Fragmentet e mëposhtëm janë pjesë e një kapitulli titulluar “‘The Sixties’ dhe Revolucioni Seksual” dhe janë shkëputur nga studimi i autorit me titull EROSI DHE DEMOKRACIA, që pritet të botohet së shpejti nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave. Botohen këtu për here të parë me lejen e autorit.
Nga Fatos TARIFA
Ngjarjet më të mëdha e më tronditëse në vitin 1968 ishin ato të muajit maj në Francë. Çfarë ndodhi në Paris dhe në mbarë Francën për afro shtatë javë me radhë më 1968 e çuan atë vend pothuajse në pragun e një revolucioni.
Shoqëria franceze në atë kohë, sidomos në sytë e rinisë së atij vendi, ishte një shoqëri autokratike, hierarkike dhe tradicionale. Ajo drejtohej nga një general i moshuar, Charles de Gaulle. De Gaulle kishte marrë pushtetin në vitin 1958 në rrugë jokushtetuese për shkak të rënies së Republikës së Katërt franceze, në kulmin e luftës me Algjerinë (1954-1962).
Në radhët e rinisë franceze në atë kohë besohej gjerësisht se, nën presidentin De Gaulle, vendi i tyre ishte shndërruar thuajse në një farë diktature politike beninje. Dy partitë politike opozitare në atë kohë, Radikalët dhe Socialistët, kishin dështuar, çka do të thoshte se shpresat për një ndryshim politik progresist përmes rrugës parlamentare ishin shuar. Sidoqoftë, Franca e viteve 1960 kishte qenë, përgjithësisht, një vend politikisht i qetë, pa trazira sociale, me një ekonomi të zhvilluar, me një papunësi dhe inflacion në shkallë të ulët dhe me një nivel jetese të lartë.
Jashtë Francës, por jo jashtë vëmendjes dhe interesave të saj, fundi i viteve 1950 dhe fillimi i viteve 1960 kishin qenë një periudhë zgjimi nacionalist dhe lëvizjesh antikolonialiste, sidomos në Afrikë dhe në Azi, që e kishin dobësuar pozitën e Francës si një fuqi e madhe kolonialiste.
Pasi kishte humbur Tunizinë më 1956 dhe Guinenë më 1968, në vitin 1960 Franca e presidentit De Gaulle humbi pothuajse të gjitha kolontë e saj në Afrikë (Burkina Fason, Afrikën Qendrore, Çadin, Beninin, Kongon, Gabonin, Bregun e Fildishtë, Malin, Madagaskarin, Mauritaninë, Nigerin, Senegalin dhe Togon), ndërsa më 1962 dhe më 1965 sundimit të saj kolonialist iu shkëputën Algjeria dhe Gambia.
Një brez i ri pa Marksin
Për brezin e ri të viteve 1960, jo vetëm në Francë, por thuajse kudo në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim, partitë komuniste dhe marksizmi ortodoks nuk ishin më atraktivë si më parë. Jean-Marie Benoist ende nuk kishte shpallur vdekjen e Marksit. Këtë do e bënte dy vite më vonë me botimin e librit të tij Marx est mort (1970), por idolet e rinisë franceze tashmë ishin bërë Che Guevara, Mao dhe Ho Chi Minh. Imazhet e shkatërrimeve prej bombave me napalm dhe të masakrave të popullsisë civile në Vietnam nga ushtarët amerikanë ishin kudo lajmet e faqeve të para në gazeta dhe në emisionet televizive të mbrëmjes.
Ky realitet binte ndesh me frymën e përgjithshme të asaj periudhe, një karakteristikë themelore e së cilës, në shkallë botërore, ishte bërë kultura e rinisë (youth culture). Franca e viteve 1960 ishte një vend me një popullsi të re në moshë, rrjedhojë e atij baby boom që nisi me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1968, të rinjtë nën moshën 20 vjeç përbënin 33.8 përqind të popullsisë së Francës, ndërkohë që, në vitin 1967, arsimi i detyrueshëm ishte shtrirë nga mosha 14 vjeç në 16 vjeç.
