Nga Fatos Tarifa
Këtë ese ia dedikoj profesorit tim të filozofisë dhe estetikës Alfred Uçi
Çdo shoqëri i ka trajtuar dhe organizuar shoqërisht dashurinë, seksualitetin dhe intimitetin sipas kodeve morale dhe pritshmëritë kulturore të saj. Ajo çfarë është konsideruar si një formë apo shprehje normale dhe e pranueshme e dëshirës, si një rol dhe sjellje e përshtatshme për burrat dhe gratë dhe si një marrëdhënie legjitime mes tyre nuk ka qenë kurrë e njëjtë në çdo vend e në çdo kohë dhe as ka mbetur e pandryshuar. Përkundrazi, pikëpamjet dhe qëndrimet mbi rolet gjinore, mbi intimitetin, seksualitetin dhe dashurinë kanë ndryshuar nga koha në kohë, në varësi të kushteve e faktorëve të tillë shoqërorë, si tipi i marrëdhënieve ekonomike, tradita, feja, struktura dhe organizimi i familjes, autoriteti politik, vlerat dhe normat morale e kulturore sunduese të shoqërisë etj. Po kështu, gjuha përmes së cilës njerëzit kanë shprehur e shprehin pasionet e tyre, dëshirat e lejuara dhe ato të shtypura e të fshehura, kufijtë e sjelljes dhe kuptimet simbolike që i atribuohen intimitetit janë rezultat i një zhvillimi të gjatë historik.
Ndryshimet e para të rëndësishme në fushën e erotizmit dhe të organizimit shoqëror të seksualitetit u shfaqën me shenjat e para të shembjes së feudalizmit, duke shënuar një shkëputje të thellë nga Mesjeta dhe morali i saj. Ky proces u ndikua sidomos nga fryma humaniste e asaj lëvizjeje të gjerë e të fuqishme letrare, artistike, kulturore, filozofike, morale e shkencore që filloi në shekullin e katërmbëdhjetë dhe u zhvillua përgjatë dy shekujve më pas dhe që njihet me emrin Rilindje Europiane. Rilindja shënoi një ndryshim të thellë në qëndrimet ndaj erosit, duke sjellë një kuptim të ri mbi intimitetin, lirinë individuale dhe seksualitetin, të cilat u vendosën në qendër të imagjinatës kulturore, të krijimtarisë artistike dhe të reflektimit filozofik.
Zhvillimet historike që lidhen me këtë epokë shënojnë një dukuri europiane, e cila, në forma e në përmasa të ndryshme, u shfaq pothuajse te të gjithë popujt e kontinentit. Edhe pse fillimisht Rilindja nisi në Firence dhe në disa qytete-shtete të tjera të Italisë së Veriut, ajo shumë shpejt u përhap në Francë, në Hollandë, në Angli, në Spanjë e në pjesë të tjera të Europës. Përmbajtja dhe rëndësia historike e Rilindjes kanë qenë të tilla, sa ajo lëvizje u bë një mbështetje dhe një faktor i fuqishëm nxitës për tërë qytetërimin europian e atë botëror dhe, në një kuptim real të fjalës, pararendëse e modernitetit. Për të kuptuar ndryshimet e rëndësishme që solli Rilindja në fushën e intimitetit, erosit dhe organizimit shoqëror të seksualitetit, është e domosdoshme të shqyrtojmë në vija të përgjithshme kushtet e reja ekonomike e shoqërore që i bënë të mundura ato.
Analizën e këtyre kushteve unë e bëj në një studim tjetër, më të potë mbi këtë subjekt. Këtu, mjaftohem të them se ndryshimet e thella ekonomike që nisën ë në atë periudhë nuk mund të mos kishin një ndikim të madh në superstrukturën e shoqërisë—në institucionet e saj, në kulturën, idetë, mënyrën e jetesës dhe sjelljen e njerëzve, si dhe në marrëdhëniet gjinore brenda dhe jashtë familjes. Lufta e klasës së re tregtare dhe e borgjezisë që po lindte kundër rendit feudal u përgatit më parë në fushën e ideve.
Botëkuptimi dhe kultura teologjike i ishin përshtatur shoqërisë feudale, kushteve dhe mënyrës së saj të prodhimit e të këmbimit, ndërsa kushtet e reja ekonomike dhe pozita e borgjezisë, e cila kërkonte transformimin e të gjitha marrëdhënieve dhe institucioneve të vjetra shoqërore, bënin të domosdoshëm krijimin e një botëkuptimi të ri dhe të një kulture të re, në thelb antiteologjike dhe antifeudale. Në këtë kuadër, lufta e borgjezisë së atëhershme kundër feudalizmit dhe absolutizmit mesjetar do të drejtohej, në radhë të parë, kundër fesë dhe institucioneve të saj. Që të mund të sulmoheshin marrëdhëniet shoqërore ekzistuese, duhej t’u hiqej atyre aureola e shenjtërisë.
