Jovan Bizhyti
Humbje e madhe për artin dhe letërsinë tonë. Ishte një nga shkrimtarët e studiuesit më aktiv, jo vetëm fizikisht, por kryesisht në krijimtari, ku pena e tij nuk ka reshtur së shkruari libra të letërsisë artistik, studime e monografi, skenar filmash, por dhe në shtypin e përditshëm, kryesisht në faqet e gazetës “Dita”. Lamtumirë mik i dashur, shokë e profesor i nderuar, njeri me virtyte të veçanta urtësie, respekti dhe dashamirësie, një mik që mësoje shumë prej tij, nga këshillat, nga përvoja artistike, nga mençuria dhe qetësia e veçantë që e karakterizonte.
Nasho Jorgaqi ishte nga personalitetet e prozës sonë, i cili krahas veprave letrare në gjini të ndryshme, na la dhe perlën e tij, “Nolianën”, kështu i quante ai volumet e studimit të jetës dhe veprës letraro-historike të eruditit, nga të fundit e Rilindasve tanë Kombëtar, Fan Noli. Kur përmendim Fan Nolin, mendja menjëherë na shkon tek Nasho Jorgaqi. Ai depërtoi deri në qelizë të jetës së Fan Nolit, e përjetoi në detaje jetën patriotike të këtij burri të madh të letërsisë e historisë së Kombit tonë. Ku nuk shkeli, e ku nuk shkoi në çdo cep të rruzullit toksor, ku kish lindur e kish jetuar Fan Noli, deri dhe në strofkën e tij, ku mbylli dhe jetën, në Boston të Amerikës, i djegur për mëmëdhen me mallin e një emigranti.
Romanet, novelat, së fundi dhe lëvrimi në disa volume të një gjinie të re, siç ishte proza e shkurtër poetike “Hajku”, që vetëm mendja dhe dora e Nasho Jorgaqit, i dha kësaj gjinie fizionominë shqiptare. Në krijimtarinë e gjithanshme të tij, një vend të rëndësishëm ka zënë tema e dashurisë, që ai e ka lëvruar jo vetëm në prozën e tij të dashur e rinore, por dhe në vargëzimet e prozës poetike të “Hajkut”, që e zbërthen atë në çdo rrokje të ndjenjave njerëzore. Me të drejtë thuhet se, Nasho Jorgaqi pa hezitim, është dhe shkrimtar e dashurisë. Kështu ishte dhe vet portreti e personaliteti i tij, i dashur, i qeshur, simpatik dhe në moshën e tretë, i mençur e gojëmbël.
Në kujtimet e tij ai na la si një qendistar i veçant edhe fizionominë krijuese të disa prej korifejve të letërsisë sonë të traditës, siç janë: Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Selman Riza, Skënder Luarasi, “Lame Kodra” i Sejfulla Maleshovës, Ali Asllani, Sterio Spase, Dhimitër Shuteriqi, Nonda Bulka, Migjeni, Qemal Stafa, Robert Shvarc dhe mikun e tij të ngushtë, Jakov Xoxa e tjerë. Në kujtimet për Mitrush Kutelin ai shkruan: “Kur u kthyem nga varrimi i tij, më rrinte zgjuar mendimi se vërtetë me Mitrushin ishim ndarë fizikisht, por kurrsesi shpirtërisht. Që nga ajo orë kish filluar pavdekësia e tij pa bujë”. Dhe ja tani, edhe ne miqtë e shokët e tij, pasi e përcollëm për në banesën e fundit me keqardhje për këtë ndarje në amshim, por kurrsesi nuk jemi ndarë me Prof. Nashon shpirtërisht. Edhe për të nga kjo orë ka filluar pavdekësia e tij, pasi ai jeton midis nesh dhe në mjedisin letrarë e historikë, me kujtimet e thesaret e çmuara që na la pas.
91 vjeç, i freskët, i pashëm, prodhimtarë, ku pena e tij kaq aktive nuk rreshti së shkruari deri në ditët e fundit të jetës. La ende nëpër duar serinë tjetër të “Hajkut” me vargëzimet e shkurtëra brilante, la kujtimet e jetës së tij, që në disa momente me mesazhet që përcjell, duket sikur na le pas amanetet e fundit. La pas dhe biçikletën e tij karakteristike, që nuk e ndau prej rreth 50 vitesh të punës dhe të pensionit. Më vinte keq kur më thoshte se:-“Biçikletën e kam mbyllur në oborrin e një komshiu në shtëpinë e tij private pranë pallatit dhe tani që nuk dal dot, e shoh me keqardhje nga ballkoni dhe ndjejë trishtim”!
Atë burrë kaq aktiv dhe të zhdërvjellët, i vetmi siklet që e mposhti, ishte “Covid 19”-të, ajo flamë që tronditi njerëzimin dhe që ai e vuajti qysh para një viti e gjysëm. E kam ndjekur hap pas hapi në distancë sëmundjen e tij nga infeksioni i pabesë i virusit të kësaj korone të pabesë. Dyshonte se e mori nga takimi i befasishëm me një nga fansat e tij, që i doli pa pritur në rrugë dhe e kuptoi që personi ishte i sëmurë. Këtë më tha në telefon një ditë kur zuri shtratin.