Një dukuri e tillë, ashtu si dhe në Angli, çoi në një masivizim të ndjeshëm të arsimit universitar. Më 1968, ndërsa popullsia e Francës ishte rritur nga 42 milionë, që ishte para Luftës së Dytë Botërore, në 50 milionë, numri i studentëve ishte më shumë se tetëfushuar, nga 60,000 në 500,000. Atmosfera revolucionare që ekzistonte kudo në Europën Perëndimore, lajmet dhe imazhet që vinin nga një Amerikë në erupsion dhe, sidomos, jehona e lëvizjes studentore në atë vend gjetën në Francë një terren mikpritës.
La nuit des barricades
Siç dihet, ngjarjet e famshme në Quartier latin të Parisit në maj të atij viti dhe që në pak ditë galvanizuan tërë Francën, nisën me një protestë të studentëve në Nanterre, jashtë Parisit, kundër rregullave të administratës së universitetit të tyre, që i ndalonin djemtë dhe vajzat të takoheshin në konviktet e njëri-tjetrit. Ajo protestë u bë shkëndija që shumë shpejt ndezi një valë protestash të fuqishme në mbarë Francën—në fakt, protesat më të mëdha në Europë qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.
Duke përshkruar ngjarjet dramatike të natës së 10-11 majit 1968—e njohur si “la nuit des barricades”—në St Germain des Pres, qendra letrare e kulturore e Parisit, ku mijëra studentë, të mbështetur edhe nga profesorët e tyre, u ndeshën forcërisht për shumë orë me radhë me trupat e policisë, Daniel Singer, në librin e tij Preludi i revolucionit: Franca në maj 1968, ka shkruar: “Atë natë, Saint-Germain nuk ishte Greenwich Village, as Chelsea; ishte një fushëbetejë…Në duar të guximshme (studentësh) guri i kalldrëmit shërbente si një granatë dore. Guri i kalldrëmit të Parisit—heroi i ri i majit, i vogël për t’u mbajtur në dorë, i rëndë për të goditur e lënduar, ishte municioni i studentëve që luftonin dhe një tullë për barrikadat e tyre. Ai ishte, gjithashtu, guri simbolik i përdorur kundër rendit ekzistues.
Do të ishte naive, sidoqoftë, të besonim se shkaku i vërtetë i ngjarjeve të majit 1968 në Paris u bë protesta e studentëve në Nanterre. Rinia franceze kishte kohë që ishte e zhgënjyer dhe e pakënaqur nga politikat e qeverisë së vet. Për disa autorë, protestat masive të majit të atij viti ishin një përpjekje e fundit e një lloji utopizmi socialist, që kishte frymëzuar me kohë punëtorë dhe intelektualë të rebeluar kundër pasojave të dhimbshme të industrializimit kapitalist.
Zhgënjimi dhe pakënaqësitë e akumuluara u reflektuan sapo situata u elektrizua. Ato u shprehën në veprime politike revolucionare, që më të shumtën e rasteve ishin anarkiste. Fryma e veprimeve të tilla u shpreh më së miri në qindra pamflete, postera, fjalime dhe grafite të vizatuara në muret e rrugëve dhe në urat e Parisit e në mbarë Francën.
Leximi i atyre teksteve na ndihmon sot të kuptojmë më mirë jo thjesht frymën emancipuese e libertine dhe përmbajtjen anarkiste të kërkesave të studentëve në atë kohë, por edhe rëndësinë e atyre ngjarjeve revolucionare (protesta masive, barrikada dhe përleshje në rrugë me forcat e rendit, greva në të gjithë vendin) që vunë në dyshim të gjitha vlerat dhe tronditën në themel të gjitha institucionet e shoqërisë franceze në fund të viteve 1960.
Révolution, je t’aime
Një pjesë e vogël e këtyre teksteve, siç përmenden më poshtë, ilustrojnë pikërisht këtë.
Të jesh i lirë më 1968 do të thotë të marësh pjesë.
Poezia është në rrugë.
Arti ka vdekur, le të çlirojmë jetën tonë të përditshme.
Politika bëhet në rrugë.
Skulptura më e bukur është një gurr rruge i hedhur mbi kryet e një polici.
Bindja fillon me ndërgjegjen; ndërgjegjja fillon me mosbindjen.
Shpresa jonë mund të vijë vetëm nga të pashpresët.
Ne s’do të pretendojmë asgjë, ne s’do të kërkojmë asgjë; ne do të marrim, ne do të pushtojmë.