Zgjimi kulturor i Erosit
Duke filluar nga fundi i shekullit të 13-të dhe shekulli i 14-të, në Europë, kryesisht në radhët e elitës së arsimuar, lindi e po zhvillohej një kulturë e re me tipare tepër origjinale, e cila, e ushqyer me dijet klasike të grekëve e romakëve dhe e interesuar për ringjalljen e arteve dhe të kulturës së lashtë, i dha një goditje të rëndë botëkuptimit teologjik të Mesjetës. Kjo ishte periudha kur lindën dhe filluan të marrin formë idetë e para mbi dashurinë romantike.
Mendimtarët, shkrimtarët dhe artistët humanistë besonin se studimi i filozofisë, i letërsisë dhe artit klasik mund të ndihmonte rritjen e potencialeve të njeriut dhe ta bënte më të bukur e t’i jepte më shumë kuptim jetës së tij, duke ofruar modele urtësie, elokuence dhe virtytesh morale. Humanizmi nuk ngjalli një interes thjesht antikuar, por vuri në qendër të vëmendjes dinjitetin, racionalitetin dhe aftësitë krijuese të njeriut.
Rilindja nuk i rrëzoi autoritetin moral të Krishtërimit dhe as strukturat institucionale që kishin organizuar seksualitetin deri në atë kohë. Martesa mbeti kuadri kryesor brenda të cilit marrëdhëniet seksuale konsideroheshin të ligjshme, ndërsa normat patriarkale vazhduan të sundonin jetën familjare. Megjithatë, fryma kulturore e asaj epoke mundësoi një eksplorim dhe përjetim më të hapur e më të thellë të emocioneve njerëzore, të përvojës trupore dhe të lirisë personale sesa në mesjetë. Kjo hapje nuk nënkuptonte një refuzim të plotë të traditës, por një riorientim të vlerave morale e shoqërore, ku jeta e brendshme e individit mori një rëndësi të re.
Bashkëjetesa e traditës me ndryshimin si dhe tensioni mes normave të trashëguara dhe lirive të reja është thelbësore për të kuptuar rizgjimin e erosit dhe të interesimit për të gjatë periudhës së Rilindjes. Edhe pse autoriteti i fesë dhe institucionet e kohës mbetën të paprekura, rizbulimi i idealeve klasike dhe humanizmi stimuluan një vlerësim të ri të pasionit, intimitetit dhe trupit njerëzor duke i dhënë kulturës humaniste të Rilindjes një tipar të veçantë emancipues.
Edhe pse Rilindja nuk i hoqi kufizimet morale të shoqërisë mesjetare—dhe as nuk prodhoi ato marrëdhënie të individualizuara dhe atë liri që karakterizojnë jetën moderne—ajo ndryshoi thellësisht imagjinatën kulturore të europianëve mbi erosin. Rilindja ndihmoi që erosi të shndërrohej nga një subjekt tabu, në një subjekt hulumtimi dhe reflektimi filozofik, artistik dhe letrar.
Me Rilindjen dhe artin e saj dolën në pah bukuria dhe sensualiteti i trupit të njeriut dhe seksualiteti human, të cilët u bënë subjekte të letërsisë dhe artit. Në letërsi, në filozofi dhe në art, erosi u rizbulua me një kureshtje të paprecedent. Poetët, shkrimtarët dhe dramaturgët eksploruan dëshirën në të gjitha format e saj; piktorët dhe skulptorët u dhanë jetë me veprat e tyre bukurisë së formave trupore të njeriut; ndërsa filozofët reflektuan mbi natyrën e marrëdhënieve njerëzore, pasionet e shpirtit dhe kënaqësitë intime të tij. Dashuria u paraqit gjithnjë e më shumë jo thjesht si një ndjenjë individuale, por edhe si një forcë që motivon imagjinatën dhe krijimtarinë e njeriut.
Ky rizgjim i erosit përfaqësonte, në fakt, një revolucion kulturor në historinë e seksualitetit dhe të kulturës europiane. Ai solli një transformim i thellë në mënyrën se si shoqëria nisi ta kuptojë intimitetin, dëshirën dhe subjektivitetin njerëzor. Duke i vënë dashurinë dhe dëshirën në qendër të përvojës njerëzore, Rilindja shënoi nisjen e një procesi të gjatë historik, përmes të cilit shoqëritë perëndimore nisën të adoptojnë koncepte moderne të individualitetit, lirisë personale dhe dashurisë romantike.
Pararendësit e kësaj kulture dhe letërsie të re ishin tre italianë të mëdhenj—Dante Aligeri, Francesko Petrarka dhe Xhovani Bokaçio—poetë dhe shkrimtarë humanistë, kryeveprat e të cilëve, shumica të shkruara në italisht—jo më në latinisht—shënuan lindjen e së parës letërsi moderne dhe mbeten edhe sot modele të përkryera në fushën e letrave. Të tre këta shkrimtarë të mëdhenj ishin nga Firence, e cila, në atë kohë, përfaqësonte kryeqytetin kulturor të Rilindjes dhe qendrën kryesore të Humanizmit europian. Koha kur jetuan ata ishte vigjilja e një epoke që do të sillte ndryshime të jashtëzakonshme në kushtet e jetës njerëzore.
