Nga Xhevdet Shehu
Botuar në DITA
Nuk besoj se ka ndonjë që ta vërë në dyshim faktin se viti 1997 është viti më i zi në historinë e Shqipërisë. Të paktën prej themelimit të shtetit shqiptar në vitin 1912. Sa më shumë distancohemi nga ato ngjarje, aq më tepër nxin ai vit me fatkeqësitë që solli. Është për të ardhur keq që, pasi kanë kaluar kaq shumë vite nga ajo krusmë kombëtare, janë të pandëshkuar përgjegjësit dhe shkaktarët e tragjedisë.
Tani kemi në duar një libër jo të zakonshëm. I dashur lexues: autori i këtij libri është një personalitet i shquar, një gjeneral me 4 yje, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Sheme Kosova. Libri përshkruan periudhën nga 25 janari deri në 2 mars 1997, që shënoi fillimin dhe shtimin e protestave popullore pas rënies së piramidave financiare të fajdeve, duke kulmuar me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Duhet të jemi të qartë qysh në fillim: Gjeneral Kosova jep një tablo se si dhe pse u shkatërrua ushtria, ky monument krenarie për kombin tonë. Po ushtria ishte vetëm një pjesë e fatkeqësisë së madhe. Gjenerali tregon për atë pjesë që e njeh mirë dhe shprehet me dhimbje edhe sot e kësaj dite.
Për vitin e zi ’97 janë botuar dhjetëra libra, janë shkruar mijëra artikuj, janë bërë qindra emisione dhe janë folur miliona fjalë me rrekjen për të zbardhur një nga faqet më të zeza të historisë sonë. I kam lexuar thuajse të gjitha këto dhe, pavarësisht si jam një dëshmitar autentik, më ka bërë përshtypje fakti se në gjithë atë mori rrëfimesh mungonte një dëshmi e madhe, e patjetërsueshme, e ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Sheme Kosova.
Ish-ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Safet Zhulali, gjatë një interviste tha një shprehje: “Dosja e zezë e ’97-s nuk ka për t’u hapur kurrë!”. Sapo kishim lënë pas tragjedinë e madhe të atij viti dhe duke dëgjuar këtë shprehje të Zhulalit, nuk ishin të paktë ata që thanë: Ç’domethënë kjo? Të jetë një profeci? Se Zhulali dinte shumë… Apo mos është një alibi për mëkatet e atyre që ishin përgjegjësit kryesorë të tragjedisë?
Duke lexuar këtë libër të Gjeneral Kosovës bindesh se Zhulali ka bërë një deklaratë ogurzezë të qëllimshme, për mbulimin e mëkateve dhe fshehjen e mëkatarëve. Sepse Dosja e ’97-s është e hapur dhe tashmë gjithçka është e qartë si drita e diellit. Pavarësisht se për tragjedinë e madhe, edhe pse kanë kaluar rreth tri dekada, faji ka mbetur jetim dhe është shndërruar në një qyrk që nuk e vesh askush. Por populli dhe njerëzit me mend në kokë e dinë fare mirë se kush e shkaktoi tragjedinë dhe pse. Deklarata e Zhulalit ishte tërësisht disfatiste, për të shpëtuar kokën ai dhe bashkëfajtorët e bashkëpërgjegjësit e tragjedisë, me qëllim që të fitonin sa më shumë kohë dhe drejtësia të mos vepronte kurrë. Në një farë mënyre Zhulali me të vetët ia arriti qëllimit.
Libri i Gjeneral Kosovës është tronditës. Jo vetëm se na e sjell të gjallë atmosferën e stuhishme të atyre muajve të tmerrshëm, por mbi të gjitha për faktet që na sjell dhe që zbulohen për herë të parë ashtu si kanë ndodhur ngjarjet në kupolën e ushtrisë dhe të shtetit shqiptar në atë kohë. Gjatë leximit gjithëkujt do t’i oshëtijnë veshët nga krismat e kallashëve, bombave dhe mitralozëve, shpërthimet e tritolit dhe uturimat e tankeve nëpër rrugë…
***
Janë muajt e kulmit të trazirave, janar-mars 1997. Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Sali Berisha, i dha urdhër Shefit të Shtabit të Ushtrisë, Gjeneral Kosovës, në datën 2 mars të ngrinte avionët dhe të bombardonte urën e Mifolit. Vlonjatët po vijnë drejt Tiranës! T’i ndalojmë, tha komandanti i përgjithshëm. Jo, këtë urdhër nuk e zbatoj!, i tha prerë Gjeneral Kosova. Nuk mund ta mbaj kurrsesi mbi vete një turp të tillë. Dhe në orën 14 e 30 të asaj dite dha dorëheqjen si Shef Shtabi në mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes.
