Sefer Pasha
Mirënjohje për oficerin e SHIK-ut që nuk zbatoi urdhrin e Gazidedes për të hedhur në erë me telekomandë Urën e Mifolit në Vlorë
Hysen Llaveshi mbetet një nga miqtë e mi të mirë. Në rini që të dy shërbyem në verilindje të vendit. Hyseni me Sigurimin e Shtetit, kurse unë për zgjidhjen e incidenteve në kufi me forcat serbe të Millosheviçit. Hysen Llaveshi ishte matjan. Erdhi në Kukës 20 vjeç djalë. Si tani e kam parasysh portretin e tij. I gjatë si lis Klosi . Me flokët e zeza kaçurrela. I menduar. Qysh atëherë armën e tij më të fortë kishte komunikimin me njerëzit. Gojëmbël e fisnik. Edhe pse ishte në detyrë delikate dhe zbatonte ligjin, në përditshmëri në “arat” e punës së tij i bënte “fresk” dhe kanunit të maleve. Kanuni për të ishte “kushtetuta” në marrëdhëniet me qytetarët, me punëtorët e minierave, gjeologët, bjeshkëtarët, kositësit, druvarët, kooperativistët, mbledhësit e bimëve medicinale, barinjtë, bletërritësit dhe me kosovarët, të cilët vinin vakt e pa vakt nga malet dhe kërkonin strehim politik në Shqipëri. Linja e punës së Hysen Llaveshit ishte zbulimi i fijeve të agjenturës së UDB -së. Por askush nuk depërtonte dot në “kasafortën” e tij. Nga natyra qe pyll i egër. Ku ngrysej nuk gdhihej. Një vizitor gjakovar nga Kukësi, i cili qe me vizë në Beograd kur u kthye prej andej e kishte parë Hysen Llaveshin në hotel “Sllavja” në Beogradin e vjetër. Vizitori me origjinë nga Gjakova nuk e diskutonte se ai që kishte parë në hotel ishte Hysen Llaveshi me të cilin kishte miqësi në Kukës. Hyseni në Beograd kishte bërë sikur nuk e kishte parë. Pas kthimit nga Beogradi vizitori ia kishte thënë këtë fakt Hysen Llaveshit, por ai ia kishte mohuar. Të kanë bërë sytë i kishte thënë Hyseni. Unë Beogradin e kam parë vetëm në filma. Kurrë nuk u mor vesh e vërteta.
Hysen Llaveshi qe një meteor që shkëlqeu qysh moti kur filloj të shërbejë në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Ai qe i ri dhe erërat e demokracisë e përthithën në Tiranë në Shërbimin Informativ Kombëtar. Kështu quhej ky shërbim fillimisht: SHIK! Vite më vonë me vendim u quajt SHISH. Falë talentit intuitiv e profesional Hyseni shumë shpejt u bë një nga punonjësit më të preferuar të kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidedes. Dhe Hysen Lalveshi si malësor nuk e kurseu “thesarin” e përvojës që ta derdhte në “bankën” e re të SHISH -t. Nuk lëshonte pe. Ai luftonte që ky shërbim të ngrihej në nivelin e shërbimeve të tjera inteligjente në botë. Hysen Llaveshi ishte ndeshur në verilindje me shërbimin e UDB -së dhe e dinte sa i mprehtë e profesional qe ai shërbim në të gjithë rruzullin. Qysh në muajt e parë Hysen Llaveshi u përplas me “ortekun” e medikokërve të atyre, që ishin përzgjedhur nga parlamentarët dritëshkurtër. Nuk i duronte dot mediokrit. Zyrat e mbushën me ish të burgosur ordinerë, me parallinj, me miq të parlamentarëve e të trafikantëve, që brenda natës t’i hidhnin thonjtë në fyt me euro e dollarë. Një ditë u mahnit kur pa në zyrat e SHIK -ut përfaqësuesin e kishës greke. Me siguri që ai pruri aty ndonjë “dash” të Asfalisë greke. Por Hysen Llaveshi e kishte të vështirë. Nën kësulë kishte “mizën” se ai kishte punuar disa vite në Sigurimin e Shtetit. Një mëngjes një “marangoz” ia tha “kleçkën”. “Marangozi” nuk dinte të shkruante shqip. Dhe Hysen Llaveshi u detyrua të heshtë me dhimbje. Atë po e mbante në punë Bashkim Gazidedja. Ai me kulturën civile që kishte e vlerësonte talentin e Hysen Llaveshit.
