Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Fadil Kokomani dhe një vjershë për të nga Leningradi
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Fadil Kokomani dhe një vjershë për të nga Leningradi
Kulture

Fadil Kokomani dhe një vjershë për të nga Leningradi

Published: March 28, 2023
Shpërndaje

Duke përkujtuar gazetarin Fadil Kokomani në vitin e 90-vjetorit të lindjes

 

Nuk më kishte shkuar ndër mend se do të shkruaja ndonjëherë për Fadil Kokomanin. Kam qenë nxënës në klasën e parë të gjimnazit “16 Shtatori” në Durrës në vitin shkollor 1951–1952, kur Fadili, pesë vjet më i madh se unë, ishte maturant. E mbaj mend klasën e maturantëve kur renditeshim përpara shkollës për të hyrë brenda me radhë e me disiplinë nën vështrimin e vëmendshëm të drejtorit Sulë D

- Publicitet -

emiri, që na njihte pothuaj të gjithë, një për një me emër e mbiemër. Ne të klasave të para, 13-14-vjeçarë, ishim ende pionierë, kurse maturantët, djelmosha të rritur, ishin anëtarë të BRPSH (Bashkimi i Rinisë së Punës të Shqipërisë). Ata i jepnin gjallëri jetës në shkollë me veprimtari letrare e artistike, që ne të vegjlit i ndiqnim me kënaqësi. Fadil Kokomani binte në sy si një djalë i hedhur, një ndër më të dalluarit në këto veprimtari. Unë u largova nga Durrësi pasi përfundova klasën e parë, po emrin e Fadil Kokomanit e mbajta mend. Më 1952–1957 Fadili studioi për gazetari në Universitetin e Leningradit (sot Sankt-Peterburg) dhe njëkohësisht ndoqi mësimet për kanto në Konservatorin e atij qyteti. Përveç prirjes për gazetari, kishte zë të bukur dhe talent muzikor. Gjatë viteve të studimit në Leningrad Fadili u njoh me një vajzë ruse, Antonina V. Grosheva, filologe klasike, e cila i ka kushtuar një vjershë, ku shpreh me çiltërsi prekëse dhe frymëzim poetik, përjetimet e saj nga njohja dhe ndarja me Fadilin. Vjersha i trokiti në zemër koleges sime të vjetër filologe, profesoreshës së gjuhës ruse Drita Lazri (Harito), që e përktheu me frymëzim e me art, duke ruajtur tingëllimin poetik të origjinalit, ashtu siç ka bërë në përkthimet e saj të shumta nga rusishtja, në poezi e në prozë.

Pas përfundimit të studimeve, Fadil Kokomani në vitet 1957–1960 punoi si redaktor e më pas si përgjegjës në redaksinë e muzikës në Radio Tirana. Ka dy të dhëna për datëlindjen e tij: 5 maj 1933 (Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist, vëll. IV, fq. 260) dhe 15 shkurt  1933 (Prof. Dr. Vladimir Misja, Lidhjet e shqiptarëve me Shën Petërburgun në rrjedhat e historisë, Tiranë, 2006, fq. 411). Sidoqoftë sivjet ai mund të ishte ndërmjet nesh, 90-vjeçar, ashtu si përkthyesja e vjershës kushtuar atij dhe si jo pak të tjerë. Por… Fadili, entuziast dhe i guximshëm, nuk dinte të heshtte kur shihte dhe ndiente se jeta dhe punët në vendin e vet nuk shkonin ashtu siç do të dëshironte ai, sipas mësimeve të themeluesve të socializmit shkencor, që i studionim atëherë në shkollat tona. Dhe nuk mund të rrinte pa i shfaqur ato që ndiente e mendonte. Prandaj, “për pikëpamje disidente ndaj vijës dhe udhëheqjes së Partisë së Punës”, u arrestua dhe u dënua tri herë radhazi, duke u akuzuar “si kryetar i një grupi që kishte shpërndarë trakte” dhe “për një letër dërguar Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë”. Pas arrestimit të tretë (shkurt 1979) u akuzua për “për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare” dhe “për agjitacion e propagandë”. U dënua me vdekje dhe u pushkatua bashkë me shokun dhe kolegun e tij të gazetarisë, Vangjel Lezho, më 28 maj 1979. Misioni i tyre për të bindur udhëheqjen e Partisë së Punës që të largohej nga stalinizmi i vrazhdë diktatorial, i shpresave të ndrydhura e i horizonteve të mbyllura, dhe  Shqipëria të hynte në rrugën asaj që do të quhej “socializëm me fytyrë njerëzore”, doli i pamundur.