Më përpara, më 10 shkurt, ai kishte kundërshtuar dhe nuk i ishte bindur shefit të madh të tij dhe ministrit të Mbrojtjes për përdorimin e Lëndëve Helmuese Luftarake (LHL) kundër Vlorës, që do të ishte një tragjedi dhe katastrofë e paparë njerëzore me pasoja të pallogaritshme. Ndërkohë ai, Gjenerali, ishte qysh në fillim kundër propozimit dhe mendimit për përdorimin e ushtrisë për shtypjen e protestave popullore që shpërthyen pas falimentimit të firmave piramidale të fajdeve.
Por ka edhe diçka tjetër, mbase më të rëndë dhe që kapërcen çdo lloj imagjinate. Në vitin e zi 1997 u ideua dhe u bënë përpjekje të ngulmueshme për ndarjen e Shqipërisë në Veri dhe Jug, për t’a mobilizuar ushtarakisht Veriun kundër Jugut. Me fjalë të tjera, për të nisur një luftë civile krahinore. Sali Berisha dhe ithtarët e tij të verbër, diabolikë dhe injorantë, i mëshuan fort kësaj teze dhe ideje kriminale nga më të mbrapshtat në historinë tonë. U fut në lojë edhe ushtria. I dhanë urdhër Gjeneral Kosovës që ta realizonte këtë plan.
Gjenerali me sjelljen dhe veprimet e tij, me një intuitë të mprehtë atdhetare dhe maturinë që e karakterizon, i tha JO këtij plani ogurzi. Ai kishte bindjen se një pjesë e popullit nuk do ngrihej për të luftuar kundër pjesës tjetër. Nuk gaboi në intuitën e tij prej ushtaraku dhe atdhetari. Pikërisht në këtë qëndrim u shfaq Heroi. Po, po! E them me zë të lartë: Shemja është Heroi dhe ata përballë tij janë antiheronjtë. Është Shemja përballë Sali Berishës, Bashkim Gazidedes e gangsterëve politikë të kohës. Ky është një gjest heroik i i Sheme Kosovës, pavarësisht se ai nuk e shpreh asnjherë dhe nuk mburret për këtë. Ai thotë fare thjeshtë: Kam bërë vetëm detyrën që më takonte të bëja. Në të dhjetat e sekondës shfaqet heroi i vertetë.
Në rastin e Gjeneral Kosovës kjo përgjegjshmëri ishte përgatitur me vite. Ai nuk ishte aspak i rastësishëm në atë detyrë të lartë që e mbajti për rreth pesë vjet. Po të kishte zbatuar gjeneral Kosova urdhrat e Sali Berishës dhe të Safet Zhulalit, sot do të kishim të bënim me një antihero të harruar e të përbuzur. Sheme Kosova sot do të ishte më e pakta një njeri i rëndomtë. Që respektohet, do të thotë se njerëzit jo vetëm e mbajnë mend ngjarjen, por e vlerësojnë aktin e tij.
Si shef Shtabi Gjeneral Kosova ka zbatuar edhe ca urdhra të dyshimtë të Komandantit të tij të Përgjithshëm. Ky nuk ishte mëkat. Me Berishën kanë punuar shumë njerëz dhe doemos kanë besuar se bënin detyrën. Fjala vjen, Berisha urdhëronte lëvizje trupash gjatë trazirave të ’97-s. Gjeneral Kosova zbatonte këto urdhra, por i porosiste ushtarakët e tij: Mos shtini mbi popullin! Mbroni repartet!
Nuk mund të fajësohen të gjithë ata që punuan me Berishën në një kohë të caktuar, por ata që u bënë mkatarë duke zbatuar verbërisht urdhrat kriminalë të tij.
