si president dhe kryeministër i vendit dhe aktualisht si kreu i partisë më të madhe opozitare.
Prof. Tarifa shtron një pyetje ontologjike mbi hyrjen e Sali Berishës në politike dhe karrierën e tij politike në krye të shtetit shqiptar, pyetje që e kanë në mendjen e tyre një pjesë e madhe e shqiptarëve. Tarifa pyet: “Nga mbiu Sali Berisha në politikën shqiptare?! Ai kurrë nuk kishte qenë një disident në periudhën e diktaturës së proletariatit, por ishte dhe mbeti deri në përmbysjen e sistemit të vjetër një komunist parimor, sektar, militant dhe karrierist, me fjalë të tjera, shëmbëlltyra më e shëmtuar e një komunisti bolshevik në karakter, në mentalitet dhe në sjellje. Berisha nuk e pa kurrë portën e burgut të diktaturës, as edhe atë të rajonit të policisë, dhe nuk provoi asgjë nga vuajtjet që përjetuan në Gulagun shqiptar mijëra kundërshtarë të regjimit politik në Shqipëri. Përkundrazi, Berisha hyri në dyert e bllokut famëkeq të udhëheqësve komunistë kryesorë dhe u bë një “mik” servil i fëmijëve të tyre. Nëse Berishës mund t’i njihet ndonjë meritë e veçantë në periudhën që i parapriu lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe fillimit të tranzicionit politik në Shqipëri, kjo meritë do të ishte nuhatja e tij prej peshkaqeni për të ndier së largu rrezikun që vjen, prénë që afrohet dhe, në rastin e tij, mundësinë që ofron një rrethanë e re dhe një mjedis i ri politik për të realizuar synimet e veta”.

Në analizat e tij, Prof. Tarifa argumenton se historia politike shqiptarëve qysh nga krijimi i shtetit tonë të pavarur më 1912, është dominuar nga tre individë—Ahmet Zogu (1924-1939), si kryeministër, si president dhe, më pas, si një mbret i vetëshpallur; Enver Hoxha (1944-1985), si kreu më i lartë i Partisë (komuniste) të Punës dhe de facto kreu i të gjithë pushteteve në sistemin e socializmit shtetëror, i ashtuquajtur “demokraci popullore”, ose “diktaturë e proletariatit”; dhe Sali Berisha (1991-2013), si president e më pas si kryeministër i vendit dhe, për periudhën më të gjatë të kohës, si kreu i opozitës në Shqipërinë post-socialiste. Ky i fundit, në gjykimin e autorit, simbolizon tiparet më të këqija karakteriale të mbretit Zog dhe të diktatorit komunist Enver Hoxha. Analizat e Prof. Tarifës në këtë libër janë mjaft të dobishme për studiuesit shqiptarë të politikës e të tranzicionit demokratik, jo vetëm si një kronologji e zhvillimeve politike në vend, por edhe si kontribut në teorinë mbi demokracinë.
Parathënia e këtij libri është shkruar nga Prof. Bamir Topi, ish-President i Republikës, i cili vlerëson autorin si një “ndër të rrallët intelektualë publikë dhe studiues që ka qenë—dhe ka mbetur—aktiv dhe vazhdimisht i pranishëm në jetën publike të vendit dhe në shtypin shqiptar me analiza dhe artikuj të mprehtë qysh nga ditët e para të vendosjes së pluralizmit politik”. Fatos Tarifa, shkruan z. Topi për autorin e librit, “vazhdon të ruajë motivimin intelektual dhe një koherencë të spikatur logjike, teorike e politike në analizat e tij mbi realitetin shqiptar, i mbështetur në njohuri të thella politike e sociologjike dhe në bindje personale të formuara nga një përvojë njerëzore e gjatë dhe e pasur, i pakushtëzuar nga ndryshimi i konjukturave apo nga tensionet sui generis të politikës shqiptare në këta 35 vite”.