Letërsia dhe gjuha e re e dëshirës
Ndoshta askund tjetër transformimi kulturor i erosit gjatë Rilindjes nuk u shpreh më gjallërisht sesa në letërsi. Nëse arti i Rilindjes rizbuloi bukurinë e trupit, letërsia rizbuloi kompleksitetin e dëshirës njerëzore, duke e shndërruar dashurinë nga një alegori morale, në një përvojë njerëzore shumëdimensionale, ku ndërthureshin në mënyrë dinamike pasioni, inteligjenca dhe ndërveprimi shoqëror.
Deri atëherë, në letërsinë europiane dashuria trajtohej si një eksperiencë përtej jetës së zakonshme. Edhe pse kishte poetë që dëshirën seksuale e shihnin si pjesë jetike të dashurisë, shumë të tjerë e trajtonin atë si një emocion të kulluar vetëmohues dhe, të tjerë akoma, konsideronin si formën më të lartë e më fisnike të dashurisë “platonike”. Gradualisht, dashuria filloi të shihej jo më si një ideal shpirtëror i largët, por si një realitet i gjallë, i brishtë dhe shpesh ironik.
Një ndër veprat e para e më të rëndësishme, në të cilën u mishërua ky vizion i ri, ishte Dekameroni i Xhovani Bokaçios. Shkruar në mesin e shekullit të 14-të, menjëherë pas Murtajës së Zezë, kjo përmbledhje e vë erosin në qendër të saj. Vepra përfshin njëqind tregime të rrëfyera nga një grup të rinjsh—burra e gra—që tërhiqen në fshat për t’i shpëtuar Firences së rrënuar nga murtaja. Për dhjetë ditë radhazi, ata argëtohen duke treguar ndodhi, shumë prej të cilave kanë si subjekt dashurinë, intrigën erotike dhe qëndrimet ndaj konvencioneve shoqërore të kohës. Përmes humorit, ironisë dhe narrativës mjeshtërore, Bokaçio zbulo kënaqësitë dhe kontradiktat e seksualitetit njerëzor, duke ofruar një vizion të erosit që ishte njëkohësisht argëtues e thellësisht human.
Ajo çka e bën veprën e Bokaçios të jashtëzakonshme, është trajtimi i hapur e me humor i seksualitetit. Tregimet e Dekameronit flasin për njerëz të dashuruar që ndjekin pasionet e tyre, shpesh në kundërshtim me pritshmëritë e ngurta morale të shoqërisë së tyre. Personazhet e veprës janë klerikë hipokritë, burra xhelozë dhe kujdestarë shtypës, autoriteti i të cilëve vihet në lojë prej zgjuarsisë dhe aftësive të grave që kërkojnë dashuri dhe plotësimin e dëshirave të tyre. Vepra përfaqëson një kontrast të thellë me moralin hipokrit dhe kulturën mesjetare, duke ofruar një vizion pragmatik dhe argëtues mbi dëshirën dhe intimitetin.
Veçanërisht të spikatura në shumë prej rrëfimeve të Dekameronit janë personazhet femërore. Ato paraqiten si femra inteligjente, të afta t’i mashtrojnë e t’i mënjanojnë me zgjuarsi meshkujt që u bien në qafë, duke dëshmuar pavarësinë e tyre emocionale në mënyra që i sfidojnë stereotipat tradicionalë. Gratë e Dekameronit nuk janë thjesht objekte pasive të epshit mashkullor, por pjesëmarrëse aktive në lojën e intimitetit, duke dëshmuar se ato kanë po aq dëshira sa dhe burrat dhe se kanë në dorë të zgjedhin njëlloj si ata. Kjo vepër e Bokaçios solli një orientim të ri kulturor në letërsi, duke i bërë gratë, me inteligjencën, emocionet dhe dëshirat e tyre, pjesë të përvojës njerëzore të dashurisë.
Me Dekameronin, Bokaçio solli në letërsinë e Rilindjes një gjuhë të re për shprehjen e dëshirës erotike, e cila adresonte njëherësh kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore, ndërthurjen e pasionit me konvencionet shoqërore dhe aftësinë e individëve, veçanërisht të grave, për të qenë vetvetja në marrëdhëniet intime. Duke e vënë erosin në qendër të jetës kulturore, ky vizion i hapur e human mbi seksualitetin pasqyronte frymën e kureshtjes, të zbulimit e të krijimtarisë së vetë asaj periudhe. Nga ana tjetër, duke ndërthurur humorin, ironinë dhe realizmin, Dekameroni ndihmoi në riformulimin e imagjinatës letrare mbi intimitetin. Kjo vepër krijoi një hapësirë të re për shumë shkrimtarë të mëvonshëm që eksploruan intimitetin dhe dashurinë si një realitet njerëzor shumëdimensional, që mund të ishte fisnik por edhe argëtues, tragjik ose komik, por gjithmonë i lidhur ngushtë me individualitetin njerëzor. Për këto arsye, Dekameroni ishte një inovacion letrar dhe mund të konsiderohet si pararendëse e asaj letërsie të madhe të Rilindjes që mishëroi zgjimin kulturor të Europës dhe solli një kuptim të ri mbi erosin, si një pasion njerëzor, si një forcë që e çliron individin nga paragjykimet e nënshtrimi dhe e lartëson dinjitetin e njeriut.