Barrikada mbyll rrugën, por hap udhën.
Ky është vetëm një fillim…Lufta vazhdon.
Veprimi nuk duhet të jetë një reagim, por një krijim.
Mos jini dele!
Le t’i ndalojmë të gjitha duartrokitjet, spektakli është kudo.
Të bësh revolucion do të thotë gjithashtu të këpusësh vargonjtë e tu të brendshëm.
Brenda çdonjërit nga ne flë një polic; ta vrasim atë.
Kushdo është i lirë të jetë i lirë.
Mërzia është kundërrevolucionare.
Ne nuk duam një botë në të cilën siguria për të mos vdekur urie shkëmbehet me rrezikun e vdekjes nga mërzia.
Njerëzimi nuk do të jetë i lumtur derisa kapitalisti i fundit të jetë varur me zorrët e burokratit të fundit.
Të mos ndërrojmë punëdhënësit, të ndryshojmë mënyrën se si jetojmë.
Poshtë shteti!
Fund shoqërisë së ndarë në klasa!
Slogane dhe grafite të tjerë me një përmbajtje të theksuar politike e anarkiste në rrugët dhe në muret e ndërtesave të Parisit lexonin:
Vetëm e vërteta është revolucionare.
Revolucioni është kalimi aktiv nga ëndrra në realitet.
Një fundjavë e vetme jorevolucionare është pafundësisht më e përgjakshme sesa një muaj revolucion permanent.
Revolucioni është i pabesueshëm sepse është i vërtetë;
Nuk ka mendime revolucionare; ka vetëm veprime revolucionare.
Revolucion, të dua!
Zgjedhjet janë një kurth për idiotët.
Kur prindërit votojnë, fëmijët vuajnë.
Është e dhimbshme të durosh udhëheqësit, është edhe më idiotizëm t’i zgjedhësh ata.
Nuk ka autoritet suprem, as Zoti, as Kastro, as Mao.
Ëndrra është realitet.
Borgjez, ti s’ke kuptuar asgjë.
E ardhmja do të përmbajnë vetëm çfarë ne i japim asaj sot.
Duam liri, jo socializëm; socializmi pa liri është kazermë.
Liritë nuk jepen, ato fitohen.
Mos më çliro mua, këtë e bëj vetë.
Një njeri nuk është budalla ose inteligjent, ai ose është i lirë, ose nuk është.
Çlirimi i njerëzimit ose është i plotë, ose nuk është çlirim.
Në një shoqëri, e cila ka eliminuar çdo aventurë, e vetmja aventurë që mbetet është të eleminuarit e asaj shoqërie.
Borgjezia nuk ka kënaqësi tjetër veçse t’i degradojë të gjitha kënaqësitë.
Ne jemi të gjithë ‘të padëshiruar’.
Imagjinoni të bëhet një luftë dhe askush nuk shkon.
Poshtë shoqëria e konsumit!
Mallrat janë opium për popullin.
Natyra nuk ka krijuar as shërbëtorë, as padronë; unë nuk dua as të sundoj, as të jem i sunduar.
Punëtor: ti je 25 vjeç, ndërsa sindikata jote është e një shekulli tjetër.
Sindikatat janë bordello.
Është padroni ai që ka nevojë për ty, jo ti për padronin.
Punëtorë të të gjitha vendeve, argëtohuni!
Një aventurë frojdiste?
Demonstratat e mëdha të studentëve të Parisit dhe të afro 11 milionë studentëve e punëtorëve në të gjithë Francën (më shumë se 22% e popullsisë së atij vendi në atë kohë), që u solidariauzn me ta nuk kishin vetëm kërkesa politike, nuk u frymëzuan nga një program politik dhe as u udhëhoqën nga ndonjë organizatë politike. Ato, siç vumë në dukje më sipër, duhen kuptuar si një shprehje e pakënaqësive të akumuluara dhe duhen vënë në kontesktin historik të les années soixante në Francë dhe në mbarë shoqëritë perëndimore.