E pra, Sheme Kosova duke kundërshtuar një urdhër kriminal kundër popullit të tij, bëri një akt dinjitoz. Besoj se në ato momente atij nuk i ka shkuar ndërmend heroizmi dhe lavdia. Ai kundërshtoi urdhrin e komandantit suprem që në rastin konkret ishte një sharlatan politik, pa i shkuar ndërmend tek dekoratat që mund të merrte më vonë si heroi shpëtimtar i situatës. Fatmirësisht kështu edhe ndodhi. Vlora as u helmua dhe as u bombardua. Sikurse ndodhi edhe me mospërdorimin e lëndëve helmuese luftarake, me mosngritjen e avionëve për të bombarduar qytetet rebele të jugut, Vlorën, Gjirokastrën, Tepelenën, Fierin, Përmetin, Sarandën etj. Pastaj dhe për hedhjen në erë të Urës së Mifolit. Dhe sidomos për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila sipas ushtarakut të lartë dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, do të shënonte fillimin e shkatërrimit të ushtrisë dhe të një fatkeqësie për shtetin dhe vendin. Deri në minutën e fundit në detyrë Gjeneral Kosova këmbënguli për zgjidhjen e krizës vetëm me dialog politik. Nuk e zgjidh krizën forca e armëve, mendonte ai atëherë dhe mendon edhe sot e kësaj dite. Përtej rastësisë, se ai, pavarësisht se është me origjinë nga jugu i Shqipërisë, mban një mbiemër të shquar dhe tingëllues që të kujton menjëherë gati gjysmën e kombit në veri-lindje të vendit. Në projektet, qëndrimet dhe prononcimet e tij i fanepsej vetvetishëm Kosova, kjo pjesë e pandashme e bashkatdhetarëve të tij të shumëvuajtur dhe donte që gjithçka që thoshte dhe vulosej të ishte në harmoni edhe me lirinë dhe apiratën e vëllezërve kosovarë.
JO!, tha vendosmërisht Gjenerali. Nuk mund ta mobilizoj ushtrinë dhe armët luftarake kundër popullit tim. Unë, si ushtarak jam betuar t’i shërbej mbrojtjes së popullit tim, vendit tim dhe jo të sulmoj pabesisht dhe poshtërsisht vëllezërit e mi shqiptarë. Dhe këtë ua tha në sy eprorëve të tij pushtetarë të gjithëfuqishëm të kohës. E pakët ju duket kjo? E bëri këtë akt qëndrestar kur fare lehtë mund t’i ikte koka. Nuk kanë qenë të paktë gjeneralët para tij që kanë përfunduar para togës së pushkatimit…
E vërteta dhe e drejta historike ishte në krahun e Gjeneralit dhe jo të urdhërdhënësve të tij mediokër dhe antikombëtarë, si Berisha, Gazidede, Zhulali e kompani.
Mjafton ky gjest për ta admiruar dhe respektuar Gjeneral Kosovën. Në këtë gjest shfaqet dhe manifestohet burrëria dhe dinjiteti, atdhedashuria dhe personaliteti i ushtarakut të lartë.
Hero është ai që kundërshton, kundërvihet dhe ngre krye kundër së keqes. Jo ai që bindet dhe zvarriset përballë së keqes si një krimb. Fatkeqësisht, kemi parë dhe njohur pak heronj dhe shumë krimba, prandaj jemi këtu ku jemi.
Sheme Kosova i tha Jo një të keqeje të madhe antikombëtare. Pse mos ta respektojmë dhe lartësojmë një personalitet të tillë? I kemi shumë të rrallë njerëzit si Gjeneral Kosova midis nesh! Pse? Fare e thjeshtë dhe e qartë për cilindo që ka mend në kokë.
