Sot u mbajt seanca gjyqësore e themelit për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe 29 të tjerët. Veliaj nuk u paraqit.
“Veliaj ka bërë një deklaratë ku thotë ‘dëshiroj të përfaqësohen nga avokati i tij Plarent Ndreca, i cili është i pranishëm’”, u shpreh gjykata në nisje të seancës.
Ajola Xoxa, dhe ish-deputetja Klotilda Bushka munguan gjithashtu në seancë. Edhe ato u përfaqësuan nga mbrojtësit e e tyre.
Po ashtu mungoi ish-polici Fatjon Baci, por edhe avokati i tij Artan Simoni.
I pranishëm nga të pandehurit ishte vetëm Elman Abule.
Avokati Sokol Hazizaj i kërkoi gjykatës veçimin e çështjes për klientin e tij të pandehurin Fatmir Bektashi.
Seanca u shty për në datën 3 prill ora 09:00.
Diskutime nga seanca:
Gjatë seancës Prokurori i SPAK, Ols Dado u shpreh: Po shohim që po ndjekin një strategji për të shtyrë procesin. Kemi tetë muaj. E veçuar si kërkesë kjo e Hazizaj nuk paraqet ndonjë interes për ekonominë gjyqësore vetëm nëse kërkohet gjykim i shkurtuar
Hazizaj: Unë bëra kërkesë fare të thjeshtë edhe për ekonomi gjyqësore por edhe referuar ligjit. Vlerësoj se jemi në momentin që gjykata të shprehet për ndarjen e çështjes për klientin tim.
Avokati i Erjon Veliaj: Prokurori po kërkon të bëjë bashkë kohët, edhe gjykimin paraprak edhe themelin për të krijuar idenë e zgjatjes në kohë. Kushtetuta përmend procesin e rregullt ligjor. Patjetër që jemi për ekonomi gjyqësore por në asnjë rast në kurriz të të pandehurve. Kërkesa për të shtyrë seancën nga avokati Simoni, i cili mungon mendoj qe duhet të merret parasysh qe të jenë të gjithë në seancë.
Gjykata: Në lidhje me kërkesën e Sokol Hazizaj do shprehemi më vonë.
Sa i takon Fatjon Bacit, meqë avokati i tij Artan Simoni nuk paraqitet, gjykata vendosi ti caktojë të pandehurit një mbrojtës tjetër që është Pranvera Doci, e cila do njoftohet dhe duhet të jetë e pranishme në seancën e radhës.
Në seancën e radhës të kryhet shoqërimi i detyrueshëm i të pandehurit Fatjon Baci.
Shtyrja e seancës së sotme sjell edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit që janë me masa sigurie.

Pas seancës, avokati Ndreca u shpreh:
Pyetje: Prokurori i çështjes u akuzoi se keni strategji për të zvarritur procesin…
Plarent Ndreca: Siç ju e vëzhguat, nuk kishte lidhje fare me kërkesat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e zotit Veliaj. Ishte një kërkesë nga një koleg tjetër, të cilin unë nuk e njoh personalisht, as të përfaqësuarin e tij.
Akuzat e prokurorit janë një çikë emocionale në fakt, nuk janë në përputhje me rolin e prokurorit, megjithatë unë vlerësoj që ajo çfarë konstatohet dhe besoj se e keni konstatuar edhe ju, është fakti se ka një nxitim për të bërë një proces, i cili është një proces masiv, voluminoz, i cili siç e dini tashmë, ka humbur një shkallë gjykimi, duke mos i dhënë mundësinë zotit Veliaj për t’u mbrojtur.
Unë nuk e kuptoj këtë nxitim, nuk e kuptoj nxitimin për të cenuar të drejta kushtetuese siç ishte dhe rasti sot, kur një avokat i sëmurë, pra me raport mjekësor, i cili është një shkak objektiv i verifikueshëm, kërkoi shtyrjen e seancës për shkak të pamundësisë për të qenë prezent.
Lidhja që bën prokurori me mbrojtjen e zotit Veliaj mendoj që është një lidhje emocionale, e cila siç e thashë, nuk ka përputhje me rolin e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.
Pyetje: A ka një strategji pasi kjo është e treta seancë në themel që dështon
Plarent Ndreca: Jo nuk ka asnjë strategji për ta shtyrë si qëllim. Ka një strategji për të njohur çështjen me themel, për të realizuar mbrojtjen, për të bërë ekipin mbrojtës, sepse unë akoma jam vetëm në këtë proces dhe sigurisht do të kemi një ekip, jo vetëm avokatësh, por një ekip ekspertësh.
