-Lirinë nuk e ndërroj as me jetën time-
(Musa Fratari)
(1911-1938)
- Publicitet -
Nga Sejdo Harka
Të shkruash për jetën dhe bëmat e heronjëve internacionalistë si Musa Fratari, i cili e dha jetën për triumfin e lirisë në botë, është si të ngresh një përmendore për të lartësuar nderin dhe lavdinë e kombit dhe të bijve të tij, që derdhën gjakun, jo vetëm për lirinë e vendit të tyre, por dhe për lirinë e gjithë njerëzimit të globit tokësor. Për heroj të tillë, edhe pse është folur e shkruar shumë, përsëri mbetet diçka për të thënë. Mbështetur në shtypin e shkruar të të gjitha kohërave, në kujtimet e gjalla, të cilat kanë kaluar gojë më gojë, brez pas brezi, në librat e shkruara për Luftën e Spanjës dhe në kujtimet e njerëzve të shquar të letrave, pjesmarrës në këtë luftë, siç është Petro Marko, në këto shënime për Musa Fratarin do të ndalemi në momentet kryesore të jetës dhe veçanrisht në heroizmin e tij të pashëmbullt në Luftën e Spanjës për ideale të mëdha internacionaliste me dimensione botërore .
Po kush është, në të vërtetë, Musa Ali Fratari?
Ai u lind më 19 nëntor të vitit 1911, në një familje me tradita atdhetare, në fshatin Fratar të Përmetit. Mësimet e para i mori në vendlindje, mes viteve 1918-1922. Sapo mbaroi filloren, babai i tij, arsimdashës, e regjistroi në shkollën plotore të qytetit të Përmetit, të cilën e mbaroi me rezultate të mira, në vitin 1924. Pas mbarimit të plotores, ai nisi udhëtimin e gjatë të arsimimit të tij të zellshëm, plot pasion. Mes viteve 1924- 1927, kreu tre vitet e para të Liceut të Korçës, me gjysmë burs. Për Musain tregojnë se, në moshën e adoleshencës ishte një djalë i shkathët, që nuk heshtëte kurrë para padrejtësive. Ndaj shpesh revoltohej dhe kundërshtonte me forcë ndaj tyre. Kjo bëri që në vitin e katërt të Liceut të Korçës t’i pritej bursa, gjë që nga pamundësia ekonomike, u detyrua të ndërpresë studimet. Njohja me idetë përparimtare dhe revolucionare të kohës, që qarkullonin në ato vite në Korçë, e kishin bërë atë më të guximshëm. Pasi punoi për një kohë të shkurtër si mësues në fshatin Pojan të Korçës, iu dha e drejta të vazhdonte studimet në Shkollën Ushtarake të Tiranës, ku mori një formim të mirë ushtarak. Nga fundi i vitit 1930, ai shkon në Itali për të vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake të Modenës, ku nuk qëndroi gjatë. Për frymën antiqeveritare dhe revolucionare, pas një viti, e larguan nga Akademia Ushtarake, për ta dëbuar në Shqipëri. Mbrojtja Kombëtare e qeverisë së kohës, pasi analizoi veprimtarinë e tij revolucionare, në vitin 1932 i hoqi të drejtën e qëndrimit në Tiranë, duke e izoluar në fshatin e tij të lindjes, në Fratar. Qeveria mbretërore, duke parë tek Musa Fratari karakterin e tij protestues dhe mospajtues me shtypjen dhe qeverisjen e keqe të këtij regjimi, menduan se do ta bënin zap, vetëm duke e izoluar në fshatin e tij të lindjes. Por Musai, me karakterin e tij shpërthyes, nuk mud të heshtëte kurrë para padrejtësive. Kështu, kur pushtetarët e mbretërisë kërkuan me forcë që rrugës që lidhte Fratarin, fshatin e tij të lindjes, me Këlcyrën, vendosën t’i vinin emrin ‘’Rruga e Zogut’’, ai, në bashkëpunim bashkëfshatarët e tij vendosën, që rrugën e tyre ta quanin ’’Udha e vullnetit’’, duke e shkruar këtë emër të bukur me gërma të mëdha mbi shpatin e malit ku ajo shtrihej. Nëpërmjet këtij emërtimi kuptimplotë, Musai dhe fratarllinjtë, donin t’u thoshin pushtetarëve të kohës se, vullneti ynë është kundër mbretërisë. Jo shumë vonë, aty nga viti 1936, një udhë tjetër e vullnetit të hekurt do ta priste Musa Fratarin, për t’u bashkuar me shumë internacionalistë të tjerë, që vinin nga mbi 50 vende të botës, për t’u përleshur me mortajën nazifashiste, e cila duke përgjakur Spanjën e lirisë, synonte të mbyste me gjak lirinë dhe demokracinë, jo vetëm në Europë, por në të gjithë rruzullin tokësor.