***
Në ato vite edhe unë erdha me shërbim në Gardën e Republikës. Ishte e njëjta “dorë e zezë”. Aty takova një tankist, i cili kishte punuar si traktorist në Streblevë. Në një situatë në bulevard kur u urdhërua dhe dolën tanket “traktoristi” doli mbi kullën e tankut dhe ulërinte “Hapuni se nuk jam tankisti!”. U përplas në bar – kafe Amerika. Tankun e ndaluan kangjellat e çelikta që rrethonin lokalin. E mbuluan pastat e bar Amerikës. E takova Hysen Llaveshin në Kryeministri. Ishte me ish Kryeministrin Aleksanadër Meksi. Edhe Kryeministri e çmonte Hysen Llaveshin. Mua më shkarkuan shpejt nga detyra e rëndësishme. Kurse Hysen Llaveshin nuk e lëshuan nga duart. Ai për një periudhë të shkurtër hartoi rregulloren e këtij shërbimi, instruksionet, komunikatat, buletinet, hartat, skicat për kordinimin e veprimeve operacionale me linjat e tjera të Policisë së Shtetit, dhe ato të shërbimit të fshehtë në Ministrinë e Mbrojtjes. Sjell në mendje vetëm një takim me Hysen Llaveshin. Ai kishte qenë në zyrën e Kryeministrit Aleksandër Meksi, i cili i çmonte informacionet e talentit me origjinë nga Mati. Për probleme të mprehta Aleksandër Meksi thërriste shpesh në konsulta Hysen Llaveshin. Gazidedja kurrë nuk e pengonte. Në atë takim në paradhomën e Kryeministrit unë si dikur në Kukës i thashë mikut tim Hysen Llaveshi se edhe pushtetarët e rinj po të mbajnë në pëllëmbë të dorës. Edhe demokratët po të peshojnë me “flori”. Përveç Gazidedes me ty e pi kafen dhe Kryeministri. Më pëlqen i thashë gjithashtu që demokratët të ngjitën në shkrepat e malit të Gjallicës. Komunistët nuk ta hapnin shumë syrin. E mbaj mend mirë atë moment. Hysen Llaveshi rrinte i menduar. Mos e lakmo shkëlqimin tim, më tha ai me dhimbje. Edhe borën në majën e Pikëllimës, që është aq e bukur e pshurrnin qentë dhe ujqërit. Kam shumë për të thënë, shtoi ai. Por paradhoma e Kryeministrit përgjohet. Dhe sot ky shërbim është më i llahtarshëm se “diktatura e proletariatit”. Të keqen, o ujku i Macukullit. Ai të hante, por ta linte një shenjë. E gjëje në mal. Kurse këta të sotmit të zhdukin pa nam e pa nishan. Hysen Llaveshi ishte i shqetësuar për fatin tim. Pritej urdhri i lirimit dhe unë do të mbetesha në mes të katër udhëve. Ky fat më pret dhe mua, tha ai i nervozuar. Ai fliste dhe unë nuk doja që ta besoja. Mendoja se Hysen Llaveshi zuri vend në SHISH si një shkëmb i fuqishëm. Por nuk ndodhi ajo që mendoja unë. Nëse unë si titullar në Gardë përfundova në një shitës gjize, Hysen Llaveshi jo vetëm e humbi vendin e punës, por iu rrezikua koka. Në fije të perit shpëtoi nga ndonjë plumb “qorr” i bandës së Bashkim Gazidedes,
***
Megjithëse pas largimit nga Garda e Republikës unë po rrokullisesha si një gur në greminë prej së largu e ndiqja fatin e mikut tim Hysen Llaveshi. Nuk takohesha më me të. Kisha frikë se mos e dëmtoja. Isha bërë me “qere” në kokë. Kafen e mëngjesit e pija me Sofokli Dukën(Alban Kosovën) të cilin e arrestuan. Alban Kosovës nuk i ndaheshin çap pas çapi. Krimologu qe trim dhe nuk donte që t’ia dinte. Priste dhe arrestimin tjetër e në këto rrethana u “arratis” në Greqi. Me miqtë e mi të dikurshëm që ende punonin më thoshin se këta të Gazidedes ’’Alban Kosovës’’ ja kanë vënë nofkën “kauri” i Lunxhit. Unë nuk e kisha përfytyruar se mundet të vinte kjo kohë e egër dhe ky “qamet”. Gjithashtu sa herë që tokja mikun tim të rinisë Neshat Tozaj, ai si lab i prapë më thosh: “Ruhu!”. Këta edhe të vrasin më thoshte Neshati. Ishte koha kur të dy po përgatisnim një skenar për dokumentar. Ishte një dokumentar që ia kushtonim Edi Ramës, të cilin e bën copë banditët. Neshat Tozaj nuk i kishte mirë marrëdhëniet me Edi Ramën.