Në një tjetër regjistër, por gjithsesi në dialog me Bokaçion, qëndron Petrarka, bashkëkohësi i tij, i cili shpesh konsiderohet si themeluesi i humanizmit europian. Sonatat e tij kushtuar Laurës mishërojnë një eros më introspektiv, ku pasioni tokësor ndërthuret me mallin shpirtëror. Në një prej sonatave më të njohura, Petrarka shkruan: “Pace non trovo, e non ho da far guerra; e temo, e spero; e ardo, e son un ghiaccio” (“Nuk gjej paqe, as nuk bëj luftë; kam frikë dhe shpresoj; digjem dhe jam akull”). Ky varg i famshëm shpalos konfliktin e brendshëm të dëshirës, ku ndjenja është njëkohësisht burim lumturie, por edhe burim vuajtjeje. Ndryshe nga narrativa argëtuese e komike e Bokaçios, poezia e Petrarkës e trajton emocionin individual si një subjekt të denjë për reflektim letrar, duke i bërë intimitetin dhe dashurinë pjesë të përvojës universale të njeriut. Në fakt, ashtu si Dante para tij, Petrarka e portretizoi gruan e dashuruar si burim frymëzimi dhe si simbol të përsosmërisë femërore.
Individi dhe liria
Rilindja nuk përfaqësonte vetëm një ringjallje të dijeve, të artit e të letërsisë klasike, por edhe një transformim të thellë në mënyrën e të kuptuarit të botës e të vetë individit. Tanimë njeriu nuk shihej më thjesht si një qenie pasive në një hierarki shoqërore të organizuar e të drejtuar nga providenca, por si një aktor autonom, i pajisur me arsye, me një jetë të brendshme emocionale e shpirtërore dhe aktiv. Kultura e re e Rilindjes kishte karakter laik. Ajo hoqi dorë gradualisht nga tradita fetare e deriatëhershme, që e kishte përqendruar të gjithë vëmendjen në dukuritë e mbinatyrshme dhe si burim të vetëm kishte Librin e Shenjtë dhe subjektet fetare. Rilindja ishte një hap drejt sekularizimit të shoqërisë europiane. Objekt i kulturës së saj, siç u pasqyrua kjo në letërsi, në art dhe në filozofi, u bënë natyra, individi njerëzor dhe nevojat e tij. Në fokus të kësaj kulture dhe të moralit të ri që u krijua bashkë me të u vu njeriu, me botën shpirtërore dhe me bukurinë fizike të tij, me interesat dhe marrëdhëniet e tij me natyrën, me shoqërinë dhe me vetveten. Rilindja shënoi rizbulimin e trupit njerëzor dhe të kënaqësive të tij.
Për shkak se fokusi i kësaj kulture të re u bë njeriu, ajo u quajt humaniste (nga latinishtja humanus—njerëzor). Njeriu u bë një individ shpirtëror dhe filloi ta shohë e ta kuptojë veten si të tillë, njëlloj si grekët, që e dalluan veten e tyre nga barbarët. Rilindja dhe Humanizmi ngritën lart arsyen njerëzore, vlerat dhe lirinë e individit, aftësitë e tij për kënaqësi fizike e shpirtërore, si dhe aftësitë e tij për përsosje të vazhdueshme. Në fakt, periudha e Rilindjes shënoi një ndarje nga kufizimet mesjetare të jetës në çdo aspekt—ekonomik, politik, artistik dhe erotik.
Ndër filozofët e parë humanistë që e artikuluan më qartë këtë vizion ishte Xhovani Piko dela Mirandola. Në veprën e tij të njohur Fjalimi mbi dinjitetin e njeriut, e konsideruar si “Manifesti i Rilindjes”, ai e përshkroi njeriun si një qenie të aftë në mënyrë unike për të krijuar fatin e vet. Ndryshe nga qeniet e tjera të gjalla, natyra e të cilave, sipas tij, ishte e përcaktuar nga një dizajn hyjnor, njeriu ka aftësinë dhe lirinë ta vendosë vetë fatin e tij përmes zgjedhjeve që bën dhe veprimeve të veta. Theksi që vihej tashmë tek individi kishte një rëndësi të madhe kulturore për kohën, sepse i orientoi interesimin, kërkimin dhe kreativitetin njerëzor te personaliteti individual dhe jeta emocionale e tij.
