NGA BRUKSELI PER “DITA“ DR. JORGJI KOTE
Dy marrëveshjet e para me BE-në me Belgjikën dhe Luksemburgun mbi mbrojtjen sociale dhe njohjen e pensioneve i nënshkroi Ministri i atëhershëm i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion VELIAJ më 9 Dhjetor 2013 dhe 28 Tetor 2014
E para ishte Belgjika!
Kohët e fundit me të drejtë po flitet shumë mbi miratimin dhe ratifikimin e një marrëveshje tejet të rëndësishme me Italinë, ku krahas aspekteve të ndryshme të mbrojtjes sociale dhe sigurimit shëndetësor është dhe njohja e pensioneve të shtetasve tanë në Itali. Një dokument me rëndësi juridike dhe jetike kur mendon për gati gjysëm milionë bashkëatdhetarë si përfitues të mundshëm në Itali dhe për shtetasit italianë në vendin tonë, ndjeshmërinë dhe ndikimin e madh të këtyre aspekteve në jetën e njerëzve tanë dhe më të moshuarve, në veçanti.
Ja pse meritojnë fjalët dhe vlerësimet më të mira dikasteret shtetërore dhe qeveritare të përfshira në bisedimet për realizimin e kësaj marrëveshjeje madhore, sidomos Institutin e Sigurimeve Shoqërore, MEPJ-në dhe Ambasadën tonë në Romë, të cilat e kanë ndjekur nga afër të gjithë procesin, për angazhimin e tyre të gjatë disavjeçar në përballimin e kësaj sfide të vështirë dhe të shumëfishtë.
Ndërkohë është rasti të përmendim faktin e rëndësishëm se këto përpjekje me Italinë nuk erdhën vetvetiu, papritur dhe në boshllëk; përkundrazi, krahas marrëdhënieve dypalëshe të shtuara në të gjitha fushat dhe vullnetit politik të qeverive të Italisë dhe Shqipërisë asaj i paraprinë, e nxitën dhe ndihmuan në të gjitha aspektet dy Marrëveshjet e para të këtij lloji të nënshkruara në vitin 2013-2014 me Belgjikën dhe Luksemburgun dhe më vonë me Gjermaninë, Rumaninë, Republikën Çeke, Hungarinë dhe vende jashtë BE-së, si Turqia, Kanadaja, etj.
Ca më tepër se kishim të bënim me dy vende me emër të Benelux-it, tejet dashamirëse ndaj vendit tonë, me një prani të kahhershme dhe masive të emigrantëve politikë dhe ekonomikë nga të gjitha trevat shqiptare, brezi i parë i të cilëve u mirëprit në Bruksel qysh më 1956 dhe në vazhdim.
Gjithashtu, Belgjika dhe Luksemburgu ishin dhe mbeten ndër mbështëset e para të reformave tona demokratike, të integrimit Euro-Atlantik, liberalizimit të vizave dhe njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Ndaj, me të drejtë, drejtuesit tanë të shtetit, qeverisë dhe diplomacisë kanë shprehur zyrtarisht mirënjohjen dhe vlerësimet më pozitive për të dyja këto vende.
Duke qenë se jam angazhuar konkretisht me këtë dosje në ato vite si diplomat në Ambasadën tonë në Belgjikë/Luksemburg, do theksuar se ndonëse në pamje të parë tekstet e tyre duken të thjeshta, ato janë nga marrëveshjet më të vështira, me shumë probleme dhe specifika ekonomike, sociale dhe teknike, të cilat kërkojnë bisedime dhe angazhim të gjatë, me një ndërthurje të shumë komponentëve politikë, diplomatikë, ekonomikë, teknikë, financiarë dhe shëndetësorë. Ky fakt është mirë të njihet dhe nga ndonjë kritizer i sëmurë që pa pyetur e pa kërkuar informacione mbi procedurat përkatëse në të tilla raste i ka “në majë të gjuhës“ vërejtjet dhe qortimet e pabaza për demek vonesa dhe mungesa.
Le të nënvizojmë me këtë rast se sfida e mundimshme me këto lloj marrëveshjesh fillon qysh me pranimin për bisedime nga pala tjetër në parim dhe pastaj për t’i hyrë kësaj aventure diplomatike dhe sociale, për të vijuar me fazën e negociatave të ndërlikuara, të gjata dhe të vështira deri në përfundimin e dakordësuar të tekstit, nënshkrimin dhe ratifikimin parlamentar në të dy vendet. Këtu nuk bëhet fjalë për muaj por për vite.
