Zija Vukaj
Para një viti, më 18 nëntor 2021 ndërroi jetë shkrimtari Fadil Kraja. Nderimin dhe ndërmendjen për këtë personalitet të letërsisë shqiptare do ta nis në mënyrë jo fort të zakonshme, pra duke e hapur me kujtimet dhe mbresat e mbesës së tij Era Llazani, kushtuar gjyshit të saj të dashur dhe të deruar.
“Gjyshi e pati shumë të zorshëm momentin kur nana u shtrua në spital pasi u infektua me covid, ndërkohë që ajo ishte në shërbim. Përditshmëria dhe personi me t’cilin kishin ndejtë bashkë për aq shume vjet, nuk ishte ma. Shtylla e zhvillimit të ditës së tij nuk ishte ma. Në një mënyrë apo një tjetër, unë mbesa e tij, u bana shtylla e re në të cilën ai u mbështet. Në momentet e fundit të nanës, unë i premtova asaj që do të kujdesesha për gjyshin që ajo të mbyllte sytë e qetë dhe në paqe. Kjo u bë si fortifikim i “shtyllës”(që shpreha pak më parë) për gjyshin. Po patjetër, nuk ishte më asgjë njisoj. Ai nuk donte më të dilte në vendin e zakonshëm të preferuar tek “Tullat e kuqe”, preferonte qetësinë e oborrit dhe të verandës. Gjërat me të cilat ishte mësuar t’i kishte në rutinën e tij, ndërruan; një nga këto edhe cigarja, të cilën e la e nuk e ktheu pas ma vendimin.
Flisnim shpesh e diskutonim, sepse ndryshe ai mbyllej në mendjen e vet. Duhet të them që nuk ekziston diçka ma e paqtë dhe e pastër se mendimet e tij. Unë për të isha pasardhësja që kishte trashëguar dhuntinë e tregimit nëpërmjet të shkruarit, e ishte tepër krenar për këtë. Më vuri si përgjegjëse për të gjitha veprat e tij pas largimit nga jeta.”
Flisnim për kujtime e për ndodhi të jetës së tij në moshë të re, histori dhe identitete të vendeve të ndryshme, kryesisht të Shqipërisë se Veriut që e deshi aq shumë deri në momentin e fundit. I lexoja lajmet në gazeta ose në televizor, pasi atë e braktisi edhe shikimi, e avash avash edhe dëgjimi iu vështirësua. Kishte gjithmonë shpresë, thoshte: “Shqipnija ka me u ba edhe ma e bukur se asht, ke me e pa!”.
Një ditë ai thirri Zyliha Milotin në shtëpi, sepse ishte bindur të bënte një libër për të dhe artin e saj. Nga pamundësia e tij të ulej të shkruante vetë, e bëmë bashkë. Ai diktonte e unë shkruaja. Por fatkeqësisht nuk arriti ta përfundonte librin.
Në ditët e fundit të tij ai filloi të më kërkonte të kujdesesha për shtëpinë, veprat e tij dhe të realizoja ëndrrat dhe jetën time. Një dhuratë që do ta çmoj për gjithë jetën.”
Jeta e këtij artisti të madh të artit të fjalës ishte një vazhdë e ndritur në kulturën tonë kombëtare dhe vepra e tij mbetet një trashëgimi e çmuar në kulturën tonë. Ai e filloi rrugën e vet të krijimit si poet, për ta vazhduar si autor tregimesh e romanesh dhe për t’u kurorëzuar si një nga ikonat e dramaturgjisë shqiptare, duke u bërë një nga patriarkët e kësaj gjinie në letërsinë e kombit tonë. Vepra e tij frymëzoi breza të tërë njerëzish, shkrimtarësh e artistësh. Skenat e teatrove shqiptarë qenë dëshmitare të emocioneve, ndjenjave dhe ideve që buruan nga opusi dramatik i këtij autori me vlera të larta estetike dhe frymë të thellë kombëtare. Me kohë Fadil Kraja u bë një nga artistët më popullorë e të dashur për lexuesin dhe publikun shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të atdheut, deri në diasporën e largët Ikja e figurave të tilla krijon një dhimbje të natyrshme për të gjithë ata që njohën personin, veprën dhe kontribuin e tij. Veprimtaria e tij krijuese shtrihet në të gjitha gjinitë, zhanret dhe llojet letrare. Kështu kemi
Vëllimet poetike:
“Kënga ime”
“Melodi malësore”
“Jehona malesh”
Vëllimet me tregime
“Kandidatja e fundit”
“Ndodhitë e Nereidës”
“Fajin e kishte Besa”
Romanet
“Britma e një gruaje”
“Pengu i diellit”
“Balada e nënës”
Drama
Ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Mes tyre përmenden:
“Fisheku në pajë”, i cili vetem në Shkodër u shfaq rreth 500 herë
“Sinjalet e natës”
“Shpartallimi”
“Baca i Gjetajve”
“Gjaku i Arbërit”
“Djem të mbarë”
“Çështja e Blertës”
“Flamur në dasëm”
“Rozafa”
“Kur flasin zemrat”
“Luani i shtëpisë”
“Çështje familjare”
“Njerëz të ditëve tona”
“Mos më shkim hisen e diellit”
“Jorgani”
“Ditari i një mësuesi”
“Dopio gjashta”,
“Dy jetë”
“Midis dy dhimbjeve”
“Surpriza”
“Martesë me internet”
“Nata e fundit”
Fadil Kraja ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me trupën virtuoze të aktorëve të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, sidomos me Serafin Fankon regjisori i suksesshëm i “Fisheku në pajë”, me të cilin e bashkoi puna, gëzimet dhe emocionet, përkushtimet dhe suksestet e skenës. Veprat e tij janë luajtur nga aktorë të mrekullueshëm të skenës së teatrit të Shkodrës si Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Lec Bushati, Vitore Nino, Bep Shiroka, Ymer Bala, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, çifti Bruno Shllaku e Paskualina Gruda, si dhe shumë aktorë të trupave profesioniste të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe trupës prestigjioze të Prishtinës
Fadil Kraja është fitues i dhjetëra çmimeve letrare e sidomos në dramaturgji.
Ai është Laureat i Çmimit të Republikës.
Kontributi i tij është çmuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e 70 vjetorit të themelimit të trupës profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, e dekoroi shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja me Urdhrin e Kalorësit të Flamurit

Mbiemri Kraja nje mbiemer I madh ku nderthuret arti,pena,muzika dhe historia.Respekte per kete mbiemer kaq te madh.