Ky vizion i ri humanist nuk u kufizua vetëm në arsyetime filozofike, në politikë e në art; ai u shtri edhe në sferën e privacisë, duke e ridimensionuar përvojën njerëzore mbi intimitetin dhe duke krijuar një kuptim të ri, më human mbi erosin. Deri atëherë, dashuria dhe seksualiteti shiheshin si shthurje morale dhe mëkat, ose si alegori shpirtërore; tanimë ato nisën të shihesh si shprehje jetike të individualitetit njerëzor, duke u bërë jo vetëm tema qendrore në letërsi, në filozofi dhe në artet pamore, por gjithnjë e më shumë edhe subjekte të kureshtjes njerëzore. Me pak fjalë, Rilindja rizbuloi kompleksitetin dhe bukurinë e dëshirave njerëzore dhe të trupit njerëzor, duke i zhvendosur ato nga periferia obskure e moralit mesjetar dhe e arsyetimeve teologjike, në qendër të vëmendjes dhe të jetës së njeriut dhe duke e bërë trupin e njeriut një objekt admirimi estetik.
Deri atëherë, kultura fetare mesjetare e kishte parë trupin me dyshim, si objekt tundimi dhe mëkati. Artistët e mëdhenj të Rilindjes, përkundrazi, rizbuluan idealin klasik të trupit njerëzor si një objekt bukurie, harmonie, vitaliteti dhe admirimi. Ky rivlerësim pasqyronte një ndryshim më të gjerë kulturor, duke bërë që përvoja shqisore dhe shprehja emocionale shiheshin tashmë gjithnjë e më shumë si aspekte legjitime të eksperiencës së jetuar njerëzore.
Piktorë si Sandro Botiçeli e pasqyruan elegancën sensuale të formës njerëzore në vepra si “Lindja e Venusit”. Paraqitja e hyjnisë që del nga deti evokon mitologjinë klasike, por edhe përfaqëson një vlerësim të ri estetik të trupit femëror. Në vend që figura e zhveshur e trupit të saj të shihej si simbol i mëkatit, Venusi i Botiçelit mishëron hirin, përmasën dhe harmoninë e trupit të femrës. Kjo vepër e tij ilustron më së miri mënyrën se si arti i Rilindjes e riktheu trupin në sferën e admirimit kulturor, duke i dhënë vendin e merituar bukurisë fizike brenda një kuadri mitologjik, alegorik dhe idealesh humaniste.
Po kështu, “Venusi i Urbinos” i Ticianos paraqet trupin femëror të zhveshur në një atmosferë intimiteti familjar. Kjo vepër gjithashtu e bën bukurinë erotike pjesë të botës reale e të marrëdhënieve të përditshme njerëzore. Figura e shtrirë, e realizuar me një realizëm dhe ndjeshmëri të lartë, shpreh një qasje të re artistike e kulturore që e çmon hapur sensualitetin njerëzor. Me këtë vepër, Ticiano nuk riprodhoi thjesht motivet klasike, por i riinterpretoi ato për një shoqëri që po bëhej gjithnjë e më gatshme t’i pranonte dëshirën dhe erosin si një tipar legjitim i natyrës njerëzore dhe që na japin kënaqësi estetike.
Skulptura gjithashtu luajti një rol vendimtar në këtë proces historik e kulturor rivlerësimi. “Davidi” i Mikelanxhelos e paraqiti trupin mashkullor si një monument të forcës, të dinjitetit e të potencialit njerëzor. Saktësia anatomike e trupit dhe përmasa monumentale e kësaj vepre të jashtëzakonshme mishërojnë bindjen e artistëve të Rilindjes se forma e trupit njerëzor ishte në vetvete një subjekt i denjë për admirim estetik. Trupi i zhveshur nuk ishte më një objekt turpi, por një simbol virtyti qytetar dhe madhështie njerëzore. Në një kuptim real të fjalës, me duart e tyre ata u dhanë formë vizuale ideve të reja të Rilindjes. Arti u bë kështu pasqyrë e filozofisë humaniste, duke i përkthyer idealet abstrakte të humanizmit, arsyes, shkencës dhe lirisë në imazhe të prekshme që e transformuan imagjinatën kulturore në të gjithë kontinentin.
Në Gjermani, një artist i shquar, si Albreht Dyrer, bashkoi në një idealet klasike me kërkimin shkencor, duke e konsideruar trupin e njeriut si një mrekulli të natyrës, por edhe si objekt studimi matematikor. Karakteristikë e artit të Rilindjes, siç u zhvillua ai në vendet e Europës Veriore, ishte se rizbulimi i trupit njerëzor u shpreh më pak përmes figurave nudo, të frymëzuara nga mitologjia, dhe më shumë përmes shprehjes intime të fytyrës, të gjesteve e të mjediseve familjare. Sidoqoftë, edhe në atë pjesë të kontinentit, impulsi themelor ishte i njëjtë—afirmimi i dinjiteti dhe vitalitetit të njeriut.
Nëse njeriu ishte një qenie autonome e dinjitoze, atëherë jeta e tij emocionale dhe erotike nuk mund të shihej më thjesht si burim tundimi apo si një mëkat moral. Ajo, përkundrazi, duhej parë si pjesë dhe shprehje e natyrës njerëzore dhe e aftësisë së njeriut për vetpërmbushje, për kënaqësi dhe lumturi. Me Bokaçion, Petrarkën dhe Pikonë letërsia dhe filozofia humaniste filluan të eksploronin temat e dashurisë e të përmbushjes personale me një intensitet të ri, duke i përfshirë dëshirën dhe erosin në kuadrin më të gjerë të krijimtarisë që ngrinte lart bukurinë dhe lirinë e njeriut.