Trokitja e 97 -tës e tronditi botën shpirtërore të Hysen Llaveshit. Tani ai nuk “fshihej” se mos e kallzonin se Hysen Llaveshi takohet me “bishta” të komunistëve të Enver Hoxhës. Ishte kjo arsyeja që ne filluam të takoheshim më shpesh. Bile haptas. Bisedat me Hysen Llaveshin ishin dramatike. Në çdo minutë përhapeshin lajme kobzeza. Po hapeshin njëra pas tjetrës depot e armëve. Filluan vrasjet, plaçkitjet, bastisjet e zyrave të shtetit dhe ishte e pamundur të dilje në rrugë. Breshëri i plumbave të merrte jetën. Vetëm burgjet nuk qenë hapur. Pritej dhe zbrazja e burgjeve, ku mbaheshin të izoluar kriminelë të natyrave të ndryshme. Nga ato që më thoshte në biseda Hysen Llaveshi, ai nuk ishte në gjendje ta shpjegonte dot se çfarë po ndodhte. Në kafen “Arturi” para Presidencës, ku pija kafe me miqtë e Gardës e pyeta për Presidentin dhe ai ngriti supet. Hyseni më tha një detaj që m’u ngulit në mendje. Ai sa kishte dal nga Presidenca. Shërbimi i brendshëm i kishte thënë se Presidentit në zyrën e tij një regjisor i jepte mësime praktike. Regjisori e stërviste si të fliste, të disiplinonte gjestikulacionet. Shqipëria po digjet, më thoshte Hysen Llaveshi me nervozizëm. I gjithë jugu i vendit ishte ngritur në rebelim. Një gjë e thoshte me zë të lartë. Bashkim Gazidedja ishte egërsuar si asnjëherë tjetër. Ai kishte folur në Parlament dhe punonjësve ua kishte futur këmbët në një këpucë. Ta shtypim rebelimin me zjarr!, ulërinte nëpër zyrat e institucionit thoshte ai. Kur Gazidedja kërkonte mendimin e Hysen Llaveshit për situatën tragjike të vendit ky i fundit heshtëte. Dhe këtë heshtje Gazidedja nuk e duronte dot.
***
Bubullimat e 97-tës e shpërfytyruan Hysen Llaveshin. Për ditë thinjej. Me mua takohej më shpesh në kafen “Artur” në të majtë të rrugës “Abdyl Frashëri”. Ai vinte në Kryeministri e në Presidencë për punët e tija. Mua asgjë nuk më thoshte. Pas Presidencës unë kisha një supermarket të cilin e furnizoja me bulmet nga Konispoli. Kur Hyseni më jepte dorën më thoshte me dhimbje “ti Sefer vjen era hirrë”. I mbusheshin sytë me lot. Ai e dinte mirë se mua ma kishte zënë vendin e punës një këpucar nga qyteti i Gjirokastrës. Kurse një veteriner qe bërë kryetar dege. Ai kur punonte komunikatën e mëngjesit oficerëve u vërshëllente si të ishin një tufë me “cjep”. Në çdo takim unë flisja. Hysen Llaveshi qe bërë më i menduar. Edhe pse Hyseni e priste daljen në lirim, në bisedat e përditshme nuk më fliste keq për Gazideden. Kur e pysja fare kot, Hyseni më përgjigjej se “Gazidedja figurën e ka sikur të jetë ndonjë komunist”. Jeton në një pallat me parafabrikate dhe kafen e mëngjesit e pi me lekët nga xhepi i tij. Kurrë nuk futet nëpër restorante. Nuk ka burrë ta komprometoj myslimanin Bashkim Gazidedja. Hysen Llaveshi shtonte që Gazidedja nuk do ta lëshojë pushtetin. Është i betuar. Hyseni tek kafe “Arturi”, por edhe kur filluam të pimë ndonjë gotë raki me qofte tek zgara pas librit Universitar, ai kurrë