Megjithëse ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të partisë, shkruan mjeku i Enverit, Hysni Kapo ishte modest dhe i dashur me njerëzit, veçanërisht me ata që i shërbenin.
Ndryshe nga pacientët e tjerë, rezidentë në Bllokun e udhëheqjes, për Hysni Kapon, mjeku Fejzi Hoxha ka patur një konsideratë të veçantë. I ka qëlluar t’u shërbejë gati të gjithë drejtuesve të lartë komunistë, pa patur miqësi me ta, por i ka trajtuar si pacientë specialë. Hysni Kapo ndër ta ishte nga më të dashurit. E ka çmuar sidomos për modestinë dhe urtësinë. Megjithëse detyra ja kërkonte të hynte shpesh në shtëpinë e Enverit, ai shprehet se më shpesh ka takuar Hysni Kapon.
Përtej peripecive për sëmundjen e këtij të fundit, profesor Hoxha në kujtimet e tij përshkruan me ndjenjë respekti një portret të Hysni Kapos ashtu siç e ka njohur qysh në vitet e luftës e deri në fund kur ndërroi jetë në Paris. Në vitet kur punonte në Klinikën Speciale puna ja donte të komunikonte nga afër me të gjithë udhëheqësit e shtetit komunist e njëherazi me shërbimin e përkryer të konsumonte dhe një kafe në vilat e tyre në Bllok. Por, siç shprehet doktor Hoxha, tek asnjëri dhe asnjëherë nuk ndjeu kënaqësinë që gjente kur ulej përballë Hysni Kapos. Megjithëse ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të partisë, shkruan mjeku i Enverit, Hysni Kapo ishte modest dhe i dashur me njerëzit, veçanërisht me ata që i shërbenin. Interesante në dorëshkrimin e doktor Hoxhës, janë kujtimet nga ditët plotë ankth e tesion në klinikën në Paris kur pacienti VIP kurohej me kancer. Nuk mjaftoi dhimbja për humbjen e tij, shkruan doktori i klinikës speciale, por hajde tu mbushje mendjen në Tiranë se Hysni Kapo nuk vdiq por e helmuan….
Takimi i parë me Hysni Kapon
Me Hysni Kapon për herë të parë jam takuar në vitin 1944 në spitalin partizan të Shkodrës. Sa isha future aty dhe isha befasuar me praninë e dy prostitutave që rrinin pranë shtratit të sëmurëve me fustane të shkurtër duke qeshur e duke bërë gjeste femërorë me gjinjtë dhe shalët përjashta.
Të parit oficer që më doli përpara, ju drejtova i revoltuar: Komisar, të lutem shumë, këtu nuk është shtëpi publike.
E keni fjalën për këto dy vajzat këtu, u shpreh ai.
Për këto kurvat më thuaj, ja ktheva unë.
Ato na i ka sjellë zëvendës komisari i Divizionit Esat Nderu, shpjegoi ai . Në fakt komanda partizane kishte mbyllur bordellot e qytetit dhe interesohej për të sistemuar me punë prostitutat e tyre. Ideja e Esat Ndreut për ti sjellë në spital, nisej nga fakti se ai ishte një institucion i organizuar dhe me disiplinë dhe ato ty mund të integroheshin me punë.
Ç’punë zeza ka për to, i thashë oficerit që më sqaronte. Ato ta bëjnë kopilin kur të duash dhe ta lënë te dera.
Do shtrohen në punë dhe ato, shtoi oficeri përgjegjës i spitalit. Tani që u mbyllën bordellot profesioni i tyre ka për të vdekur.
Pasi kundërshtova prerë praninë e tyre, i thashë kolegut që ti çonin në ndonjë rrobaqepësi mes grave të tjera, pasi aty mund të riedukoheshin e ti ktheheshin jetës për së mbari.
Një moment tjetrit ju mek zëri kur pa të futej te porta një djalë të hollë me pantallona kilota, me xhaketë të re partizane me rrip mesi e kobure anash. Sakaq u çua menjëherë në këmbë, vuri grushtin mbi ballë dhe u drejtua nga mysafiri: Urdhëroni shoku Hysni! Aty u takova për herë të parë me Hysni Kapon…
E vërteta për vdekjen e Hysniut
Kam disa ditë që vazhdojë të rri në Pogradec bashkë me shokët e ekipit mjekësor. Mëngjesin e 18 korrikut (1979), ditën e mërkurë, duhej të nisesha në Tiranë për disa çështje familjare, por e lashë të nisesha pasdite, meqenëse një ditë më parë kishte ardhur për të kaluar pushimet me familjen shoku Hysni Kapo.