Mbaj mend se në rrethin e shokëve dhe të njohurve të mi nga Durrësi ky lajm ngjalli trishtim dhe dhembje. Jetonim në një vend ku kokat që mendonin ndryshe, nuk duhej ta hapnin gojën. Mendimi ndryshe, edhe pse brenda po asaj doktrine, dënohej me ashpërsinë më të rreptë, ashtu si herezitë në mesjetë. Në kujtim të dy gazetarëve të guximshëm të Radio Tiranës, në 40-vjetorin e pushkatimit të tyre tragjik pas një qëndrese morale burrërore ndaj akuzave dhe akuzuesve, në mjedisin e gjelbër prapa Kryeministrisë u vendos një pllakë përkujtimore. “Mirënjohje për thesarin që ata lanë në kujtesën e këtij kombi. Aq shumë e deshën këtë vend, profesionin e tyre, aq shumë besonin te kultura dhe te fjala” – u shpreh me këtë rast Edi Rama.

Kohët e fundit, një letër e koleges Alvina Venediktovna Zhugra (që ka studiuar më 1960 në Tiranë) nga grupi i albanologëve në Institutin e Studimeve Gjuhësore të Sankt-Peterburgut, më solli edhe një herë në kujtesë Fadil Kokomanin. Kam pyetur miq e të njohur për familjen e tij dhe për mbesën Zana (që e përmend Alvina në letrën e saj), por nuk kam mundur të lidhem me ndonjërin prej tyre. Nëse pas botimit të këtij shkrimi dikush do të interesohet për origjinalin rusisht të vjershës dhe për  t’u lidhur  me znj. A.V. Zhugra, le të më drejtohet në adresën [email protected]

Emil Lafe

 

Letra nga Alvina V. Zhugra (26.02,2023)

Në vitet e pasluftës të shekullit XX në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Leningradit (sot Sankt-Peterburg) kanë studiuar shumë studentë nga Shqipëria. Njëri prej tyre ishte Fadil Kokomani, i cili studionte për gazetari. Pasi u kthye në Shqipëri, punonte në Radio Tirana, ishte shumë i talentuar, i sinqertë dhe i guximshëm. Bashkë me shokun e tij Vangjel Lezho ata ishin dy intelektualë idealistë, shpresonin se mund të bëhen ndryshime dhe dolën me kritikë ndaj Enver Hoxhës. Ra nën represion dhe ishte pushkatuar më 1979. Në vitin 2019, kur u bënë 40 vjet nga dita e vdekjes së tij, në Tiranë u hap një hapësirë e gjelbër me pllakën përkujtimore në kujtim të tij. Në aktin e hapjes foli Zana Kokomani, e mbesa, të tjerë të afërm ka gjasë nuk ka.

Po në vitet’50 bashkë me Fadilin në Fakultetin e Filologjisë studionte për filologji klasike dhe kolegia ime Antonina Grosheva. Antonina veç gjuhëvet klasike, kishte prirje për muzikë, ishte anëtare e korit të famshëm të Universitetit nën drejtimin e Grigori Sandlerit (1912-1994).

Në atë kohë në aktivitete të ndryshme të fakultetit merrnin pjesë gjallërisht edhe studentë nga Shqipëria. Fadili kishte zë të bukur, ishte tenor, paralelisht me mësimet për gazetarinë, ai merrte mësime dhe në klasën e vokalit të Konservatorit të Leningradit. Në takime të studentëve Fadili ekzekutonte me shumë sukses këngë shqiptare. Ekzekutimi dhe zëri i tij e mahnitën aq shumë Antoninën e re, sa kjo shkroi vjersha të kushtuara studentit nga Shqipëria. Dha ja tani, duke rregulluar arkivat e veta, Antonina ka gjetur atë fletore me vjersha dhe m’i tregoi mua. Mendoj se për të afërmit e Fadilit do të ishte interesante të merrnin vesh si për vetë këtë fakt, si dhe të njihnin këto vjersha.

