Gjykata ka vendosur masën “arrest në burg” për Ylli Zallën, 49-vjeçarin e shpallur në kërkim prej nëntorit 2025 dhe të arrestuar së fundmi në Krujë gjatë një operacioni të forcave speciale.
Zalla u arrestua nga RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë. Arrestimi i tij u bë publik edhe përmes pamjeve të shpërndara nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Në seancën gjyqësore, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke kundërshtuar argumentet për rrezikshmërinë e Zallës dhe të materialeve të sekuestruara në banesën e tij.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, avokati i 49-vjeçarit deklaroi se klienti i tij nuk paraqet rrezikshmëri të lartë dhe se sendet e gjetura në pronën e tij nuk dëshmojnë për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.
“Ylli Zalla nuk ka asnjë rrezikshmëri të lartë si person apo vepra të ketë rrezikshmëri të veçantë. Së pari, armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, në ferra, pa asnjë rregull apo masë për ruajtjen e tyre, të paprekura apo të ambalazhuara. Së dyti, disa nga kapsollat detonatore nuk kanë qenë të afta të bëjnë plasjen apo disa bomba që nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur.”
Sipas avokatit, edhe armët e sekuestruara janë të vjetra dhe nuk paraqesin elemente që të tregojnë përdorimin e tyre në veprimtari kriminale.
“Së treti, armët janë prodhime të vjetruara, rreth 50-vjeçare, prodhime kineze të vitit 1982. Madje edhe sasia e kanabisit e sekuestruar ka qenë nën efektin e agjentëve atmosferikë, duke mos pasqyruar asnjë lloj kujdesi nga ana e të arrestuarit.”
Mbrojtja ka kundërshtuar gjithashtu pretendimin se Zalla paraqet rrezikshmëri shoqërore, duke argumentuar se nuk ka prova që materialet e gjetura të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
“Në lidhje me rrezikshmërinë e personit, Ylli Zalla nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, pasi ai nuk është i përfshirë në asnjë ngjarje kriminale apo materialet që i janë sekuestruar në ferrat pas pjesës së oborrit të jenë përdorur në ngjarje të tjera apo ai vetë të marrë veprime për shitje të lëndëve narkotike.”
Një tjetër argument i mbrojtjes lidhet me mënyrën e arrestimit. Avokati pretendon se Zalla është dorëzuar vetë, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve në operacion.
“Në këtë drejtim, me interes të veçantë të theksohet se Ylli Zalla është dorëzuar vetë. Është e vërtetë që policia është angazhuar me dron dhe me efektivë të shumtë, por kështu ajo ka realizuar çdo operacion ndaj Ylli Zallës për ta kapur dhe nuk ka mundur dot ta kapë atë. I vetmi element që solli sukses në operacionin e policisë ishte dëshira e Yllit për t’u dorëzuar, për të sqaruar pozicionin e tij.”
Avokati iu referua edhe pamjeve të bëra publike nga operacioni, duke pretenduar se ato tregojnë momentin kur Zalla identifikohet dhe dorëzohet.
“Videot publike para shtëpisë së tij e tregojnë më së shumti këtë gjë. Madje ai vetë ka thirrur me zë një person që i është dukur si pjesë e forcave RENEA dhe i është prezantuar, duke u dorëzuar kësisoj.”
Për këto arsye, mbrojtja kërkoi që ndaj Zallës të vendosej një masë më e lehtë se “arresti në burg”, masë e kërkuar nga Prokuroria. Megjithatë, gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka vendosur që 49-vjeçari të qëndrojë në burg.
Ylli Zalla ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pasi në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh gjatë hetimeve që pasuan atentatin në Rinas.
Në të kaluarën, Zalla është arrestuar edhe për vepra të tjera penale, ndërsa emri i tij është lidhur nga autoritetet me akuza për prodhim eksplozivësh dhe veprimtari të lidhura me narkotikët. Megjithatë, këto janë çështje të veçuara dhe akuzat duhet të vërtetohen përmes procesit gjyqësor.