nuk më fliste për sekretet e punës, paçka se unë i mbushur me urrejtje i bëja një mijë pyetje. Edhe në varr po të jem sekretet e punës nuk i nxjer në pazar thoshte me mërmërimë. Unë e dëgjoja dhe e porosisja që të merrte masat se nuk i dihej se çfarë ndodhte në këtë kohë tragjike. Dhe për ta qetësuar i flisja për “Bredhin e Seferit”. Kur unë shërbeja në Presidencë nga që kisha qenë komunist dhe komisar e kisha shumë frikë Izet Haxhinë. Nuk i dilja kurrë përpara megjithëse Izeti kishte miqësi me një shokun tim nga Lekbibajt e Tropojës Gjelosh Ukcamën, i cili vdiq këto kohë nga korona në Nju Jork. Gjithsesi unë i druhesha Izet Haxhisë. Kisha frikë se mos më bënte gjëmën. Për fat, falë miqësisë me tropojanët ai nuk më hoqi nga puna. Disa herë pata pirë uiski me të në kafenenë e posaçme për Presidentin. Por rreziku nuk vinte vetëm nga Izet Haxhia. Aty kishte dhe ujqër të tjerë. Pikërisht për këtë arsye unë e kisha ngritur “zyrën” tek bredhi si një kullë alpine pas Presidencës. Degët i vareshin si fleta çadrash dhe unë aty kisha vendosur një stol e nuk bija fare në sy. Qysh atëherë gardistët i vunë bredhit nofkën “Bredhi i Seferit”. Ashtu i thërrasin dhe tani. Dhe unë kisha të drejtë që “strehohesha” tek bredhi me pamje “gjenerali”. Pas meje do ta pësonin dhe shumë të tjerë. Bile dhe vetë “përbindshi” Izet Haxhia, të cilin në vitin 1999 e takova në Tropojë. “Zeusi” im i Presidencës fshihej në male. Fate dreqërish.
***
Viti 97 – të mori përmasa katastrofike. Qindra të vrarë. Rrëmbime. Përdhunime. Shkatërrim të pyjeve, të lumenjve, të urave e të parqeve kombëtare. Në një rast e takova Hysenin në një nga kafet ngjitur me shtëpinë e Enver Hoxhës. Një javë më parë ishte plaçkitur biblioteka e famshme e Enver Hoxhës. Më duket se nuk ka shpëtim, më thoshte Hyseni i brengosur. SHIK-u po bën të gjitha përpjekjet për ta pasur situatën nën kontroll. Por është e pamundur, këmbëngulte ai. Shërbimet inteligjente të botës po punojnë fort për të na vithisur në humnerë. Jemi afër buzës. Unë me anë e me udhë, i mëshonte ai bisedës, po luftoj që t’ia mbush mendjen Gazidedes, që qeveria Meksi të japë dorëheqjen. Në këtë stuhi të nxehtë dorëzimin e qeverisë e shoh si të vetmin shpëtim. Por me sa shoh Gazidedja edhe pse i kanë ngarkuar detyrën e komandantit të shpëtimit të vendit ka në dorë hapsit e kashtës. Dhe Hyseni kishte të drejtë. Oficerët e Gardës, të cilët u dërguan për të qetësuar situatën në jug të vendit i morën peng, dhe i mbanin në shkrepat e malit të Gribës. Komisariatet po digjeshin njëri pas tjetrit.
Hysen Llaveshi i kishte pisk punët. Vetë ishte një shkëmb që nuk e çelte gojën. Por disa nga miqtë e mi në SHIK më tregonin çudira. Hysen Llaveshin dhe disa të tjerë po i kërcënonin për t’i dërguar në Vlorë. Nuk kishte shumë kohë dhe në Vlorë gjatë një proteste ishte vrarë Artur Rustemi. Ishte djegur godina e SHIK-ut në Vlorë dhe ishin masakruar punonjësit. Të zihej fryma nga lajmet e tmerrshme.