Para se të nisesha, bashkë me dr. Isuf Kalon, menduam të takoheshim me të, pasi gjykuam ishte me vend ta vinim në dijeni për shëndetin e shokut Enver, i cili prej ditësh ndodhej aty. Në mëngjes, rreth orës nëntë, shkuam te vila e tij që ishte ngjitur me atë të shokut Enver. Ishte momenti kur po hante bukë dhe infermierja e tij, Iliriana, na tha se mund ta takonim kur të delte në sallon. Ashtu bëmë. Shoku Hysni na priti me përzemërsi, si kurdoherë dhe duke na përqafuar na pyeti gjerë e gjatë. Mu duk shumë mirë me shëndet. Duke pirë kafen, e informuam me imtësi për gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Pastaj unë e pyeta si kishte qenë me shëndet. (më preokuponte gjendja e tij e zemrës). Pasi na tha se ndjehej mirë dhe i pëlqente shumë freskia e Pogradecit, na shpjegoi se para 10-12 ditësh kishte kaluar një dhimbje në krahun e djathtë dhe ishte konsultuar me specialistët në Tiranë të cilët I kishin dhënë dhe mjekimet përkatëse.
“A mund të të shikoj dhe unë një herë”, i thashë aty për aty. Kisha rreth një vit që nuk më kishte qëlluar ta vizitoja, pasi që nga koha e infarktit të dytë që kaloi në vitin 1978, për kontrollet e zemrës mjeku i tij thërriste Dr. Ylli Popën. Për diabetin më kishte vënë në dijeni me gojë disa herë dhe mua. Shoku Hysni, si qëndroi një çast, më tha se nuk ishte nevoja për ta vizituar, pasi nuk bëhej fjalë për ndonjë gjë me rëndësi, por vetëm për një spoliatrozë të zakonshme. Sakaq më sugjeroi të shkoja e të vizitoja të shoqen, Viton, e cila ishte shtrirë në dhomën e gjumit. Bashkë me Isufin shkuam, e vizituam dhe i dhamë mjekimin e nevojshëm. Qysh atë ditë ajo u bë mirë. Pasdite u nisa në Tiranë. Më 21 korrik, të shtunën, më lajmëruan se nëna e shoqes Nexhmije ishte sëmurë dhe një ditë më parë kishin thirrur një mjek nga klinika speciale për ta vizituar. Veç problemeve respiratorë dhe të të zemrës ajo vuante dhe nga një depresion nervor i theksuar. Shkova menjëherë dhe të parën gjë që bëra rrita dozën antidepresive, por gjithnjë me frikën e madhe për ndonjë efekt anësor sidomos në sistemin respirator. Po ato ditë kishte ardhur dhe shoqja Nexhmije nga Pogradeci. Të hënën, më 30 korrik, aty rreth orës 18, ministri i Shëndetësisë Llambi Ziçishti më lajmëroi të bëhesha gati se do të nisesha bashkë me dr. Papriston për në Pogradec, pasi shoku Hysni ishte I sëmurë nga një koleçist akut.
U nisëm rreth orës 20 dhe mbërritem aty diku afër mesnatës. Shoku Hysni kishte rënë në gjumë dhe kishte lënë porosi ta vizitonim mëngjesin e së nesërmes. Prej këtej me Papariston shkuam për të hëngër darkë, por nuk gjetëm asnjë lokal hapur dhe fjetëm pa bukë. Profesor Petrit Gaçja na informoi për komplikacionet që kishte pësuar shëndeti i shokut Hysni dhe mjekimin që kishin filluar ti bënin. Të martën në mëngjes filloi konsulta me praninë e profesor Petrit Gaçes, Paparistos, dr. Dine Abazit dhe timen. U konkludua diagnoza: Kolecistit akut. Aty përcaktuam dhe terapinë me gentamicinë. Profesor Papristua në mbrëmje u nis për në Tiranë. Unë vendosa të qëndroj bashkë me Petrit Gaçen dhe shokët e ekipit të grupit të Parë deri sa pacienti të bëhej mirë. Në mbrëmje të asaj dite temperatura hypi deri në 39 gradë. Vendosëm të kombinojmë gentamiciën me tre gram ampicilinë.
Në mëngjesin e së mërkurës(më 1 gusht) kur prisnim uljen e temperaturës ajo vazhdonte të qëndronte në të njëtat kuota, bile me tendencë rritje. Po kështu kishin filluar të rriteshin dhe leukocidet dhe transaminazat e gjakut. Kjo gjëndje për mua ishte shqetësuese dhe kërkova konsultë me professor Gaçen, Ylli Popën dhe Dine Abazin. Ndërkaq kërkova të rikthehej profesor Paparistua. Duhej patjetër të ndiqej i sëmuri nga një konsultë më e gjerë për të parë evolimin e sëmundjes dhe për të përcaktuar taktikën e mjekimit. Mendimi im u mirëprit dhe u aprovua menjëherë. Pasdite erdhi në Pogradec përsëri profesor Paparistua me dr. Skënder Dautin dhe Ilo Kolën.
