Pas seancës së zhvilluar këtë të martë në GJKKO në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, familja e Edison Durdës—7-vjeçarit që humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit—ka reaguar ashpër përmes vëllait të tij, Geraldo Durda.
Reagimi vjen pas dëshmisë së ish-zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili deklaroi se kishte dhënë dorëheqjen për të mos firmosur urdhrin e caktimit të Gërdecit si vend demontimi, ndërsa e përshkroi situatën në Ministrinë e Mbrojtjes si kaotike ku vendimet merreshin nëpër korridore.
Mbështetur në këtë dëshmi, familja Durda ngre pyetjen se kush mbante përgjegjësi institucionale për garantimin e ligjit dhe vendosjen e rregullit përballë këtij mosveprimi.
Gjithashtu, Geraldo Durda ka dënuar çdo përpjekje për ndërhyrje apo presion mbi procesin gjyqësor përmes shkresave të ish-senatorëve amerikanë në mbështetje të Mediut. Ai nëvizoi se Shqipëria është një shtet sovran ku pafajësia apo fajësia përcaktohet vetëm nga gjykata mbi bazën e provave, e jo nga letra politike.
Familja konfirmoi se do të ndërmarrë hapa konkretë ligjorë për të mbrojtur të drejtën dhe për të parandaluar relativizimin e përgjegjësisë për tragjedinë e 15 marsit 2008.
Deklarata e Geraldo Durdës:
“Në seancën e 10 nëntor 2026, në GJKKO, në procesin ndaj të pandehurit Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit, dëshmia e ish-zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm ishte veçanërisht domethënëse. Ai deklaroi se kishte paraqitur dorëheqjen për të mos firmosur urdhrin për caktimin e Gërdecit si vend për demontimin e municioneve. Përshkroi një ministri ku, sipas tij, vendimet merreshin në korridore dhe ku mbizotëronte një situatë kaotike.
Pikërisht këtu lind pyetja, nëse vendimmarrja në institucionet shtetërore ishte kaotike, kush kishte përgjegjësinë dhe autoritetin për të vendosur rregull? Kush duhej të garantonte zbatimin e ligjit dhe kush duhej të mbante përgjegjësi?
Edhe më shqetësues është fakti se, sipas pretendimeve të bëra në proces, disa ish-senatorë amerikanë kanë ndërhyrë përmes një shkrese në mbështetje të të pandehurit Fatmir Mediu, duke shprehur qëndrime për pafajësinë e tij.
Asnjë senator aktual apo ish-senator, ndjerrë ne pension nga votuesit amerikanë nuk ka kompetencën të shpallë të pafajshëm një person që gjykohet nga drejtësia shqiptare. Në një shtet sovran, fajësinë ose pafajësinë e përcakton vetëm gjykata, mbi bazën e ligjit dhe provave të administruara në proces.
Një shkresë politike nuk mund të zëvendësojë drejtësinë dhe as të krijojë presion mbi një proces gjyqësor. Nëse dokumenti përmban fakte konkrete, ato duhet të verifikohen sipas ligjit, por askush nuk mund të imponojë një përfundim gjyqësor.
Përballë kësaj situate, familja Durdaj nuk do të mbetet vetëm në pritje. Do të ndërmerren veprime konkrete për të mbrojtur të drejtën, për të kundërshtuar çdo përpjekje për relativizimin e përgjegjësisë dhe për të kërkuar që procesi të përfundojë me një vendim të drejtë, të mbështetur në prova”.
o.p. / dita
