Tingujt e “Mythodea-s” të kompozitorit Vangelis, që performoheshin në tempullin e Zeusit në Athinë do të mbeteshin në kujtesë të artistit Arben Bajo… Dhe punimet e tij të fundit emërtohen po njësoj.
Ekspozita “Mythodea” me punimet në skulpturë të artistit Arben Bajo, u çel në galerinë FAB me 25 punime në skulpturë dedikuar mitologjisë; nga Odisea, Uliksi te Pegaso.
Kuratori Ermir Hoxha shprehet se titulli “Mythodea” u vendos pas një diskutimi të shkurtër në kafen poshtë studios së Gazmend Lekës.
“Për titullin kishim diskutuar disa herë me Bajon. Aty në studio, njëri titull ia linte vendin tjetrit. U morën e u stërmorën disa versione, nga ‘Rënia e Pegasos’, ‘Vështrimi i Uliksit’, tek ‘Një Odise skulpturore’. Në fund titulli ‘Mythodea’ u vendos pas një diskutimi të shkurtër në kafen poshtë studios së Gazit. Gazi sugjeroi të huazonim titullin e një simfonie korale për të cilën Bajo fliste shpesh. Vepra e shkruar nga kompozitori grek Vangelis në vitin 1993, me titullin origjinal ‘Mythodea, Music for the NASA Mission: 2001 Mars Odyssey’ ishte performuar vetëm një herë në tempullin e Zeusit në Athinë, event ekskluziv ku Bajo kish pasur fatin të ishte”, shprehet Hoxha për Gazetën “Si”.
Ekspozita vjen edhe si homazh në 55-vjetorin e lindjes së tij në galerinë FAB. Bajo është një nga artistët që humbëm gjatë pandemisë, dy vite më parë.
“Pas ndarjes nga jeta të Bajos, ne miqtë më të afërt të tij po planifikonim në fakt një ekspozitë retrospektivë, por kërkohej një hapësirë e madhe mjaftueshëm. Por me mbylljen e saj e Galerisë Kombëtare rikonstruksion ky plan u shty. Pastaj Teuta, bashkëshortja e Bajos hodhi idenë e realizmit të ekspozitës që Beni kishte në plan për të realizuar para se të ndahej nga jeta. Kështu nisi puna që në mars për t’u konkretizuar më 13 tetor ditën e tij të ditëlindjes”, vijon kuratori për Gazetën “Si”.
“Rënia e Pegasos” është skulptura që rrëmben gjithë vëmendjen në galeri. Bajo ka realizuar një version monumental të figurës së Pegasos derdhur në allçi, me një simbol të fortë ekspozuar në formën e një instilacioni. “Rënia e Pegasos”, më e fundit skulpturë e tij duket sikur simbolizon vdekjen e krijuesit.“Kapërcimin e vetvetes Bajo do ta realizonte në një version monumental të figurës së Pegasos. E derdhur në allçi apo rezinë, ajo ishte projektuar për t’u ekspozuar e përmbysur në galeri në një vend qendror. Edhe pse u realizua e fundit, kjo vepër ishte tejet e rëndësishme për ekspozitën, aq sa për një periudhë do t’i jepte asaj dhe titullin. Në fakt disa nga titujt më të diskutuar fillimisht ishin ‘Pegaso i Përmbysur’, ‘Pegaso i Rënë’, apo ‘Vdekja e Pegasos’. E gjithë kjo ishte e lehtë për t’u imagjinuar. Figura e Kalit magjik për Bajon ishte përmbysur si asnjëherë tjetër. Hingëllues, me këmbët përpjetë dhe flatrat e mbështetur mbi dysheme, si një krijesë e nxjerrë nga filma fantastiko-shkencorë, skulptura do të ishte një nga sensacionet më të mëdha të ekspozitës”, shprehet kuratori.
Mitet e botës antike ishin muzë për të. I frymëzuar nga mitologjia e librave antik që mbante në studion e tij, skulptori, siç thotë kuratori Ermir Hoxha abstragonte, me qëllimin final që vepra e tij të derdhej në bronz. E në shumë prej personazheve mitologjikë qoftë Herkuli, Odisea a Uliksi, gjejmë Bajon të personifikuar.
“Në studion e Bajos, në tavolinën mesore, qëndronte gjithnjë një libër mbi artin antik. Mbi ilustrimet e tij, ai u përvodh shpesh për të rindërtuar skenat e mitologjisë së tij. Si të tilla, po me dimensione të vogla dekorative morën formë vepra me temë nga ‘Odisea dhe sirenat’, ‘Hektori dhe Akili’, ‘Herkuli dhe Hidra’, etj. Ai herë i abstragonte në kufijtë e të pakuptueshmes e herë i skiconte të ngjashme me figurat e zeza në vazot greke. Me qëllimin final të realizimit në bronz, Bajo po ndërtonte një galeri personale subjektesh klasike, të cilat në rrugëtimin e tij ishin treguar gjithnjë të suksesshme”, shprehet më tej kuratori për veprimtarinë e Bajos, ndërsa shton se “’Mythodea’ ishte një projekt kompleks. Ai zgjati në kohë dhe mori formë në dy linja të ndryshme, ku e para ishte ajo klasike, dedikuar mitologjisë. Bajo kishte kohë që mendonte të ndërtonte një seri veprash me temë nga mitet e botës antike, por kjo në vetvete nuk përbënte risi, pasi tema a personazhe të kësaj kulture në krijimtarinë e tij kishin qenë gjithnjë të pranishme. Sidoqoftë ai vazhdonte t’i shtonte veprat dedikuar kësaj trashëgimie me arsyen e thjeshtë se ato ishin shtresëzimi simbolik i natyrës njerëzore në konfliktin e përjetshëm mes racionales dhe instiktives”.
Sipas kuratorit, “Mythodea” ishte projekti më ambicioz e kompleks i Bajos. “Aty ai do të kapte frekuencën e vet maksimale, si në përqasje estetike, ashtu dhe në thellësinë filozofike të temës”.
Te subjektet mitologjike Bajo kish gjetur vetveten. Ai i adhuronte ato që nga rrëfenjat e moshës së njomë, filmat hollivudianë dhe akoma më shumë nga moria e veprave të artit perëndimor në të cilat ishin projektuar në shekuj.
“Dhe për Bajon ato nuk mund të ishin ‘thjesht’ si interpretime ilustrative. E tregon këtë interpretimi i vazhdueshëm simbolik i tyre, ku tiparet e heronjve nuk hezitojnë që të ngjasojnë gjithnjë e më shumë me ato të vetë artistit. Ky personifikim herë mbi kryet e Uliksit, e herë të Herkulit nuk mbetet i vetëm, pasi dhe në trupat ku tiparet e heronjve fshihen, fiziciteti karakteristik i Bajos është më se i dallueshëm”, përfundon kuratori.
Ndërsa ekspozita “Mythodea” do të mirëpresë vizitorët deri më 12 nëntor, projekti i ardhshëm është një ekspozitë retrospektivë si dhe nxjerrja në dritë e vizatimeve të hershme të Arben Bajos, të paekspozuara më parë.