Me një stërmundim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë kohës, por sidomos dy muajt e fundit në detyrë Gjeneral Kosova u përpoq dhe luftoi për ta mbrojtur ushtrinë nga shkatërrimi. Po atë ditë që dha dorëheqjen si Shef Shtabi, u vendos gjendja e jashtëzakonshme që ishte kulmi i së keqes dhe që i vuri vulën shkatërrimit total të ushtrisë dhe shtetit. Në libër Gjenerali pohon disa herë se ishte për zgjidhjen politike të situatës, jo me forcën e armëve të ushtrisë. Fatkeqësisht gjendja e jashtëzakonshme u vendos dhe ndodhi ajo që ndodhi. Mandej ai i tregon me emra shkaktarët e kësaj fatkeqësie kombëtare, ndër të cilët spikasin tre vetë: Sali Berisha, Safet Zhulali dhe Bashkim Gazidede. Ka edhe plot të tjerë, një tufë e madhe servilësh dhe injorantësh të paskrupullt të cilët gjenerali i denoncon dhe demaskon pamëshirshëm. Ishte ai vit i zi kur shteti tregoi fytyrën e tij gjakatare. Shteti iu kundërvu popullit të vet me falangat e tij të bindura dhe të verbëra si SHIK-u, policia. Shteti vrau shumë njerëz të pafajshëm, të varfër dhe të vobektë, deri sa ra edhe vetë i turpëruar dhe i dërrmuar.
Për turpin e tij, ky shtet në vend që të çonte në bankën e të akuzuarve dhe të ndëshkonte fajtorët, bëri të kundërtën: Është përpjekur me të gjitha mënyrat dhe marifetet për ta fshehur krimin dhe fajtorët. Ka tridhjetë vjet që ndodh kështu…
***
Ky libër ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përshkruan se si rrodhën ngjarjet në muajt janar deri në 2 mars 1997. Ne që e kemi përjetuar atë kohë, jemi të parapërgatitur të rijetojmë atë situatë tmerri të pashoq. Por, gjithsesi rrëfimi i Gjeneral Kosovës është interesant se na tregon ato që nuk i dimë, bisedat, përplasjet dhe planet që bëheshin lart, urdhrat që jepeshin dhe që çuan në degradimin total. Gjenerali ka mbajtur shënime telegrafike ditë pas dite e orë pas ore, komunikimet që ka patur me ministrin e Mbrojtjes, me Presidentin, me gjeneralët dhe komandat ushtarake… Dhe mbi bazën e atyre shënimeve ka ndërtuar librin. Të krijohet përshtypja se ky njeri as gjumë nuk ka bërë në atë kohë, ndërsa të gjitha energjitë i harxhonte në mbrojtjen e ushtrisë dhe të popullit. Por nuk mundi. Ndaj dha dorëheqjen pa mëdyshje. Që të mos ishte palë me ideatorët dhe arkitektët e së keqes. I vjen jashtëzakonisht keq për atë që ndodhi, por moralisht ai ndihet i qetë. Bëri sa mundi, por është i vetëdijshëm se e keqja ishte e stërmadhe përtej fuqive dhe autoritetit të tij dhe ai nuk pati mundësi që ta ndalte. Shefat e tij dhe ata që u vunë në krye pas ikjes së tij ishin jo vetëm më të shumtë në numër, por edhe tejet të vendosur për t’i shkuar së keqes deri në fund. Dhe ia arritën qëllimit duke nxirë përfundimisht biografinë e tyre dhe duke shënuar një faqe historie të zezë që nuk ka për t’u shlyer kurrë. Le të kujtojmë vetëm dy emra: Safet Zhulalin dhe Bashkim Gazideden, të cilët i qëndruan qenërisht besnikë shefit të tyre Sali Berisha, edhe kur shihej qartë se tatëpjeta ishte e pandalshme. Dhe një ditë, pak ditë pasi Gjeneral Kosova dha dorëheqjen, si Zhulali dhe Gazidedja ia mbathën në arrati si burrecër. Edhe Berisha u bë gati t’ia mbathte me helikopter në Itali, ku disa ditë më parë kishte dërguar gjithë familjen. Nga frika e hakmarrjes popullore natyrisht. Po kështu dhe gjeneralë e ushtarakë të tjerë, që më vonë u bënë “trima” dhe gjoja i justifikuan veprimet e tyre kriminale.