Kur populli spanjoll ngriti flamurin e lirisë kundër asaj bishe të egër, Musa Fratari, jo vetëm e quajti të drejë këtë luftë, por bëri për vete edhe disa shokë të tjerë për t’iu bashkuar asaj lufte, që synonte të asgjësonte atë bishë të egër, që kërcënonte ekzistencën dhe lirinë e njerëzimit. Si rezultat i natyrës së tij rrebele dhe formimit revolucionar që Musai mori në Francë dhe në Itali, ai nuk mud të pajtohej dot me shtypjen e egër feudo-forgjeze të bejlerëve dhe të agallarëve të kohës. Kjo bëri që ai, brenda vitit 1930 të burgosej 4 herë. Aq problematik u bë ai, me luftën e tij kundër regjimit të kohës, sa që Ministria e Brendshme e mbretërisë, me një urdhër të veçantë e internoi për 4 vite me radhë në fshatin e tij të lindjes, në Fratar. Por Musai, edhe pse i izoluar, ishte ndër të parët që fshehurazi, bashkë me Riza Cerovën mori pjesë aktive në kryengritjen e Fierit të vitit 1935.
Duke rivlerësuar përsëri veprimtarinë tepër revolucionare të këtij djaloshi të papërmbajtur përmetar, Ministria e Brendshme e kohës, më 2 korrik të vitit 1936, i drejtohet prefekturës së Gjirokastrës me këtë urdhëresë të prerë:’’ Tue marë parasysh veprimet e këqia të këtij revolucionari të pabindur, lutemi të njoftohet Musa Fratari, se nuk mund të lejohet të qëndrojë në Tiranë. I jepet lejë vetëm 3 ditë. Më pas, në se nuk largohet me dëshirë, do të largohet me forcë. Por djaloshi Musa Fratari, edhe pas këtij kërcënimi, nuk heshti kurrë. Më 25 maj të këtij viti, i kundërpërgjigjet Ministrisë së Brendshme me këto fjalë:‘’ Nuk më mposhtni dot. Përveç instiktit tim liridashës, më shtërngon fort edhe problemi i bukës së gojës së përditshme. Por as vështirësitë ekonomike dhe as propaganda e shfrenuar e njerëzve të qeverisë, nuk do të më ndalin në rrugën time. Që të jetosh i lirë në Tiranë, ata i patën thënë, rri urt dhe tërhiqu nga veprimet revolucionare kundër qeverisë. Por ai s’u tërhoq kurrë. Deklarata e tij e prerë ishte:’’Lirinë nuk e ndërroj as me jetën time…!’’
Ishin kohërat kur Europa digjej nga flakët dhe mbulohej nga reja e tymit të barutit të luftës. Shoqëria, politika dhe ekonomia e shumë vendeve të botës kërcënohej nga kriza e thellë. Ideologjitë, politikat dhe filozofitë njerëzore të kohës përplaseshin fuqishëm me njeratjetrën si retë e mbarsura me shkrepoëtima dhe bubullima. Kishte lindur fantazma e filozofisë nazifashiste e cila rendëte të shkelte si goxilla mbi lirinë, paqen dhe demokracinë e njerëzimit. Si valvul shkarkuese e kësaj zjarrmie të lartë shkrepëtimash u gjet Spanja e vitit 1936. Ishjte koha kur në këtë vend bëhen zgjedhjet e reja politike. Në këto zgjedhje të Spanjës, fitoi Fronti Popullor i përbërë nga socialistët, republikanët dhe komunistët. Por këtë fitore e kundërshtoi me forcë e djathta e kohës, ose siç u quajt ndryshe ‘’Falangat spanjolle’’që drejtohej nga Gjenerali Franko. Ai u nis nga Afrika Veriore me një ushtri të madhe, me zulmin për përmbysjen me çdo kusht të qeverisë së majtë spanjolle. Kjo kokë e nxehtë politiko-ushtarake, e etur për pushtet, në korrik të vitit 1936, shkaktoi një luftë të ashpër civile në Spanjë. Këtij zjarri luftrash, për interesat e tyre përçarëse dhe tepër egoiste, nisën t’i fryjnë forcat më regresive nazifashiste të kohës. Në këto kushte të vështira e gjithë Europa dhe më tej, duke vlerësuar rrezikun e madh që i kanosej botës, u ngrit në këmbë në ndihmë të popullit liridashës spanjoll, që kërcënohej nga bishat më të egra të kohës. Luftëtarë vullnetarë nga të katra anët e Europës dhe të gjithë botës u bashkuan nën kauzën e përbashkët : “Të varrosim bishën nazifashiste që na kërcënon lirinë’’! Erdhën në Spanjë rreth 35 mijë luftëtarë vullnetarë nga mbi 50 vende të botës. Në radhët e tyre shkëlqyen edhe shumë shqiptarë, mes të cilëve edhe Musa Ali Fratari me disa përmetarë të tjerë.
Po, si u inkuadrua Musa Fratari në luftën e Spanjës?