Ata sollën me vete teknikun radiolog bashkë me aparaturën transportuese të Radiologjisë. Pasdite u mblodhëm të gjithë dhe bëmë një konsultë të zgjeruar. Në zemër përveç ndryshimeve të mbetura nga dy infraktet e kaluara, nuk kishte asgjë të re. Në mushkëri asgjë me rëndësi radiologjikisht. Në organet e tjera në përgjithësi nuk konstatohej gjë më peshë. U vu diagnoza kolecistit akut, por nuk përjashtohej edhe mundësia e ndonjë diagnoze më të avancuar. Duke marrë parasysh rezistencën e ulur të pacientit të kaluar në moshë, diabetic dhe me gjendje zemre të dëmtuar nga dy infarktit e mëparshme, u vendos të shtohej ambicilina në pesë gram në ditë(tre gram në rrugë intravenoze) dhe 240 miligram në ditë gentamicinë.
Të enjten në mëngjes (2 gusht) pacienti kishte temperaturë shumë të lartë dhe ndjehej shumë I lodhur. U vendos të zëvendësohej ambicilina me rifocinë dhe nëse temperature nuk do të ulej, pacienti të transportohej në klinikën speciale në Tiranë, pasi nga momenti në moment sëmundja mund të bëhej tepër kritike dhe me pasoja të pariparueshme. Të enjten pasdite dhe paraditen e së premtes temperature vazhdonte të ishte e lartë dhe gjendja e përgjithshme po dobësohej. Të enjten pas konsultës së mëngjesit, mua dhe Petrit Gaçen na thirri shoku Enver. Ishte në hije të një peme ulur bashke me shoqen Nexhmije.
Pasi na ftoi të uleshim, na pyeti: Çfarë ka shoku Hysni? Çfarë po ndodh me shëndetin e tij? E sqaruam se ka një kolecistit akut dhe mendohet që pasi të ftohet procesi inflamantor ti bëhet kolecistografia. Temperatura vazhdonte e lartë me gjithë terapinë me antibitikë të kombinuar. Pastaj i shpjeguam se konsulta kishte vendosur që në rast se edhe 3-4 ditë nuk normalizohej, pacientin do ta transportonim në Tiranë, pasi mund të paraqitej rasti I një intervenoi kirurgjikal urgjent. Si na dëgjoi me kujdes shoku Enver, na tha: Unë nuk dyshoj në aftësitë e kirurgëve tanë, por a janë mundësitë e një reanimacioni të perfeksionuar duke marrë parasysh që shoku Hysni ka kaluar dy infarkte dhe është diabeti prej vitesh?! Sigurisht që kushtet nuk i kemi si jashtë shtetit. Atëherë, pse të mos e nisim qysh tashti për në Paris?! Kështu me ndërhyrjen drejtpërdrejt të shokut Enver, shoku Hysni u nis menjëherë për në Paris.
Sa mbërriti në Francë, i shoqëruar nga një grup mjekësh të klinikës speciale, u sistemua në spitalin “Broussais”, ku ishte drejtor Pol Miliezi, që njihej si miku i Enverit dhe udhëheqësve të tjerë të Tiranës. Në konsultën e parë u vendos që pacienti të qetësohej atë pasdite dhe të operohej të nesërmen paradite. Meqenëse në mbrëmje vonë krizat e dhimbjes u shtuan shumë, u vendos të ndërhyhej menjëherë. Operacioni u krye nga profesori I njohur Aleksandëri me asistencën e një stafi të zgjedhur. Nga pala shqiptare asistuan profesor Petrit Gaçe dhe mjeku personal I shokut Hysni, Dine Abazi. Kur u hap u konstatua se kishim të bënim me një kancer të pankreasit me metastaza të shumta në mëlçi. Ishte kjo një diagnozë e paparashikuar. U hoq pankreasi dhe metastazat e mëlçisë, por prognoza mbetej e keqe. Po atë natë shokun Enver e njoftuan nga Parisi për diagnozën dhe për prognozën “in fausta”. Të nesërmen në mëngjes ai më thirri në shtëpinë e tij. Ishte tejet I tronditur dhe nervoz. Sa u takuam më dha urdhër të nisesha menjëherë në Paris, bashkë me ministrin e shëndetësisë Llambi Ziçishti, pasi situate ishte shumë kritike. Shoku Enver na porositi që tu thoshnim edhe mjekëve që shoqëronin Hysninë për ta mbajtur diagnozën sekrete në mënyrë që mos ta merrte vesh askush, as shoku Hysni e as gruaja e tij, shoqja Vito.