Unë e kam njohur nga afër Safet Zhulalin si ish-ministër dhe e kam intervistuar disa herë kur isha korrespondent i Zërit të Amerikës në Tiranë. Nga të gjithë ata që kam intervistuar, me Zhulalin kisha një vështirësi, le ta quaj teknike: Ai nuk fliste, ai mërmëriste. Mbase qëllimisht, që të manifestonte autoritetin e tij të lartë! Dhe unë ia ngjishja mikrofonin shumë pranë gojës që t’i merreshin vesh fjalët. Po fol me zë të lartë, o burrë i dheut, i thosha. Do të dëgjojnë miliona shqiptarë… Kështu e kam natyrën, më përgjigjej. Dhe unë mendoja: Nga këto mërmërima mund të bëhet hataja, të dëgjohen krisma dhe gjëma të mëdha…
***
Duhet të jemi të qartë të gjithë se viti 1997 është një histori turpi e Shqipërisë, një njollë e zezë që sa më shumë kalojnë kohët, aq më shumë nxin. Historia e vitit 1997 është në thelbin e saj një vepër e turpshme antipopullore dhe antikombëtare që e kishte zanafillën vite më parë. Pavarësisht mosveprimit të organeve të drejtësisë, nuk ka shqiptar të mos e dijë autorësinë e gjëmës së atij vit. Në gjysmën e parë të viteve ’90 është luajtur komedia më e turpshme me demokracinë. Në emër të antikomunizmit mori revan antidemokracia. Gangsterët u veshën me pushtet dhe bënë kërdinë me këtë popull e këtë vend, me pasuritë e pallogaritshme kombëtare e me gjithçka. U luajt në mënyrën më të ndyrë me idealet, me atdheun dhe me popullin. Dhe kjo servirej si Demokraci!
Në pjesën e dytë të librit, ndërsa përshkruan zhvillimin e ngjarjeve pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme më 2 mars, rrokullimën e shtetit dhe të ushtrisë deri në mosekzistencë, Gjenerali bën edhe refleksione dhe analiza lakonike për atë që ndodhi dhe pse ndodhi. Replikat që bën ndaj qëndrimeve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulalit, veprimeve të Bashkim Gazidedes dhe rolit të SHIK-ut në përkeqësimin e situatës dhe mbi të gjitha qëndrimin dhe aktet e Sali Berishës në rolin e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, janë shumë të rëndësishme dhe e bëjnë më të plotë tablonë. Le të thotë S. Zhulali se dosja e zezë e ’97-s nuk ka për t’u hapur kurrë. Ajo dosje tashmë është plotësisht e hapur dhe e zbardhur fund e krye për të gjithë ne. Ky libër i Gjeneral Kosovës është një dëshmi e fortë dhe e qartë për hapjen e dosjes së zezë të ’97-s.
Çdo gjë është e qartë ndërsa dëmi është kolosal dhe i parikuperueshëm. Veçse të vjen keq që monstrat që e gatuan ‘97-n, nuk janë ndëshkuar ende. Dhe ata u lejuan të merren sërish me politikë, të vishen me pushtet dhe t’i sjellin fatkeqësi të tjera këtij vendi e këtij populli.
Nuk përbën më “sekret” të pohohet se kontrabandën e karburanteve me Malin e Zi, domethënë dhe me Serbinë, e ka patur monopol firma Shqiponja e Partisë Demokratike, me të cilën merrej Tritan Shehu. Dhe këtë e bënte duke shkelur haptaz embargon ndërkombëtare ndaj asaj që kishte mbetur nga ish-Jugosllavia, gjatë viteve të luftës në Bosnjë.
Po kështu u vodhën zgjedhjet parlamentare të majit 1996 nga ata që sot bërtasin më shumë për votën e lirë. Po atë vit arriti kulmin lulëzimi i firmave piramidale të fajdeve që vodhën kursimet e shumicës së njerëzve, rrënimi i të cilave solli një kasaphanë të vërtetë dhe një rebelim popullor, sidomos në jug të vendit. Ato ishin shkaku, protestat ishin pasoja. Ndërsa në pranverën e ’97-s dihet se ç’ndodhi. Iu vu zjarri Shqipërisë dhe pati me mijëra të vrarë.
Regjimi i Tiranës është një regjim gangsterësh, do të shkruante në pranverë të 1997-s Endrju Gambëll (Andrew Gumbel) në gazetën londineze The Independent.