E mora në telefon Hysen Llaveshin dhe u takuam në kafen tonë të preferuar. Në tavolinën përballë ishte ulur Halit Gjeçi, i cili qe pushuar nga detyra. Ai nuk kishte shkuar në Vlorë për të shtypur me tanket e Gardës revoltat si në Vlorë dhe në disa qytete të jugut të vendit. Edhe Halit Gjeçi ishte në rrugë të madhe. E vështrova dhe m’u duk më me vlera kur vite më parë ai më kishte marrë në punë në Gardën e Republikës. Për Halit Gjeçin oficerët e Gardës flisnin me respekt. Mos i fol Halit Gjeçit, më tha në vesh Hyseni. Në fund të lokalit janë dy punonjës të SHIK-ut. Isha në merak. I bëra disa pyetje Hysenit, por ai m’u përgjigj shumë thatë. Qe e pamundur që të zbërtheje Hysen Llaveshin. Ai ndërroi temën e bisedës.
Ajo që pritej ndodhi. Hysen Llaveshin e kishte thirrur Gazidedja dhe i kishte dhënë urdhër që bashkë me disa të tjerë do të niseshin drejt jugut. Me ta marrë vesh këtë lajm, unë shkova tek Oxhaku pas godinës së SHIK-ut. Aty më priste një nga miqtë e Hysen Llaveshit, i cili në Kukës kishte punuar në një sektor me Hysen Llaveshin. Ai qe shumë i afërt shpirtërisht me Hysenin. E pyeta dhe miku i Hysenit ngriti supet. Një gjë dihej saktësisht. Hysen Llaveshi për t’i shpëtuar arrestimit, ngaqë nuk kishte zbatuar urdhrin për të shkuar në jug, ishte varur me litar nga kati i tretë i godinës së SHIK-ut dhe me disa të tjerë kishte ikur në drejtim të paditur. Askush nuk dinte hollësira. Nuk pimë kafe me mikun e Hysenit. S’na mbante vendi. Lëvizëm për nga Xhamlliku. Udhës i tregonim dramat që po ndodhnin nëpër Shqipëri. Një nga oficerët e Ministrisë së Brendshme, Halit Mulgeci nga Tropoja, e kishin nisur me trupat për të shtypur revoltat në Sarandë. Por tek Ura e Karanesë Haliti i kishte kthyer mbrapsht forcat për në Tiranë. Nëse do të kishte vazhduar për në drejtim të Sarandës “rebelët” do të kishin shkaktuar viktima. Ura e Memaliajve qe bllokuar dhe Halit Mulgeci i kishte devijuar forcat nga Qafa e Kiçokut në Përmet. Unë kisha punuar me Halitin në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe e dija që ai ishte kurajoz e trim. Vendimin që kishte marrë tek Ura e Karanesë në Sarandë e kishin mirëpritur të gjithë kolegët e tij.
Më në fund në një nga koriet e malit të Dajtit u takova me Hysen Llaveshin. Nuk e vija në dyshim që ai studionte terrenin për t’u arratisur nëpërmjet udhës së Shëngjergjit që të nxjerr në zonën e Burrelit. U tmerrova kur e pashë. Hysen Llaveshi kishte filluar të plakej. Pa e hapur bisedën për përplasjen me Gazideden, i thashë se sa shumë që kishte ndryshuar. Dhe i tregova ngjarjen me dy oficerët e postës kufitare të malit të Pikëllimës në Kukës. Të dy oficerët u përplasën në mbledhje. Njëri që ishte rreth të tridhjetave në moment gjaknxehtësie nxjerr pistoletën dhe e qëllon kolegun. E plagos. E arrestojnë në moment. Kur unë e kam takuar të nesërmen në qelinë e burgut se do t’i merrja dëshminë, u habita. Oficeri që bëri plagosjen ishte zbardhur si mali i Pikëllimës në janar. Për një natë njeriu ishte bërë shtatëdhjetë vjeç. E kishte shkatërruar drama. Si ai oficeri i Pikëllimës ishte katandisur Hysen LLaveshi paçka se ai nuk kishte bërë ndonjë vrasje. Vetëm kishte kundërshtuar një urdhër të padrejtë.
