Një ndër debatet më të nxehtë ditët e fundi është ai që lidhet me pushimin e aktivitetit të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe kalimin e saj në varësi të Akademisë së Shkencave.
Gazeta DITA i kërkoi mendim Prof. Fatos Tarifës, aktualish president i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, njëri prej studiuesve tanë më të njohur në fushën e shkencave shoqërore e të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një njohës shumë i mirë i botës akademike brenda dhe jashtë vendit.
Me profesor Tarifën bisedoi gazetarja Johana Lubonja:
Prof. Tarifa, ka ditë që në media dhe në rrethet akademike diskutohet mbi vendimin e Këshillit të Ministrave që e vendos Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) nën ombrellën dhe varësinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ministrja e arsimit ka shpjeguar propozimin e saj dhe vendimin e qeverisë, drejtuesit e ASA-s kanë protestuar, anëtarë të Akademisë së Shkencave kanë shprehur qëndrimet e tyre—ndonjë kundër (si Artan Fuga), të tjerë në mbështetje të këtij bashkimi. Prej afro 12 vitesh disa nga intelektualët më të shquar të këtij vendi janë pjesë e një akademie tjetër, Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Kjo akademi, që ju e konsideroni komplementare, është e organizuar, funksionon dhe drejtohet krejt ndryshe nga Akademia (shtetërore) e Shkencave. Aktualisht ju jeni president i saj, por as ju, as ndonjë prej anëtarëve të akademisë suaj nuk është shprehur deri në këto momente për vendimin në fjalë të Këshillit të Ministrave. Përse?
Për një arsye të thjeshtë. Ne nuk jemi palë në konfliktin mes Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe ministrisë së Arsimit, apo Akademisë së Shkencave, brenda së cilës do të strehohet këtej e tutje e para.
Ndonëse nuk kemi konflikt interesi me asnjërën prej tyre, nuk do të ishte e udhës të prononcoheshim kolektivisht, mbi këtë çështje. Individualisht, po, çdonjëri prej anëtarëve të akademisë sonë është i lirë të shprehet siç dëshiron. Këtë po bëj edhe unë me ju.
Pra ju keni një mendim tuajin nëse vendimi i marrë, konvergimi i veprimtarive të të dyja akademive dhe bashkimi i tyre në një akademi të vetme është një vendim i drejtë? Kolegu juaj Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave, me një letër të gjatë i është lutur kryeministrit Rama që të mos e lejonte këtë bashkim, pasi ky do i sillte një dëm kolosal studimeve albanologjike dhe interesit kombëtar. Pajtoheni edhe ju me mendimin e tij?
Sigurisht që kam një mendim timin. Nuk e di ç’ka shkruar Prof. Fuga. Mesa kam dëgjuar, ai ka qenë njëri prej mbështetësve kryesorë të “reformës” në Akademinë e Shkencave në fund të viteve 2000, reformë e cila, me vullnetin e kryeministrit Berisha në atë kohë, e zhveshi lakuriq Akademinë e Shkencave, duke ia hequr të gjitha institutet kërkimore që kishte pasur nën varësinë e vet.
Ajo “reformë” e deontologjizoi dhe e atrofizoi Akademinë e Shkencave, duke mos krijuar mundësi të reja ose më të mira për avancimin e studimeve albanologjike, tashmë të shkëputura nga organigrama dhe autoriteti i Akademisë së Shkencave (dhe organizativisht e financiarisht të pavarura), si qendra studimore më vete. Është e kuptueshme pse Fuga do të donte të mbronte gjendjen që ai ndihmoi të krijohej 15 vite më parë.
Pra, ju mendoni se vendimi i qeverisë për rikthimin e insituteve të studimeveve albanologjike në Akademinë e Shkencave është një veprim i arsyeshëm dhe i drejtë?