Marsilio Fiçino, një tjetër filozof i shquar fjorentin, bashkëkohës i Pikosë, e zhvilloi më tej këtë perspektivë duke u mbështetur në traditën platonike. Në shkrimet e tij mbi dashurinë, Fiçino e interpretoi erosin si një forcë shpirtërore që jo vetëm i lidh njerëzit me njëri-tjetrin, por edhe i bashkon ata me bukurinë e kozmosit. Dashuria, sipas tij, nuk ishte thjesht një impuls fizik apo një çështje private, por edhe një energji dinamike që pasqyron harmoninë kozmike dhe e lartëson shpirtin e njeriut drejt formave më të larta të të kuptuarit të gjërave.
Fiçinos i atribuohet shprehja “dashuri platonike” (amore platonico), e cila u popullarizua kudo në Europën Perëndimore. Ky koncept pati një ndikim shumë të madh në letërsinë, filozofinë dhe, përgjithësisht, në historinë intelektuale të kontinentit. Ai u bë pjesë e debateve teologjike në Mesjetën e vonë dhe luajti një rol të rëndësishëm në etiketën e marrëdhënieve romantike gjatë Rilindjes, duke inspiruar shumë shkrimtarë, poetë, artistë dhe filozofë të asaj periudhe kudo në Europë, si Baldasar Kastilione, dhe atë traditë letrare të njohur si “Contra amorem”.
Rilindja transformoi edhe vetë ritualet shoqërore të shprehjes së pasionit e të dashurisë. Në oborret aristokratike të Europës nisën të shfaqen kode të reja qytetarie dhe kurorëzimi në martesë, që e lidhnin afeksionin romantik dhe dëshirën fizike me idealet e përsosjes intelektuale, me poezinë dhe vetëpërmbajtjen emocionale, siç përshkruhen ato në veprën e Kastiliones Libri i Oborrtarit.
Interpretimet e reja të dëshirës dhe erosit i dhanë kulturës së Rilindjes një gjuhë, përmes së cilës, dëshira dhe intimiteti mund të shiheshin njëherësh si tokësorë dhe si transcendentalë, si individuale dhe universale—me fjalë të tjera, jo si një dobësi morale, por si shprehje e aftësisë njerëzore për një jetë intime e dashurore në përputhje me natyrën dhe dëshirat e tij.
Ndikimi i Bokaçios dhe i Petrarkës u ndje fuqishëm te poetë të mëvonshëm të Rilindjes italiane, si Ludoviko Ariosto dhe Torkuato Taso. Ajo lëvizja kulturore dhe letrare që nisi në Itali me Danten, Bokaçion dhe Petrarkën u përhap dhe u zhvillua një dhe dy shekuj më vonë edhe përtej Italisë. Në Hollandë, Erazmi, njëri ndër humanistët më të shquar të Rilindjes, e vuri theksin te dinjiteti moral dhe intelektual i individit. Në veprën e tij kryesore, Lëvdimi i marrëzisë, ai ndërthuri dijen klasike me kritikën e mprehtë shoqërore, duke e nxitur me zgjuarsi dhe ironi lexuesin e kohës që të reflektonte mbi gjendjen njerëzore. Vepra e tij argumenton idenë se njeriu, përmes arsyes dhe reflektimit, mund ta krijonte vetë jetën e tij morale e shpirtërore.
Në Francë, Fransua Rabële, Mishel dë Montenj dhe, veçanërisht, Pier dë Ronsard dhe poetët e së ashtuquajturës Pléiade të shekullit të 16-të, huazuan modelin e Petrarkës për të krijuar mbi bazën e tij një lirizëm të ri, duke i bërë dëshirën dhe dashurinë tema të qenësishme në letërsinë e tyre kombëtare në gjuhën frënge.
Në Angli, Shekspiri e çoi përpara këtë traditë në komeditë e tij, ku dashuria paraqitet si forcë zgjuarsie, maskimi dhe negociimi shoqëror. Drama si, Shumë zhurmë për Asgjë dhe Nata e dymbëdhjetë, pasqyrojnë shpirtin argëtues të Bokaçios, duke i paraqitur gratë si inteligjente, të afta dhe duke u dhënë atyre një rol qendror në zhvillimin e komplotit romantik. Personazhet e dashuruar në veprat e Shekspirit, ashtu si dhe personazhet e Bokaçios, navigojnë mjeshtërisht e me humor në kufijtë e konvencioneve shoqërore të kohës duke krijuar një letërsi që e trajton dëshirën si argëtuese dhe thellësisht njerëzore. Komeditë e Shekspirit dëshmojnë se erosi mund të jetë një burim humori, por edhe një katalizator për reflektim më të thellë mbi identitetin dhe rendin shoqëror. Sonatat e tij të famshme dhe, në traditën e poezisë së Petrarkës, sonatat e Filip Sidnit, të botuara pas vdekjes së tij nën titullin Astrofeli dhe Stela, apo cikli i sonatave të Edmond Spenserit në vëllimin Amoretti, u kushtoheshn aspekteve shpirtërore të dashurisë.