E pyeta Hysen Llaveshin se çfarë i ndodhi me Gazideden dhe ai më dha një përgjigje të thatë sa për të më mbyllur gojën. Ai nuk dinte se ku kishte kokën. Ish kolegët po e kërkonin dhe në vrimën e miut. Në rrugën e Durrësit i kishin kapur të vjehrrin dhe i kërkonin që ai të tregonte se ku ishte Hysen Llaveshi. Dhe kur vjehrri nuk ua kishte treguar adresën, ata e kishin bërë të vdekur duke i shkaktuar disa fraktura. Ai ndodhej në spital. Nusja e Hysenit qe tmerruar dhe i kishte treguar gruas time se gjëma po i kërcënonte. E kishin braktisur shtëpinë. Ajo me të dy djemtë flinin ku të mundnin nëpër mezinët e Gjirokastrës. Unë i kërkova me terezi Hysenit të më tregonte ndonjë detaj nga përplasja me Gazideden, por ishte e pamundur që ai të thoshte qoftë dhe një fjalë të vetme. Miqtë më rrëfyen se Hysen Llaveshi dhe Gazidedja i kishin nxjerrë koburet njëri – tjetrit. Thuhej se ishin qëlluar dhe me grusht. Hysen Llaveshit i kërkohej me çdo kusht që ai të shkonte në Vlorë dhe të hidhte në erë me minë të telekomanduar Urën e Mifolit. “Rebelët” e Vlorës po përgatiteshin për t’u nisur drejt Tiranës. Do të digjnin Parlamentin. Flitej gjithashtu se Hysen Llaveshi i kishte shpëtuar në fill Gazidedes. Në një fraksion të minutës kur Gazideden e kishin kërkuar disa të huaj në dhomën e pritjes, Hyseni kishte dalë nga zyra dhe me litar që nga zyra e tij kishte zbritur në katin e parë. Unë e pyeta disa herë dhe Hysen Llaveshi më tha se e kishte të pamundur të minonte Urën e Mifolit. Kur ai ishte fëmijë ati i tij në odën me miqtë e fillonte bisedën me udhëtimin e Isa Boletinit për në Vlorë. Babai u fliste miqve për udhëtimin e Isa Boletinit për në Vlorë. E kishte pasion këtë tregim. Në udhëtimin e tij për në Vlorë Isa Boletini me t’u nisur nga Gjakova konakun e parë e gjeti në Gjinaj të Kukësit, të dytin në Kukës dhe të tretin në Bicaj. Pastaj vazhdoi për në Ujmisht, në Kala të Dodës dhe në Dibër tek Elez Isufi. Pastaj vazhduan rrugën. Kaluan Vjosën dhe u takuan në Vlorë me Ismail Qemalin.
Bisedën e atit me miqtë Hysen Llaveshi e kujtonte me dhimbje në kohën kur po i kërkohej që të minonte urën e Mifloit aty ku kishte kaluar fillimisht Ismail Qemali dhe Isa Boletini me 400 trimat e tij. Kjo do te ishte vetëvrasje, i kishte thënë vetes Hysen Llaveshi. Paçka se e pyeta disa herë ai nuk më tregoi hollësira të tjera. Sekreti ishte dobësia e tij.
U bën disa ditë që Hysen Llaveshi është në ilegalitet të plotë. Askush nuk e di se ku ngryset dhe ku gdhihet. Nuk e di as e shoqja, e cila gjithashtu jeton tek njerëzit e saj nga Gjirokastra. Megjithatë me kërkesën e Hysenit një mbasdite nëpërmjet një ndërlidhësi nga Kukësi ne u takuam në një lokal gabelësh buzë Lanës ngjitur me maternitetin “Koço Glozheni”. Gabelët pinin dhe këndonin. Aty askush nuk na njihte. Me Hysenin i kopsitëm “telat”. Një natë Hysen Llaveshi me njërin djalë, Arbërin, do ta gdhinte i strehuar në shtëpinë time. Për “operacionin” e largimit të tij nga Tirana drejt Burrelit nuk kishim lënë asgjë mangët. Shpresonim që të dy se do t’ia dilnim. Ashtu si dhe gabelët edhe ne filluam të pimë raki me konserva peshku.
Hysen Llaveshi vazhdonte të ishte në udhëkryq. Sa herë që linim takim, ai më thoshte një gjë që nuk e harroj kurrë. Më pëlqen errësira, thoshte ai me zë të lartë. Nuk dua që të gdhijë nata. S’e duroj dot dritën dhe diellin. Ndaj të gdhiri shikoj orën dhe kur afron ora e zbardhjes së dritës e flak orën. O zot, i them vetes. Shtyje edhe pak ardhjen e ditës. Nata më mbron. Dita është kërcënim.
