Fatos TARIFA
Në njërën prej ditëve të qëndrimit në New Orleans, Bret Clesi, konsulli i nderit i Shqipërisë në shtetin Louisiana, më informoi se, jo shumë larg nga ai qytet ndodhet një plantacion që quhet “Albania Plantation”. Ai vetë nuk ishte i sigurt përse ai plantacion kishte emrin e Shqipërisë, por rrëfimi i tij nxiti tek unë kureshtjen për ta vizituar atë plantacion dhe për të mësuar origjinën e emrit të tij. Kjo u bë e mundur rreth dy vite më vonë, gjatë vizitës sime në territorin e “kombit sovran” Chitimacha (Chitimacha tribe).
Fisi Chitimacha

Ky është një komunitet banorësh indigjenë (indianë), që jetojnë në një rezervat pranë qytetit të vogël Charenton. Rezervati i tyre ndodhet në brigjet e njërit prej degëzimeve të Mississippi-t, që quhet Bayou Teche, rreth 190 km larg në perëndim të New Orleans. Rreth 200 km i gjatë, ky degëzim ka qenë shtrati i parë i Mississippi-t, që u formua pasi ky lumë krijoi deltën e vet në Louisiana rreth 3,000 deri 4,500 vite më parë. Sot ai është një degëzim fare i vogël i këtij lumi të madh. Për shkak të aluvioneve të tij, Mississippi e ka ndryshuar shtratin e vet thuajse në çdo një mijë vite.
Sipas një gojëdhëne të vjetër të fisit Chitimacha, kufijtë origjinalë të territoreve të tyre kufizoheshin nga katër pemë të shenjta, që ndodheshin njëra në Maringouin (në Louisiana), një tjetër në juglindje të New Orleans-it; e treta në derdhjen e Mississippi-t dhe e katërta në atë vend që sot njihet si Cypremort Point State Park, rreth 40 km në juglindje të rezervatit ku jetojnë anëtarët e këtij fisi sot.
Askush nuk e di se sa i madh ka qenë fisi Chitimacha në vitet 1500 kur, pas “zbulimit” të Amerikës, territoret e popullsisë indigjene ranë në duart e europianëve. Disa mendojnë se numri i anëtarëve të këtij fisi në atë kohë mund të ketë qenë nga 5,000 deri në 10,000. Edhe pse, për gati dy shekuj qysh nga ajo kohë, ky fis nuk pati thuajse asnjë kontakt me europianët, sëmundjet infektive që sollën misionet spanjolle në Florida-n veriore dhe epidemitë u përhapën në pjesën e poshtme të luginës së Mississippi-t, duke e decimuar popullsinë vendase.
Mbërritja e francezëve në territoret e tyre në vitin 1699 e gjeti popullsinë Chitimacha të përgjysmuar. Gjatë dymbëdhjetë viteve luftë (1706-1718) mes këtij fisi dhe kolonizatorëve francezë, pjesa më e madhe e anëtarëve të fisit u vranë ose u dëbuan forcërisht nga territoret e tyre. Në fund të asaj lufte, Chitimacha mbeti me vetëm 400 anëtarë, por edhe ky numër ra ndjeshëm për shkak të sëmundjeve dhe pijeve alkolike që sollën me vete francezët. Një shekull e gjysmë më vonë, në fund të viteve 1880, fisi Chitimacha numëronte vetëm 6 familje, me më pak se 100 vetë. Censusi i vitit 1910 regjistroi vetëm 69 Chitimacha. Në vitet 1950, në rezervatin e tyre jetonin vetëm 89 anëtarë të fisit Chitimacha, ndërsa rreth 400 të tjerë jetonin jashtë atij rezervati, kryesisht në New Orleans dhe në territoret rreth tij.