Unë mendoj se me këtë vendim korrigjohet (me shumë vonesë) një gabim që i ka kushtuar shumë shkencës shqiptare. Por thelbi i çështjes nuk ka të bëjë me çështje organizative apo administrative, por me çështje substanciale, me fjalë të tjera, me llojin e shkencës që bëjmë në vendin tonë, me çfarë studiojmë shkencërisht dhe si, me cilësinë dhe dobinë teorike e praktike të studimeve që kryejmë, me rolin që luajnë dhe impaktin që kanë këto studime në informimin e politikave zhvillimore e sociale në vendin tonë.
Deri më sot, ne kemi çaluar shumë në këtë drejtim. Në shumicën e rasteve ne bëjmë gjojashkencë, protoshkencë, shkencë anekdotike, shkencë gazetash, jo shkencë të vërtetë. Ne quajmë shkencore shumë studime që s’janë të tilla dhe për studime të tilla u japim gradën doktor në shkenca dhe titujt profesor i asociuar dhe profesor qindra e mijëra njerëzve që më pas dalin në pension pa bërë kurrë një studim të mirëfilltë shkencor.
Dëgjova në një emision televiziv këto ditë se vetëm në Akademinë e Studimeve Albanologjike janë të punësuar mbi 100 kërkues shkencorë, pjesa më e madhe me grada e tituj. Një armatë e vërtetë.
Por cili është produkti shkencor i një mase kaq të madhe punonjësit që marrin rrogë për të bërë shkencë. Sa prej tyre botojnë? Çfarë botojnë dhe ku i botojnë rezultatet e kërkimeve të tyre? Sa kanë avancuar disiplinat albanologjike qysh nga koha kur ato u “çliruan” nga Akademia mëmë?
Por a mendoni se rikthimi i insituteve të studimeve albanologjike, të strehuar deri më sot në ASA, është strategjia më e mirë?
Përgjigjja për këtë pyetje nuk është e thjeshtë. Vendimi i qeverisë synon kthimin në gjendjen ku kemi qenë, mbështetur mbi atë model, sipas të cilit, Akademia e Shkencave në vendin tonë u organizua qysh nga krijimi i saj gjysmëshekulli më parë. Prof. Neritan Ceka, për të cilin kam një vlerësim të veçantë si arkeolog, thoshte këto ditë se Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe, përgjithësisht, studimet tona albalogjike, lindën dhe u zhvilluan sipas modelit austro-hungarez.
Ky u bë modeli i tyre, thuajse njëlloj si në disa vende të tjera në lindje të Austrisë dhe me lidhje historike e kulturore me të. Modeli sovjetik dhe ai austriak funksionuan në një simbiozë me njëri-tjetrin dhe produkti që morën nga Akademia e Shkencave ishte, në shumë raste, inkurajues.
Këtu nuk ka se si të mos përmendim kontributet e shquara që dhanë në atë kohë Eqerem Çabej, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali, Frano Prendi, Mahir Domi, Arben Puto, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari e shumë të tjerë.
Që t’i kthehem pyetjes suaj: A është bashkimi, apo rikthimi i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Akademinë e Shkencave strategjia më e mirë? Përgjigja do të varej nga modeli që zgjedhim. Personalisht, do të isha për në model krej tjetër—modeli amerikan.
Pak e njohim modelin e organizimit të Akademisë së Shkencave në Shtetet e Bashkuara. Mundet shkurtimisht t’i thoni lexuesit ky funksion ai model?
Në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se një akademi shkencash. Më e madhja prej tyre është Akademia Kombëtare e Shkencave (National Academy of Sciences—NAS), e themeluar në vitin 1863, në kulmin e Luftës Civile në atë vend, me një ligj të kongresit amerikan, të miratuar nga presidenti Abraham Lincoln.
Misioni i kësaj akademie ka qenë dhe është të ofrojë këshilla të pavarura dhe objektive për kombin për çështje që lidhen me shkencën dhe teknologjinë”, si dhe “këshilla shkencore qeverisë sa herë që kjo kërkohet nga ndonjë prej departamenteve të qeverisë.