-Mendova të largohesha,- më tha,- por ai nuk më ndahej, më përqafoi, më puthi, duke më thënë se kishte kohë pa më parë. S’kaluan as dy ditë dhe filluan sintomat e para, për të cilat u shqetësova dhe kërkova ndihmën e mjekut. Analizat më nxorën infektimin me “Covid 19-të”. Më kanë mbetur në mendje fjalët e tij në formë këshillash, që mezi i shqiptonte nga rëndimi i frymarjes.
-Ruhu,- më tha,- është një virus shumë i rrezikshëm, që të vjen nga s’e pandenë! Nëse do tentosh të dalësh, mba maskë dhe shmangiu sa të mundesh takimeve të afërta me njerëzit. Zëri i tij i ngrohtë, më dukej sikur vinte nga thellësia e gjoksit, që tregonte se nuk ishte mirë me frymarjen.
-Ndoshta ke nevojë për oksigjen?- i thashë.
-I kam të gjitha,- më tha ngadalë. Fëmijët më siguruan dhe një aparat oksigjeni si në spital, që po e përdorë. Por e shoh që po më bezdisë.
-Shko në spital,- i thashë.
-Po u rëndova më tej, sigurisht që do shkojë,- më tha, me gjysmë zëri, megjithëse mjekët i kam të pranishëm dhe në shtëpi. Ditë pas ditësh, gjëndja erdhi duke u rënduar. Ndoshta ndikoi dhe mosha, por edhe lodhja nga gjithë ajo punë krijuese, që truri i tij kaq i freskët dhe aktiv, duket që virusi e sulmoi pikërisht aty, i ndërpreu ushqimin, oksigjenin dhe ndodhi rëndesa! Dhe siç u informuam herë pas here nga mjekët specialistë, ky virus prekte organet kryesore të njeriut, prekte mushkritë, trurin, zemrën, veshkat e tjera. Dhe Prof. Nashon e goditi pikërisht aty ku ai kishte pikën më nevralgjike, trurin e ngarkuar me shumë krijimtari letrare e historike, që nuk njohu asnjëherë moshë e lodhje, nuk njohu asnjëherë shterim, apo pauza të gjata qetësie, por shkrimet e tij nuk rreshtën asnjëherë.
Mjekimet dhe injektimi i oksigjenit nën kujdesin e mjekëve, e ndihmuan për disa muaj dhe nga përmirësimi që u duk, mendoi se e kaloi me sukses. Por gjurmët dhe pasojat që la pas, erdhën duke u agravuar. Pikërisht truri dhe kujtesa, e kthyen sërish në shtrat profesorin dhe studiusin e pa rreshtur të letrave shqipe, Nasho Jorgaqin.
Një ditë prej ditësh, telefoni i tij nuk përgjigjej, deri sa u mbyll totalishtë! Pyes vajzën e tij, Prof. Kristinën dhe ajo më tha me gjysmë zëri:-“Babi është rënduar dhe e ka vështirë të komunikojë”! Dhe ja gjithë ai agravim, gjithë ai sulm i virusit post “Covid”, e rëndoi trurin e tij deri në fatalitet!
Me ndarjen nga jeta të Prof. Nasho Jorgaqit, këtij kollosi të letërsisë sonë të gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, letërsia e jonë ka humbur një nga figurat më aktive të saj, shtypi i shkruar një nga bashkëpuntorët e tij më të angazhuar, familja njeriun më të shtrenjtë dhe ne miqtë e shokët e tij të afërt, mikun tonë të mençur e të dashur, të paharruarin Nasho Jorgaqi.
Për punën dhe aktivitetin e tij krijues letraro-artistik, ai është nderuar me urdhërin, “Mjeshtër i Madh”, është nderuar me “Çmimin e Republikës” të Klasit të I-rë dhe çmime të tjera kombëtare e ndërkombëtare. Eshtë shpallur “Qytetar Nderi” i Qarkut të Fierit dhe të Elbasanit, njëkohësisht është nderuar me çmime dhe nga komunitetet e arbëreshëve të Italisë dhe komuniteti shqiptar i Malit të Zi, ndërsa Universiteti “Fan Noli” i Korçës, e ka nderuar me çmimin, “Doktor Honoris Causa” e tjera.
Prof. Nasho Jorgaqi është vlerësuar njëkohësisht dhe nga Universiteti Amerikan i Biografive, i cili e ka nderuar me “Medaljen e Artë të Nderit”, kurse “Qendra Ndërkombëtare e Kambrixhit” në Angli, e ka përfshirë në librin, “Njerëz të shquar të shekullit të XX-të”. Po ashtu, shumë libra letrare, historike e shkencore të tij, janë përkthyer në disa gjuhë të botës, si në anglisht, frëngjisht, rusisht, italisht, greqisht, rumanisht, deri dhe kinezçe.
Lamtumirë miku ynë Nasho! Në respekt të heshtjes tënde frymore, ndez një qiri si kujtim, që shpirti ytë të ndriçoj dhe në amshim!