Në fillim ai shkoi në Francë, ku ra në kontakt me Halim Xhelon dhe Ali Kelmendin, të cilët e pajisën me idetë revolucionare të kohës. Ndërsa në maj të vitit 1938, ai niset në ndihmë të popullit spanjoll, ku u bë pjesë e forcave demokratike çlirimtare të Brigadës XII Ndërkombëtare me emrin ‘’Garibaldi’’, kundër tiranisë frankiste. Në ofensivën e parë të Ebros, ai ishte në krye të kompanisë, që kapërceu lumin. Kjo omfensivë, e cila vazhdoi disa muaj me radhë, nga korriku deri më 15 nëntor të vitit 1938, ishte ndër betejat më të ashpëra. Në ballë të skuadrës mitraliere të kompanisë, Musa Fratari bëri kërdinë mbi forcat frankiste. Në këtë betejë ai u ndodh ballëpërballë me armiqtë, ku luftoi si luan me mitraloz në dorë. Përkrahë kishte ndihmësin e tij, italianin Mario, i cili, jo vetëm e furnizonte pa ndërprerë me municion, por dhe e frymëzonte atë duke i dhënë kurajo për të mos u gjunjëzuar kurrë. Mbasi e thyejnë armikun disa herë, bie heroikisht në llogoren e luftimit, bashkë me shokun e tij të armëve, italianin Mario, më 25 shtator të vitit 1938. Gjaku i tyre u përzie për të mos u ndarë kurrë, në luftë me një armik të përbashkët, që synonte të vriste lirinë dhe demokracinë botërore. Ai vaditi tokën spanjolle, për të tharë një herë e përgjithmonë farën e keqe të vrasësve të lirisë.
Për t’i nderuar përjetësishtë këta dy luftëtarë të lirisë, që vinin nga dy kombe të ndryshme, shokët, jo vetëm i tërhoqën trupat e tyre pa u trembur nga fusha e betejës, por dhe i varrosën në një varr të përbashkët, ku mbi një pllakë guri shkruan emrat e tyre, për të mos i ndarë kurrë. Musa Ali Kame Fratari, një djalosh rrebel kundër regjimit shfrytëzues feudo-borgjez të kohës, ka mbetur në kujtesën e atyre që e njohën nga afër simbol i një djali të zgjuar e tepër të shkathët, të një djali të ditur e të mençur, që nuk mund të bënte asnjë kompromis me lirinë dhe padrejtësitë shoqërore , që ëndërronte për një botë të lirë pa të shtypur e shfrytëzues, pa kombe e vende të pushtuar e pushtues, pa njerëz të sunduar dhe sundues, të dhunuar dhe dhunues. Janë këto disa nga arësyet që Musa Fratari mori titujt e lartë të mirënjohjes: Heroi i Popullit dhe Dëshmor i Lirisë Internacionaliste të Botës. Për ta bërë sa më të përjetshëm emrin dhe lavdiunë e tij, busti i Musa Fratarit lartësohet në qendër të qytetit të Këlcyrës, të cilin banorët e këtyre anëve e quajnë metaforikisht kryeqytet të krahinës më të madhe të Përmetit, Dëshnicës së luftës dhe të punës.
Në Luftën e Spanjës, përmetari Musa Fratari nuk ishte vetëm. Përkrah tij luftuan edhe 5 përmetarë të tjerë si Daut Muço nga Podgorani, i cili ra dëshmor për mbrojtjen e Madridit në nëntor të vitit 1938 , Sabri Lumani nga Katundishta… etj. Luftëtarët vullnetarë shqiptarë, që shkuan në Luftën e Spanjës, jo vetëm nga brenda kufijve tanë, por edhe përtej tyre ishin dhjetra. Por disa nga më të njohurit janë: Asim Vokshi, Dhimitër Kosta, Emrush Myftari, Faik Dardha, Hulusi Spahiu, Ibrahim Kurani, Iljaz Pashai, Justina Shkupi, Kostë Kolombo, Mane Nishova, Mehmet Shehu, Petro Marko, Qamil Sherifi, Ramiz Varvarica, Skënder Luarasi, Stefan Duni, Stivens Thanasi, Teni Konomi, Thoma Gogozoto, Urfi Agolli, Veli Dede, Xhafer Miraka, Zhelal Bajrami, Xhemal Kada, Zef Hoti, Zef Prela, Zihni Muço, etj.
Ndoshta, për etjen për liri që patën dhe ushqyen tërë jetën dëshmorët dhe heronjtë e Luftës së Spanjës, mes të cilëve dhe Heroi Musa Fratari, i cili dhe ra heroikisht, buzë lumit Ebro, shkrimtari dhe luftëtari vullnetar i kësaj lufte, Petro Marko, do të shkruante vargjet:’”Rrëmbemë , o valë e bukur si pirati, / dhe më bashko me kapedanë trima, zemërdelfina, / të shpejtë si vetëtima, te hulli e jetës, ku na shkruhet fati…!’’