Në këtë vështrim, ngjarjet e majit 1968 në Paris nuk mund të shihen e kuptohen të shkëputura nga ajo frymë e theksuar emancipuese dhe nga kërkesat për më shumë liri e të drejta politike, shoqërore dhe erotike, që në fund të asaj dekade ishin bërë një frymë thuasje e përgjithshme në Perëndim. Kjo ka bërë që disa t’u japin ngjarjeve të majit 1968 në Francë një shpjegim psikologjik, duke i parë ato si një aventurë frojdiste, si një revoltë adoleshentësh contre maman et papa, ose edhe si një revoltë të rinjsh “les agitateurs-fils a papa” (djemsh-agjitatorë baballarësh [të pasur]).
Sloganet dhe e grafitet në urat dhe në muret e Parisit në atë kohë e shprehin më mirë e më qartësisht se sa mundem të analizoj unë përmbajtjen shoqërisht emancipuese—edhe pse anarkiste—dhe thellësisht erotike e hedoniste të rinisë studentore franceze. Disa prej tyre ishin:
Lumturia është një ide e re.
Lumturia është këtu dhe tani.
Lumturinë nuk mund ta blesh; vidhe atë!
Unë i konsideroj realitet dëshirat e mia sepse besoj në realitetin e dëshirave të mia.
Unë shpall gjendjen e lumturisë së përhershme.
Ji realist, kërko të pamundurën!
Pushtetin imagjiantës!
Harro gjithçka që të kanë mësuar; fillo të ëndërrosh!
Lexo më pak, jeto më shumë!
Jeto të sotmen!
Profesorë, ju jeni po aq të vjetër sa kultura juaj, modernizmi juaj është vetëm modernizimi i policisë.
Profesorë, ju po na plakni.
Ne do të kemi një mësues të mirë sapo çdokush të bëhet mësuesi i vetes së tij.
Të luftojmë kundër fiksimeve emocionale që paralizojnë potencialet tona.
Poshtë realizmit socialist; rroftë surealizmi!
Epoka e artë ka qenë ajo, në të cilën nuk sundonte ari.
Alkooli vret; merr LSD!
Kultura është e kundërta e jetës.
Në djall të venë kufijtë!
Jeta është tjetërkund.
Asgjë s’duhet lejuar të ndalohet.
Liria e të tjerëve e shtrin lirinë time në pafundësi.
Bukuria është në rrugë!
Një ndër sloganet e famshëm të studentëve parisienë në protestat e tyre të majit 1968 ishte ky:
Plus je fais l’amour, plus j’ai envie de faire la révolution; Plus je fais la révolution, plus j’ai envie de faire l’amour (Sa më shumë bëj dashuri, aq më shumë dua të bëj revolucion. Sa më shumë bëj revolucion, aq më shumë dua të bëj dashuri).
Ky sentiment, ikonë e të cilit në atë kohë u bë një fotografi tepër evokative e një çifti të ri që puthej në barrikadat e protestave të Majit 1968, përcillej përmes grafiteve që mbushnin muret e universitetetve dhe të ndërtesave në të katër anët e Parisit:
Bukuria është në rrugë.
Vajzat revolucionare janë më të bukura.
Provoje dëshirën, thuaje atë dhe jetoje atë!
Shpik perversitete të reja seksuale; unë s’mundem më!
Shokë, njerëzit po bëjnë dashuri në klasat e shkencave politike, jo vetëm në parqe.
Orgazmë totale!
Zoti jam unë!
Jean-Paul Sartre kishte sjellë ndërkohë një frymë të re me filozofinë e tij ekzistencialiste, që u bë filozofia e modës në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Ai kishte argumentuar se humaniteti nuk ka qenie, por vetëm ekzistencë dhe se Zoti nuk ekziston. Sipas tij, nuk ka standarde absolutë dhe çdokush duhet të krijojë personalitetin dhe të vërtetën e vet, me fjalë të tjera, duhet të krijojë qenien prej ekzistencës së vet. Ideja e tij se, “për shkak se Zoti nuk ekziston, njeriu është i braktisur, pasi ai nuk ka asgjë pas së cilës të kapet, as brenda vetes, as jashtë saj”, pati një efekt të madh në radhët e studentëve parisienë në atë kohë. Në muret e ndërtesave të Universitetit të Sorbonës dhe në rrugët e Parisit lexoje grafite që shkruanin:
As padron, as Zot; Zoti jam unë.
Nëse Zoti do të ekzistonte, do të duhej ta zbrisnim atë nga froni.