Në lidhje me ç’u tha më lart do të isha shumë mirënjohëse po të më ndihmonit të gjej adresën e zonjës Zana Kokomani.

Tetor 2021.

 

P.S.

Më vjen keq pse nuk arrita me kohë ta realizoja këtë dëshirë time. E ndiej veten disi dhe fajtore, sepse për fat të keq Antonina Vasiljevna iku nga ne më 04.01.2022 (1935-2022). Megjithatë do të dëshiroja ta plotësoja këtë punë. Interesant është se logjika e gjurmimeve shkencore e solli Antoninën Grosheva në fushën e albanologjisë – ajo është autore (në bashkëpunim me Irinën Voronina dhe Marinën Domosileckaja) e disa artikujve nga historia e gjuhës shqipe. Për veprimtarinë e A. V. Groshevës unë përgatita një artikull, në rast po të ketë dëshirë për ta njohur më shumë.

04.02.2023.

 

P.P.S.

Kisha ndër mend t’i drejtohesha ndonjë shoqërie që merret me fatet e njerëzve që pësuan në kohën e totalitarizmit, por në internet nuk e gjeta.

26.02.2023.

Fadil Kokomanit

Ti na këndon këngë shqiptare

T’atdheut tënd, që e ke larg,

Ku të pret nëna e përmallur

Dhe një syzezë me shpirtin flakë.

 

Ky zëri yt që më trallis

Më josh të vij n’atë vend të largtë

Të shijoj detin Adriatik

Dhe përmbi re malet e lartë.

 

S’ e shpjegoj dot, as e mas dot

Ç’fuqi, ç’magji ka melodia,

Që zemrën ruse ma pushton,

Që ti ma sjell nga Shqipëria.

 

Së shpejti nisesh për n’atdhe…

E gjetsh atë të përtërirë!

Po ne të dy? Ndarë përjetë!

Ani! Do mbesim miq të mirë.

 

Rrugët e jetës ndryshe i kemi,

Secili ka jetën e vet,

Ama kujtimet aq të shtrenjta

Na i bënë zemrat një përjetë!

 

Ka për t’u hapur tokë e begatë

Lumenjtë do ndrisin në kaltërim

Harta e kohës do të shenjojë

Vitet që rendin me nxitim.

 

E n’atë rutinë të përditjes

Mbase do shfaqet mjegulluar

Ajo fytyrë e vajzës ruse

Nga kënga shpirti i lënduar.

 

Po sos largimi me atdhenë.

Tani të pret ndarja me mua…

Këndoma për të fundit herë

At’ këngë shqip… oh, sa e dua!

 

Antonina V. Grosheva

Përktheu: Drita Lazri (Harito)

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Largimi i Arlinda Pogajt, Jonaid Myzyri emërohet në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara
  • VIDEO: Protestuesi i veçantë, me dhi para Kryeministrisë
  • VIDEO: Presidenti i SHBA dhe Iranit nënshkruajnë marrëveshjen që synon t’i japë fund luftës
  • Anglia shkruan histori pas fitores ndaj Kroacisë, vendos rekord në ndeshjet hapëse të Botërorit
  • Shtrenjtohet më tej Shqipëria, çmimet e ushqimeve kalojnë për herë të parë mesataren e BE

Komentet e Fundit

  1. Anonymous on ‘Zemër, Bela ka F-5, ndërsa ne kemi F-6, më pëlqen shumë, Puuucc’
  2. qesh e ngjesh on ‘Zemër, Bela ka F-5, ndërsa ne kemi F-6, më pëlqen shumë, Puuucc’
  3. prehistoriku on ‘Zemër, Bela ka F-5, ndërsa ne kemi F-6, më pëlqen shumë, Puuucc’
  4. Gani USA on ‘Zemër, Bela ka F-5, ndërsa ne kemi F-6, më pëlqen shumë, Puuucc’
  5. Protestusi on ‘Zemër, Bela ka F-5, ndërsa ne kemi F-6, më pëlqen shumë, Puuucc’

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?