Ndryshe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që është një institucion shtetëror, Akademia Kombëtare e Shkencave në Shtetet e Bashkuara, edhe pse e krijuar nga qeveria federale, është një organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, që mbledh në radhët e saj akademikë ndër më të shquarit. Anëtarët e rinj të saj zgjidhen pa aplikuar nga anëtarësia e akademisë për kontributet e tyre origjinale e të shquara në kërkim, përmes një procesi skrupuloz vetingu.
Vetëm anëtarët e akademisë kanë të drejte të propozojnë dhe zgjedhin emra të rinj. Aktualisht, kjo akademi ka rreth 2,400 anëtarë, shtetas amerikanë, dhe rreth 500 antarë të huaj. Rreth 500 anëtarë të Akademisë Kombëtare të Shkencave, në të kaluarën dhe sot, janë laureate të Çmimit Nobel.
Anëtarët e kësaj akademie janë personalite të shquara në fushën e shkencës, të biznesit dhe të çështjeve publike. Çdo anëtar është i afiliuar me një seksion (disiplinë shkencoee) të veçantë. Këto janë gjashtë: (1) shkencat fizike dhe matematike, (2) shkencat biologjike, (3) inxhinieria dhe shkencat e aplikuara, (4) shkencat biomjeksore, (5) shkencat sociale bihejvioriste dhe (6) shkencat e aplikuara biologjike, bujqësore dhe mjedisore.
Ajo çka është shumë interesante është fakti që Akademia Kombëtare e Shkencave (pra edhe anëtarët e saj) nuk marrin asnje kompesim financiar nga qeveria federale e Shteteve të Bashkuara për shërbimet e tyre.
Anëtarëve të Akademisë së Shkencave te ne ky informacion që sillni ju u vjen, sigurisht, si një lajm i keq. Mesa di unë, përveç pagave që marrin në institucionet ku punojnë, këta tanët marrin edhe një kompensim mujor prej 50,000 lekësh nga qeveria. Ndoshta është koha që, të paktën në këtë drejtim, të mësojmë nga amerikanët. Vërtet nuk e bëjmë dot shkencën që bëjnë ata, por të paktën të mos e rëndojmë buzhetin e shtetit me pagesa (që dalin nga taksapaguesit shqiptarë) dhe që nuk shkojnë për shkencën, por për xhepat e tyre.
Këtë e thoni ju, e mendoj edhe unë. Por nuk e kam këtu fjalën. Unë po ju shpjegoj modelin amerikan.
Ju thatë se në SHBA ka më shumë se një akademi shkencash. Cilat janë të tjerat?
Rreth 80 vite më parë se të krijohej Akademia Kombëtare e Shkencave, në vitin 1780, në periudhën e Luftës Revolucionare në Amerikë, u krijua Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave (American Academy of Arts and Sciences—AAAS). Themeluesit e saj ishin disa nga etërit e Republikës Amerikane. Ndër ta, John Adams (presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara pas Georg Washington-it dhe John Quincy Adams, ish-sekretar Shteti dhe më vonë presidenti i gjashtë i Shteteve të Bashkuara), kanë shërbyer në kohë të ndryshme si presidentë të kësaj akademie.
Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave u krijua si një organizatë që vlerëson dhe nderon njerëzit më të ditur dhe kërkuesit më të shquar në fushën e shkencës dhe të arteve, por edhe si një qendër e rëndësishme kërkimore. Vlerat dhe parimet mbi të cilat u krijua kjo akademi ishin dhe mbeten avancimi i së mirës publike, mbrojtja e idealeve demokratike, progresi i dijes shkencore, debati i lirë, mbrojtja e pavarësisë, diversiteti dhe gjithpërfshirja, si dhe ekselenca të fushën e kerkimit.
Veprimtaria e kësaj akademie realizohet në një varg fushash multidisiplinore, si artet dhe humanitetet, demokracia dhe drejtësia, arsimi, energjia dhe mjedisi, çështjet globale, shkenca dhe teknologjia etj. Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave u themelua në vitin 2011 nën shembullin dhe sipas modelit pikërisht të kësaj akademie.