Si mund të mendosh lirisht në hijen e një kishe?
Ne duam një vend ku të urinojmë, jo një vend ku të falemi.
Idenë e mësipërme sartriste Bob Dylan e kishte shprehur më qartë për krejt brezin e ri të viteve 1960 përmes këngës së tij mjaft të njohur në atë kohë “Like a Rolling Stone” (1965): “How does it feel / How does it feel / To be on your own / With no direction home / A complete unknown / Like a rolling stone?”.
Sartre vs Aron
Në periudhën që i parapriu 1968-s dhe në ngjarjet e majit të atij viti, Sartre ishte, ndoshta, intelektuali francez me ndikimin më të madh në radhët e rinisë studentore të Parisit dhe në krejt Francën. Me tiparet e një intelektuali “përjetësisht të zemëruar”, si dhe me përkushtimin dhe angazhimin e tij intelektual e politik në radhët e së Majtës, Sartre u bë një magnet jo vetëm për rininë e rebeluar të asaj kohe, por edhe për gjenerata të tëra studentësh e intelektualësh më vonë.
Në dallim prej tij, një tjetër filozof francez, i së njëjtës moshë me të dhe po aq i shquar sa ai, Raymond Aron, ishte një filozof i së Djathtës dhe, me “qetësinë e një humanisti pesimist”, preferonte t’i vëzhgonte ngjarjet për së largu. Në atë kohë, në rrethet e intelektualëve të majtë francezë ishte gjerësisht i përhapur besimi se, është “më mirë të jesh gabim me Sartrin, sesa të kesh të drejtë me Aronin” (Plutôt avoir tort avec Sartre que raison avec Aron).
Aron mbajti një qëndrim krejt të ndryshëm ndaj ngjarjeve të majit 1968. Ai ishte kritik ndaj protestave të studentëve, por ishte kritik edhe ndaj qeverisë së centralizuar goliste që, sipas tij, nuk kishte mundur t’i përmbushte aspiratat e të gjithë francezëve. Sipas tij, studentët protestues besonin se rënia e hierarkisë së Universitetit paralajmëronte “rrëzimin e të gjitha hierarkive”, pasi në universitet, ku studentët dhe pedagogët janë të ndarë nga njëri-tjetri, si nga mosha, dhe nga njohuritë, natyra e hierarkisë është sa racionale, aq edhe e pashmangshme.
Aron mendontese të rinjtë francezë kishin gjetur një “kuptim për jetën në metodën guerrilase, në pasionin e turmave të botës së tretë, në dhunën dhe në një utopi anarkiste—jo në ndonjë ‘ide të caktuar për Francën’, si gjyshërit e tyre”. Entuziazmin dhe euforinë me të cilën qindra mijë studentë dhe miliona punëtorë francezë u ngritën në protestat e fuqishme të majit 1968 Aron i shpjegonte duke i vënë ato në një kontekst historik. Sipas tij: “Qysh nga viti 1789, francezët gjithmonë e kanë zmadhuar rëndësinë e revolucioneve të tyre. Këto momente festimesh të mëdha, gjatë të cilave ata përjetojnë çdo gjë që u është privuar në kohë normale, i bëjnë ata të ndihen sikur po përmbushin shpresat dhe ambiciet e tyre, edhe nëse e dinë se kjo s’është veçse një ëndërr në mes të ditës. Revolucione të tillë duken domosdoshmërisht shkatërrues dhe shoqërohen me projekte shumë ekstravagantë dhe nga një mohim utopik i realitetit”.
Aron besonte në atë kohë se “Franca është një vend që i trembet modernitetit” dhe se “fryma revolucionare” e saj, “ende verbale [në atë kohë], por potencialisht ndoshta efektive”, ishte bërë “ana shpirtërore e nderit të saj”.
Një krizë e qytetërimit?
Ata që i kanë përjetuar ngjarjet e majit 1968 si një përvojë e drejtpërdrejtë jetësore dhe studiues të ndryshëm që janë marrë me to nuk kanë pasur e nuk kanë një kuptim të njëjtë mbi shkaqet dhe përmbajtjen e tyre.