Në Spanjë, Garsilaso de la Vega e përktheu dhe e përshtati traditën italiane duke e bërë sonetin një formë të re poetike kushtuar pasionin njerëzor. Pas tij, Servantesi, në kryeveprën e tij Don Kishoti, e trajtoi dashurinë me humor dhe me një ironi që të kujton Bokaçion, duke e vendosur erosin në një kontekst njëherësh satirik dhe realist. Ai parodizoi idealet kalorësiake të dashurisë oborrtare dhe, përmes përkushtimit absurd të protagonistit të veprës ndaj zonjës së imagjinuar Dulqina, nxjerr në pah hendekun mes fantazisë romantike dhe realitetit të jetuar. Dëshira bëhet kështu subjekt i kritikës komike, duke zbuluar rreziqet e iluzionit dhe marrëzinë e idealizimit të tepruar, por duke sugjeruar se edhe pasioni i gabuar pasqyron etjen njerëzore për kuptim dhe lidhje. Don Kishoti mund të thuhet se përfaqëson jo vetëm një vazhdimësi të gjuhës së Rilindjes mbi dëshirën, por edhe një transformim të saj. Nëse Bokaçio vuri në dukje zgjuarsinë dhe aftësinë për të krijuar e ruajtur marrëdhënie njerëzore, Servantesi nxori në pah ironinë dhe zhgënjimin.
Me këta poetë dhe shkrimtarë të njohur, gjuha e re e dëshirës që krijuan Bokaçio dhe Petrarka u bë një dukuri europiane, e cila, në mënyra të ndryshme, u huazua dhe u bë pjesë e traditës letrare kombëtare në shumë vende të kontinentit.
Humanizmi dhe zëri i grave
Me Rilindjen, gratë e klasës së lartë në Europë nisën të marrin një arsim më të mirë dhe, nën ndikimin e humanizmit, disa prej tyre, së bashku me shkrimtarë të kohës, krijuan vepra që synonin lartësimin e figurës femërore. Në këtë klimë, në shekullin e 15-të, në Francë nisi një debat i gjallë intelektual mbi natyrën, statusin, të drejtat e grave dhe rolin e tyre në shoqëri—“La Querelle des Femmes”—i cili u zgjerua edhe në Itali, në Gjermani, në Angli, në Hollandë e në Spanjë, dhe vijoi në të gjithë Europën për rreth katër shekuj.
Ai debat mund të thuhet se shënoi të parin episod të lëvizjes për barazinë gjinore në historinë europiane. Protagoniste të atij debati ishin kryesisht gra të arsimuara dhe shkrimtare si Kristin dë Pizan, Laura Çereta, Margerit de Navare dhe Moderata Fonte, të cilat i refuzuan hapur ideologjinë mesjetare dhe qëndrimet mizogjiniste ndaj grave, duke përhapur një frymë të re në kontinent.
Pjesë e atij debati në mbështetje të të drejtave të grave u bënë edhe shumë burra, figura të njohura, si André Tirahko në Francë, një jurist, politikan dhe humanist i njohur, i cili, duke trajtuar pozitën ligjore të pabarabartë të grave në martesë dhe në të drejtat pronësore e trashëgimore, i kontribuoi mjaft debatit në fjalë. Në Gjermani, Heinriç Kornelius Agripa, duke vënë në dukje dallimet mes seksit (si biologji) dhe gjinisë (si një konstrukt shoqëror)—një perspektivë mjaft moderne për kohën—argumentoi se gratë janë po aq të virtytshme, inteligjente e të barabarta në çdo gjë me burrat, në mos edhe superiore në krahasim me ta. Në Itali, shkrimtari humanist Bartolomeo Goxhio, në librin e tij Mbi meritat e grave, çmonte lart virtytet dhe dinjitetin e grave.
Përtej letërsisë, gra të emancipuara në atë kohë, edhe pse një dukuri e rrallë, luajtën rol të rëndësishëm në kulturën e Rilindjes. Isabela d’Este, si një patrone e arteve, dëshmoi se gratë mund të zhvillonin talentet e tyre artistike dhe të kishin zërin e tyre autoritar në jetën kulturore të shoqërisë. Vitoria Kolona, me sonatat e saj, mishëroi shpirtin rilindas të meditimit, ndërsa Veronika Franko pohoi dhe mbrojti me pasion dhuntitë intelektuale dhe pasionet erotike të grave dhe dinjitetin femëror në kushtet e një shoqërie që i kufizonte të gjitha këto. Figura të tilla, së bashku me debatin mbi gratë, i kontribuuan një ndryshimi gradual të imagjinatës morale, duke e bërë femrën gjithnjë e më të pranishme si një subjekt dëshire erotike dhe dinjiteti intelektual e moral.