Banorët e sotëm të fisit Chitimacha besohet se janë pasaardhësit e popullsisë më të hershme indigjene që ka jetuar në këto territore. Edhe pse gjurmët më të hershme të pranisë së një komuniteti njerëzor në pjesën e poshtme të Mississippi-t datojnë rreth 12 shekuj para erës së re, artifaktet më të hershëm që janë gjendur në territoret ku ka jetuar fisi Chitimacha janë rreth 6,000 vite të vjetra. Kërkimet arkeologjike në këto territore kanë qenë shumë të vështira dhe gjetjet shumë të pakta për shkak të përmbytjeve që ndodhën pas epokës së fundit të akujve, rreth 10,000 vite më parë, të cilat fundosën nën ujë territore të tëra bregdetare në Amerikën Veriore.
Më pas, për shekuj me radhë, aluvionet e Mississippi-t e kanë ndryshuar në mënyrë radikale topografinë e këtyre territoreve, duke shkatërruar çdo gjë, përveç objekteve dhe artefakteve më solidë, të cilët janë fundosur thellë nën tokë. Këto rrethana e kanë bërë shumë të vështirë identifikimin e saktë të banorëve më të hershëm të brigjeve të Mississippi-t të poshtëm. Sidoqoftë, deri më sot nuk është zbuluar asgjë që të dëshmojë se në territoret ku aktualisht banon fisi Chitimacha kanë jetuar njerëz të tjerë para paraardhësve të këtij fisi. Është një hipotezë gjerësisht e pranuar ajo se, qysh 800 vite para erës së re, brigjet e Bayou Teche kanë qenë të banuara nga popullsi indigjene me karakteristika kulturore të ngjashme me ato të fisit Chitimacha dhe thuajse askush nuk e vë në dyshim se të parët e këtij fisi kanë jetuar në këto territore të paktën qysh nga shekulli i 6-të e këtej.
Emri Chitimacha përmendet shpesh në hartat e vjetra franceze të Louisiana-s. Liqeni i Madh (Grand Lake), rreth 40 km në lindje të Charenton, dikur quhej Lac des Chetimacha. Bashkë me këtë fis, më i madhi dhe historikisht më i fuqishmi jo vetëm në Louisiana, por thuajse në të gjitha territoret midis shteteve Texas dhe Florida, përmenden edhe emrat e disa fiseve të tjerë, ndoshta po aq të hershëm në një pjesë të atyre territoreve, si fiset Atakapa, Caddo, Choctaw, Houma apo Tunica. Edhe pse të detyruar me forcë që t’ua linin pjesën më të madhe të territoreve të tyre kolonizatorëve europianë, Chitimacha është i vetmi fis që edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetojë në një pjesë të territoreve të të parëve të tyre. Në shekullin e 19-të dhe, sidomos, gjatë shekullit të 20-të, drejtuesit e këtij fisi janë përpjekur që të rimarrin nga qeveria federale një pjesë të territoreve të humbura, por pa shumë sukses.

Kombi sovran Chitimacha
Sot, Chitimacha Tribe numëron rreth 1,300 anëtarë, prej të cilëve vetëm gjysma jetojnë në rezervat. Pjesa më e madhe e anëtarëve të komunitetit Chitimacha jeton në rezervatin e vet (Chitimacha land), territori i të cilit është rreth 1,062 hektarë (afërsisht 10.6 km2).
Ky fis është njëri ndër vetëm katër fiset indigjenë në territorin e shtetit Louisiana që njihen në nivel federal dhe që, për këtë arsye, konsiderohen si kombe sovranë brënda territorit të federatës amerikane, me të drejtat dhe privilegjet e tyre. Në Shtetet e Bashkuara sot ka 573 fise indianësh që njihen si kombe sovranë. Një numër i madh fisesh të tjerë më të vegjël, në Louisiana dhe në shumë shtete të tjerë të Shteteve të Bashkuara njihen si të tillë vetëm në shtetet në të cilët ndodhen territoret e tyre.