Këtë e kam dëgjuar edhe më parë dhe, meqë është rasti, dëshiroj t’ju shpreh juve dhe anëtarëve të tjerë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave përgëzimet më të sinqerta për veprimtarinë tuaj të spikatur në shërbim të kulturës, arteve dhe shkencës shqiptare dhe të interesit publik. Një pyetje e arsyeshme që kam është kjo: a kanë mbetur këto akademi të mëdha në Shtetet e Bashkuara të pandryshuara që nga krijimi i tyre, apo ato kanë ndryshuar me kohë dhe në varësi të rrethanave?
Kjo pyetje mund të shërbejë për të lidhur gjithçka thashë më sipër më debatin që bëhet këto ditë te ne pas vendimit për bashkimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike me Akademinë e Shkencave. Sigurisht, në një vend si Amerika, vendi më i avancuar në shkencë dhe në teknologji dhe në harkun kohor të dy shekujve, dy akademitë amerikane që përmenda më sipër nuk kanë mbetur ato që ishin kur u themeluan—243 dhe 160 vite më parë respektivisht, edhe pse parimet dhe idealet e tyre kanë mbetur po ato.
Mjafton të them këtë: Në vitin 1916, pra në periudhën e Luftës së Parë Botërore, me kërkesë të presidentit Wodroow Wilson, Akademia Kombëtare e Shkencave në SHBA krijoi Këshillin Kombëtar të Kërkimit (National Research Council—NRS), për të rekrutuar ekspertë nga komunitetet e shkencëtarëve dhe teknologëve që të shërbenin si këshilltarë për qeverinë. Në vitin 1964, nga radhët e Akademisë Kombëtare të Shkencave u krijua Akademia Kombëtare e Inxhinierisë (National Academy of Engineering—NAE) dhe në vitin 1970 Instituti i Mjeksisë, që më vonë u bë Akademia Kombëtare e Mjeksisë (National Academy of Medicine—NAM). Këto alademi janë, gjithashtu, organizata joqeveritare e jofitimprurëse dhe anëtarët e tyre zgjidhen sipas të njëjtave parime e procedura si dhe anëtarët e Alademisë Kombëtare të Shkencave.
Në vitin 2015, Akademia Kombëtare e Shkencave (1863), Këshilli Kombëtar i Kërkimit (1916) Akademia Kombëtare e Inxhinierisë (1964) dhe Akademia Kombëtare e Mjeksisë (1970) formuan së bashku një sistem të vetëm, Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjeksisë (National Academies of Sciences, Engineering, and Medicine—NASEM).
Edhe pse analogja nuk qëndron, bashkimi i Akademisë së Studimeve Albanologjike me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë mua më duket një veprim i logjikshëm dhe i dobishëm. Por, siç vura në dukje më sipër, format organizative janë një gjë, cilësia e kërkimit shkencor është një gjë tjetër—dhe kryesorja. Kjo, në gjykimin tim, do të thotë se sot, në Shqipëri, ne kemi nevojë për një reformë të thellë në fushën e kërkimeve shkencore. Nëse reformimi i sistemit të arsimit të lartë nuk dha ato rezultate që priteshin, madje ka krijuar një situate thuajse të pashpresë, reformimi i kërkimit shkencor do të kërkonte një refolucion, ose një revormë të thellë në universitetet tona më të mira, duke i shndërruar ato në universite kërkimore dhe, paraalelisht me të, një reformim të veprimtarisë së Akademisë së Shkencave.
Një pyetje e fundit: në kushtet kur krahas Akademisë së Shkencave sot ekziston edhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, në përbërjen e së cilës bëjnë pjesë disa ndër intelektualët më të spikatur të vendit, a nuk do ishte me dobi bashkimi edhe i këtyre dy akademive në një të vetme për të menaxhuar më mirë resurset tona humane më të kualifikuara?
Kjo është një çështje për të cilën as nuk jam i autorizuar nga anëtarët e akademisë sonë të flas, as nuk dëshiroj të krijoj pritshmëri, ose ndonjë keqkuptim as te kolegët tanë të Akademisë së Shkencave, as në radhët e publikut.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