Përgjithësisht, mendohet se protestat e mëdha të miliona studentëve e punëtorëve francezë ishin një revoltë popullore “kundër teknokracisë”, se ato ishin shprehje e “krizës ideologjike të shtresave të mesme”, që frymëzohej nga një “imazh më libertarian mbi socializmin”, që shkonte përtej “horizontit të ngushtë të së majtës së vjetër” dhe synonte t’i sfidonte “marrëdhëniet e autoritetit” dhe vetë “kapitalizmin në mënyra të reja”.
Të tjerë janë shprehur se shkaku i atyre protestave dhe pjesëmarrja e gjerë e të rinjve në to mund të shpjegohen me “hormonet e adoleshentëve”, me “vdekjen e komunizmit” dhe me “fundin e kapitalizmit”, ose, siç shprehej shkrimtari i njohur André Malraux, në atë kohë ministër i kulturës i Francës, me “vdekjen e Zotit” dhe me “nihilizmin” e rinisë. Çfarë ndodhi në Francë më 1968 Malraux e ka konsideruar, madje, si një “krizë të vërtetë të qytetërimit”.
Duke u përpjekur të shpjegonin rrethanat dhe shkaqet e ngjarjeve të majit 1968 në Paris dhe në tërë Francën, Philippe Bénéton dhe Jean Touchard përmendin një sërë interpretimesh që u janë bërë atyre ngjarjeve në kohën kur ndodhën. Për disa, rebelimi i studentëve dhe i punëtorëve francezë në majin e atij viti mund të ketë qenë një “vepër subversive”; për të tjerë, shkaku i atij rebelimi ishte “kriza e arsimit universitar”.
Disa mendonin se ajo ishte një “revoltë rinore, e nxitur nga gjaku i nxehtë i moshave të reja”; të tjerë e shihnin atë si një “revoltë shpirtërore”, madhe si një “krizë të vetë qytetërimit perëndimor”. Kishte edhe nga ata që ngjarjet e majit 1968 i cilësonin si një “konflikt klasor” apo si një “krizë politike”, si një “lloj i ri lëvizjesh sociale”, ose si një “kombinim rastësor rrethanash” që çuan në galvanizimin e pakënaqësive dhe të protestës në shkallë të gjërë.
Les évènements e atij viti në Francë, që u përshkallëzuan deri me pushtimin e Universitetit të Sorbonës nga studentët, me pushtimin e fabrikave nga punëtorët, me paralizimin e transportit publik dhe të krejt jetës ekonomike të atij vendi dhe me përplasje të dhunshme me forcat e rendit. Këto zhvillime, që shumë grupe të majta—marksistë, socialistë revizionistë, trockistë, maoistë, anarkistë dhe surrealistë, shumë prej tyre sa antikapitalistë, aq edhe antikomunistë—gjithnjë i kishin ëndërruar, ishin një episod tipik i viteve 1960 dhe, në atë shkallë, nuk janë përsëritur më qysh nga ajo kohë.
Ngjarjet e majit 1968 mund të kenë qenë, siç shprehet Robert Gildea, historian në Universitetin e Oksfordit “e kundërta karnavaleske e të gjitha rregullave dhe normave të shoqërisë”, por kjo nuk e zbeh rëndësinë e atyre ngjarjeve; përkundrazi, i vendos ato më mirë në kontekstin e ndryshimeve të thella politike e kulturore që po ndodhnin në mbarë botën në atë periudhë.
Fundi i “karnavaleve”
Pas tri deri katër javësh, protestat u shuan. “Të lodhur nga mungesa e rregullit, nga radhët e gjata në stacionet e benzinës dhe nga mbeturinat e pambledhura rrugëve”, punëtorët u kthyen në punë, duke i lënë studentët aktivistë gjithnjë e më të izoluar. Pas kësaj, shumë studentë u kthyen në auditorë, metroja e Parisit, trenat dhe i tërë transporti publik rinisën të funksionojnë. Rebelimi i studentëve u shtyp, por kur u kthyen në klasat e tyre, ata ishin tashmë të lirë t’u bënin pyetje profesorëve të tyre dhe të debatonin me ta mbi ide të ndryshme, çka mundësoi “një revolucion në sistemin arsimor francez”. Nga ana tjetër, bosët e fabrikave e të uzinave mësuan t’i trajtojnë më mirë punëtorët e tyre dhe t’ua vënë veshin kërkesave të tyre.