Ashtu u veprua dhe deri në fund asnjëri prej tyre nuk e mori vesh diagnozën fatale. Dy javë para se të ndërronte jetë shoku Hysni e kishte kuptuar fundin e tij të afërt dhe kërkonte që në manjatefonin e vet të dëgjonte këngë labe. I dëgjonte me vëmendje duke kujtuar vendlindjen dhe aty për aty mbushte sytë me lot.
Megjithatë ai deri në fund mbeti një karakter I fort. Nuk u ankua asnjëherë nga mjekët që I kryenin shërbimet, perfuzionet e shumta, sondiemt e shpeshta të stomakut dhe hapjen herë pas here të plagës operatore. Gjithnjë I priste me buzë në gaz profesor Aleksandrin dhe ndihmësit e tij. Kjo la një përshtypje të jashtëzakonshme tek ata.
Në konsultat e përditshme përveç kryekirurgut që e operoi, merrte pjesë profesor P. Milezi, Profesor Gurgoni, shefi I klinikës së kardiokirurgjisë, profesor Assani (diabetolog) dhe doctor Gizi, kardiolog (dhëndëri i Milezit). Nga mjekët shqiptar merrnin pjesë ministri I shëndetësisë Llambi Ziçishti, profesor Petrit Gaçja dhe unë. Për një kohë shoku Hysni pati një lloj përmirësimi të gjendjes së përgjithshme dhe filloi nga një shëtitje në korridorin e spitalit rreth gjysmë ore në ditë. Kur e pa veten disi mirë propozoi që ti gjenim me qira ndonjë vilë për të kaluar dy muaj në pushime.
Por përmirësimi I përkohshëm nuk zgjati shumë. Si kaluan pak ditë gjendja filloi të përkeqësohej progresivit. Me porosi të shokut Enver erdhën aty fëmijët, djali dhe vajza gjoja për të zhvilluar një kurs perfeksionimi në specialitetet e tyre dhe për të qenë afër babait. Dy javë para fundit të tij erdhi në Paris dhe u takua me shokun Hysni Kapo në spital Ramiz Alia, I cili qëndroi aty deri sa vdiq. Sa ra në koma, rreth 48 orë para se të ndërronte jetë, Ramizi nisi ta përgatis Viton shpirtërisht për gjendjen reale dhe vdekjen e pashmangshme të shpejtë të shokut Hysni.
Spekulimet me diagnozën
Në funeralin e Hysni Kapos foli Mehmet Shehu. Fjalë e konsiderata nga më të mirat u dëgjuan nga goja e tij. Për Hysniun të gjithë ata që kanë patur rastin të njihen, ruajnë respekt të veçantë. Në fakt, me aq sa u njoha unë me të (një njohje kjo disa vjeçare) ruaj përshtypjen më të mirë dhe e kam para syve si njeri të mirë e të sjellshëm me të gjitha kategoritë, pavarësisht hierarkisë zyrtare. Që të nesërmen e përcjelljes së tij, ndodhi një ngjarje e çuditshme: Në mjedise të ndryshme në Tiranë, madje edhe në Bllok, përflitej nën zë se vdekja e Hysni Kapos nuk paskej qenë e natyrshme, por e imponuar në rrugë misterioze. Dikush ma shfaqi dhe mua në konfidencë, bile ma shtjelloi gjerë e gjatë variantin e dëgjuar.
Për ironi të fatit mu desh ta dëgjoja e ta kundërshtoja, pa i treguar raportet që kisha patur me protagonistin e historisë së trilluar. Thashethemnaja për helmimin e Hysni Kapos mori profilin e një fushate që pak a shumë i dha efektet e veta. U desh të ndërhynte drejtpërdrejt Enveri, për të sqaruar më së pari krerët e udhëheqjes dhe familjarët e Hysniut për të vërtetën. Unë qysh atëherë fola hapur se kishim të bënim me një vdekje natyrale. Askush më shumë se unë nuk kishte qenë i lidhur me gjenezën dhe historikun e sëmundjes. Nuk e kuptova se çfarë i ushqente zërat për një opsion tjetër, për diçka të sajuar pa kurrfarë baze që fillimisht kishte ardhur nga Klinika Speciale. Në rastin e diagnozës së Hysni Kapos kishim të bënim me një kancer të pastër pankreasi të konfirmuar shkencërisht në kushte laboratorike e të konstatuar nga mjekët më të njohur të Francës dhe Shqipërisë…