Irani ka sulmuar me dronë Kuvajtin, duke shkaktuar plagosjen e katër personave dhe devijimin e trafikut ajror ndërkombëtar drejt vendeve të Gjirit Persik. Ministria e Mbrojtjes së Kuvajtit njoftoi se forcat e armatosura zbuluan dhe interceptuan disa dronë iranianë që kishin në shënjestër një objekt me rëndësi jetike në territorin e vendit.
“Agresioni iranian kishte në shënjestër një objekt me rëndësi jetike. Rënia e copëzave shkaktoi plagosjen e katër personave”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes së Kuvajtit.
Sipas Al Jazeera, mes të plagosurve janë dy shtetas italianë, një kuvajtian dhe një pakistanez. Autoritetet i transportuan të katërt në spital për trajtim mjekësor. Ministria konfirmoi edhe dëme materiale, por nuk bëri të ditur se cilin objekt shënjestroi Irani dhe as përmasat e dëmeve.
Pas sulmit, fluturimet ndërkombëtare që lidhin Evropën me vendet e Gjirit dhe Azinë ndryshuan papritur itinerarin, mes raportimeve për mbylljen e hapësirës ajrore të Kuvajtit.
Avionët që përshkonin hapësirën ajrore të Irakut në drejtim të Gjirit Persik morën udhëzime për të devijuar drejt jugut, përpara se të hynin në territorin ajror të Kuvajtit.
Ndryshimi preku të gjitha fluturimet që përdornin këtë korridor ndërkombëtar, duke zhvendosur trafikun ajror drejt vendeve fqinje. Mes avionëve që ndryshuan itinerarin ishte edhe një avion me gazetarë të televizionit evropian në bord.
Që prej shpërthimit të luftës në Iran në fund të shkurtit, shumica e fluturimeve ndërkombëtare nga Evropa drejt Gjirit Persik kanë përdorur një korridor që kalon përmes Turqisë, Irakut, Kuvajtit, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky itinerar lidh Evropën me qendrat kryesore ajrore të rajonit, përfshirë Dohan, Abu Dhabin dhe Dubain.
Ndërkohë, Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite lëshoi një alarm për rrezik të mundshëm në rajonin Jizan, në jugperëndim të vendit, pranë kufirit me Jemenin. Autoritetet saudite nuk specifikuan në njoftim natyrën e kërcënimit.
Sulmi ndaj Kuvajtit vjen vetëm një ditë pasi Ambasada Virtuale e Shteteve të Bashkuara në Iran paralajmëroi se Teherani, forcat Houthi të Jemenit dhe grupet e tjera aleate mund të shënjestrojnë interesat dhe qytetarët amerikanë në rajon, përfshirë kompanitë dhe institucionet.
Uashingtoni u kërkoi shtetasve amerikanë në Lindjen e Mesme të tregojnë kujdes të shtuar, pas sulmeve iraniane ndaj objektivave amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, si dhe goditjes së një kulle në distriktin financiar të Riadit nga forcat Houthi, ku mbetën të plagosur 11 persona.
Autoritetet amerikane paralajmëruan qytetarët të ndjekin njoftimet e kompanive ajrore dhe aeroporteve, si dhe të përgatiten për anulime fluturimesh dhe mbyllje të mundshme të hapësirave ajrore.
j.l./ dita