Nga viti 1971, banorët e këtij fisi kanë adoptuar një formë kushtetuese qeverisëse, duke u bërë i pari komb sovran në Louisiana që ka kushtetutën e vet. Në fakt, satatusi i kombit sovran u njeh fiseve indiane—ndër to edhe fisit Chitimacha—të drejtën dhe autoritetin që, brenda kufijve federalë të Shteteve të Bashkuara, me disa kufizime, ata të vetëqeverisen. Kushtetuta dhe legjislacioni që rregullon marrëdhëniet mes shtetit federal dhe qeverive të fiseve u njeh këtyre të fundit sovranitet mbi territoret e tyre, përfshirë edhe të drejtën për të pasur forcat e tyre policore dhe gjykatat e tyre, pra të drejtën për të ushtruar zbatimin e ligjeve të tyre për vepra kriminale ose të një natyre civile, por jo sovranitet të plotë sikundër gëzojnë shtetet e pavarur. Në Senatin e Shteteve të Bashkuara ekziston prej kohësh një komitet i përhershëm i Çështjeve Indiane (Senate Committee on Indian Affairs), që merret posaçërisht me çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e federatës me indianët e Amerikës, me banorët indigjenë të ishujve Hawaii dhe ata në Alaska.
Si shumë fise të tjerë që gëzojnë të njëjtin status federal, Chitimacha ka në pronësinë e vet shumë biznese në zonën pranë qytetit Charenton dhe në St. Mary Parish, siç quhet njësia administrative ku bën pjesë territori i tyre. Më kryesorja ndër to është Cypress Bayou Casino Hotel, që ndodhet në Charenton. Të ardhurat e kazinos janë përdorur kryesisht për të riblerë tokë që më parë i ka përkitur fisit të tyre. Bizneset të tjerë janë një kompani ndërtimesh, një fabrikë për përpunimin e peshkut etj. Brenda rezervatit, banorëve u ofrohen thuajse të gjitha shërbimet bashkiake, si dhe disa shërbime mjeksore në klinikën e tyre.
Mysafirë të fisit Chitimacha në rezervatin e tyre
Arta dhe unë e vizituam fisin Chitimacha në një fundjavë të gjatë në vjeshtën e vitit 2003, së bashku me miqtë tanë Betty dhe David Funderburk. Funderburk-ët ishin bërë prej kohësh miq të këtij fisi dhe ne patëm mundësinë e rrallë që, përmes tyre, të njiheshim nga afër me disa nga banorët dhe drejtuesit e tij. Me ta, sidomos me dy prej tyre, Terry dhe Rebecca Martin, krijuam një miqësi të veçantë, të cilën e ruajtëm deri në fund.
Nga miqtë tanë Chitimacha mësuam se ai fis e kishte humbur gjuhën e vet. Gjuha e tij thuajse u asgjësua me vendosjen e kontrollit francez në territoret e tij, siç ndodhi edhe me konvertimin e anëtarëve të këtij fisi në fenë katolike pas vitit 1719. Shumica e të moshuarve flasin tashmë frëngjishten cajun, një dialekt i veçantë i frëngjishtes që e ndesh të flitet ende në një territor shumë të ngushtë në Louisiana.

Vetëm disa vite para asaj vizite që bëmë në rezervatin Chitimacha ishte gjendur një burrë i moshur, i cili jetonte në Florida dhe, për habinë e të gjithëve, e fliste gjuhën e humbur të atij fisi. Ai kishte ardhur në atë rezervat dhe kishte filluar t’ua mësonte gjuhën e lashtë fëmijëve të fisit Chitimacha. Sot fëmijët e këtij fisi e mësojnë gjuhën e të parëve të tyre në shkollë. Vizitat në atë shkollë dhe sidomos në muzeun e fisit në atë rezervat ishin mjaft interesante. Nga njëra prej mësueseve të shkollës mësova—në fakt i mbajta shënim, ndaj edhe më kujtohen—këto fjalë në gjuhën chitimacha: unku (një), upa (dy), kahitie (tre), meca (katër), hussa (pesë), asi ose panš (burrë), kitca (grua), tcaa (diell), ku (ujë).
Nga ajo vizitë mësova gjithashtu se sistemi familjar i fisit Chitimacha është matrilineal (prejardhja përcaktohet nga nëna) dhe klanet brenda tij janë totemikë (mbajnë emra kafshësh). Ky fis është krejt i veçantë ndër fiset e tjerë indigjenë të Shteteve të Bashkuara edhe për shkak se sistemi martesor i tyre është endogam—anëtarët e fisit mund të martohen vetëm brenda fisit.