Unë ashtu me takt luaja rolin e psikologut. Dhe kur ai e kuptonte këtë gjë vinte buzën në gaz. Ti Sefer mendon se kam rënë në depresion, thoshte ai me ironi. Jo. Por që t’i shpëtoj arrestimit, ose ndonjë plumbi “qorr” më duhet që ta shfrytëzoj natën. Kolegët e rinj të SHIK-ut nuk kanë përvojë më natën. Mos e mbaj mendjen tek Heronjtë e Heshtur të Sigurimit të Shtetit. Ata ishin prurje e një kohe të artë dhe nuk lindin më. E kundërshtoja por ai ishte vet psikolog.
Në mbrëmje Hysen Lalveshi do të vinte me gjithë djalin Arbërin dhe aty do ta kalonin natën. Qysh natën do të niseshin nga Qafë Molla për në Burrel.
Hysen Llaveshi u fut me ditë në shtëpinë time. Ai qe veshur me një kostum nga ato që përdorin pastruesit e pusetave në lagjen “Ali Demi’’. Kur u fut i maskuar në shtëpinë time nuk e njoha. Djalin, që tani është bërë burrë në Amerikë, ime shoqe e kishte marrë qysh para dite. Arbëri luante me të dy djemtë e mi gjithashtu të vegjël. Me të hyrë brenda, Hysenit i dhashë një kallashnikov. Vetë gjithashtu mbaja një karabinë automatike me fishekun në fole. Gruaja ime kishte mbushur tavolinën me meze, raki dhe verë. Po ne kishin hall koke. Hysen Llaveshit i thashë që ai të na mbronte nga ballkoni. Agjentët e Gazidedes mund të vareshin nga taraca. Hyrja ime ishte në katin e pestë. Nuk ishte fare e vështirë për të zbritur në ballkon. Vetë u mbështeta pas derës. Ajo ishte prej dërrase e kompensate. Me një shqelm bëhej copa.
Në orën 22 të natës tek dera u dëgjua një e trokitur. E hapa me frikë. Ishte komshiu i katit të katërt Petrit Dashaj nga Kuçi i Vlorës. E kisha mik. Petriti qe i sëmurë. Kishte punuar në Ministrinë e Brendshme. Hap sytë, më tha. Pallati është i rrethuar nga ata të Gazidedes.
Nata nuk gdhihej. Djali i Hysenit, Arbëri flinte me djalin tim të vogël. U kishim shtruar në tokë që të mos i kapte plumbi. Hyseni kishte merak për të shoqen. Ajo mbrohej e vetme në pallatin përballë. Një automatik ia kishte dhënë Shpëtim Huta që shërbente në Ministri. Veproi me trimëri.
Ndaj të gdhirë ata të Gazidedes u larguan me dy makina. Skenari i Hysen Llaveshit po funksiononte. Erdhën dy miq të Hysenit me makinë. Dita na zuri në luginën e Shëngjergjit.
E përcolla Hysen Llaveshin deri në të dal të Shëngjergjit. Trima të tjerë nga Mati e prisnin. Dhe në atë kohë të zezë nuk u pamë më. Ai shquhej si mjeshtër i kombinacioneve. Më vonë mora vesh se pasi kishte kërkuar azil, Hysen Llaveshi ishte sistemuar në SHBA me gjithë familjen. Hysen Llaveshi e di që për aktin e tij kam shkruar një libër. Por miqësisht më ka thënë që të mos e botoj. Dhe unë librin e kam në sirtar. Gjithsesi esenë për atë që ndodhi atë natë të vitit 1977 unë po e botoj në shtyp. Ma kërkojnë lexuesit e mi. Dramat e miqve s’kanë pse mbahen të fshehura.
E di që miku im Hysen Llaveshi nuk do ta pres mirë botimin e këtij shkrimi për një nga ngjarjet më të bujshme të jetës së tij. Para ca ditësh kur ai erdhi me të shoqen dhe dy djemtë në Tiranë[Arbëri ishte bërë lis Klosi] ai më dha një ftesë për të shkuar disa ditë në Amerikë. Shpenzimet ishin të tijat. Unë nuk i ktheva përgjigje. Pas botimit të këtij shkrimi vështirësohet udhëtimi për në Amerikë. Por as kjo nuk ka shumë rëndësi. Në fund të fundit lexuesi duhet të marrë vesh atë që i ndodhi Hysen Llaveshit në vitin 1997 kur atë e urdhëruan që të minonte Urën e Mifolit me qëllim që “rebelët’’ të mos vinin drejt Tiranës.
