Shqipëria heroike merr një pikë me aromë EURO 2024 në Pragë, ndaj Republikës së Çekisë, ku vendasit sulmuan që nga minuta e parë me disa raste dhe goditje, po për fat të mirë portieri Berisha ka qenë në formë, madje në një rast duke shpëtuar portën nga goli i sigurtë.
Takimi mbyllet 1-1, me Bajramin si hero të kuqezinjve.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0, teksa të dyja skuadrat i shpërdoruan ato pak raste që patën. Për t’u theksuar fakti se në takimin tjetër të grupit, Polonia gjeti golin ndaj Ishujve Faroe në minutën e 72, me një penallti nga Lewandowski, teksa e kishte mbyllur pjesën e parë po 0-0.
Minutat e fundit, ishte po Lewandowski që dyfishoi rezultatin dhe i dha 3 pikë të sigurta skuadrës së tij në krizë.
Polakët ndodhen pas Shqipërisë në renditje. Kujtojmë se Moldavia e ka pushim.

Në minutën e 25, krosim nga e djathta, gjuan me kokë Tomas Soucek, devijon në këndore Etrit Berisha, duke shpëtuar kuqezinjtë nga pësimi i golit. Edhe në minutën e 12, gjuajti Vaclav Cerny, por priti pa probleme Etrit Berisha.
Kurse në minutat 30-35 aksionet u bënë të intensifikuara, me disa raste flagrante, por rrjetat mbetën të paprekura.

Shqipëria nga ana e saj pati dy raste të mira me të zakonshmin Cikalleshi që shkon nga gafa në gafë, teksa në minutat 26 dhe 28 u shpërdoruan dy raste flagrante.
Pas një vertikalizimi të bukur, Jasir Asani i kthen reston Sokol Cikalleshit, i cili nuk arrin të driblojë portierin kundërshtar. Më parë Sokol Cikalleshi nisi Jasir Asanin, i cili u ndal nga portieri çek, por anësori akordoi pozicion të parregullt.

Minutat e mbetura të pjesës së parë nuk treguan asgjë, me skuadrat që më shumë u ruajtën të mos pësonin gol dhe të studionin njëra-tjetrën.
Vetëm një gabim i Taulant Seferit në rikthimin e topit pas në minutën e 43. Mundësi e mirë për Tomas Soucek, por topi devijohet në këndore pas ndërhyrjes së dyfishtë nga Elseid Hysaj dhe Ardian Ismajli.

Pjesa e dytë nisi përsëri me vrull nga vendasit. Dhe duhej një tjetër gabim i tanëve. Gafë e Ardian Ismajlit.
Shënon Lukas Provod për Çekinë. Por anulohet goli nga teknologjia VAR, për pozicion jashtë loje.

Por pa kaluar as 10 minuta nga ky moment, vendasit nuk gabojnë më, duke shfrytëzuar paqëndrueshmërinë e tanëve. Minuta e 57-të dhe Vaclav Cerny na ndëshkon, duke mposhtur Berishën, që s’mund të bënte më shumë.
Dhe këtë herë sipas VAR goli ishte i rregullt. Një vendosje jo e mirë në prapavijë e kuqezinjve ka sjellë edhe golin e vendasve.

Por kuqezinjtë nuk dorëzohen, teksa pas disa tentativave dhe lëvizjeve në mesfushë, do vinte minuta e 66-të me Nedim bajramin që dhuroi një supergol për të tijtë, duke vënë barazpeshën. Barazohet rezultati në “Fortuna Arena”.

Por Çekia shkoi përsëri pranë golit të dytë në minutën e 74′. Ladislav Krejci fiton duelin ajror me mbrojtësit tanë, por ishte një pritje e jashtëzakonshme e Etrit Berishës, që shpëtoi nga goli i sigurt dhe i avantazhit të vendasve.
Por në minutën e 84′, e pafalshme për tanët! 3 kundër 1. Por pasimi i Mirlind Dakut për Arbnor Mujën ikën dëm. Humbasim një shans të artë për të kaluar në avantazh.
Minutat e mbetura, bashkë me ato 7 shtesë që u akorduan, shërbyen më shumë për të rritur ankthin e tifozëve, pasi rastet ishin sporadike dhe me ekipet që më shumë kërkonin të ruanin atë rezultat. Në fund një pikë heroike dhe me aromë europiani për kuqezinjtë.

Deri më tani Shqipëria ka bërë mirë dhe është me gjashtë pikë në Grupin E, një më pak se çekët kryesues.
Trajneri Sylvinho ka ndarë mendjen edhe për formacionin teksa pjesë e 11-tëshes titullare, kështu nga minuta e parë e nis Taulant Seferi në krahun e majtë të sulmit duke ulur në stol Myrto Uzunin.
Ndërkohë, një fanellë titullari i është besuar edhe Mario Mitajt teksa në stol është Ivan Balliu. Kujtojmë se në stadiumin e Pragës ndodhen të paktën 5 mijë tifozë kuqezi.


Jalla re Bajram,jaaaallah!Ta duam Shqiprine sa e duan Dardanet.