Sa para kanë hyrë nëpërmjet kontrabandës në Shqipëri? Zor se do të mësohet ndonjëherë.
Më 1997, kur humbën kursimet e tyre dhe kur po gremisej regjimi i Berishës, shqiptarët pyetën me habi se ç’ishte bërë me gjithë këto para, pra me ndihmat e të huajve, paratë e refugjatëve dhe fitimet e kontrabandës?
E, duke parë se si shkatërrohej rrufeshëm shteti, ushtria dhe atdheu i tyre, pyetën sërish: Këto para hynë për ta ndërtuar apo për t’i vënë flakën Shqipërisë?
Më e pakta gjë që mund të thuhet është: ato janë keqpërdorur nga pushtetarët e kohës. Nga profanizmi apo makutëria? Ndoshta nga të dyja bashkë. Për pasojë investimet erdhën gjithmonë duke u zvogëluar deri në ndërprerje. Infrastruktura mbeti po ajo e mëparshmja, ndërsa në disa raste u përkeqësua…
Gjenerali është i qartë për ato që shkruan e tregon. Ai është i besueshëm se jo vetëm ishte në një post madhur, por tregon thjesht për ngjarje, fakte dhe emra ku ka qenë vetë i pranishëm. Karriera e tij ushtarake nga oficer i thjeshtë deri tek Shef i Shtabit, e cila jepet përmbledhtas në pjesën e dytë të librit, është bindëse për aftësitë, karakterin dhe qëndrimet që ka mbajtur. Çdo gjë e shkruar është plotësisht e vërtetë sikurse ka ndodhur në kohën dhe rrethanat e përshkruara. Gjenerali thotë se unë jam dëshmitar vetëm i të vërtetave, sado të hidhura që janë. Në këtë rrëfim të pazakontë ai na thotë të gjithëve: Këtu kam shënuar punën, arritjet, vlerësimin për reformën në ushtri të kuadrove, për përkushtimin dhe dashurinë e tyre për atdheun. Kjo ka qenë metoda ime punës dhe komunikimit me eprorët dhe vartësit, gjithmonë për të mbrojtur ushtrinë, për të realizuar detyrat sipas funksionit dhe kompetencave që kisha në atë kohë.
Nuk është zorshme të kuptohet se aty nuk është e gjithë historia. Ka më tej porosi dhe urdhra për veprime të ndryshme që nuk janë përshkruar, por që japin detaje për ta bërë më të plotë kuadrin e ngjarje dhe portretizimin e personazheve. Por Gjenerali ka gjetur një mënyrë më elegante për t’i thënë edhe këto: ai polemizon dhe replikon me disa ish-kolegë gjenralë, me disa politikanë dhe me disa shkrime tendencioze servilësh që shtrembërojnë të vërtetat dhe mëtojnë ta kthejnë përmbys historinë.
***
Pse botohet ky libër pas gati tri dekadash? I vonuar ky libër, mund të mendojë ndokush me dëshirën e mirë për ta patur më përpara në duar këtë libër-dëshmi. Unë nuk mendoj ashtu, madje e justifikoj plotësisht Gjeneralin për kohën që zgjodhi për botimin e këtij libri. Më mirë të flasësh se sa të heshtësh pafundësisht. Më mirë vonë se sa kurrë, thotë një shprehje e njohur botërisht. Ne sot lexojmë me kërshëri libra për Greqinë dhe Romën e lashtë, për Aleksandrin e Madh, për Revolucionin francez të 1789-s, për historinë e dinastisë së Romanovëve më Rusi, për perandorët kinezë, apo për Kleopatrën e Egjiptit dhe Qezarin e Romës. Pse të mos lexojmë edhe këtë libër të historisë sonë të vonë? Nuk kam asnjë dyshim se ky libër do të pritet me interes dhe do të shërbejë si një burim i rëndësishëm referencial për historianët seriozë për këtë periudhë shumë të rëndësishme dhe delikate njëherësh të historisë sonë.
I uroj suksese Gjeneralit! Pata kënaqësinë të jem ndër lexuesit e parë, ta redaktoj këtë libër dhe të shkruaja këtë hyrje prezantuese për të.