Presidenti Charles De Gaulle, i cili ishte larguar nga Franca, duke provokuar thirrjet e protestuesve “Adieu, de Gaulle!”, u kthye sërish dhe, më 30 maj, përmes një fjalimi dramatik në radio, u përpoq t’i intimidonte francezët me fantazmën e komunizmit, edhe pse në Francë, Partia Komuniste me kohë kishte hequr dorë nga ideja e marrjes së pushtetit në rrugë revolucionare. Ai shpalli zgjedhje të reja dhe, në qershor, i fitoi ato, kryesisht sepse “e Majta e organizuar kishte dështuar të ofronte diçka të re”. Triumfues në ato zgjedhje, Charles de Gaulle deklaroi se “karnavalet kishin mbaruar”. Pa kaluar shumë kohë, ai “révolution introuvable”, siç Raymond Aron e quajti në titullin e librit të tij mbi ngjarjet e majit 1968 (dhe që në shqip mund të përkthehej “revolucioni që s’gjendet gjëkundi), u shndërrua në një kujtim të një së kaluare të largët.
Një moment pezull në kohë?
Gjysmë shekulli pas protestave të mëdha të studentëve dhe të punëtorëve francezë më 1968, gazetarja e njohur Agnès Poirier e ka cilësuar majin e atij viti si “një çast kohe, një moment poetik i mbetur pezull, një klithmë ëndrrash të ëndërruara me zë të lartë, një ndryshim nga një vend më i vjetër në një më të ri”.
Çfarë maji i 68-s la pas, shkruan ajo, mund të duket si “një zhgënjim i hidhur” pasi, pavarësisht gjithçkaje që u tha dhe u besua mbi krijimin e një shoqërie të re, ai rezultoi të ishte “më shumë një boshllëk jubilant, pa asnjë projekt real”.
Më keq akoma, vijon ajo, “Kulti i individit që ato ngjarje krijuan mund ta ketë përshpejtuar histerinë konsumeriste që po vinte. Shkatërrimi i vlerave të rendit të vjetër shoqëror, pa i zëvendësuar ato me vlera të reja, i la brezat e ardhshëm krejtësisht konfuzë. Nëse vërtet ‘asgjë s’duhet lejuar të ndalohet’, siç thoshte një slogan i famshëm i majit ‘68, ku i lë kjo qytetarët e sotëm? Për shumë kritikë, maji i 1968-s krijoi një lloj fëmijërie sociale, lodra e preferuar e së cilës është rebelimi, ose l’esprit de rébellion”.
“Vetëm duke i vështruar dhe shqyrtuar me kujdes, nga distanca e pesëdhjetë viteve, ngjarjet e majin 1968 dhe duke pranuar dështimet epike të atyre ngjarjeve”, argumenton Poirier, mund të ndodhë që fëmijët e majit ’68 të shkojnë përpara “në beteja ndoshta më pak poetike, por më kuptimplotë”.
…dhe çlirimi erotik?
Një pyetje e rëndësishme, që bëhet shpesh sidomos nga pozitat feministe, është ajo se sa emancipuese kanë qenë vërtet ngjarjet e majit 1968 për vajzat dhe gratë franceze. Përgjithësisht mendohet se këresat për liri seksuale, siç e kuptonin atë les soixante-huitards, të rinjtë aktivistë dhe protestues që morën pjesë në ngjarjet e asaj kohe, çuan në legalizimin e kontraceptivëve dhe të abortit, si dhe në një legjislacion që u jepte më shumë të drejta grave në vendin e punës e në familje, të tilla si, i njëjti autoritet dhe të njëjtat përgjegjësi ndaj fëmijëve si për burrin dhe për gruan, e drejta që gratë të çelnin një llogari bankare pa pëlqimin e burrave etj. Sidoqoftë, liria seksuale dhe një ideologji më libertine ishin të pranueshme kryesisht për meshkujt heteroseksualë e jo për gratë, ndërkohë që homoseksualiteti, edhe pse ishte dekriminalizuar qysh në vitin 1791, në kohën e revolucionit francez, vazhdonte ende të stigmatizohej.