Terry Martin
Këtë rregull, sidoqoftë, e pamë të shkelur nga Terry dhe Rebecca Martin, të cilët kishin pak a shumë të njëjtën moshë me ne. Terry ishte një native i fisit Chitimacha, Rebecca jo; ajo kishte lindur në New York. Në mesin e viteve 1970 Rebeka ishte vendosur në Franklin, një qytet fare i vogël, në atë kohë me rreth 3,000 banorë, pranë territorit ku sot jeton fisi Chitimacha, për të dhënë mësim në shkollën e atij qyteti. Ata ishin njohur pikërisht në atë qytet, ishin martuar dhe kishin krijuar një familje ndëretnike mjaft interesante.
Në atë kohë, Terry ishte anëtar i këshillit fisnor (Tribal Council) të fisit Chitimacha dhe drejtuesi administrativ i tij. Ai ishte njëherësh edhe zëvendëspresident i Fiseve të Bashkuara të Jugut dhe të Lindjes (United South and Eastern Tribes), si dhe zëvendëpresident për zonën juglindore dhe drejtor ekzekutiv i Kongresit Kombëtar të Indianëve të Amerikës (National Congress of American Indians). Për arsye pune, Terry dhe Rebecca kishin një apartmanet edhe në Uashington dhe, për këtë arsye, me ta takoheshim më shpesh sese me miqtë e tjerë të fisit Chitimacha. Pak kohë para se të njiheshim me ta, Rebecca kishte fituar gradën PhD në fushën e drejtimit e të menaxhimit të arsimit nga University of Southern Mississippi.

Sherifi David Naquin
Njëri nga njerëzit më interesantë që njohëm gjatë asaj vizite në rezervatin e fisit Chitimacha ishte sherifi David Naquin.Në Shtetet e Bashkuara, në më të shumtën e rasteve, sherifi është një person zyrtar i zgjedhur përmes votimit në një konté (county), që në Louisiana quhet parish dhe shërben si oficeri civil kryesor për ruajtjen e rendit dhe për zbatimin e ligjit në territorin që është nën juridiksionin e asaj njësie administrative (county ose parish). Si i tillë, një sherif ka për detyrë zbatimin e urdhërave të gjykatës, përfshirë edhe nxjerrjen me forcë të një qytetari nga prona e vet nëse këtë e urdhëron gjykata. Përveç këtyre shërbimeve policore, një sherif është gjithashtu përgjegjës për zbatimin e së drejtës civile në territorin që është nën juridiksionin e tij.
David Naquin gëzonte mjaft popullaritet si sherif edhe mes fisit Chitimacha. Ai dhe Terry Martin organizuan për ne një udhëtim të shkurtër me varkë në Bayou Teche, gjatë të cilit, askush nga ne, përveç Artës, nuk i vuri re dy alegatorë të mëdhenj jo shumë larg varkës sonë.
Një plantacion dhe një rrugë me emrin “Albania”
Para se ta linim rezervatin për t’u kthyer në Uashington, sherifi Naquin kishte një surprizë për ne. Më kërkoi ta ndiqja pas me automjetin tonë dhe pas dhjetë minutash u gjendëm në Plantacionin Albania, në Jeanerette, në veriperëndim të rezervatit Chitimacha dhe të qytetit Baldwin.
Ajo që pamë ishte një shtëpi e madhe dhe e bukur dy katëshe, e bardhë, e stilit kolonial, e njohur gjithashtu si “Albania Mansion”. E ndërtuar në fund të viteve 1830 nga pronari i një plantacioni të madh sheqeri, ajo ndërtesë figuron sot në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike. Sigurisht, emri i atij plantacioni nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Sot ajo ndërtesë historike është pronë e një piktori të njohur njujorkez.