Prokuroria, siç e kam thënë edhe njëherë tjetër, ka pasur në dispozicion të gjitha burimet infrastrukturore, materiale, financiare, ekspertizën përkatëse dhe burimet njerëzore për dy vite me radhë për të ndërtuar këtë çështje ndaj zotit Veliaj dhe ne na kërkohet me çdo kusht që, për çdo javë, të japim shpjegimet tona, kur ndërkohë unë akoma si mbrojtës nuk më është vënë në dispozicion dosja.
Pra, unë vij çdo ditë dhe lexoj dosjen, por nuk më është vënë në dispozicion. Fatmirësisht zoti Veliaj ka filluar të lexojë dosjen me ritëm të lartë, ka një gjendje fizike mendore të admirueshme dhe është gati për ta mbrojtur çështjen edhe vetë, për të qenë dhe vetë prezent.
Ne jemi të vendosur për të bërë një kërkesë në momentin e duhur procedurial, që çështja të bëhet publike dhe që çështja të jetë live, dhe të gjithë qytetarët të cilët kanë parë se kryetari i tyre i zgjedhur për tre mandate i është marrë nga detyra dhe sot, në kundërshtim dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është i pezulluar edhe “de fakto” nga detyra. Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese ka vendosur kthimin e tij në detyrë, për shkak të një mase sigurimi krejtësisht të paarsyeshme dhe sot të pavlerë, mbahet kryetari i Bashkisë së qytetit më të madh shqipfolës në paraburgim.
Megjithatë, siç e thashë, z. Veliaj është i vendosur për të mbrojtur çështjen e tij, për të nxjerrë të vërtetën para qytetarëve, të cilët e kanë votuar për tre mandate me radhë. Nuk ka asnjë strategji.
Pyetje: Përse nuk paraqitet z. Veliaj në proces?
Plarent Ndreca: Sepse akoma nuk është njohur me dosjen, pra ka filluar leximin. Ashtu siç i ka bërë të qartë edhe Gjykatës me një shkresë, që gjykata e relatoi, ai vazhdon të lexojë me një ritëm prej 200-300 faqesh në ditë dosjen, por siç ju e kuptoni është një dosje shumë voluminoze. Vetëm prova materiale, siç kuptohet nga kërkesa për gjykim, janë rreth 1500.
Ky nxitim më shumë tregon se sa qëllim për të bërë një proces ekonomik, pra një ekonomi gjyqësore, tregon një qëllim i cili do që të bëhet një proces i parregullt ligjor dhe në mënyrë që qytetarët të mos e shohin të vërtetën ashtu siç në fakt është.
Pyetje: Top Channel ka kërkuar ta ndjekë me kamera procesin, megjithatë disa nga të pandehurit nuk kanë qenë dakord. Ju u shprehët që do kërkoni që procesi të jetë me dyer të hapura, mendoni e besoni se do keni dakordësinë e të akuzuarve të tjerë që ky proces të ndiqet me kamera apo do diskutoni me të gjithë të pandehurit?
Plarent Ndreca: Nuk di të them në këtë moment si është qëndrimi i kolegëve të tjerë. Di të them qartësisht që ne kemi qëndrimin që kjo çështje meriton të jetë në sytë e publikut, për shkak të rëndësisë që ka, për shkak të personit, i cili po gjykohet dhe ne jemi ata që do kërkojmë të parët.
Por meqë ju më thoni se ka një diskutim mbi këtë çështje, ne do e kërkojmë të parët dhe jemi të vendosur që këtë çështje ta realizojmë në sytë e publikut. Sigurisht që, çështja është e hapur, dyert janë të hapura, por ne do kërkojmë që të jetë me kamera live, në mënyrë që çdo seancë të zhvillohet në sytë e publikut live.
Pyetje: A mendoni se është risk edhe për ju të ketë pasur edhe duke ditur gjuhën ofenduese ndaj prokurorëve të z. Veliaj, ta transmetoni live?
Plarent Ndreca: Nuk di që të ketë pasur ndonjë gjuhë ofenduese ndaj prokurorit. Përkundrazi, këto janë pretendime të një pale. Unë po flas si avokat dhe po them që nuk kemi asnjë drojë, nga asgjë që ndodh në seancë gjyqësore. Arsyeja pse ne duam ta bëjmë publike është pikërisht kjo, sepse ne e dimë të vërtetën dhe të vërtetën t’ua shfaqim edhe atyre që e kanë votuar 3 herë me radhë kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Mendoj se qytetarët e Tiranës e meritojnë këtë. Jo vetëm qytetarët e Tiranës, sepse z. Veliaj nuk është vetëm politikan lokal. E meritojnë të gjithë shqiptarët të dinë se kush është e vërteta për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
j.l./ dita