Edhe pse strukturat patriarkale të shoqërisë mbetën të forta dhe gratë ishin ligjërisht, ekonomikisht e moralisht të nënshtruara, letërsia, filozofia dhe praktikat shoqërore të kohës krijuan një hapësirë publike të re, në të cilën autonomia, erotizmi dhe dinjiteti femëror tashmë mund të diskutoheshin. Kristine dë Pizan, me veprën Libri i Qytetit të Grave, ofroi një narrativë të fuqishme emancipuese kundër traditave mizogjiniste, duke argumentuar se pozita e nënshtruar e grave ishte jo produkt natyror, por rezultat i paragjykimeve shoqërore. Ky riorientim kulturor, natyrisht, nuk solli ndonjë ndryshim të rëndësishëm në pozitën ekonomike e ligjore të grave, por mundësoi që gratë të imagjinoheshin tashmë si pjesëmarrëse aktive në jetën intelektuale e morale të shoqërisë.
Rilindja si prelud i emancipimit erotik
Rizbulimi letrar i dëshirës që filloi me Dekameronin e Bokaçios u shtri përtej tij. Duke e paraqitur dashurinë si një ndërveprim dinamik mes zgjuarsisë, pasionit dhe rrethanës, autorë të tjerë rilindas krijuan një gjuhë të re të intimitetit—një gjuhë që kremtonte agjencinë femërore dhe përqafonte kompleksitetin e emocioneve njerëzore. Nga sonetet e Petrarkës te kritikat e Erazmit, te komeditë e Shekspirit dhe kryevepra satirike e Cervantesit, kjo gjuhë formësoi imagjinatën kulturore të Europës, duke siguruar që erosi të vijonte evoluimin e tij në epokën e hershme moderne.
Nga një perspektivë më e gjerë historike, Rilindja mund të shihet si një fazë e hershme në procesin e gjatë që çoi përfundimisht në konceptet moderne të dashurisë romantike dhe të autonomisë personale. Ndryshimet e mëvonshme shoqërore—Reforma, Iluminizmi dhe ngritja e individualizmit modern—do i transformimin më tej organizimin shoqëror të seksualitetit dhe pozitën e grave. Megjithatë, Rilindja solli një ndryshim kulturor vendimtar: ajo vendosi përvojën njerëzore, krijimtarinë dhe jetën emocionale në qendër të eksporimit intelektual, duke bërë të mundura mënyra të reja për të imagjinuar marrëdhënien mes dashurisë, lirisë dhe individualitetit.
Historia e erosit në shoqërinë moderne nuk fillon me revolucionet seksuale të shekullit të 20-të, por me këtë zgjim kulturor, kur kultura europiane rizbuloi kompleksitetin e dëshirës njerëzore dhe eksploroi intimitetin përtej kanoneve të ngurta të moralit mesjetar. Duke kremtuar individualitetin, duke ringjallur idealet klasike të bukurisë dhe duke paraqitur dashurinë me realizëm dhe nuancë të paprecedentë, mendimtarët dhe artistët rilindas ofruan një mënyrë të re për kuptimin e intimiteti, të dëshira e të marrëdhënies mes burrit dhe gruas. Erotizmi argëtues i tregimeve të Boaçios, reflektimet filozofike të Fiçinos dhe idealet e rafinuara oborrtare të Kastiliones i çelën udhë një mjedis të ri kulturor, ku dashuria mund të imagjinohej më lirshëm dhe më njerëzisht.
Teoritë sociologjike dhe filozofike të mëvonshme ndihmojnë në ndriçimin e rëndësisë afatgjatë të këtyre zhvillimeve. Antony Gidens, për shembull, ka argumentuar se shoqëritë moderne gjithnjë e më shumë i organizojnë marrëdhëniet rreth komunikimit emocional dhe përmbushjes personale, duke përshkruar shfaqjen e “marrëdhënies së pastër”, të mbështetur nga kënaqësia e ndërsjellë dhe jo nga detyrimet e jashtme. Po kështu, Mishel Fuko vuri në dukje se shoqëritë moderne e transformuan seksualitetin në një dimension qendror të identitetit personal, duke transformuar mënyrën se si indivi i kupton dëshirat dhe vetveten. Vështruar nga kjo perspektivë, Rilindja shfaqet si një fazë e hershme në procesin e gjatë historik, përmes të cilit shoqëritë perëndimore gradualisht e riformuluan intimitetin. Këto zhvillime nuk krijuan menjëherë intimitetin modern, por hapën hapësirën kulturore ku idetë moderne mbi lirinë, individualitetin dhe jetën erotike mund të shfaqeshin e të zhvilloheshin më tej.
Në një plan të përgjithshëm mund të thuhet se ideali shoqëror i kulturës dhe i moralit të ri humanist ishte lartësimi i personalitetit njerëzor dhe mbrojtja e të drejtave të tij kundër privilegjeve feudale. Në këtë vështrim, është kuptimplotë vlerësimi që i ka bërë Engelsi Humanizmit të shekujve të 14-të dhe 15-të si “forma e parë e iluminizmit borgjez”.
©️Copyright Gazeta DITA
Foto kryesore: Pjesë nga “Rrëmbimi i Proserpinës” (Ratto di Proserpina), realizuar nga gjeniu i periudhës Baroke, Gian Lorenzo Bernini, midis viteve 1621 dhe 1622