Më konkretisht, për Marrëveshjen me Belgjikën/Luksemburgun, marrja e pëlqimit nga këto vende filloi qysh në vitet 2007-2008, derisa u ra dakord dhe në vitin 2010 filluan bisedimet ndërmjet delegacioneve të zgjeruara të të dy vendeve mbi tekstet përkatëse. Me një gamë të gjerë çështjesh, si lëvizja dhe sigurimi shëndetësor në të dy vendet, mjekimi dhe kujdesi shëndetësor, paaftësia e përkohshme në punë, rastet e sëmundjeve urgjente, rimbursimet, detyrimet financiare, njohja dhe llogaritja e pensioneve të pleqërisë në të dyja vendet. Tanimë nuk bëhej fjalë për parime dhe formulime standarde, por për procese konkrete me shumë “ kleçka”, ku çdo nen përfshinte shumë aspekte që kërkonin përgjigje ligjore, ekonomike dhe praktike, në pajtueshmëri të plotë me të drejtën në të dy vendet dhe atë të BE-së, kur atëhere ne nuk kishim as statusin kandidat si tani.
Ekipi ynë u përfaqësua denjësisht me drejtues të lartë dhe ekspertë të Ministrisë së atëhershme të Punës dhe Çështjeve Sociale, Institutit të Sigurimeve Shoqërore me drejtorin e saj të Përgjithshëm Astrit Hado dhe të tjerë. Pala belge kryesohej nga drejtori i Përgjithshëm i Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë Federale të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Hendrik Hermans dhe ekspertë të njohur.
Ky proces vazhdoi me ditë dhe javë të stërzgjatura bisedimesh, me ndryshime, sugjerime, redaktime dhe ndërprerje bisedimesh për konsultime me qendrat e të dy vendeve derisa u arrit dakordësia për tekstin dhe u bë siglimi i marrëveshjes nga kryetarët e të dy delegacioneve. Pastaj sërish iu la kohë ministrave përkatës për të dhënë miratimin e tyre zyrtar derisa marrëveshja të nënshkruhej prej tyre.
Ndërkohë, vijoi puna për miratimin e Rregullores përkatëse për zbatimin e Marrëveshjes bazë, si kusht i domosdoshëm për vlefshmërinë dhe zbatimin e marrveshjes bazë. Ndonëse teknike, ajo kishte rëndësinë e vet, mbasi aty përcaktoheshin të gjitha hollësitë teknike, organizative, formularët përkatës, agjencitë që do të ndiqnin realizimin e marrëveshjeve sapo ato të hynin në fuqi.
Më në fund, mbas 3 vite bisedimesh të gjata, marrëveshja u bë gati për nënshkrim por ky i fundit nuk rezultoi dhe aq i lehtë, siç ndodh jo rrallë kur vjen puna për nënshkrime; këto të fundit duken gjëra të thjeshta, por kush ka punuar në diplomaci e di se gjërat në këtë drejtim nuk ecin përherë me ritmin e menduar; ka vonesa dhe procese të papritura që kërkojnë kohë shtesë. Në rastin tonë, koha e nënshkrimit, gjysma e parë e vitit 2013 rastisi me fushatën e zgjedhjeve të reja parlamentare në Shqipëri. Kjo e bëri të pamundur ardhjen e një ministri në Bruksel për ta nënshkruar, për shkak të angazhimeve në fushatën zgjedhore.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve kjo u bë e mundur. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të asaj periudhe, Erion Veliaj me operativitetin e tij tipik u tregua i gatshëm të vinte në Bruksel për nënshkrimin e marrëveshjes në çdo datë të propozuar nga mikpritësit. Mirëpo, tani na “kishte ngecur ne si Ambasadë sharra në gozhdë” sepse nuk po arrinim të merrnim dot një datë nga pala belge, megjithë demarshet tona në shumë drejtime. Mikpritësja, Laurette Onkelinx, ishte tejet e ngarkuar, mbasi veç postit të zv.Kryeministres dhe Ministres, ajo ishte dhe drejtuesja e PS-së në Bruksel që ndodhej në prag të fushatës së zgjedhjeve europiane dhe federale belge. Kësisoj, nënshkrimi i marrëveshjes, një ceremoni e cila nuk kërkonte më shumë se 1 – 2 orë, rrezikohej të shtyhej për muaj të tërë.
Këtu na erdhi në ndihmë diplomacia kulturore me një veprimtari interesante, të cilën ia vlen ta tregoj shkurt më poshtë, më tepër për të treguar rëndësinë e saj.
Në kulmin e këtyre demarsheve, aty nga fundi i muajt Nëntor 2013, zoti Ahmet Gjanaj, ish deputet i Parlamentit të Brukselit, drejtues i njohur në rrethet socialiste, Kryetar i Shoqatës më të madhe kulturore në Belgjike « Vatra » dhe aktualisht zv.kryetar i Komunës së Molenbeekut organizoi një Mbrëmje festive në sallën e re të Shoqatës së lartpërmendur me praninë e qindra bashkëatdhetarëve, me këngë dhe valle popullore nga dhjetra artistë të rinj të « Vatra »; atmosfera muzikore elektrizuese i befasoi dhe mysafirët e nderit, ku fati e solli të ishte dhe vetë Zonja Onkelinx. Mbasi u prezantuam me të bashkë u futëm bashkë në një valle popullore me artistët e rinj të cilën ajo e entusiazmoi së tepërmi; kjo më nxiti të bisedonim shkurt me Zonjën Ministre për marrëdhëniet midis dy vendeve tona; pa e zgjatur i thamë troç hallin e madh që na kishte zënë. Pa e zgjatur, ajo thiri menjëherë këshilltarin e vet aty pranë, duke e porositur që të shihte axhendën saj dhe të na jepte datën dhe orën e nënshkrimit të Marrëveshjes jo më vonë se dy javët e ardhëshme, se pastaj vinin pushimet e fund vitit.