Vetëm disa dhjetëra metra larg Plantacionit Albania na priste surpriza e fundit e asaj vizite—një rrugë e shkurtër që zgjatej paralel me degëzimin Bayou Teche të Missisippit dhe I-90. Emri i kësaj rruge ishte—dhe është—“Albania Road”. Them ishte dhe është për shkak të episodit që rrëfej më poshtë dhe që për mua është një ndër kujtimet më të bukura nga koha kur shërbeva në Ushington.
Një dhuratë surprizë
Rreth një vit pas asaj vizite në fisin Chitimacha, në fillim të shtatorit 2004, kur sapo ishim kthyer nga pushimet që bëmë familjarisht në Shqipëri, David Funderburk më njoftoi se, në një prej atyre ditëve, ai dhe sherifi David Naquin dëshironin të më bënin një vizitë në zyrë, në Uashington. Miq si ata më jepnin gjithnjë kënaqësi kur i takoja. Ajo vizitë e tyre sidoqoftë nuk ishte një vizitë e zakonshme. David Naquin kishte edhe këtë herë një surprizë për mua.
Ditëlindja ime (21 gusht) sapo kishte kaluar dhe ishte harruar, por miku im sherif nga Louisiana më kishte sjellë në Uashington një dhuratë të personalizuar për ditëlindje, një dhuratë shumë të veçantë, për të cilën s’do më kishte shkuar mendja kurrë.
Nga forma, ajo dhuratë dukej se ishte një kornizë në përmasa afërsisht 40×60 cm dhe nuk u gabova. Por se çfarë kishte brenda asaj kornize dhe nën xhamin e saj m’u dukën të pabesueshme kur i pashë: tabela origjinale e rrugës “Albania Road”, që e kisha parë pranë rezervatit të fisit Chitimacha, si dhe një çertifikatë shoqëruese për të, e cila në origjinal lexon: “Certificate of Authenticity. This road sign was stolen from St. Mary Parish, Louisiana,and graciously and humbly presented toDr. Fatos Tarifa, Ambassador of the Republic of Albaniain appreciation for their friendship and good will.Furthermore hereby special citizenship to Baldwin, LA,and St. Mary Parish is granted by mayor Wyane Breauxand sheriff David A. Naquin” (Çertifikatë autenticiteti. Kjo tabelë rrugore u vodh nga St. Mary Parish, Luiziana, dhe me përulësi e mirësjellje i dhurohet Dr. Fatos Tarifës, ambasador i Republikës së Shqipërisë, në shenjë miqësie dhe vullneti të mirë. Me këtë rast ai shpallet qytetar i veçantë i Baldwin, LA, dhe St. Mary Parish nga kryebashkiaku Wyane Breaux dhe sherifi David A. Naquin).
Mbeta për një çast i shokuar. Një tabelë rruge me emrin Albania, e vjedhur nga kryetari i një bashkie dhe një sherif amerikan për mua. Përtej së besueshmes. Por ja që ajo tabelë dhe çertifikata që dëshmonte autenticitetin e saj ishin tashmë “në duart e mia”. E falenderova sherifin Naquin dhe, pa e fshehur habinë time, e pyetja:
“Domethënë ajo rrugë tashmë nuk ka më një emër? Nuk quhet më Albania Road?”.
“Ka të njëjtin emër”, më siguroi sherifi, “dhe kjo tabelë u zëvendësua me një të re, që përsëri lexon Albania Road”.
Ajo kornizë gjendet sot në studion time si një kujtim i dashur nga një periudhe shumë e bukur e jetës sime.
Mardi Gras në Uashington dhe në ambasadën e Shqipërisë
Disa muaj më vonë, në fund të janarit 2005, mbi 3,000 njerëz nga Louisiana i sollën festimet e bujëshme të Mardi Gras në kryeqytetin amerikan. Thuajse çdo vit, për dekada me radhë dhe në të njëjtin muaj, ata mblidhen për të festuar në një fundjavë të gjatë, së bashku me delegacionin e senatorëve dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan nga shteti i tyre, drejtues biznesesh të mëdha dhe personalitete të tjera në një atmosferë magjike e vezulluese, që është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Përfaqësues të fisit Chitimacha janë kurdoherë të pranishëm në ato festime.
