Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, e ka hedhur poshtë aktakuzën e ushtruar ndaj pesë të dyshuarve: E.R. dhe Sh.K, (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022.
Aktvendimi është marrë nga gjyqtari Adnan Isufi, ku sipas tij, aktakuza, përkatësisht propozimi në gjashtë pika është i pa plotë.
Në këtë vendim, i cili është marr më 8 dhjetor të vitit të kaluar, thuhet se Gjykata me rastin e shqyrtimit të aktakuzës është e kufizuar që të mos paragjykoj epilogun e çështjes penale në meritum dhe në vlerësimin e plotë dhe përfundimtar të kualifikimit të veprës penale.
“Derisa gjykimi ende nuk ka filluar, Gjykata nuk e ka gjithashtu të mundur të vlerësoj nëse gjendja faktike është e provuar në mënyrë të plotë dhe përtej çdo dyshimi në bazë të provave sepse kjo do të ishte krejtësisht paragjykuese për epilogun e gjykimit”, thuhet në vendim.
Gjyqtari Isufi në këtë vendim ka theksuar se akti akuzues në pikën 1 lidhur me të miturin G.R, G.J dhe Xh.S, në pikën II lidhur me të miturin G.R, në pikën III lidhur me të pandehurin E.R, në pikën IV lidhur me të pandehurin E.R, në pikën V lidhur me të pandehurit Sh.K dhe në pikën VI lidhur me të miturit G.R dhe Xh.S nuk është përpiluar në pajtim me nenin 241, të KPRK-së, përkatësisht akt akuzues, është i paplotësuar edhe pas kërkesës për përmirësim, raporton Betimi për Drejtësi.
Pikërisht me 8 dhjetor, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave të cilët dyshohen se janë përfshirë në dhunimin e 11-vjeçarës në gusht 2022 në Prishtinë.
Por çfarë ndodhi?
Sipas prokurorisë, në gusht 2022 teksa 11-vjeçarja po ecte në park i janë afruar tre persona ku fillimisht e kanë ngacmuar me fjalë e pastaj e kanë tërhequr në një qoshe ku kanë filluar ta zhveshin.
Sipas dosjes së prokurorisë “personi me bluzë të bardhë e ka kapur nga duart dhe personi tjetër ka kryer marrëdhënie pa dëshirën e saj”.
Bazuar në deklaratën e së miturës, pasi ka përfunduar njëri, ka filluar një person tjetër ta përdhunojë.
Për 11-vjeçaren tmerri nuk përfundoi aty, derisa po kthehej në shtëpi, një person tjetër ka ndaluar dhe një tjetër e ka marrë me forcë në makinë.
E mitura deklaroi se shoferi e ka pickuar gjatë gjithë rrugës për të ndaluar pastaj në një vend me bar dhe pemë ku edhe e përdhunuan.
j.l./ dita