Trashëgimia e majit 1968
Është folur shumë dhe ende vazhdon të flitet e të shkruhet mbi trashëgiminë e ngjarjeve të majit 1968 në Francë. Mbi këtë çështje, ashtu si dhe mbi rëndësinë e viteve 1960 në Amerikë, opinionet ndahen—nga glorifikimi i tyre, në mohimin e rëndësisë që kishin dhe të trashëgimisë që lanë ato ngjarje në jetën politike e kulturore të Francës.
Jean-Luc Nancy ofron një shpjegim filozofik, që nënkupton diçka të ndërmjetme. Sipas tij, “arsyeja pse 1968-a ndoshta nuk la një trashëgimi është se 1968-a kurrë nuk mbaroi”. Trashëgimia, sipas tij, nënkupton atë çfarë mbetet pasi dikush, ose diçka vdes, ndërsa ajo çfarë ndodhi në Francë më 1968 nuk pati një fund. Asgjë “nuk vdiq, sepse asgjë nuk ndaloi (me përjashtim, ndoshta, të ‘ngjarjeve’, siç u quajtën ato në atë kohë)”.
“Më 1968 gjithçka vetëm filloi…[ai vit dëshmoi] shenjat e para, ose simptomat e hershme të një ndryshimi në qytetërimin tonë…[që ishte] më shumë sesa një ndryshim i ‘shoqërisë’, i ‘kulturës’ apo i ‘mendimit’”. Nancy pohon më tej se ngjarjet e majit 1968 ndryshuan rendin e gjërave dhe bënë të kuptohet se “‘narrativa e madhe’ (siç do të thoshte më vonë Lyotard) e humanizmit progresiv, demokratik e racional nuk kishte më një perspektivë të qartë”.
Ato ngjarje, vijon ai, kishte “meritën, ose intuitën për të kuptuar se trazirat e kobshme të dy luftërave botërore dhe të “totalitarizmave” nuk kishin qenë rastësi apo kriza fatkeqe”, por i kishin shkaqet në vetë qytetërimin e kohës.
Përfundimi në të cilin vjen ky filozof është se, ajo çfarë ndodhi në Francë më 1968 ishte më shumë diçka “‘metafizike’ ose ‘shpirtërore’, sesa sociale, politike, apo kulturore”. Natyrisht, thotë ai, ngjarjet e 68-s ishin edhe sociale, edhe politike e kulturore por, në instancë të fundit, kryesorja ishte se ato ngjarje vunë në dyshim të kuptuarit nga ne të vlerave të qytetërimit perëndimor.
Me ato ngjarje, thotë Nancy, “të gjithë elementët e krizës dhe të reformës që përmbanin ato, të gjitha pritjet revolucionare apo subversive, vetëm çuan në një kazan, ku gjithçka, në momentin e fundit, u shkri në një flakë krejt tjetër. Pa këtë nuk është e mundur të kuptohen shpërthimet e jashtëzakonshme festive dhe plethora e zbulimeve. Përmes tyre, përveç krizës dhe kritikës, 68-a sinjalizoi diçka tjetër—diçka tjetër, së cilës jemi përpjekur t’i gjejmë një emër, duke konfirmuar se ajo është, në të vërtetë, një ngjarje pa emër”.
Sido që të mund t’i quajmë, nuk ka dyshim se ngjarjet e majit 1968 shënuan një moment shumë të rëndësishëm në historinë moderne të Francës. Ato vunë në provë dhe tronditën si asnjëherë më parë ndërgjegjjen dhe vlerat themelore të shoqërisë franceze. Nga perspektiva e pesëdhjetë viteve më vonë, Alissa Rubin e gazetës The New York Times, fituese e Çmimit Pulitzer, do të shkruante se ato ngjarje vërtet “nuk ishin një revolucion politik, siç kishin qenë revolucionet e mëparshëm francezë, por ishin një revolucion kulturor e social, që në një periudhë kohe çuditërisht të shkurtër ndryshuar shoqërinë franceze…dhe e shtynë Francën në botën moderne”.
Ngjarjet e majit 1968 dëshmuan, veç të tjerash, edhe një të vërtetë sociologjike, atë se kapitalizmi bashkëkohor ishte në gjendje—dhe sot, pas më shumë se gjysmë shekulli nga ato ngjarje, është edhe më shumë në gjendje—që jo vetëm të absorbojë çdo ide kritike, ose çdo lëvizje, por edhe t’i kthejë ato në avantazhin e vet.