Atë vit, festimet e Mardi Gras nga Louisiana u organizuan në hotelin Hilton, në Connecticut Avenue, vetëm një bllok larg ambasadës së Shqipërisë. Arta dhe unë ishim miqtë e fisit Chitimacha në ato festime, në të cilat ftuam të vinin edhe konsulli Elton Talka dhe e shoqja e tij Miranda. Ajo mbrëmje festive e hareshme, plot dritë, ngjyra dhe muzikë mes miqve tanë Chitimacha ishte e tillë që s’mund ta harrojmë kurrë.

Të nesërmen e saj mbrëmjeje bëmë diçka që nuk e kishim bërë më parë dhe që nuk do të kishim mundur as ta imagjinonim dot, nëse nuk do ishim njohur e miqësuar me atë fis indianësh nga Louisiana. Organizuam në ambasadën e Shqipërisë një festë Mardi Gras, natyrisht të përmasave shumë modeste, por me të njëjtin dekor festiv shumëngjyrësh si ai në Hilton. Ftuam shumë nga shqiptarët me banim në Uashington dhe në qytetet rreth tij, anëtarë të Kongresit dhe stafjerë të tyre, zyrtarë të administratës së Uashingtonit dhe ambasadorë. Ftesa për ta lexonte si më poshtë:
The Ambassador of Albania Dr. Fatos Tarifa, and Mrs. Arta Tarifahave the honor to invite youat the joyful event of the Embassy Mardi Gras,organized on the occasion ofthe 58th Annual Washington Mardi Gras.The event will bring together many of their American friendsin the U.S. House of Representatives,in the Chitimacha Tribe and St. Mary Parish of Louisiana,in North Carolina, in the District of Columbia,and fellow Albanian Americans in and around the Capital beltwayat the Embassy of Albaniain Washington, D.C. (2100 S Street NW)on Friday, January 28th, 2005,from 6:30 p.m).
Andrew Natsios (drejtori i përgjithëshm i USAID-it) dhe e shoqja e tij Elizabeth ishin ndër të parët që iu përgjigjën ftesës sonë. Rebecca dhe Terry Martin, si dhe sherifi David Naquin ndihmuan me bazën materiale dhe ofruan bujarisht disa prej ushqimeve tradicionale të kuzhinës cajun, ndërsa Betty dhe David Funderburk sollën me vete disa prej miqve të tyre në Kongres. Një delegacion i fisit Chitimacha e bëri atmosferën e asaj mbrëmjeje edhe më festive e më të bukur. Surpriza e mbrëmjes ishte ardhja në ambasadë e guvernatores së shtetit Louisiana Kathleen Blanco për të festuar gëzueshëm me ne, me miqtë tanë shqiptarë dhe ata Chitimacha nga shteti i saj. Armosfera e gëzueshme e asaj mbrëmjeje festive mbeti me ne për një kohë të gjatë. E tillë vazhdon të jetë edhe sot që e kujtoj.

Terry Martin, 50, mes miqve të tij shqiptarë në Uashington
Disa javë më vonë, në pranverë, kur isha kthyer në Uashington pas një operacioni në gju që bëra në Pinehurst, NC, David Funderburk më kujtoi që të uroja mikun tonë Terry Martin për pesëdhjetëvjetorin e ditëlindjes së tij. Arta dhe unë vendosëm që ta uronim atë në mënyrën tonë. I ftuam Terry-n dhe të shoqen në rezidencën tonë në Falls Church, ftuam disa dhjetëra miq shqiptarë me banim në Uashington dhe, sigurisht, miqtë tanë Betty dhe David Funderburk dhe organizuam për ta një mbrëmje cocktail multietnike dhe krejt të veçantë. Fikja e qirinjve mbi tortën e ditëlindjes ishte një moment shumë i gëzueshëm dhe për Terry-n mjaft prekës. Për miqtë tanë nga Chitimacha gjithçka ishte një surprizë shumë e bukur. Terry Martin u shpreh atë mbrëmje se nuk do ta harronte kurrë që pesëdhjetëvjetorin e ditëlindjes së tij e ka festuar me miqtë e tij shqiptarë.
