Gjykata Penale ka vendosur lirimin e tre protestuesve të ndaluar gjatë protestave studentore kundër qeverisë Rama. Për dy prej protestuesve, Rezart Vozga dhe Jurgen Rizai, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, pasi ka vlerësuar se arrestimi i tyre ishte i ligjshëm.
Ndërsa, për një tjetër protestues, gjykata ka konstatuar se arrestimi ishte i paligjshëm, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm pa masë sigurie. Vendimet vijnë në një kohë kur protestat studentore vijojnë prej 14 ditësh, të shoqëruara me tensione, përplasje me policinë dhe ndalime të pjesëmarrësve.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.
j.l./ dita