Të nesërmen, ai na dha datën 9 Dhjetor për nënshkrimin; ndërkohë, na duhej të kishim konfirmimin e zotit Veliaj. Diçka jo e lehtë, mbasi ai kishte vetëm 2 muaj si Ministër, vetëkuptohet me shumë angazhime, sidomos në atë dhjetor të parë të qeverisjes së majtë mbas 8 vitesh në opozitë. Problemi ishte që nëse ai nuk do të vinte në atë datë, atëhere nënshkrimi i shumëpritur do të shtyhej gjatë e deri një vit apo më shumë; sepse në maj 2014 në Belgjikë ishin zgjedhjet e reja parlamentare, ku fituesi, koalicioni i ri qeveritar i djathtë u krijua në dhjetor 2014. E përmenda këtë rast për të treguar rëndësinë dhe vështirësitë që ka fiksimi i një date. Për fat të mirë, zoti Veliaj na e lehtësoi këtë barrë; ai e mbajti premtimin, duke konfirmuar menjëherë ardhjen në Bruksel dhe gjithçka shkoi shumë mirë.
Por, prapë historia nuk mori fund këtu. Sepse në Belgjikë si shtet federal, ndryshe nga vendet e tjera, një marrëveshje e huaj duhet të kalojë për miratim, veç Parlamentit dhe Senatit federal dhe në 5 parlamentet e shteteve përbërëse dhe komuniteteve gjuhësore. Proces ky që mund të zgjatej me vite të tëra për shkak të ngarkesës së tyre; por, falë dashamirësisë dhe vullnetit të bashkëbiseduesve tanë dhe rrjetit të miqve të Ambasadës dhe në ato parlamente u kapërcyen me shpejtësi shumë hallka dhe instanca zyrtare.
Kështu, marrëveshja më në fund u ratifikua dhe më 1 janar 2016 ajo hyri në fuqi dhe është në veprim me shumë përfitime sidomos për bashkëatdhetarët tanë. Me Luksemburgun nuk pati “ vuajtje” të tilla dhe ajo hyri në fuqi më 1 Janar 2015.
Këtu nuk mund të la pa veçuar rolin e zotit Ilir Tepelena, ndër ambasadorët tanë më të mirë dhe me përvojë 30 vjeçare; ndër të paktët që i ka kaluar të gjitha shkallët e hierarkisë, nga diplomat i thjeshtë në Tiranë, drejtor, drejtor i pergjithshëm, shef kabineti, sekretar, këshilltar dhe Ambasador në Bruksel, në Rumani dhe prej gati një viti në Republikën Çeke. Iliri është diplomat pragmatist, drejton duke punuar pa bujë dhe zhurmë, krijon besim te homologët me urtësinë dhe modestinë, tejet e rëndësishme për përballimin dhe kapërcimin e situatave të vështira.
Padyshim, ndikim të madh pati pala belge dhe kryesuesi i saj, zoti Hendrik Hermans me dashamirësinë ndaj vendit tonë, aftësitë dhe autoritetin e treguar për përshpejtimin e procedurave dhe deri hyrjen e saj në fuqi.
Së fundi dhe më e rëndësishmja, siç e theksoi Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, zoti Erion Veliaj gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Luksemburg më 28 tetor 2014, “kur të kemi firmosur 6 – 7 marrvëveshje të tilla, atëhere do ta kemi më të lehtë t’i bëjmë ato dhe me vendet fqinje e sidomos Italinë dhe Greqinë, ku ka dhe komunitete shumë më të mëdha shqiptare“ siç dhe ka ndodhur. Ndaj hyrja në fuqi e këtyre dokumentave me vlera juridike me Luksemburgun dhe Belgjikën ishte me shumë efekt dhe për imazhin dhe synimet tona të mëtejshme.
Kjo mbasi siç u përmend qysh në fillim, nuk është dhe aq e lehtë të bindësh vende të ndryshme për traktate të tilla me shumë “siklete“, veç të tjerash me kosto dhe pasoja të konsiderueshme financiare; mirëpo, kur u tregon marrëveshjet e nënshkruara me Belgjikën dhe Luksemburgun, dy vende të shquara në botë për mbrojtjen sociale dhe trajtimin shëndetësor, ndërsa tani dhe me vende si Gjermania, Italia dhe Greqia, atëhere rrëzohet çdo argument dhe pengesë me një “PO“. Le ta theksojmë se në marrëdhëniet ndërkombëtare është me rëndësi vendimtare të kesh fakte, modele dhe shembuj pararendës; se kështu nuk flet vetëm nga dëshira, mendja dhe “xhepi yt“, sado të drejtë të kesh.
–
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016